Michelle Obama duket se prej kohësh është në qendër të thashethemeve, por në fund të ditës nuk ka asgjë të vërtetë.
U përfol se çifti po shkon drejt divorcit, kjo pasi Michelle mungoi në funeralin e Jimmy Carter, ish-president i SHBA-së dhe më pas, në shpalljen e Donald Trump për të dytën herë si presidenti aktual i SHBA.
Në të dyja këto raste, Barack mori pjesë vetëm dhe zërat u shtuan. Çifti zgjodhi të mos i adresonte, derisa Michelle vendosi t’u jepte fund në podkastin e Sophia Bush, “Work in Progress”.
Ajo shpjegoi se po merret me veten e bën zgjedhjet personale, që i shtyjnë njerëzit të mendojnë se ka problem në martesën e çiftit.
“Kjo është ajo me të cilën përballemi si gra, frika se mos zhgënjejmë të tjerët,” tha Michelle Obama, duke vijuar: “Deri në atë pikë sa këtë vit njerëzit nuk mund ta konceptonin që po bëja një zgjedhje për veten. Duhej të supozonin që unë dhe bashkëshorti po divorcohemi. Nuk mund të ishte thjesht opsioni që një grua e rritur që po merrte një sërë vendimesh për veten? Kjo është ajo që shoqëria shkakton e nisim të mendojmë: “Çfarë jam unë? Ç’po bëj? Pse po e bëj?” Dhe nëse nuk përputhet me steriotipin që njerëzit mendojnë se duhet të ndjekin, atëherë etiketohet si diçka negative apo edhe e tmerrshme”.

Obama, ndonëse nuk e specifikoi, la të nënkuptohet se mungesa në funeralin e Carter apo në eventin e shpalljes së Trump si president, janë vendime që i ka marrë në të mirë të vetes. Michelle nuk është figurë politike, nuk i pëlqen, madje Barack pranoi se ndihet në “një borxh të madh” karshi së shoqes, pasi e ka përfshirë në angazhime intensive në lidhje me politikën.
Michelle u shpreh se po përjeton çlirim, më parë përdorte justifikime të ndryshme për të refuzuar ftesa. Tanimë, ajo nuk thotë më: “Duhet të sigurohem që vajzat janë mirë”; “Bashkëshorti im është president dhe unë s’mund ta bëj këtë”, por është e lirë të marrë vendime për veten.
“Tani, e di, nuk mund t’ia atribuoj vendimet apo pavendosmërinë time askujt tjetër përveç vetes,” shpjegoi Michelle. “Mendoj se, nëse do të isha e sinqertë me veten, do të kisha mundur t’i bëja shumë prej këtyre zgjedhjeve vite më parë. Por nuk ia kisha dhënë vetes atë liri.”
Pra, asgjë për t’u shqetësuar! Michelle nuk do të jetë prezente në këto evente dhe zgjedh të mos jetë!
Le të shërbejë ky si një mësim për ty që u thua “po” ftesave se nuk e ke ende në fjalor fjalën “jo”.