Lajmet

​Buleshkaj: Mbi 10 mijë deklarime të pasurisë gjatë vitit 2023

Buleshkaj tha se ky vit ka qenë i suksesshëm në fushën e parandalimit të konfliktit të interesit.

Published

on

Mbi 10 mijë zyrtarë publikë kanë deklaruar pasurinë gjatë këtij viti, të cilat janë bërë përmes sistemit elektronik të pasurisë. Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj deklaroi se është dyfishuar numri i regjistrave të deklarimit të pasurisë. Sipas tij, gjatë vitit 2023 ka pasur edhe shkëputje të kontratave, e raste të tjera të cilat janë dërguar në prokurori e gjykata.

Në konferencë për media, Buleshkaj tha se ky vit ka qenë i suksesshëm në fushën e parandalimit të konfliktit të interesit.

“Këtë vit kemi pasur rreth 296 kërkesa të cilat i kemi trajtuar e këto kërkesa kanë rezultuar me 66 vendime, me 12 opinione, me 165 përgjigje dhe me 17 mbyllje rastesh. Po ashtu i kemi 36 raste të cilat jemi duke i trajtuar. Në qoftë se e krahasojmë me vitin e kaluar i kemi pasur rreth 220 raste, këtë vit kemi pasur një rritje të rasteve. E që ne i përkthejmë si agjenci në besim që kanë qytetarët dhe OJQ-të, mediat në agjenci për të trajtuar rastet të cilat mund të rezultojnë me konflikt interesi. Si rezultat i punës tonë kemi plot vendime të cilat janë anuluar nga institucionet komunale apo qendrore, kemi kontrata të cilat janë shkëputur për shkak që janë lidhur në bazë të konfliktit të interesit. Ka drejtor të cilëve u është ndërprerë kontrata sepse janë emëruar në konflikt interesi, kemi rezultate të prekshme. Kemi edhe disa raste të cilat i kemi përcjell qoftë për gjyqësor apo prokurori”, tha Buleshkaj.

Buleshkaj shtoi se gjatë vitit janë marrë edhe me 66 kallëzimet penale të vitit të kaluar. Ai u zotua se viti 2023 ka qenë i suksesshëm për deklarimin e pasurisë, ku theksoi se është dyfishuar numri i regjistrave.

“Kemi pasur për herë të parë është mbi dyfishuar numri i regjistrave të deklarimit të pasurisë të cilët ne i kemi pranuar. I kemi 10 mijë e 890 deklarime të pasurisë të cilat janë bërë përmes sistemit elektronik të pasurisë. Mund ta themi me krenari që Kosova është vendi i parë në glob që me futjen në funksion të deklarimit elektronik të pasurisë i kemi mbi 99 për qind të subjekteve deklaruese të zyrtarëve publik të cilët i kanë kryer deklarimet përmes këtij sistemi elektronik. Kjo na ka ndihmuar për të pasur saktësi më të mëdha të të dhënave, sepse më herët është dashur që nga kopjet fizike ne t’i bartim në forma elektronike për të mundur t’i krahasojmë me databazat ku krahasohen këto të dhëna”, shtoi ai.

Buleshkaj shtoi se gjatë këtij viti kanë qenë rreth 170 zyrtarë të cilët kanë kryer trajnime.

“Jemi në proces të kontrollit të plot të pasurisë për 1708 subjekte deklaruese, e duke i shtuar këtu edhe familjarët e tyre, ky numër tejkalon mbi 4000. Jemi në mes të procesit, po besoj që procesin e verifikimit të plotë do ta kryejmë në fillim të vitit të ardhshëm. Këtu është mirë ta përmendim edhe përkrahjen që kemi pasur nga Këshilli i Evropës përmes mentorimit, i cili është duke na ndihmuar hap pas hapi në aspektin teknik për ta kryer këtë punë, sipas standardeve evropiane dhe standardeve të Këshillit të Evropës”, theksoi Buleshkaj.

Buleshkajkonsideroi që është shënuar sukses edhe në sinjalizim, ku disa raste janë dërguar edhe në prokurori.

“Janë 19 raste të paraqitura si sinjalizime të jashtme. Të gjitha këto janë trajtuar përveç një nga to. Nga këto 19 raste, dy janë përcjellur në prokurori, një rast është dërguar në një komunë të Kosovës për procedim të mëtutjeshëm, një rast është përcjellur në një ministri të Kosovës për procedim të mëtutjeshëm, ndërkaq 11 raste janë refuzuar për shkak të mos përmbushjes së kritereve ligjore. Ndërsa, tri raste tjera janë mbyllur për shkak se nuk ka rezultuar që veprimi i raportuar të përbëjë shkelje sipas ligjit. Ndërsa, jemi në fazën finale të trajtimit të rastit të fundit për këtë vit. Nëse krahasojmë të dhëna me vitin paraprak, kanë qenë 14 vitin e kaluar, ka një rritje rreth 30 për qind të rasteve”, përfundoi ai.

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj tha se kanë arritur që të trajnojmë mbi 180 zyrtarë apo autoritete përgjegjëse brenda institucioneve, të cilët janë të autorizuar për të trajtuar rastet e mundshme të konfliktit të interesit.

Vendi

Me akreditim nga Cambridge, UBT International Smart Schools sjell modelin modern të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët

Published

on

By

UBT International Smart Schools po vazhdon të udhëheqë në transformimin e arsimit parauniversitar, duke ofruar për nxënësit e klasave 1-9 një model arsimor të fokusuar në teknologji, inovacion dhe zhvillimin e kompetencave për të ardhmen.

Përmes konceptit Classroom 4.0, përdorimit të teknologjisë së avancuar dhe integrimit të inteligjencës artificiale (AI) në procesin e të nxënit, Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët u krijon fëmijëve mjedisin ideal për zhvillim akademik dhe praktik në laboratorë modernë.

Cilësia e lartë dhe përputhshmëria me standardet më të larta globale mbështetet edhe nga akreditimi i plotë nga Cambridge International Education.

Përmes këtij ekosistemi inovativ, nxënësit e niveleve primare zhvillojnë që në hapat e parë njohuri akademike, mendim kritik dhe kompetenca digjitale të nevojshme për të përballuar me sukses sfidat e profesioneve të së ardhmes.

Aplikimet për vitin shkollor 2026/2027 për Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët (klasat 1-9) janë ende të hapura.

Siguroni vendin e fëmijës suaj duke plotësuar formularin zyrtar në Udhëzuesin e Aplikimit në UBT.

Continue Reading

Vendi

REL: KFOR-i nis “tranzicionin gradual” të pranisë nga ura mbi Ibër, Lista Serbe kundërshton

Published

on

By

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka njoftuar se ka nisur “tranzicionin gradual të pranisë” së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, KFOR-i tha se ky hap po ndërmerret në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

“Misioni KFOR, i udhëhequr nga NATO-ja, ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Sipas KFOR-it, ky proces “do të jetë gradual, në varësi të kushteve dhe po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”.

KFOR-i tha se edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq, është informuar rregullisht për këtë proces.

Në përgjigjen e tij, KFOR-i siguroi se personeli i tij “është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin e kahershëm të KFOR-it nga OKB-ja”.

“KFOR-i do të mbajë një prani të dukshme në jug dhe në veri të Mitrovicës dhe në veri të Kosovës, duke vazhduar kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet”, thuhet tutje në përgjigjen e dhënë REL-it.

Më herët gjatë ditës, KFOR-i njoftoi se ka filluar “integrimin gradual të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit”.

Policia e Kosovës deri më tani nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, nëse pjesëtarë të saj janë vendosur mbi urën e Ibrit dhe nëse do të vazhdojnë të jenë të pranishëm atje pas largimit të trupave të KFOR-it.

Ura kryesore, që që lidh Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare me Mitrovicën e Veriut me shumicë serbe, ka qenë në vazhdimësi vatër e tensioneve etnike.

Që nga përfundimi i luftës më 1999, ajo është ruajtur vazhdimisht nga trupat e KFOR-it.

Ndërkohë, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka kundërshtuar tërheqjen apo çfarëdo zvogëlimi të pranisë së pjesëtarëve të KFOR-it në urën kryesore mbi lumin Ibër.

Në një komunikatë për media, kjo parti tha se ka kërkuar takim urgjent me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, për t’ia përcjellë shqetësimet e komunitetit serb në veri dhe për të kërkuar ndaljen e kësaj mase.

Lista Serbe argumentoi se, për shkak të situatës politike dhe të sigurisë, si dhe tensioneve që në të kaluarën kanë shoqëruar zonën e urës, “çdo vendim për praninë e forcave të sigurisë aty duhet të merret me kujdes”.

Ajo gjithashtu pretendoi se Policia e Kosovës nuk e ka fituar besimin e serbëve në veri dhe tha se prania e KFOR-it në urë përbën “një faktor të rëndësishëm stabiliteti”.

Lista Serbe i bëri thirrje KFOR-it që të ruajë një prani adekuate në urën kryesore dhe të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit.

Ura kryesore mbi lumin Ibër aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë, ndërsa Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve në korrik të vitit 2024, gjë që kishte nxitur tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për hapjen e urës për trafik në vitin 2014, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Marrëveshja parashihte revitalizimin e urës dhe largimin e të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.

Për të tejkaluar mospajtimet rreth interpretimit të marrëveshjeve të mëparshme, në vitin 2016 u dakordua një plan i ri zbatimi, sipas të cilit ura duhej të hapej për trafik në janar të vitit 2017.

Punimet për revitalizimin përfunduan në qershor të vitit 2018. Megjithëse në projekt u investuan rreth 1.5 milion euro, ura nuk u hap asnjëherë për automjete dhe vazhdoi të përdorej vetëm nga këmbësorët.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka ndërtuar edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore – një për këmbësorë dhe një për automjete – me synimin për të lidhur Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut, në një qytet që mbetet i ndarë etnikisht që nga lufta. /REL/

 

Continue Reading

lajme

AIP dhe ATK memorandum bashkëpunimi për mbikëqyrjen e aktivitetit ekonomik në mjedisin digjital

Published

on

By

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me qëllim fuqizimin e kontrollit dhe rritjen e transparencës ndaj subjekteve që zhvillojnë aktivitet ekonomik në hapësirën digjitale.

Përmes kësaj marrëveshjeje, të dyja institucionet do të zhvillojnë inspektime të përbashkëta dhe të koordinuara ndaj bizneseve online, faqeve në rrjete sociale, portaleve mediale dhe platformave të tjera digjitale, secila në përputhje me mandatin e saj ligjor.

Kjo iniciativë vjen si përgjigje ndaj rritjes së hovshme të tregtisë online dhe rasteve të evidentuara gjatë monitorimeve, ku janë vërejtur shkelje në mbrojtjen e të dhënave personale si dhe vështirësi në identifikimin e subjekteve ekonomike.

Në kuadër të inspektimeve: AIP do të mbikëqyrë ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale, politikat e privatësisë, përdorimin e “cookies” dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

ATK do të verifikojë përmbushjen e detyrimeve tatimore dhe regjistrimin e rregullt të veprimtarisë ekonomike.

Përmes këtij bashkëpunimi, AIP dhe ATK synojnë të ndërtojnë një mjedis digjital më të sigurt, ku zhvillimi i biznesit bëhet në respektim të plotë të ligjit dhe të drejtave të konsumatorëve. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

KFOR-i nis integrimin e Policisë së Kosovës në sigurinë e Manastirit të Deçanit

Published

on

By

Misioni i KFOR-it ka njoftuar se ka nisur procesin e integrimit të personelit të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë përveç mbrojtjes së Manastirit të Deçanit. Përmes një komunikate zyrtare, KFOR-i bëri të ditur se ky hap vjen në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë dhe është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të misionit në terren.

Sipas njoftimit, ky proces do të realizohet në mënyrë graduale dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore e ndërkombëtare.

“Ky proces do të jetë gradual dhe i bazuar në kushte, si dhe po koordinohet ngushtë me një sërë aktorësh, përfshirë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe dhe të institucioneve të Kosovës, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).”

Pavarësisht këtij riorganizimi, KFOR-i njoftoi se mbetet reaguesi i parë për sigurinë e këtij monumenti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore e fetare.

“Personeli ynë është i pozicionuar për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi, në përputhje me mandatin e KFOR-it të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara. KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit”, sipas reagimit të KFOR-it.

Po ashtu, misioni i udhëhequr nga NATO nënvizoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me të gjitha palët e përfshira, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Serbisë, për të ruajtur transparencën dhe për të shmangur keqkuptimet, duke i bërë thirrje të gjithëve për angazhim konstruktiv në dialog.

Në përmbyllje, KFOR-i rikonfirmoi përkushtimin për përmbushjen e mandatit të tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara