Lajmet

Bujqit francezë e rrethojnë me traktorë Parisin

Ata i përdorën automjetet e tyre të rënda dhe të ngadalshme për t’i bllokuar autostradat që çojnë drejt kryeqytetit francez.

Published

on

Bujqit francezë e kanë rrethuar të hënën Parisin duke i vendosur traktorët si barrikadë dhe duke vozitur ngadalë, në përpjekje për ta shtuar trysnin ndaj Qeverisë franceze për të ardhmen e industrisë së tyre, e cila ka marrë goditje të rëndë nga pasojat e luftës në Ukrainë.

Ata i përdorën automjetet e tyre të rënda dhe të ngadalshme për t’i bllokuar autostradat që çojnë drejt kryeqytetit francez.

Protesta në Paris – nikoqirin e Lojërave Olimpike Verore pas gjashtë muajve – si dhe protestat në qytetet e tjera franceze, bëjnë që kryeministri i ri, Gabriel Attal, të përballet me një javë të vështirë një muaj pasi e mori postin.

Attali nuk ia doli t’i ndalë protestat e bujqve, megjithëse mori masa në favor të bujqësisë javë e kaluar, pasi bujqit i cilësuan ato si të pamjaftueshme për kërkesat e tyre që prodhimi i ushqimit duhet të jetë më fitimprurës, më i lehtë dhe më i drejtë.

Protestuesit u përgjigjën me zhvendosjen e qindra traktorëve, rimorkiove dhe madje kombajnave për ta bllokuar dhe ngadalësuar komunikacionin, duke e përshkruar këtë si “rrethim” për ta shtyrë Qeverinë e Attalit të lëshojë pe.

Disa protestues mbërritën me rezerva ushqimi dhe uji, si dhe tenda për të qëndruar pranë barrikadave, nëse Qeveria nuk i plotëson kërkesat e tyre.

Protestuesit thanë se ndihen të shpërfillur nga ministrat qeveritarë, të cilët i akuzuan se rrallëherë guxojnë t’i vizitojnë bujqit dhe t’i baltosin këpucët e tyre.

Qeveria njoftoi se i ka zhvendosur 15 mijë zyrtarë policorë, kryesisht në rajonin e Parisit, për të mos lejuar futjen e protestuesve në kryeqytet.

Në disa prej autostradave që i bllokuan, protestuesit vendosën në traktorët e tyre afishe me mbishkrimin: “Pa bujq, nuk ka ushqim”, dhe “Fundi ynë nënkupton krizë urie për ju”.

“Synimi ynë nuk është ta shqetësojmë apo rrënojmë jetën e popullit francez”, tha Arnaud Rousseau, president i shoqatës bujqësore me ndikim, FNSEA.

“Synimi ynë është t’i bëjmë trysni Qeverisë që sa më shpejt ta gjejë një zgjidhje për krizën tonë”, shtoi ai për radion RTL.

Protestat në Francë janë dëshmi shtesë për krizën ushqimore në gjithë botën, e cila është përkeqësuar nga lufta mbi dyvjeçare e Rusisë në Ukrainë, vendin i cili është prodhues i madh i ushqimit.

Bujqit francezë ngulin këmbë se rritja e çmimeve të plehut, rrymës dhe gjërave të tjera të nevojshme për rritjen e të mbjellave dhe ushqyerjen e bagëtive, ua kanë harxhuar të hyrat, duke e bërë të pamundshme marrjen me bujqësie për shumë prej tyre./REL

Lajmet

Grabitet një banke në Tiranë, policia arreston autorin e armatosur

Published

on

By

Një grabitje me armë zjarri ka ndodhur në një filial banke në Tiranë, ku një person i armatosur ka arritur të marrë një shumë parash duke rrezikuar jetën e punonjësve të bankës. Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë së Shtetit, autori është neutralizuar dhe arrestuar në tentativë për t’u larguar nga vendngjarja.

Sipas njoftimit zyrtar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues Elton Alushi, zhvilluan një takim falënderues me dy punonjësit e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit Nr. 2, të cilët ndërhynë me guxim dhe profesionalizëm.

Bëhet fjalë për Inspektor Ermal Çekun dhe Inspektor Eduart Salikon, të cilët mbërritën në vendngjarje në kohë rekord, neutralizuan autorin e armatosur, sekuestruan armën e zjarrit si dhe rikuperuan shumën e parave të grabitura.

Gjatë fjalës së tij para efektivëve të Komisariatit Nr. 2, Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda theksoi se reagimi i shpejtë dhe profesionalizmi i treguar janë shembull i standardit që përfaqëson Policia e Shtetit.

“Përballë një personi të armatosur, vepruat me vendosmëri dhe kontroll të plotë të situatës. Këto janë veprime që nderojnë uniformën, forcojnë autoritetin e Policisë së Shtetit dhe rrisin besimin e qytetarëve tek institucioni ynë. Krenar dhe mirënjohës për ju dhe për çdo efektiv policie që mishëron profesionalizmin, guximin dhe përgjegjësinë në çdo moment shërbimi. Jepni gjithmonë më të mirën tuaj në shërbim të qytetarëve dhe të ligjit. Ju falënderoj,” – u shpreh Proda.

Policia bën me dije se hetimet për rastin vijojnë, ndërsa falë ndërhyrjes së shpejtë u shmangën pasoja më të rënda për qytetarët dhe punonjësit e bankës.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Osmani e Prattipati diskutojnë për rolin e Kosovës në Bordin e Paqes

Published

on

By

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, me të cilën diskutoi për zhvillimet e fundit politike në vend.

Në fokus të bisedës ishte procesi i konstituimit të Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së re, ku u nënvizua rëndësia e përmbylljes së shpejtë të proceseve kushtetuese për të garantuar stabilitetin demokratik dhe adresimin e nevojave të qytetarëve, sipas komunikatës të Zyrës së Presidencës së Kosovës.

Gjatë takimit, palët diskutuan edhe për rolin e Kosovës në Bordin e Paqes dhe hapat e mëtejmë në këtë angazhim ndërkombëtar.

Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për një linjëzim të plotë me politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e vlerësuar këtë bashkëpunim si jetik për interesat strategjike të vendit dhe forcimin e mëtejmë të raporteve dypalëshe.

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës sonte mbanë seancë të jashtëzakonshme

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se sot në orën 19:00 do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme ku do të vendoset për udhëheqjen e komisioneve parlamentare, ndarjen buxhetore për muajin mars dhe miratimin e një rezolute në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Sipas marrëveshjes, Vetëvendosje do të kryesojë nëntë  komisione, PDK tri, LDK dy, ndërsa Lista Serbe dhe Grupi Multietnik nga një.

Haxhiu theksoi se pavarësisht dallimeve politike, pret që të gjitha grupet parlamentare të jenë të unifikuara në mbështetje të luftës së drejtë të UÇK-së.

“Dhe çështja tjetër do të lidhet me rezolutën që ndërlidhet me procesin e padrejtë që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve TË Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sipas diskutimeve në KRYESINË E Kuvendit ka vullnet nga grupet parlamentare të marrë mbështetjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Do të ketë paraprakisht një takim të përfaqësuesve të grupeve parlamentare. Por besoj që pavarësisht dallimeve që mund ët kemi për çështje të ndryshme, kur bëhet fjalë për luftën e drejt të UCK dhe në raport me proceset e padrejta që po ndodhin në Hagë duhet të jemi të unifikuar duhet të jemi bashkë”, tha ajo.

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Shqipërisë miraton deklaratën në mbrojtje të liderëve të UÇK-së në Hagë

Published

on

By

Kuvendi i Shqipërisë, ka miratuar një deklaratë përmes së cilës kërkon shpalljen të pafajshëm të drejtuesve të UÇK-së, transmeton KosovaPress.

Përmes deklaratës, e cila bëri bashkë pozitën dhe opozitën në Shqipëri, deputetët shqiptarë shprehin shqetësimin e thellë për kërkesën përfundimtare të Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara në Hagë për dënimin e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Parlamenti shqiptar rithekson se UÇK ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat themelore të njeriut, për liri, dinjitet dhe vetëvendosje të popullit të Kosovës, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Kuvendi i Shqipërisë përmes kësaj deklarate shpreh si në vijim:

1.Mbështetjen e plotë dhe të pakushtëzuar për drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ishin dhe mbeten përfaqësues të aspiratave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Lufta e tyre ishte luftë e drejtë, e mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut.

2. Kërkesën drejtuar Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm, që respekton dhe nuk cenon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, duke mos lejuar që instrumentet e drejtësisë të shndërrohen në mjete për rishkrimin e historisë apo për barazimin e viktimës me agresorin.

3. Kujtimin ndaj bashkësisë ndërkombëtare se lufta e UÇK-së u zhvillua në kushtet kur regjimi i Millosheviçit po kryente spastrim etnik, krime sistematike kundër njerëzimit dhe akte genocidiale ndaj popullatës civile të Kosovës, dhe se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 konfirmoi legjitimitetin e asaj lufte dhe natyrën kriminale të regjimit të Millosheviçit.

4. Vlerësimin e lartë për dëshmitarët ndërkombëtarë të mbrojtjes, si Wesley Clark e James Rubin, të cilët konfirmuan të drejtën e popullit të Kosovës dhe udhëheqësve të tyre për liri.

5. Solidaritetin e plotë me popullin e Kosovës dhe me familjet e drejtuesve të UÇK-së, duke ritheksuar se kombi shqiptar qëndron i bashkuar në mbrojtjen e të vërtetës historike dhe të dinjitetit të luftës për liri.

6. Angazhimin për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm diplomatik dhe politik në forume ndërkombëtare për të siguruar që e vërteta historike mbi luftën çlirimtare të Kosovës të mos cenohet dhe që drejtësia të ushtrohet në mënyrë të drejtë.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë u bën thirrje institucioneve të shtetit Shqiptar, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe diasporës shqiptare që të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtjen e së vërtetës, dinjitetit dhe drejtësisë për popullin e Kosovës dhe për drejtuesit e luftës së tyre çlirimtare, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë u rekomandon qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës të bashkëpunojnë dhe koordinojnë për denoncimin ndërkombëtar të krimeve serbe.

Kjo deklaratë pasqyron vullnetin unanim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe i transmetohet Dhomave të Specializuara në Hagë, Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Parlamentit Evropian, Asambleve Parlamentare të NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, si dhe të gjitha qeverive mike dhe partnere. /Kosovapress/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara