Lajmet

Bushati: E keqja është se “marëdhëniet e mira” mes dy kryeministrave shqiptarë nuk janë thyer vetëm nga ideja e Ballkanit të hapur

Published

on

Shkruan: Andi Bushati

Besimtar i kredos së tij për ti parë liderët vendimarrës të shteteve shqiptare të unifikuar, peng i besimit se Tirana dhe Prishtina duhet të koordinohen mes njëri tjetërit, përpara se të flasin me faktorë të tretë, Albin Kurti është vënë në një pozicion të vështirë.
Ai ka dalë para mediave për të thënë se ka marëdhënie normale me kryeministrin e Shqipërisë, se ata takohen rregullisht, si në Bled, po ashtu edhe në Tiranë e Dhërmi, duke përdorur shprehjen tipike të atyre që kanë për të fshehur diçka: “Janë shumë më të mëdha gjërat që na bashkojnë, sesa ato që na ndajnë me Edi Ramën”.
Kurti i bëri këto pohime menjëherë pas ndarjes që vuri në pah vizita e Merkelit, ku mospranimi i tij për të përfshirë Kosovën në “Ballkanin e hapur” e yshti Ramën ta etiketojë si konspirativ.

Në fakt, qëndrimet e shefit të qeverisë së Kosovës për “Open Balkan” janë ku e ku më parimore sesa ato të homologut të tij Tiranas. Ai e tha hapur se preferon një nismë të pranuar njëzëri nga të gjitha shtetet e rajonit, që e ka qendrën dhe garancinë në Bruksel, siç është procesi i Berlinit dhe jo një projekt fantazmagorik, qëllimi i vetëm i të cilit është lartësimi i autokratëve si Vuçiç dhe Rama në rangun e liderëve të vetëm rajonalë.

Por, e keqja është se “marëdhëniet e mira” mes dy kryeministrave shqiptarë nuk janë thyer vetëm nga ideja e Ballkanit të hapur.

Çarja është më e thellë dhe me pasoja më afatgjata.

Në thelb të saj qëndron vendimi i Edi Ramës për të lidhur aleancë të pazgjidhshme me vllaun e tij sllav, Alekandar Vuçiçin. Mjafton të bësh një kronologji të fakteve dhe ngjarjeve të kohëve të fundit, për të kuptuar se përkeqësimi i marëdhënieve Tiranë- Prishtinë, është një dëm kolateral i kësaj zgjedhjeje.

Porsa qeveria e Vetëvendosjes u përcaktua për të kthyer faqen e historisë, në dialogun me Beogradin, duke i dhënë fund mendësisë që tani i takon Kosovës të japë diçka për të arritur marrëveshje, por duke i mëshuar faktit se nëse Serbia nuk kupton të shkuarën e saj kriminale, kurrësesi nuk mund të ketë të nesërme, ajo u përball menjëherë me sulmet e kordinuara të dyshes Rama – Vuçiç.

Ata thanë pak a shumë të njëjtën gjë, në të njëjtën kohë. Presidenti Serb e vizatoi partnerin e tij kosovar si një njeri anakronik që e mabn kokën nga e djeshmja. Ndërsa kryeministri Shqiptar me stilin e tij të njohur, reagoi me një shkrim polemik në Facebook duke thënë se “koha nuk ndalet me armët e luftës”.

Ai shkoi me tej duke e fajsuar Prishtinën për ngecjen e dialogut, pasi po e përdorte atë për qëllime të brendëshme dhe e akuzoi se po bëhej e lodhshme për ndërkombëtarët.

Pra, Rama guxoi të kapërcente atë vijë të kuqe që nuk e ka shkelur kurrë asnjë udhëheqës shqiptar, që prej kohës kur ka nisur dialogu në Bruksel. Ai e la peshën e mëkatit mbi palën kosovare, ndërkohë që dihet se është Beogradi që nuk do një marëveshje finale, pasi aty as e kanë ndërmend të njohin dhe të pranojnë pavarësinë e shpallur në 2008-ën.

Por e gjitha nuk përfundon këtu. Kur mbajtja e koncertit të Goran Bregoviçit në Korçë u pasua nga debati i fortë për qëndrimin që duhet mbajtur ndaj të shkuarës së afërt dhe se sa duhet ta respektojmë dhimbjen dhe emocionin e kosovarëve që kanë vuajtur, në veri të Kosovës ndodhi një njgarje që në Tiranë nuk pati shumë vëmendje. Këngëtari me diskurs të theksuar anti shqiptar, Bora Gjorgjeviq i grupit “Riblja Çorba” mbajti një aheng në qytetin e Leposaviqit. Deri këtu mund të duket si rastësi, por jo po të dish se evenimenti u organizua nga ministria e Kulturës së republikës serbe. Mesazhi qe i qartë: këta djemtë e Vetëvendosjes bëjnë si patriota në Shqipëri, por qeveria e tyre në Kosovë, ndryshe nga sa ka premtuar, nuk i ndalon dot dot tingujt e një nacionalisti antishqiptar në territorin e shtetit të saj. Vartësat e Vuçiçit iu gjendën në krah Edi Ramës për të krisur me sa mundeshin autoritetin e Albinit.

Ky është qëllimi real i dyshes së liderëve të pakrahasueshëm të Ballkanit: heqja qafe e çdokujt që bëhet pengesë në ëndrrën e tyre për dominimin e rajonit.

Kjo gjë kuptohet fate lehtësisht edhe po të shohësh shtypin e paguar proqeveritar të Tiranës që ka nisur gjatë muajve korrik gusht një fushatë të egër kundër Kurtit.

Ajo merret me mënd po të krahasosh qëndrimet e Ramës, i cili si ka rrshtur asnjë çast shigjetimet ndaj Albinit, por s’ka hapur kurrë gojën të thotë qoftë edhe një kritikë të vetme ndaj presidentit të Sebisë. Nuk ka gjë më kuptimplotë për të prekur këtë realitet, sesa citimi i i një interviste të Aleksandar Vuçiç, më datën 24 gusht 2021 në emisionin “Çirilica”, që e ka risjellë në vëmendje gazetari shqiptar Enver Robelli.

Aty ai thoshte:“Unë dhe Edi Rama nganjëherë qeshim kur marrim komentet nga rajoni se përse nuk duan të futen në nismën ‘Ballkani i Hapur’. Me të vërtetë, ne së paku nja gjysmë ore qeshim në telefon kur ia lexojmë njëri-tjetrit se kush çfarë ka thënë, pasi ai i ndjek në shqip, ndërsa unë shikoj këtë pjesën nga hapësira ku flitet serbishtja. Pra, kështu qeshim ne dy”.

Ky pohim, që tregon se si Rama zgërdhihet në sy të mikut të vet serb me shqiptarët që mendojnë ndryshe nga ai është një tregues i qartë.

Natyrisht, as ky citim as kjo ekspoze nuk janë brumë për të ngjizur në magjen e nacionalistëve konspirativë akuzat për tradhëtar dhe agjent, që ne i atikulojmë me aq lehtësi. As provat nuk ta mundësojnë, as fantazia më e çmendur nuk ta lejon, që Edi Ramën ta akuzosh në këtë drejtim.

Por, ama, një gjë është e qartë, se ai ka bërë një projekt politik, një plan për lartësimin e aureolës së vet ndërkombëtare, një llogari për të amortizuar problemet e brëndëshme në vend duke u shitur si faktor i paqtimit të shqiptarëve dhe serbëve, të cilin e ka mbështetur fund e krye tek Vuçiçi. Dhe për të realizuar këtë ambicie ai është pak i interesuar nëse viktima kolaterale të saj bien interesat e Kosovës apo kryeministri i saj i radhës.

Pikërisht për këtë arsye, Albin Kurti nuk e ka luksin të gënjejë duke e minimizuar problemin që ka përpara. Ai e di shumë mirë se mes tij dhe Ramës nuk qëndron vetëm Ballkani i hapur. Ndryshe nga sa ai thotë, ato që i ndajnë janë shumë më të mëdha. Dhe ai e ka obligim të dyfishtë ta denoncojë këtë me zë të lartë, qoftë si politikan, qoftë si patriot. Në detyrën e parë, sepse sado që bëjë sikur nuk e shef, halli i mbetet aty dhe një ditë do të jetë i detyruar të përballet. Në misionin e dytë sepse sa më shumë kohë që të zgjasë denoncimi i kësaj mardhënieje, aq më shtrenjtë mund ta paguajë vendi i tij.
Albin Kurti nuk mund të mbetet peng i klisheve që ka në kokë, për bashkëpunimin e detyrueshëm mes shqiptarëve, kur partneri që i ka rënë për pjesë në Tiranë, nuk mendon në të njëjtën gjatësi vale me të.

©Lapsi.al

Linku: https://lapsi.al/2021/09/15/andi-bushati-ku-po-genjen-albin-kurti/

Titulli origjinal: Ku po gënjen Albin Kurti?

Continue Reading

lajme

Aksident me fatalitet në Prizren: Vetura godet këmbësorin në vendkalim

Published

on

By

Një këmbësor ka vdekur pasi u godit nga një automjet mbrëmjen e së mërkurës në Prizren. Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 18:40, ku i dyshuari burrë duke drejtuar automjetin dyshohet se nga pakujdesia në vendkalimin për këmbësor ka goditur këmbësorin.

Viktima është dërguar në spitalin e Prizrenit, sipas policisë, “vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor pasi ka arritur në spital”.

Lidhur me rastin, janë ndërmarrë masat e menjëhershme ligjore.

Sipas raportit “Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”. Rasti po trajtohet nga njësitet kompetente brenda procedurave hetimore.

 

Continue Reading

Lajmet

Vdekje e dyshimtë në Prizren, Policia nis hetimet

Published

on

By

Një person është gjetur pa shenja jete gjatë ditës së djeshme në shtëpinë e tij në Prizren, sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Rastin në polici e ka raportuar një dëshmitar, i cili e ka gjetur viktimën e burrë në banesën e tij.

Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe ekipi mjekësor, ku ky i fundit ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërkohë që rasti po trajtohet si “hetim i vdekjes” deri në zbardhjen e plotë të rrethanave.

Continue Reading

Rajoni

REL: Kosova dhe Shqipëria cilësohen si vende “pjesërisht të lira” nga Freedom House

Published

on

By

Kosova dhe Shqipëria janë cilësuar si vende “pjesërisht të lira” në raportin më të fundit vjetor të organizatës Freedom House me seli në Uashington.

Megjithatë, Kosova ka shënuar një përmirësim të vogël në Raportin e vitit 2026 për Lirinë në Botë, duke u vlerësuar me 61 pikë nga 100, një më shumë se një vit më parë.

Në raportin e publikuar më 19 mars thuhet se në Kosovë “gjykatat kanë nxjerrë vendime që dëshmojnë pavarësinë e tyre, megjithëse janë përballur me trysni të madhe politike”.

Sipas raportit, kriza politike dhe institucionale që goditi Kosovën gjatë vitit të kaluar, kur vendi u qeveris pothuajse tërë kohën nga një qeveri në detyrë, ka ndikuar në përparimin e vendit në gjyqësor.

“Në Kosovë, për shembull, ligjvënësit e sapozgjedhur nuk arritën të formonin një qeveri për pjesën më të madhe të vitit, ndërsa qeveria në detyrë thuhet se e tejkaloi mandatin e saj teknik, duke rezultuar në zgjedhje të parakohshme; kjo bllokadë i zbehu përparimet e vendit në pavarësinë gjyqësore dhe sigurinë fizike”, thuhet në raport.

Në raportin paraprak, kur Kosova kishte 60 pikë, vendi vlerësohej se kishte shumë institucione publike të minuara nga korrupsioni, se gazetarët përballeshin me frikësim dhe se sundimi i ligjit pengohej nga ndërhyrjet dhe mosfunksionimi në sistemin gjyqësor.

Si renditen vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor?

Nga vendet e rajonit, Serbia qëndron më së keqi, pasi vlerësohet me 53 pikë, ndërsa Bosnja e Hercegovina me 54 pikë.

Shqipëria, ndërkohë, vlerësohet më së larti, me 69 pikë, e ndjekur nga Mali i Zi me 68 pikë dhe Maqedonia e Veriut me 67 pikë.

Edhe Shqipëria shënoi përparim për një pikë, krahasuar me raportin e vitit të kaluar.

Raporti Liria në Botë përfshin vlerësime dhe raporte për vendet mbi të drejtat politike dhe liritë qytetare në 195 vende dhe 13 territore në mbarë botën.

Raporti i këtij viti mbulon zhvillimet nga 1 janari 2025 deri më 31 dhjetor 2025.

Puçet ushtarake, dhuna kundër protestuesve paqësorë dhe përpjekjet për të dobësuar garancitë kushtetuese gjatë vitit 2025, bënë që ky të ishte viti i 20-të radhazi të rënies së lirisë globale, sipas raportit nga Freedom House.

Raporti zbuloi se 54 vende përjetuan përkeqësim të të drejtave politike dhe lirive qytetare, ndërsa vetëm 35 shënuan përmirësime.

Sot, vetëm 21 për qind e popullsisë së botës jeton në vende të vlerësuara si të lira, një rënie nga 46 për qind që ishte para dy dekadash, thuhet në raport.

Guinea-Bissau, Tanzania, Burkina Faso, Madagaskari dhe El Salvadori shënuan rëniet më të mëdha të pikëve brenda një viti, ndërsa Siria, Sri Lanka, Bolivia dhe Gaboni gëzuan përmirësimet më të mëdha.

Tri vende – Bolivia, Fixhi dhe Malaui – u përmirësuan nga statusi “pjesërisht të lira” në “të Lira”, falë zgjedhjeve konkurruese, rritjes së pavarësisë së gjyqësorit dhe forcimit të sundimit të ligjit. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Sulmet e Iranit, Konjufca: Kosova krah Emirateve të Bashkuara

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan.

Gjatë këtij komunikimi, fokusi kryesor ishte te zhvillimet e fundit dhe situata e sigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme, ku Kosova ka mbajtur një qëndrim të prerë ndaj akteve të fundit agresive.

Në emër të Republikës së Kosovës, ministri Konjufca ka dënuar fuqishëm sulmet e Iranit ndaj shteteve partnere në rajon, duke përfshirë këtu edhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas njoftimit zyrtar të MPJD-së, këto sulme vlerësohen si cenim i drejtpërdrejtë i sigurisë dhe stabilitetit rajonal, ndërsa Konjufca ka shprehur solidaritetin e plotë të Kosovës me këtë shtet mik në përballjen me këto kërcënime.

Përveç zhvillimeve gjeopolitike, në bisedë u vlerësua lart edhe marrëdhënia dypalëshe mes dy vendeve.

Konjufca ka falënderuar Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan për mbështetjen e vazhdueshme që Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë dhënë Kosovës përgjatë procesit të shtetndërtimit dhe zhvillimit ekonomik ndër vite.

Biseda u mbyll me një ftesë zyrtare për ministrin Konjufca që të vizitojë Emiratet e Bashkuara Arabe, ftesë të cilën ai e ka mirëpritur.

 

Continue Reading

Të kërkuara