Magazinë

Britney Spears kundërpërgjigjet ndaj librit të ish-bashkëshortit

Published

on

Ekipi i Britney Spears ka reaguar ndaj komenteve të ish-bashkëshortit të saj, Kevin Federline, i cili në librin e tij të ri me kujtime, You Thought You Knew, shpreh shqetësime për sjellje pas përfundimit të kujdestarisë së saj nga ekipi i udhëhequr nga babai i Spears më 2021.

“Me publikimin e librave të Kevinit, ai dhe të tjerët po përfitojnë përsëri nga kjo situatë, dhe fatkeqësisht kjo po ndodh pasi pagesat e alimentacionit kanë përfunduar. Britney fokusohet vetëm tek mirëqenia e fëmijëve të saj, Sean Preston dhe Jayden James, gjatë gjithë kësaj zhurme mediatike. Ajo ka rrëfyer historinë e saj personale në librin e vet me kujtime”, deklaroi një përfaqësues i Spears për NBC News, sipas raportimit të Today.

Ky reagim pasoi një intervistë të Federline për The New York Times. Në disa pjesë të librit të publikuara nga gazeta, ish-valltari shprehet se shumicën e informacionit për sjelljen e Spears e ka marrë nga dy djemtë e tyre, të cilët gjatë adoleshencës i kishin thënë se nuk donin të ktheheshin në shtëpin për disa arsye, duke përfshirë një rast kur ajo kishte shfaqur një thikë në dorë gjatë natës.

Federline, i cili ishte valltari i saj në skenë, thotë se nuk ka pasur komunikim me Spearsin prej vitesh.

“Nga pikëpamja ime, situata me Britney po shkon drejt diçkaje të pakthyeshme. Nuk mund të bëjmë sikur gjithçka është në rregull. Ora po troket dhe po afrohemi në minutat e fundit. Diçka e keqe mund të ndodhë nëse gjërat nuk ndryshojnë, dhe frika ime më e madhe është se djemtë tanë do të mbeten me pasojat”, shkruan ai në libër.

Federline mohoi se libri është përfitim financiar. “Si baba, jam i tmerruar se një ditë mund të zgjohem dhe djemtë e mi do të duhet të përballen me diçka të paimagjinueshme”, tha ai.

Spears dhe Federline u martuan në vitin 2004 dhe u divorcuan tre vjet më vonë. Dokumentet gjyqësore tregojnë se këngëtarja ka paguar midis 20,000 dhe 40,000 dollarë në muaj për mbështetjen financiare të dy djemve, Sean Preston (20 vjeç) dhe Jayden James (19 vjeç).

Në vitin 2021, Spears u lirua nga kujdestaria 13-vjeçare e vendosur nga babai i saj, pas një beteje ligjore. Ajo ka shkruar për eksperiencën në librin me kujtime, The Woman In Me (2023): “Gjatë kujdestarisë u ndjeva si një robot… jo thjesht robot, por një lloj fëmije-robot. Ishin aq shumë vite sa u trajtova si fëmijë dhe po humbja pjesë të vetes. Kujdestaria ma rrëmbeu femrën dhe më bëri një qenie, jo një person”.

Kujtimet e Spears po përpunohen në një film biografik nga Universal Pictures, me regjisor Jon M. Chu dhe producent Marc Platt.

Në vitin 2024, Spears e përmendi projektin në një postim në rrjetin social X: “Jam e emocionuar që po punoj për një projekt sekret me #MarcPlatt. Ai gjithmonë ka bërë filmat e mi të preferuar… qëndroni të vëmendshëm”. /A.Z/UBT News/

Lajmet

Vrasja e Tupac Shakur: Duane “Keffe D” Davis pritet të dëgjojë sot dënimin

Published

on

Duane “Keffe D” Davis pritet të dëgjojë sot në Las Vegas dënimin për vrasjen e reperit të njohur Tupac Shakur, i cili u qëllua për vdekje në vitin 1996, në moshën 25-vjeçare.

Davis, 63 vjeç, u shpall fajtor për vrasje të shkallës së parë në gusht dhe përballet me mundësinë e burgimit të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht.

Tupac u qëllua më 7 shtator 1996, teksa ndodhej në një veturë BMW të zezë së bashku me producentin muzikor Marion “Suge” Knight. Një Cadillac i bardhë u ndal pranë tyre në një semafor, nga i cili u hap zjarr. Reperi ndërroi jetë gjashtë ditë më vonë, ndërsa Knight mbijetoi.

Vrasja mbeti e pazbardhur për shumë vite, derisa Davis, ish-udhëheqës i grupit South Side Compton Crips, foli publikisht për përfshirjen e tij në ngjarje.

Ai pretendoi se gjithçka kishte nisur pas një përleshjeje në Las Vegas, ku Tupac dhe shoqëruesit e tij kishin sulmuar nipin e tij. Davis pranoi se kishte qenë në sediljen e pasagjerit të Cadillac-ut dhe se kishte siguruar armën e përdorur në sulm.

Prokuroria u mbështet në deklaratat e tij të mëparshme, duke argumentuar se ai kishte organizuar vrasjen dhe kishte siguruar armën. Ndërkaq, mbrojtja kundërshtoi akuzat, duke vënë në pah mungesën e provave fizike dhe duke pretenduar se Davis kishte dhënë deklarata të rreme për përfitime financiare.

Pas shpalljes fajtor, Davis deklaroi se do ta apelonte vendimin.

Ai mbetet personi i vetëm i akuzuar dhe i dënuar për vrasjen e reperit. Në seancën e dënimit pritet të flasin edhe anëtarë të familjes së Tupac-ut, duke kujtuar reperin jo vetëm si artist me famë botërore, por edhe si djalë, vëlla dhe familjar të dashur./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Etiketat “shkruar nga njeriu”, nisma për të dalluar librat e krijuar pa inteligjencë artificiale

Published

on

Nismat për certifikimin e librave të shkruar nga njerëzit, pa përdorimin e inteligjencës artificiale (IA), po fitojnë gjithnjë e më shumë mbështetje, pas disa rasteve të bujshme ku autorë janë dyshuar se kanë përdorur këtë teknologji pa e deklaruar.

Disa sisteme certifikimi nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania u prezantuan këtë javë në Panairin e Librit në Frankfurt, një nga ngjarjet më të mëdha të industrisë botërore të librit, ku ndikimi i inteligjencës artificiale ishte ndër temat kryesore të diskutimit.

Një nga rastet që ka nxitur debat është ai i shkrimtarit haitiano-kanadez Thelyson Orelien, i akuzuar se kishte përdorur inteligjencën artificiale për të shkruar romanin e tij të parë, “It Was Either That or Die”. Ai i ka mohuar këto pretendime.

Charlotte Allibert, bashkëthemeluese e kompanisë franceze “Librinova”, e cila ofron shërbime për vetëbotimin e librave, e ka cilësuar rastin si një tronditje të madhe për industrinë franceze të librit.

“Librinova” u mundëson autorëve të paraqesin veprat e tyre për vlerësim dhe, kundrejt një tarife, të marrin etiketën “krijim njerëzor”. Deri më tani, rreth 200 vepra kanë marrë këtë certifikim. Procesi përfshin përdorimin e programeve për zbulimin e përmbajtjeve të krijuara nga IA-ja, si dhe një intervistë me auditorin, i cili e shqyrton veprën.

Në Britaninë e Madhe, kompania “Books By People” ka prezantuar certifikimin “letërsi organike”. Ky standard kërkon që teksti të jetë shkruar nga vetë autori, duke lejuar përdorim të kufizuar të inteligjencës artificiale për kontrolle drejtshkrimore dhe gramatikore.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, organizata “Authors Guild” ka krijuar një sistem vetëcertifikimi me etiketën “shkruar nga njeriu”, të cilën deri më tani e kanë marrë rreth 6 mijë e 500 tituj.

Shqetësimet për përdorimin e IA-së në letërsi janë shtuar edhe pas rastit të romanit horror “Shy Girl”, të autores Mia Ballard. Shtëpia botuese “Hachette” anuloi publikimin e tij në Shtetet e Bashkuara dhe e tërhoqi nga shitja në Britaninë e Madhe. Ballard mohoi se e kishte përdorur vetë këtë teknologji, por pranoi se një person i angazhuar për redaktimin e librit kishte përdorur inteligjencën artificiale.

Raste të tilla kanë shtuar shqetësimet në mesin e autorëve, veçanërisht të atyre që i botojnë vetë veprat, se mund të përballen me dyshime të padrejta për përdorimin e IA-së. Nismat e certifikimit synojnë të rrisin transparencën dhe të krijojnë standarde më të qarta për autorët, botuesit dhe lexuesit./A.K/

Continue Reading

Magazinë

Robert Pattinson vjen me rol të ri në filmin “Primetime”, flet për sfidat e karrierës

Published

on

By

Aktori britanik Robert Pattinson po përjeton një nga vitet më të suksesshme të karrierës së tij, me disa projekte të rëndësishme kinematografike.

Pas paraqitjeve në filmat “The Drama” dhe “The Odyssey”, aktori 40-vjeçar rikthehet me trilerin kriminal “Primetime”, ku portretizon gazetarin amerikan Chris Hansen, të njohur për emisionin “To Catch a Predator”.

Filmi trajton operacionet investigative për identifikimin e personave të dyshuar për abuzim seksual ndaj fëmijëve, duke ngritur njëkohësisht pikëpyetje mbi kufirin mes gazetarisë, drejtësisë dhe argëtimit televiziv.

Gjatë Festivalit të Filmit në Londër, Pattinson e cilësoi temën si jashtëzakonisht shqetësuese, veçanërisht nga këndvështrimi i një prindi.

Ndërkohë, aktori pritet të shfaqet edhe në “Dune: Part Three”, ndërsa është në përgatitje edhe vazhdimi i filmit “The Batman”.

Performanca e tij në “Primetime” ka nxitur gjithashtu spekulime për një nominim të mundshëm në çmimet Oscar, që do të ishte i pari në karrierën e tij.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Trump nderon Elon Musk-un me Medaljen Kombëtare të Shkencës, e quan “Thomas Edison të kohëve moderne”

Published

on

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka ndarë drejtorit ekzekutiv të SpaceX, Elon Musk, Medaljen Kombëtare të Shkencës, një nga vlerësimet më prestigjioze në Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar atë si “Thomas Edison të kohëve moderne”.

Ceremonia u mbajt të enjten në Institutin e Paqes në Washington, ku u nderuan edhe bashkëthemeluesi i Google, Sergey Brin, drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, si dhe drejtuesja e AMD-së, Lisa Su.

Gjatë fjalimit të tij, Trump tha se ceremonia shënonte përparimin e shkencës dhe teknologjisë në “epokën e artë të Amerikës”, ndërsa për Musk-un përdori fjalë lavdëruese, duke e cilësuar si një “gjigant industrial”.

“Gjenialiteti dhe vendosmëria e tij e kanë shndërruar fantashkencën në realitet”, deklaroi Trump, duke e përshkruar Musk-un si një person “shumë, shumë të veçantë”.

Megjithatë, marrëdhënia mes tyre ka kaluar nëpër periudha tensioni. Musk iu bashkua Trump-it në fazën e fundit të fushatës presidenciale dhe, pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025, mori rol të rëndësishëm në Departamentin për Efikasitetin e Qeverisë (DOGE), ku udhëhoqi përpjekjet për uljen e shpenzimeve dhe zvogëlimin e administratës federale.

Marrëdhënia u përkeqësua pasi Musk kritikoi projektligjin e shpenzimeve të Trump-it, të njohur si “One Big Beautiful Bill”, duke shkaktuar një përplasje publike mes tyre.

Së fundmi, Musk është afruar sërish me administratën Trump. Sipas raportimit, ai pritet të marrë rolin e bashkëdrejtuesit të projektit “Meridian”, të porositur nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes.

Projekti synon të shqyrtojë të ardhmen e luftës, të identifikojë armët dhe teknologjitë që do t’i nevojiten ushtrisë amerikane dhe të propozojë zgjidhje për zhvillimin, testimin dhe vënien në përdorim të tyre.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Musk u nderua për arritjet e tij inxhinierike, të cilat kanë zgjeruar kufijtë e eksplorimit të hapësirës, sistemeve inteligjente dhe komunikimit, si dhe kanë kontribuar në forcimin e udhëheqjes teknologjike amerikane dhe zhvillimin e industrisë prodhuese./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara