Lajmet

Bushati: Testi real i Kurtit, nga sot e tutje, është të rishpikë vetveten

Një lexim i ndryshëm për disfatën e Vetëvendosjes.

Published

on

Shkruan: Andi Bushati

Euforia e kundërshtarëve të përjetshëm për disfatën e Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale në Kosovë, në pamje të parë, duket sikur është e përligjur. Idhtarët e Albin Kurtit kishin paralajmëruar fitoren në 24 nga bashkitë e vendit dhe e kanë mbyllyr këtë garë vetëm me katër prej tyre. Ata janë shumë larg rezultatit të marrë nëntë muaj më parë, kur u bënë përfaqësuesit e më shumë se gjysmës së popullsisë. Përpos humbjes së Mitrovicës, në raundin e parë, ajo e Prizrenit dhe sidomos dorëzimi i komunës të Prishtinës tek LDK-ja, i ka zhveshur nga mundësia për të ushtruar pushtetin në qendrat e mëdha urbane.

I gjithë ky bilanc negativ duket sikur i jep të drejtën atij konglomerati të madh të përbërë nga politikanë të shkollës së vjetër, nga gazetarë dhe analistë të mësuar të ushqehen në mencën e së shkuarës, pseudo intelektualëve dhe pjestarëve të shoqërisë civile, për të cilët bataku është më i rehatshëm se ndryshimi, të shkruajnë nekrologjinë e revolucionit të 14 shkurtit.

Sipas tyre, Albin Kurti u ndëshkua për iluzionet e kota që ngjalli, ai u dënua për përdorimin e veriut për interesat e tij elektorale, ai dështoi pasi me arrogancën, mungesën e efikasitetit dhe mbylljen brenda një rrethi të ngushtë, i zhgënjeu shumë shpejt ata që besuan tek ai.

Por, përpos kësaj qasjeje që po dominon gjerësisht debatin post elektoral në Kosovë duhen parë edhe disa të vërteta të thjeshta.

Vetëvendosja mbetet në të njëjtat kuota si në zgjedhjet e mëparshme të tetorit 2019, kur në koalicion me LDK-në, Albin Kurti arriti të bëhet për herë të parë kryeministër. Pra nëse Vetëvendosjes i mungon një sasi votash që mori në plebishitin e 9 muajve më parë ato në fakt nuk ishin të sajat. Ajo ishte vota e zemëratës, zhgënjimit, mllefit me kastën e vjetër politike. Ajo ishte goditje kundër degradimit të LDK-së e cila mbeti peng e lolove të tipit Veliu, Hoti, Mustafa. Ajo ishte revoltë ndaj “klanit pronto” që mbënte prej kohësh peng PDK-në.

Ndryshe nga sa jemi mësuar ne në Shqipëri, këto dy parti ditën të mësojnë shumë shpejt nga shuplaka e nxehtë që morën. Ato e ndryshuan radikalisht drejtimin e tyre. Me ardhjen e Lumir Abdixhikut rugovistët u tranformuan si nata me ditën. Ata ngritën në drejtim dijen, modernitetin, tolerancën e fjalorit të kombinuar me moskompromisin ndaj parimeve. Edhe partia e Thaçit e largoi hijen e rëndë të komandantëve duke e lënë drejtimin në duart e një figure urbane si Memli Krasniqi. 

Pra, opozita kryesore e vendit diti të transformohet radikalisht sipas vullnetit të qytetarëve dhe ajo nuk mund të mos merrte kompesim elektoral për këtë. 

Pikërisht ky ndryshim thelbësor shpjegon rikthimin e një sasie votash në drejtim të opozitës. Nëse duhet një shembull për këtë tezë, ai gjendet kollaj. Në Gjilan, ku LDK-ja u paraqit sërish me një figurë të së shkuarës, Lutfi Hazirin, fitoi sërisht Vetëvendosja, kurse në Prishtinë, ku Përparim Rama u shfaq si një gjetje befasuese, rugovistët e prekën në mënyrë normale suksesin.

Ky spastrim radikal i klasës politike, i cili gjenezën e ka tek fitorja e revolucionit të 14 shkurtit, të cilit i priu Vetëvendosja, solli një përmbysje të madhe në skenën politike kosovare çka u duk qartas edhe në këto zgjedhje. Efekti i tij kryesor është se ndryshe nga nëntë muaj më parë, këtë herë, beteja nuk ishte mes të mirës dhe të keqes, por mes normalitetit të alternativave të ndryshme. Ky është shpjegimi më pranë të vërtetës, i asaj që ndodhi këtë të dielë dhe që arsyeton faktin se përse kjo garë nuk u perceptua sërish me mendësinë e një referendumi plebishitar për të çuar “KREJT” votën në një vend të vetëm. 

Pikërisht nga kjo pikë duhet të fillojë edhe reflektimi i asaj që ndodhi. 

Së pari, Vetëvendosja, që ende ruan shumicën parlamentare për të qeverisur vendin, duhet të kuptojë se nuk mund të sillet më me metoda radikale në një periudhë post revolucionare. Përmbysja e nisur prej saj tashmë ka triumfuar, klasa politike e vjetër ka shkuar në shtëpi duke i dhënë fund së bashku me të edhe gjuhës, metodave dhe vendosmërisë që u përdorën në luftën kundër saj. Partia e Albin Kurtit tani ndodhet përballë sfidës më të madhe që ka pasur që prej themelimit, një dekadë e gjysëm më parë. Sepse ajo nuk ka më monopolin e njerëzve të rinj, të ndriçuar dhe të ndershëm. Çlirimi i partive kundërshtare nga kashenjtë e pavdekshëm, i ka bërë edhe ato njësoj të hapura kundrejt shtresave më të përparuara të shoqërisë. Madje ato janë edhe më të avantazhuara, në këtë garë pastrimi dhe rinovimi, duke pasur në favor faktin e të qenit në opozitë. 

Testi real i Kurtit, nga sot e tutje, është të rishpikë vetveten duke mbajtur njëkohësisht edhe pushtetin. Ndonëse qenia në krye të qeverisë të shpie automatikisht drejt autoritarizmit dhe izolimit, ai duhet të tentojë të hapë partinë dike iu kthyer polifonisë së zërave dhe integritetit të personazheve që kishte Vetvendosja para skizmës së madhe me ata që më pas u larguan për të themeluar PSD-në.

Përveç kësaj, pra përpos hapave të vështirë që është i dënuar të ndërmarë, kryeministri i Kosovës ka edhe disa avantazhe nga rezultatet e 14 nëntorit. Fakti që tashmë ai nuk është mbartës i të gjithë pushteteve pjell automatikisht të mira elektorale. Nëse një nga shkaqet e fitores së Albin Kurtit në 14 shkurt ishte se ai u ndesh me njerëz që kontrollonin gjithçka edhe rezultati i garës së kësaj të diele mund të shpjegohet shumë mirë me instiktin popullor për mos e dorëzuar çdo vendimmarrje në të njëjtat duar. 

Fakti se dy partitë kryesore të opozitës LDK dhe PDK, do të kenë një pushtet të madh lokal do ti bëjë përfaqësuesit e tyre të matshëm, të kritikueshëm, të gjykueshëm nga publiku. Nëse për disa Albin Kurti nuk është sot në kulmin e sharmit që mbart të qenit opozitar, as Përparim Rama, kur të zhysë duart në kaosin urban të Prishtinës, nuk do të ketë më aureolën e pacënueshme të këtij 14 nëntori.

Pra, loja sapo ka rifilluar dhe ata që parathonë dështimin e pashmangshëm të Vetëvendosjes mbeten si gjithmonë të nxituar. Sepse beteja e vërtetë është tjetër. Revolucioni i Vetëvendosjes solli në skenën politike, Lumir Abdixhikun, Përparim Ramën dhe Memli Krasniqin, ndërsa tani mbetet të shihet se sa do të jetë në gjendje ta transformojë Albin Kurtin, përballja me kundërshtarë krejt të rinj dhe krejt të ndryshëm.

©Lapsi.al

Continue Reading

Vendi

Rezalla kujton 98 viktimat: 27 vjet nga një prej krimeve më të rënda të luftës në Kosovë

Published

on

By

Janë bërë 27 vjet nga masakra e Rezallës në Skenderaj, ku më 5 prill 1999 forcat ushtarake dhe policore serbe vranë 98 civilë shqiptarë, banorë të këtij fshati dhe zonave përreth. Nga viktimat, 44 prej tyre u zhdukën me forcë, ndërsa më vonë një pjesë e trupave u gjetën në varreza masive në Rudnicë të Rashkës dhe iu kthyen familjarëve.

Sipas dëshmive, në ditën e masakrës, burrat dhe djemtë – nga mosha 13 deri në 90 vjeç – u nxorën dhunshëm nga shtëpitë e tyre, u ndanë nga familjet dhe më pas u ekzekutuan. Nga kjo ngjarje tragjike, vetëm tre persona arritën të mbijetojnë. Masakra e Rezallës konsiderohet ndër më të rëndat gjatë luftës në Kosovë.

Në përvjetorin e kësaj ngjarjeje, homazhe në Rezallë kanë bërë ushtruesja e detyrës së Presidentes dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, së bashku me ministrin Andin Hoti. Haxhiu deklaroi se në këtë zonë ishte zbatuar një plan i organizuar shfarosjeje nga regjimi serb, duke theksuar se pas vrasjeve, trupat e viktimave u zhvendosën në varre masive në Serbi për të fshehur gjurmët e krimit.

Ajo shtoi se, pavarësisht përpjekjeve për fshehje, krimet nuk do të harrohen kurrë dhe do të mbeten pjesë e kujtesës kolektive. Haxhiu gjithashtu theksoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë angazhimin për të siguruar drejtësi për viktimat e kësaj dhe masakrave të tjera të kryera gjatë luftës.

Continue Reading

Kujtesë

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 5 prill, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

By

5 prill 1993

Lajmet kryesore:

Manifestim i madh proteste i shqiptarëve në Frankfurt

Pas rrahjes nga policia dje vdiq Ali Zeqa

U arrestuan Mehmet Hajrizi dhe disa veprimtarë të LDK-së

Pas manifestimit kulturor – në polici

Me sukses po vazhdon aksioni “Ta ruajmë ambientin”

Në Vushtrri policia serbe plaçkiti disa qytetarë shqiptarë

Në vendkalimin kufitar në Han të Elezit u plaçkit dr.Feti Mehdiu

Policia serbe në Prishtinë brutalisht rrahu nxënësin e shkollës fillore

Ftesë për paraqitje në policinë e Deçanit

Në Klinë lëvizje të mëdha policore

 

 

5 prill 1994

Lajm i plotë: Represioni në Kosovë

Ferizaj: – Më 1 prill, policia serbe në Ferizaj, me pretekst të kërkimit të armëve, Ramiz Jahiri u rrah brutalisht në stacionin e policisë në Ferizaj.

Në stacionin e policisë në Ferizaj, për shkak se i ishte lënë thirrja, u paraqit edhe Ramadan Bajraliu.

Me pretekst të kërkimit të armëve, policia serbe bastisi familjen e Mehmet Thaçit në Ferizaj, i cili u muar në stacionin e policisë. Policia e akuzonte se gjoja vëllau i tij, Halimi, ia ka dhënë Mehmetit tri revole. Ky u lirua të nesërmen pasdite rreth orës 14, me kusht që të lajmërohet sërish në stacionin e policisë.

Obiliq: – Dje, në shtëpinë tij u arrestua Remzi Haziri, kryetar i Aktivit të LDK-së në fshatin Raskovë të Obiliqit. Ai po mbahet ende në arrest.

Prishtinë: – Mbrëmë rreth orës 17, në rrugën Shkup – Prishtinë, në afërsi të Ferizajt, derisa po kthehej në shtëpi me veturën e tij, policia serbe rrahu brutalisht pa kurrfarë preteksti Malë Fazliun nga Hajvalia e Prishtinës.

Suharekë: – Sot, rreth orës 10, policia serbe ndali në rrugë, Danush Gashin kryetar i Degës së LASH-it në Suharekë.

Njoftohet se Danush Gashi ende po mbahet në stacionin e policisë në Suharekë.

 

Lajm të tjera:

Kongresisti amerikan Engël kërkon mbrojtje për Kosovën

Në Malishevë gjatë marsit u bastisën 50 familje shqiptare

Serbët uzurpuan banesën e dr. Bardhyl Çaushit

Forca ushtarake u vendosën në afërsi të Molliqit

Paralajmërohet botimi i përditshëm i gazetës “Flaka”

Në Istog për refugjatët serbë ndërtohen 220 shtëpi

Në Gjilan disa vetë në burg për kontrabandë me armë

Përparim Makolli – fitues i turneut të shahut “Kosova ’94”

 

 

5 prill 1995

 Lajm i plotë: Fillon gjykimi kundër ish-policëve

Sot, në orën dhjetë në Gjykatën serbe të Qarkut në Pejë, filloi procesi i montuar politik kundër ish-policëve të Kosovës, përkatësisht aktivistëve të BSPK-së.

Në procesin e montuar në Pejë do të nxirren: Vëllaznim Shehu (1953), Gani Hajdaraj (1955), Sherif Shala (1946), Shaban Shala (1961), Sefer Hasanaj (1942), Xhevat Ibraj (1961), Idriz Elezaj (1945), Skënder Krasniqi (1955) dhe Dërgut Bibaj (1941), i deklaroi “Bujkut” mbrojtësi Adem Bajri.

Aktakuza numër 128/94 datë 16 shkurt, 1995, përmban dhjetë faqe tekst. Këta shqiptarë akuzohen për veprime përgatitore të “cënimit të integritetit territorial të RFJ-së”.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit kanë vepruar sipas instruksioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, me qëllim të “shkëputjes së territorit të Kosovës dhe të bashkimit të me një shtet tjetër”.

Ata, po ashtu, akuzohen se paskan formuar “organet paralele të policisë, “qendrat e sigurimit”, se kinse kanë emëruar udhëheqësit e “policisë shqiptare”, komandantët e kryeshefat etj.etj.

Këta ish-policë e aktivistë të BSPK-së u burgosën që nga gjysma e dytë e nëntorit të vitit të kaluar.

Ata janë torturuar nga hetuesit serbë.

Organizata të shumta ndërkombëtare kanë dënuar dhe kanë protestuar kundër burgosjes e torturimit ndaj ish-policëve të Kosovës.

Miret vesh se avokatët e ish-policëve të Kosovës iu kanë drejtuar me një shkresë edhe Gjyqit për krimet kundër njerëzimit në Hagë.

Procesi në Pejë është i pari në një seri procesesh që pritet të organizohen kundër ish-policëve të Kosovës në Pejë, Prizren, Gjilan dhe në Prishtinë.

Prej gjysmës së dytë të nëntorit e deri tash janë arrestuar dhe torturuar qindra ish-policë të Kosovës.

Ndaj mbi 170 prej tyre janë ngritur aktpadi penale.

Mediumet dhe zyrtarët serbë kanë e kanë cilësuar arrestimin e ish-policëve si një sukses të madh në përpjekjet e tyre për asgjësimin e pushtetit paralel shqiptar, siç e cilësojnë ata pushtetin legal e legjitim të Kosovës.

Një eufori e tillë triumfi ishte shfaqur edhe gjatë arrestimeve të qindra shqiptarëve në vitin 1993, nën akuzë se gjoja kishin formuar Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Mirëpo edhe proceset e montuara politike serbe kundër tyre e dëshmuan të kundërtën. Në procese u dëshmua se të arrestuarit ishin torturuar në mënyrë sistematike dhe se ishin shtrënguar me dhunë të nënshkruanin deklarata të pavërteta.

Pritet që edhe proceset e montuara kundër ish-policëve të Kosovës të përfundojnë njësoj.

Gazeta “Bujku” duke njoftuar për procesin që fillon sot, shkruan duke u mbështetur në deklratat e mbrojtësve se prokurori, në aktakuzën e vet nuk ka kurrfarë prove, përpos disa materialeve të Sindikatës së Pavarur të SPB të Kosovës, ndonjë procesverbal i mbledhjes, libra të ndryshme dhe gjëra të tjera që u morën gjatë bastisjeve të shtëpive të të pandehurve.

 

Lajme të tjera:

Kryetari Rugova u takua me parlamentarët britanikë

Përfaqësuesit e katër ambasadave biseduan me përfaqësuesit e partive politike të Kosovës

Në Parlamentin Evropian u propozua një rezolutë për Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën

Dr.Fehmi Agani: E ashtuquajtura “lëvizje e rezistencës serbe” don të realizojë të parealizueshmen

Njoftim për ditën e dytë të “Javës së kulturës shqiptare” në Geteborg

U mbajt seanca e parë kundër vrasësit të fëmijës

Jetish Jashari u mbajt tri orë në vendkalimin kufitar në Preshevë

Dënime të rënda për pronarët e ndërmarrjeve private në Podujevë

Policia ndërhyri sërish në lokalet e SHF “Migjeni” në Mitrovicë

Gjatë muajit mars në Malishevë e Mitrovicë u keqtrajtuan dhjetëra familje shqiptare

Sot policia serbe arrestoi Ajshe Gërvallën

Policia ushtarake ndërhyri në shtëpinë e një ish-dezertori shqiptar në Mitrovicë

Dhuna e përditshme në Kosovë

Një anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Malishevë po mbahet në arrest

Në Gjakovë u suluman dy inkasantë të Këshillit për vetëfinancim

Flota detare e NATO-s në Atlantik nën komandën portugeze

Akademiku serb Macura angazhohet për kolonizimin e Kosovës

Kërcënimet e Igiqit para gazetarëve suedezë

Njoftime serbe për arrestimin e një personi nga Tetova me 6 kilogramë drogë

 

5 prill 1997

Lajmet kryesore:

Apel i KMDLNJ-së drejtuar organizatave ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut

Grupet e armatosura pengojnë qeverisjen legjitime në Shqipëri

Socialistët serbë nuk shkuan Nju-Jork për shkak të takimit të liderëve të koalicionit me M. Olbrajt

Maqedonia me kute të ndryshme vlerëson punën e misioneve të huaja

Në Pejë inspektorët serbë morën në pyetje disa aktivistë shqiptarë

Një inspektor serb ndërhyri në lokalet e SHF “Migjeni” në Stanofc

Katër familje të bllokuara nga bora në Sharr

 

5 prill 1998

Lajm i plotë:

Shkodër: U gjetën të vrarë dy policë

Dy policë të drejtorisë së policisë së Shkodrës janë gjetur të vrarë në një lokal në qendër të qytetit në mëngjesin e së shtunës, njofton ATSH.

Sipas burimeve të kësaj drejtorie të shtunën ne mëngjes janë gjetur të vrarë në një lokal në afërsi të ish-drejtorisë së policisë së rrethit, policët Hasan Zagani dhe Gëzim Griani.

Të dy policët kanë qenë roje në godinën e ish komisariatit të policisë, në qendër të qytetit, që u dogj dhe u shkatërrua më 22 shkurt të këtij viti.

 

Lajme të tjera:

Sot përsëriten zgjedhjet në Fushë Kosovë dhe në Dragash

Në Deçan edhe më tutje gjendja e rëndë

SHBA: Thirrja për referendum – një tjetër taktikë diversante e Millosheviqit

Maroviq: Milosheviqit i ka dalë dorësh Kosova

Parlamenti i Shqipërisë diskuton projektligjin për policinë kufitare

“New York Times” për situatën në kufirin Shqipëri-Kosovë

Rrustem e Xhavit Hasani, që humbën jetën në Indiana të SHBA-ve, varrosen nesër në Livadicë të Podujevës

Foto: Ballina e gazetës “New York Times”

 

Continue Reading

Vendi

Përfundon mandati i Osmanit, Haxhiu merr përkohësisht presidencën

Published

on

By

Presidentja Vjosa Osmani ka përfunduar të shtunën mandatin e saj, duke ia dorëzuar zyrtarisht detyrën kryeparlamentares Albulena Haxhiu, e cila nga tani ushtron funksionin e ushtrueses së detyrës së presidentes.

Në ceremoninë e dorëzimit, Osmani theksoi se po e mbyll mandatin me rezultate të rëndësishme, ndërsa Haxhiu u zotua se gjatë ushtrimit të këtij funksioni do të respektojë plotësisht Kushtetutën e Kosovës. Në përmbyllje të ceremonisë, Osmani i dorëzoi simbolikisht Kushtetutën pasueses së saj të përkohshme.

Haxhiu merr këtë rol pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri brenda afatit të paraparë. Sipas vendimit të Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Kuvendi ka kohë deri më 28 prill për të zgjedhur kreun e ri të shtetit.

Ky afat u përcaktua pasi Kushtetuesja e shpalli të pavlefshëm dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit.
Gjykata vlerësoi se procedura 60-ditëshe për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 5 mars, kur Kuvendi nuk arriti të votojë kandidaturat e Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha për shkak të mungesës së kuorumit.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se është në komunikim me liderët e partive më të mëdha opozitare për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit. Ai ka paralajmëruar edhe takime gjatë javës së ardhshme, pasi më herët kishte zhvilluar bisedime të ndara me Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku.

Zgjedhja e presidentit mbetet një nga çështjet kryesore politike në vend në javët në vijim.

Continue Reading

Lajmet

Përdorimi i minave tokësore në luftë: Rasti i Kosovës dhe vazhdimësia e rrezikut

Published

on

By

Shkruan: Dr. Arian Kadriu

Minat kanë qenë prej kohësh një instrument lufte i diskutueshëm për shkak të natyrës së tyre të pakontrollueshme dhe efekteve të qëndrueshme pas konfliktit.

Lufta e Kosovës (1998-1999) paraqet një studim rasti bindës si të dobisë taktike ashtu edhe të pasojave humanitare afatgjata të këtyre armëve. Instrumenti kryesor ligjor është Traktati i Otavës (zyrtarisht Konventa për Ndalimin e Minave, 1997). 1. Ndalon minat tokësore kundër personelit (APL); 2. Ndalon përdorimin, prodhimin, grumbullimin dhe transferimin e tyre; 3. Kërkon shkatërrimin e rezervave ekzistuese; 4. Detyron pastrimin e zonave të minuara dhe ndihmën për viktimat. Deri sot, mbi 160 vende janë palë në traktat.

Megjithatë, traktati NUK ndalon minat kundër automjeteve (anti-tank), megjithëse përdorimi i tyre rregullohet sipas kornizave të tjera si: “Konventa për Disa Armët Konvencionale (veçanërisht Protokolli II i Ndryshuar)”. Pra, ligjërisht minat kundër personelit janë të ndaluara për vendet që kanë nënshkruar traktatin, por jo të gjitha vendet e kanë nënshkruar atë, dhe disa ende i mbajnë dhe i përdorin ato ligjërisht. Gjetjet sugjerojnë se, ndërsa është bërë përparim i konsiderueshëm në çminim, rreziqet e mbetura mbeten veçanërisht nga municionet e pashpërthyera (UXO) dhe municionet thërrmuese – duke mbështetur kështu një shqetësim të fshehtë për sigurinë.

Minat janë simbol i luftës asimetrike dhe mbrojtëse. Kostoja e tyre e ulët, lehtësia e vendosjes dhe efekti psikologjik pengues i bëjnë ato tërheqëse si për aktorët shtetërorë ashtu edhe për ata joshtetërorë. Megjithatë, pamundësia e tyre për të bërë dallimin midis luftëtarëve dhe civilëve i bën ato një kërcënim të vazhdueshëm edhe shumë kohë pas ndërprerjes së armiqësive.

Logjika strategjike e përdorimit të minave në luftë prej një perspektivë ushtarake shpreh se minat funksionojnë si shumëzues force. Ato përdoren për të: Mohuar aksesin në territor, kanalizuar lëvizjen e armikut, mbrojnë pozicionet mbrojtëse, ju imponojnë kosto psikologjike armiqve apo kundërshtarëve. Efektiviteti i tyre i kostos është i dukshëm: kostot e prodhimit mund të jenë aq të ulëta sa disa dollarë për njësi, ndërsa kostot e heqjes mund të kalojnë qindra dollarë për minë. Megjithatë, kjo asimetri midis vendosjes dhe pastrimit nënvizon një paradoks më të gjerë strategjik: minat tokësore shpesh i mbijetojnë konflikteve për të cilat janë projektuar të shërbejnë, duke u transformuar nga asete taktike në detyrime afatgjata.

 

Minat gjatë luftës në Kosovë (1998-1999)

Në zonat e qeta të kodrave dhe fushave të Kosovës, nën barin që lëkundet sikur të mos ketë asgjë poshtë, mbetet një trashëgimi e heshtur lufte – një trashëgimi që nuk ndryshket aq shpejt sa venitet kujtesa. Minat tokësore dhe municionet e pashpërthyera nuk janë relike të së kaluarës; ato janë kërcënime aktive të ngulitura në të tashmen, duke pritur jo me qëllim, por me indiferencë. Nga një perspektivë e sigurisë kombëtare, këto rreziqe të fshehura përfaqësojnë më shumë sesa rreziqe të izoluara – ato janë një faktor i vazhdueshëm destabilizues. Ato kufizojnë përdorimin e tokës, pengojnë zhvillimin e infrastrukturës dhe, ndoshta më kritikisht, gërryejnë ndjenjën e sigurisë së popullsisë në mjedisin e tyre. Siguria nuk përcaktohet vetëm nga kufijtë dhe forcat e armatosura, por nga besimi i qytetarëve për të ecur lirshëm nëpër tokën e tyre pa frikë nga ajo që fshihet nën këmbët e tyre.

“Çdo fushë e papastruar është një pikëpyetje në arkitekturën e paqes”, vëren një vlerësim i sigurisë. “Dhe paqja nuk mund të zërë rrënjë plotësisht aty ku vetë toka mbetet e pasigurt”.

Pavarësisht përpjekjeve të gjera për çminim që nga fundi i vitit 1999, rreziku nuk është eliminuar plotësisht. Zonat rurale, ish-vijat e frontit dhe terrenet më pak të arritshme ende paraqesin rreziqe, veçanërisht për ata, jetesa e të cilëve varet nga toka – fermerët, barinjtë dhe fëmijët që enden vetëm një hap shumë larg shtigjeve të njohura. Ky kërcënim ka edhe një dimension brezash. Për ata që e kujtojnë konfliktin, kujdesi mund të vijë instiktivisht. Por brezat e rinj, të distancuar nga emergjenca e luftës, mund të mos kenë të njëjtën vetëdije. Kjo krijon një boshllëk delikat, por të rrezikshëm – një boshllëk ku kurioziteti mund të mbizotërojë kujdesin.

“Edukimi për rrezikun nuk është një fushatë e njëhershme”, mund të argumentoj si ekspert i sigurisë kombëtare. “Ai duhet të evoluojë ndërsa kujtesa zbehet. Ndërgjegjësimi duhet të rinovohet, të rimësohet dhe të riimagjinohet për çdo brez”.

E megjithatë, ka diçka pothuajse poetike – megjithëse të zymtë – në mënyrën se si këto rreziqe vazhdojnë. Toka kujton atë që njerëzit përpiqen të harrojnë. Një livadh mund të lulëzojë përsëri, lulet e egra shtrihen drejt diellit, por poshtë tyre, historia qëndron në gjumë, metalike dhe e pafalshme. Pra, ndërgjegjësimi bëhet një formë vigjilence, pothuajse një ritual i qetë respekti. Shenja të vendosura përgjatë shtigjeve, mësime të dhëna në klasa, histori të ndara brenda familjeve – këto janë gardhet e padukshme që mbrojnë aty ku pastrimi fizik nuk ka arritur ende.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, minat tokësore dhe mbetjet e tjera shpërthyese të luftës (ERË) u vendosën gjerësisht. Ndikimi i menjëhershëm i tyre ndaj njerëzve ishte i rëndë. Në javët pas përfundimit të luftës, në qershor 1999, afërsisht 150 individë u vranë ose u plagosën nga minat dhe municionet e pashpërthyera.

Disa karakteristika që përcaktuan peizazhin e kontaminimit të Kosovës ishin përdorimi i gjerë i minave anti-personel nga aktorë të shumtë të lidhur me një burim – forcat paramilitare serbe. Gjithashtu ndikuan edhe mungesa e hartëzimit të saktë të fushave të minuara dhe kthimi i shpejtë i popullatave të zhvendosura në zona të pasigurta. Kombinim që prodhoi një nga nivelet më të larta të lëndimeve pas konfliktit në nivel global në atë kohë.

Intervenimi ndërkombëtar për çminim pas luftës

Pas luftës, Kosova u bë një vend i rëndësishëm i operacioneve ndërkombëtare humanitare të çminimit. Organizata të tilla si Forca e Kosovës (KFOR), Halo Trust dhe Ndihma Popullore Norvegjeze luajtën role qendrore. Përpjekjet e hershme (1999-2001) u përqendruan në pastrimin emergjent të infrastrukturës kritike, identifikimin e zonave të rrezikshme dhe fushatat e ndërgjegjësimit publik ku gjithashtu përfshiheshin ligjërata tematike nga ekspertët në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës. Këto iniciativa arritën sukses të matshëm. Mijëra pajisje shpërthyese u hoqën dhe sipërfaqe të mëdha toke u bënë të sigurta për përdorim civil. Megjithatë, optimizmi fillestar – siç ishin pretendimet në fillim të viteve 2000 – se problemi ishte “eliminuar praktikisht” – rezultoi i parakohshëm. Sondazhet pasuese zbuluan zona të minuara me perimetër më të gjerë sesa u vlerësua fillimisht.

 

A janë minat në Kosove akoma rrezik?

Pavarësisht progresit të konsiderueshëm, minat tokësore dhe municionet e pashpërthyera vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të mbetur në Kosovë. Të dhënat e fundit tregojnë se përafërsisht 10 kilometra katrorë tokë mbetet e kontaminuar me mbetje të municioneve thërrmuese. Rreziqet shpërthyese vazhdojnë në shumë komuna (të paktën 17). Dhjetëra mijëra pajisje shpërthyese janë hequr, megjithatë zbulimet e reja vazhdojnë dhe, për më tepër, mbi 500 viktima janë regjistruar që nga lufta nga shpërthimi i minave.

Rreziku sot është cilësisht i ndryshëm nga periudha menjëherë pas luftës, ku pasqyrohet frekuencë më e ulët, paparashikueshmëri më e lartë, përqendrim në zonat rurale, pyjore dhe më parë të kontestuara. Gjithashtu, ka rritje për aktivitete specifike (p.sh., bujqësi, ndërtim, ecje në natyrë) në zona ku mund të jenë akoma të minuara. Minat e pashpërthyera janë veçanërisht problematike për shkak të shpërndarjes së tyre të gjerë dhe paqëndrueshmërisë. Ka implikime socioekonomike dhe të sigurisë ku “ndotja” e mbetur vazhdon të kufizojë përdorimin e tokës dhe produktivitetin bujqësor, vonojë zhvillimin e infrastrukturës dhe të imponojë pasiguri psikologjike mbi popullatat lokale. Nga një perspektivë e sigurisë kombëtare, këta faktorë kontribuojnë në atë që mund të quhet “brishtësi pas konfliktit”, ku trashëgimitë e pazgjidhura të kohës së luftës dëmtojnë stabilitetin afatgjatë.

 

Kendveshtrimi Strategjik

Strategjia e Veprimit ndaj Minave e Kosovës (2025–2030) synon të eliminojë ndotjen e mbetur brenda dekadës. Arritja e këtij objektivi do të varet nga financimi dhe mbështetja teknike e qëndrueshme ndërkombëtare,Teknologjitë e përmirësuara të studimit dhe zbulimit dhe koordinimi institucional midis aktorëve vendas dhe ndërkombëtarë. Megjithatë, zhdukja e plotë është në thelb e vështirë. Siç sugjerojnë provat nga Kosova dhe rajonet e tjera pas konfliktit, mbetjet shpërthyese mund të mbeten të fshehura për dekada, duke u rishfaqur periodikisht.

Rasti i Kosovës nënvizon një mësim qendror në luftën moderne: dobia e minave është e kufizuar në kohë, por pasojat e tyre janë të qëndrueshme. Ndërsa ato mund të ofrojnë avantazhe taktike afatshkurtra, kostot e tyre afatgjata humanitare, ekonomike dhe të sigurisë janë të konsiderueshme. Edhe pse Kosova nuk është me ndër territoret më të kontaminuara në nivel global, ajo ende nuk mund të konsiderohet plotësisht e lirë nga rreziku. Minat dhe municionet e pashpërthyera vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim me probabilitet të ulët, por të vazhdueshëm, veçanërisht në zonat rurale dhe ato të kontestuara më parë. Për politikëbërësit dhe strategët ushtarakë njësoj, përvoja e Kosovës përforcon nevojën për të rivlerësuar rolin e minave tokësore në luftën bashkëkohore – jo vetëm në aspektin e efektivitetit të fushëbetejës, por edhe në lidhje me trashëgiminë e tyre të qëndrueshme.

Rruga e Kosovës përpara nuk përcaktohet vetëm duke hequr këto mbetje, por duke transformuar marrëdhënien e saj me to: nga frika në njohuri, nga rreziku në rrezikun e menaxhuar dhe në fund të fundit, në zhdukjen e plotë.

(Autori është profesor në UBT. Ky tekst i kushtohet Ditës Ndërkombëtare për Ndërgjegjësimin e Minave dhe Ndihmën në Veprimin ndaj Minave, që shënohet çdo 4 prill, me vendimin e datës 8 dhjetor 2005 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së)

Continue Reading

Të kërkuara