Lajmet

Bushati: Testi real i Kurtit, nga sot e tutje, është të rishpikë vetveten

Një lexim i ndryshëm për disfatën e Vetëvendosjes.

Published

on

Shkruan: Andi Bushati

Euforia e kundërshtarëve të përjetshëm për disfatën e Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale në Kosovë, në pamje të parë, duket sikur është e përligjur. Idhtarët e Albin Kurtit kishin paralajmëruar fitoren në 24 nga bashkitë e vendit dhe e kanë mbyllyr këtë garë vetëm me katër prej tyre. Ata janë shumë larg rezultatit të marrë nëntë muaj më parë, kur u bënë përfaqësuesit e më shumë se gjysmës së popullsisë. Përpos humbjes së Mitrovicës, në raundin e parë, ajo e Prizrenit dhe sidomos dorëzimi i komunës të Prishtinës tek LDK-ja, i ka zhveshur nga mundësia për të ushtruar pushtetin në qendrat e mëdha urbane.

I gjithë ky bilanc negativ duket sikur i jep të drejtën atij konglomerati të madh të përbërë nga politikanë të shkollës së vjetër, nga gazetarë dhe analistë të mësuar të ushqehen në mencën e së shkuarës, pseudo intelektualëve dhe pjestarëve të shoqërisë civile, për të cilët bataku është më i rehatshëm se ndryshimi, të shkruajnë nekrologjinë e revolucionit të 14 shkurtit.

Sipas tyre, Albin Kurti u ndëshkua për iluzionet e kota që ngjalli, ai u dënua për përdorimin e veriut për interesat e tij elektorale, ai dështoi pasi me arrogancën, mungesën e efikasitetit dhe mbylljen brenda një rrethi të ngushtë, i zhgënjeu shumë shpejt ata që besuan tek ai.

Por, përpos kësaj qasjeje që po dominon gjerësisht debatin post elektoral në Kosovë duhen parë edhe disa të vërteta të thjeshta.

Vetëvendosja mbetet në të njëjtat kuota si në zgjedhjet e mëparshme të tetorit 2019, kur në koalicion me LDK-në, Albin Kurti arriti të bëhet për herë të parë kryeministër. Pra nëse Vetëvendosjes i mungon një sasi votash që mori në plebishitin e 9 muajve më parë ato në fakt nuk ishin të sajat. Ajo ishte vota e zemëratës, zhgënjimit, mllefit me kastën e vjetër politike. Ajo ishte goditje kundër degradimit të LDK-së e cila mbeti peng e lolove të tipit Veliu, Hoti, Mustafa. Ajo ishte revoltë ndaj “klanit pronto” që mbënte prej kohësh peng PDK-në.

Ndryshe nga sa jemi mësuar ne në Shqipëri, këto dy parti ditën të mësojnë shumë shpejt nga shuplaka e nxehtë që morën. Ato e ndryshuan radikalisht drejtimin e tyre. Me ardhjen e Lumir Abdixhikut rugovistët u tranformuan si nata me ditën. Ata ngritën në drejtim dijen, modernitetin, tolerancën e fjalorit të kombinuar me moskompromisin ndaj parimeve. Edhe partia e Thaçit e largoi hijen e rëndë të komandantëve duke e lënë drejtimin në duart e një figure urbane si Memli Krasniqi. 

Pra, opozita kryesore e vendit diti të transformohet radikalisht sipas vullnetit të qytetarëve dhe ajo nuk mund të mos merrte kompesim elektoral për këtë. 

Pikërisht ky ndryshim thelbësor shpjegon rikthimin e një sasie votash në drejtim të opozitës. Nëse duhet një shembull për këtë tezë, ai gjendet kollaj. Në Gjilan, ku LDK-ja u paraqit sërish me një figurë të së shkuarës, Lutfi Hazirin, fitoi sërisht Vetëvendosja, kurse në Prishtinë, ku Përparim Rama u shfaq si një gjetje befasuese, rugovistët e prekën në mënyrë normale suksesin.

