Kulturë

Britney do të padisë ish-kompaninë e menaxhimit të biznesit: Ata po përpiqeshin të më vrisnin!

Ajo tha se ndihej aq e pafuqishme në duart e tyre saqë kishte frikë për jetën e saj.

Published

on

Britney Spears u zotua të padisë ish-kompaninë e saj të menaxhimit të biznesit, duke thënë se ajo ndihej aq e pafuqishme në duart e tyre saqë kishte frikë për jetën e saj, përcjell UBT News.

Spears pretendoi se babai i saj, Jamie Spears, “adhuronte” edhe themeluesen e Tri Star Sports & Entertainment Group, Lou Taylor, dhe bashkëpunëtorin e saj Robin Greenhill.

“Unë mendoj se ata po përpiqeshin të më vrisnin … Unë ende sot e kësaj dite besoj se kjo është pikërisht ajo që ata po përpiqeshin të bënin”, shkroi mes tjerash këngëtarja në një deklaratë në Instagram, tani e fshirë.

Jamie, babai i këngëtares, punësoi Tri Star si menaxhere biznesi të pasurisë së Britney menjëherë pasi e vendosi atë nën një kujdestari në 2008. Kompania punoi me këngëtaren për më shumë se një dekadë përpara se të jepte dorëheqjen në vjeshtën e vitit 2020.

Një gjykatës i Los Anxhelosit i dha fund konservatoritetit të Britney-t në nëntor të vitit 2021 pasi ajo akuzoi babain dhe menaxherët e saj për abuzim gjatë një seance gjyqësore atë verë.

Avokati i Taylor, Charles Harder, tha në një deklaratë për Page Six se pretendimet e këngëtares në Instagram ishin “tërësisht të rreme, si dhe shumë fyese, të dëmshme dhe të papranueshme”.

Të gjithë sytë kanë qenë te Tri Star që kur New York Times publikoi dokumentarin e saj “Controlling Britney Spears” në shtator 2021, i cili përfshinte pretendime se Jamie, Taylor, Greenhill dhe presidenti i Black Box Security Edan Yemini kishte monitoruar telefonin e Britney Spears si dhe kishin përgjuar dhomën e gjumit të saj ndërsa ajo ishte nën kujdestarinë./UBTNews/

Lajmet

Kosova ndan licencat e para për udhërrëfyesit turistikë

Published

on

Kosova ka ndarë licencat e para për udhërrëfyesit turistikë, duke shënuar fillimin e një sistemi të rregulluar të licencimit me standarde të qarta për këtë profesion.

Sipas Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ky proces synon të sigurojë që udhërrëfyesit turistikë të ushtrojnë profesionin me përgatitje profesionale, përgjegjësi dhe njohuri të sakta, duke kontribuar në prezantimin dinjitoz të historisë, kulturës dhe trashëgimisë së Kosovës para vizitorëve.

Në njoftim thuhet se udhërrëfyesit turistikë kanë një rol të rëndësishëm në lidhjen e vizitorëve me identitetin kulturor të vendit, prandaj licencimi i tyre përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të turizmit.

Ministria theksoi se krijimi i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit ka mundësuar një qasje më të strukturuar ndaj zhvillimit të turizmit, duke e trajtuar atë si një sektor me potencial të madh për Kosovën.

Me këtë rast, u uruan të gjithë udhërrëfyesit e licencuar për sukses në ushtrimin e profesionit dhe u vlerësua kontributi i tyre në promovimin e vlerave kulturore dhe turistike të Kosovës para vizitorëve vendas dhe të huaj./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Koncerti “Americana” festoi miqësinë Kosovë–SHBA, Ambasada amerikane falënderon Filharmoninë

Published

on

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka shprehur mirënjohjen për Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e koncertit “Americana”, i mbajtur të mërkurën mbrëma në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-së e cilësoi koncertin si një mbrëmje të veçantë kushtuar muzikës, kulturës dhe miqësisë, në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Çfarë performance që shijuam! Falënderime të përzemërta për Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës për interpretimin e jashtëzakonshëm dhe për të gjithë ata që e bënë ‘Americana’ një mbrëmje kaq të paharrueshme, duke festuar 250-vjetorin e Amerikës dhe partneritetin tonë të qëndrueshëm. Një mbrëmje vërtet e paharrueshme me muzikë, kulturë dhe miqësi!”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Koncerti “Americana”, nën dirigjimin e maestros Toshio Yanagisawa, solli para publikut vepra të njohura të kompozitorëve amerikanë, përfshirë George Gershwin dhe Leonard Bernstein, duke mbledhur qindra qytetarë në qendër të Prishtinës për një mbrëmje festive që shënoi lidhjet e ngushta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Orkestra “Amadeus” hap me sukses festivalin ndërkombëtar “Musica Orbis” në Pragë

Published

on

Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” ka shënuar një paraqitje të suksesshme në koncertin hapës të festivalit garues ndërkombëtar “Musica Orbis”, i cili po mbahet në Pragë të Çekisë.

Ceremonia solemne e hapjes u zhvillua në sallën Mayakovski të Teatrit Vinohrady, ku orkestra hapi festivalin me interpretimin e veprës shqiptare “Malësorja”, e cila u mirëprit me ovacione dhe duartrokitje nga publiku.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj, e cila në fjalën e saj vlerësoi rëndësinë e pjesëmarrjes së orkestrës në një festival ndërkombëtar dhe rolin e saj në promovimin e Kosovës në arenën kulturore botërore.

Organizatorët dhe anëtarët e orkestrës shprehën mirënjohje për Ambasadën e Kosovës në Çeki për mbështetjen dhe angazhimin gjatë qëndrimit të tyre në Pragë, si dhe falënderuan publikun për përkrahjen e vazhdueshme.

Orkestra “Amadeus” do ta përfaqësojë Kosovën edhe në garën ndërkombëtare të orkestrave në kuadër të festivalit “Musica Orbis 2026”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti viziton Galerinë Kombëtare: Arti është udhërrëfyes i shoqërisë

Published

on

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Galerinë Kombëtare të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e artit pamor dhe institucioneve kulturore në ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore dhe zhvillimin e jetës publike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ndau përshtypjet e tij nga ekspozitat e fundit, duke vlerësuar Galerinë Kombëtare si një hapësirë të rëndësishme për promovimin e artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe për ndërtimin e identitetit kulturor të vendit.

“Arti nuk është vetëm reflektim i shoqërisë, por edhe udhërrëfyes i saj. Mbështetja për institucionet tona kulturore dhe krijuesit tanë mbetet prioritet, pasi përmes tyre prezantojmë vlerat tona më të mira para botës”, ka shkruar Kurti.

Gjatë vizitës, ai u njoftua edhe me projektet dhe sfidat e Galerisë Kombëtare, duke rikonfirmuar angazhimin e Qeverisë për rritjen e investimeve në infrastrukturën kulturore dhe për mbështetjen e artit bashkëkohor në Kosovë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara