Lajmet

Bühler: Ballkani, rajon me rëndësi të madhe strategjike

SHBA-të do të ngrenë në Shqipëri një Komandë të Forcave Speciale.

Published

on

Në një intervistë për DW, ish-gjenerali i NATO-s, Erhard Bühler, shpjegon pse ky lajm është një sinjal i rëndësishëm për rajonin.

Deutsche Welle: SHBA po planifikon të ngrejë një bazë për forcat speciale në Shqipëri. Çfarë është kjo konkretisht?

Erhard Bühler: Para së gjithash, ka të bëjë me trajnimin e forcave specialë. Sepse forcat speciale varen nga bashkëpunimi shumë i ngushtë shumëkombësh. Kanë nevojë për standarde të njëjta, me të cilat ato trajnohen, ushtrojnë dhe, nëse është e nevojshme, operojnë në misione.
Forcat speciale janë njësi elitare që mund të përdoren në komando prapa vijës së armikut, për shembull për zbulim dhe për të luftuar objektivat e armikut me vlerë të lartë, si pozicionet e artilerisë dhe raketave. Gama e detyrave të tyre përfshin edhe shpëtimin e pengjeve dhe evakuimin e njerëzve në rast emergjence dhe arrestimin e kriminelëve të luftës dhe luftën kundër terroristëve.

Për cilat misione janë parashikuar këto forca speciale në Shqipëri?

Nuk mendoj se në.plan të parë është një interes i drejtpërdrejtë operacional. Para së gjithash, ka të bëjë me trajnim, si edhe me angazhimin e amerikanëve në këtë rajon. Politikisht, ushtarakisht dhe strategjikisht, është e rëndësishme që t’u thuhet qytetarëve në Ballkan se jetoni në një zonë të rëndësishme që është me interes jashtëzakonisht të lartë për Amerikën, NATO-n dhe pjesën tjetër të Evropës.

Pse u zgjodh pikërisht Shqipëria?

Prej trembëdhjetë vjetësh, Shqipëria është një partnere e çmuar e NATO-s me shumë kapacitete që mund të sjellë në NATO. Dhe sigurisht që ka një interes për të vazhduar mbështetjen e forcave të armatosura shqiptare dhe trajnimin e aftësive të tyre. Së dyti, është e rëndësishme edhe që të ndihmohet trajnimi i vendeve të tjera të NATO-s në rajon – Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Sllovenia. Kjo gjithashtu sinjalizon se SHBA-të janë të përkushtuara për paqen në Ballkan.

A është ky një lloj kthimi i amerikanëve në Ballkan, edhe nga pikëpamja ushtarake? Kujtojmë se ish-presidenti Trump donte t’i tërhiqte trupat nga Kosova.

Ata nuk u larguan kurrë, por pati një diskutim, siç e patëm me forcat e armatosura amerikane në Gjermani, të cilat Trump donte t’i reduktonte. Pasardhësi e korrigjoi atë me të drejtë. Tani bashkëpunimi me vendet e NATO-s po bëhet edhe më i madh dhe kjo duket edhe me këtë seli, që do të ngrihet në Shqipëri.

Rajoni ka vazhdimisht tensione ndëretnike. Por së fundi ka pasur tensione edhe në Shqipëri, ish-kryeministri Sali Berisha, i cili është shpallur persona non grata nga SHBA, po përpiqet të marrë në dorë sërish kryesinë e partisë. Çfarë roli luajnë zhvillime të tilla në vendimin e amerikanëve?KFOR General Erhard Bühler

Komandanti i KFOR-it Erhard Bühler arriti në vitin 2011 marrëveshjen e parë mes Prishtinës dhe Beogradit për menaxhimin e dy pikave doganore për kufirin verior të Kosovës. Këtu duke biseduar me përfaqësuesin e atëhershëm të serbëve Borislav Stefanoviç, më 29 korrik 2011.
Ngjarjet në politikën e brendshme dhe demonstratat, që mund të ndodhin herë pas here në çdo vend, nuk janë vendimtare për një vendim të tillë. Faktori vendimtar është trajnimi i forcave speciale dhe interesi i fortë për t’i dhënë Ballkanit Perëndimor një të ardhme paqësore. Ngjashëm me trupën e KFOR-it në Kosovë: Ajo nuk është vetëm në Kosovë një garanci se ky vend nuk do të mbetet vetëm, por e rrezaton atë garanci në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Ju keni qenë në rajon disa herë, mes të tjerash edhe si Komandant i Përgjithshëm i KFOR-it. Si e vlerësoni situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor?

Në Kosovë, shoh përparim të dukshëm në sektorin e sigurisë. Unë jam gjithmonë i lumtur kur shkoj në Kosovë dhe shoh se çfarë mund të bëjnë policët në të vërtetë. Kjo u pa gjatë verës së shkuar, gjatë operacionit policor për zbatimin e ligjit në veri. Në një rrugë tepër të suksesshme deri më tani ka hyrë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës. Nga ana ushtarake, shoh më pak sfida për të ardhmen. Ajo që më shqetëson pak është se retorika nacionaliste në Ballkanin Perëndimor nuk po zvogëlohet, por po rritet.

Cilën retorikë keni parasysh?

E kam fjalën kryesisht për ata që kërcënojnë se do të përdorin forcat e armatosura ose që duan t’i nxjerrin forcat e armatosura nga Federata, si dëgjohet në Bosnjë -Hercegovinë të nxitur nga disa politikanë nga Serbia. Mendoj se palët bëjnë mirë të ulen dhe të bisedojnë si kanë punuar politikanët këtu në Evropën Qendrore pas Luftës së Dytë Botërore, dhe të nënvizojnë pajtimin dhe jo idetë nacionaliste. Por edhe pala evropiane duhet të bëjë më shumë, jo vetëm për të lehtësuar barrën e amerikanëve. Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të jetë më I shpejtë. Ky nuk është një akt bamirësie, por në interesin tonë të mirëfilltë.

Intervistën e zhvilloi Anila Shuka

Erhard Bühler, (datëlindja 1956), ka qenë deri para se të dilte në pension, në vitin 2020, Komandant i Forcave të NATO-s në Brunssum të Holandës. Në vitet 2010/2011 ai ka qenë Komandant i KFOR-it dhe ndërmjetësuesi i të Marrëveshjes “Notting Hill” . 

Continue Reading

lajme

Dekania e Fakultetit të Shkencave Politike në UBT, Hajdi Xhixha, prezanton kërkimin e saj në Universitetin Suedez të Mbrojtjes

Published

on

By

Dekania e Fakultetit të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë në UBT, Dr. Hajdi Xhixha, ka marrë pjesë në punëtorinë kërkimore “Research Workshop on Military Profession, Education and Organization”, të mbajtur më 7 tetor 2026 në Universitetin Suedez të Mbrojtjes në Stokholm të Suedisë.

Në këtë aktivitet ndërkombëtar, Dr. Xhixha prezantoi punimin me temë “Russian Cognitive Warfare and European Cognitive Defence from Strategic Concern to Actionable Framework: The Garrison Mindset, the Luria-Lefebvre Framework, and Europe’s Cognitive Defence Architecture”, duke trajtuar luftën kognitive ruse dhe mbrojtjen kognitive evropiane, me fokus në qasjet strategjike dhe kornizat e zbatueshme për adresimin e këtyre sfidave.

Po ashtu, u shpreh gatishmëria për mundësi të ardhshme bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve.

Continue Reading

Vendi

Maqedonci me Përfaqësuesin e SHBA-së në NATO: Diskutohet blerja e helikopterëve “Black Hawk” dhe kontributi i FSK-së në Gaza

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me Ambasadorin Matthew Whitaker, Përfaqësuesin e Përhershëm të SHBA-së në NATO, me të cilin ka diskutuar për thellimin e partneritetit strategjik në fushën e mbrojtjes dhe integrimin e Kosovës në aleancën euroatlantike.

Sipas njoftimit të ministrit Maqedonci, ambasadori Whitaker ka konfirmuar mbështetjen e SHBA-së për rrugëtimin e Kosovës drejt NATO-s dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Gjatë takimit u theksuan pikat kryesore të bashkëpunimit.

Blerjet ushtarake dhe industria e mbrojtjes: U diskutua për procedurat e nisura për blerjen e helikopterëve “Black Hawk”, furnizimin me sisteme ushtarake nga SHBA-ja, si dhe zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes në Kosovë.

Partneriteti me Iowa-n: U vlerësua bashkëpunimi më se 15-vjeçar me Gardën Kombëtare të Iowa-s përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta.

Misionet ndërkombëtare dhe KFOR-i: Maqedonci shprehu gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar me trupa në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, si dhe diskutoi për bashkëpunimin me NATO-n lidhur me praninë e KFOR-it, optimizimin e hapësirës ajrore dhe shfrytëzimin e mundshëm të Kampit Bondsteel e Aeroportit të Gjakovës.

Ministri Maqedonci i ka dërguar ftesë zyrtare ambasadorit Whitaker për të vizituar Kosovën, duke ritheksuar se partneriteti me SHBA-në mbetet thelbësor për të ardhmen euroatlantike të vendit. /E.A/

 

 

 

 

 

Continue Reading

Rajoni

UBT International Smart Schools shënon Ditën Botërore të Shëndetit Mendor në bashkëpunim me organizatën SIT

Published

on

By

Nxënësit e UBT International Smart Schools kanë shënuar Ditën Botërore të Shëndetit Mendor përmes një aktiviteti të organizuar në bashkëpunim me organizatën SIT, me qëllim të promovimit të mirëqenies emocionale, ndërgjegjësimit dhe rëndësisë së kujdesit për shëndetin mendor.

Përmes këtij aktiviteti, nxënësit patën mundësinë të angazhohen në iniciativa ndërgjegjësuese që theksojnë rëndësinë e shprehjes së emocioneve, komunikimit të hapur dhe mbështetjes së ndërsjellë. Aktiviteti synoi gjithashtu të kontribuojë në krijimin e një mjedisi shkollor ku mirëqenia emocionale dhe shëndeti mendor trajtohen me kujdes, respekt dhe pa paragjykime.

Continue Reading

Lajmet

Fakulteti i Psikologjisë në UBT shënon Ditën Botërore të Shëndetit Mendor në bashkëpunim me organizatën SIT

Published

on

By

Studentët e vitit të parë të Fakultetit të Psikologjisë në UBT, në bashkëpunim me organizatën SIT, kanë zhvilluar aktivitete me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, me qëllim të promovimit të mirëqenies psikologjike, ndërgjegjësimit dhe rëndësisë së kujdesit për shëndetin mendor.

Aktiviteti shërbeu si mundësi për studentët që të angazhohen në diskutime dhe aktivitete ndërgjegjësuese, duke theksuar rëndësinë e komunikimit të hapur, mbështetjes sociale dhe krijimit të një mjedisi ku shëndeti mendor trajtohet pa paragjykime.

Përmes aktiviteteve të tilla, Fakulteti i Psikologjisë në UBT synon të nxisë te studentët jo vetëm zhvillimin e njohurive profesionale, por edhe ndjeshmërinë sociale, përgjegjësinë dhe angazhimin për çështjet që ndikojnë në mirëqenien e individit dhe të shoqërisë.

Bashkëpunimi me organizatën SIT përbën një mundësi për të afruar studentët me iniciativa ndërgjegjësuese dhe për të promovuar një qasje më të hapur dhe gjithëpërfshirëse ndaj shëndetit mendor.

Continue Reading

Të kërkuara