Ky spastrim radikal i klasës politike, i cili gjenezën e ka tek fitorja e revolucionit të 14 shkurtit, të cilit i priu Vetëvendosja, solli një përmbysje të madhe në skenën politike kosovare çka u duk qartas edhe në këto zgjedhje. Efekti i tij kryesor është se ndryshe nga nëntë muaj më parë, këtë herë, beteja nuk ishte mes të mirës dhe të keqes, por mes normalitetit të alternativave të ndryshme. Ky është shpjegimi më pranë të vërtetës, i asaj që ndodhi këtë të dielë dhe që arsyeton faktin se përse kjo garë nuk u perceptua sërish me mendësinë e një referendumi plebishitar për të çuar “KREJT” votën në një vend të vetëm. 

Pikërisht nga kjo pikë duhet të fillojë edhe reflektimi i asaj që ndodhi. 

Së pari, Vetëvendosja, që ende ruan shumicën parlamentare për të qeverisur vendin, duhet të kuptojë se nuk mund të sillet më me metoda radikale në një periudhë post revolucionare. Përmbysja e nisur prej saj tashmë ka triumfuar, klasa politike e vjetër ka shkuar në shtëpi duke i dhënë fund së bashku me të edhe gjuhës, metodave dhe vendosmërisë që u përdorën në luftën kundër saj. Partia e Albin Kurtit tani ndodhet përballë sfidës më të madhe që ka pasur që prej themelimit, një dekadë e gjysëm më parë. Sepse ajo nuk ka më monopolin e njerëzve të rinj, të ndriçuar dhe të ndershëm. Çlirimi i partive kundërshtare nga kashenjtë e pavdekshëm, i ka bërë edhe ato njësoj të hapura kundrejt shtresave më të përparuara të shoqërisë. Madje ato janë edhe më të avantazhuara, në këtë garë pastrimi dhe rinovimi, duke pasur në favor faktin e të qenit në opozitë. 

Testi real i Kurtit, nga sot e tutje, është të rishpikë vetveten duke mbajtur njëkohësisht edhe pushtetin. Ndonëse qenia në krye të qeverisë të shpie automatikisht drejt autoritarizmit dhe izolimit, ai duhet të tentojë të hapë partinë dike iu kthyer polifonisë së zërave dhe integritetit të personazheve që kishte Vetvendosja para skizmës së madhe me ata që më pas u larguan për të themeluar PSD-në.

Përveç kësaj, pra përpos hapave të vështirë që është i dënuar të ndërmarë, kryeministri i Kosovës ka edhe disa avantazhe nga rezultatet e 14 nëntorit. Fakti që tashmë ai nuk është mbartës i të gjithë pushteteve pjell automatikisht të mira elektorale. Nëse një nga shkaqet e fitores së Albin Kurtit në 14 shkurt ishte se ai u ndesh me njerëz që kontrollonin gjithçka edhe rezultati i garës së kësaj të diele mund të shpjegohet shumë mirë me instiktin popullor për mos e dorëzuar çdo vendimmarrje në të njëjtat duar. 

Fakti se dy partitë kryesore të opozitës LDK dhe PDK, do të kenë një pushtet të madh lokal do ti bëjë përfaqësuesit e tyre të matshëm, të kritikueshëm, të gjykueshëm nga publiku. Nëse për disa Albin Kurti nuk është sot në kulmin e sharmit që mbart të qenit opozitar, as Përparim Rama, kur të zhysë duart në kaosin urban të Prishtinës, nuk do të ketë më aureolën e pacënueshme të këtij 14 nëntori.

Pra, loja sapo ka rifilluar dhe ata që parathonë dështimin e pashmangshëm të Vetëvendosjes mbeten si gjithmonë të nxituar. Sepse beteja e vërtetë është tjetër. Revolucioni i Vetëvendosjes solli në skenën politike, Lumir Abdixhikun, Përparim Ramën dhe Memli Krasniqin, ndërsa tani mbetet të shihet se sa do të jetë në gjendje ta transformojë Albin Kurtin, përballja me kundërshtarë krejt të rinj dhe krejt të ndryshëm.

©Lapsi.al

Continue Reading

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara