Google ka pranuar se sistemi i paralajmërimit të hershëm për tërmetet dështoi të njoftonte me saktësi njerëzit gjatë tërmetit vdekjeprurës në Turqi në vitin 2023.
Gjigandi i teknologjisë tha më parë se sistemi kishte “performuar mirë”, por dështoi të paralajmëronte për tërmetin në Turqi.
Sistemi funksionon në pajisjet Android, të cilat përbëjnë më shumë se 70% të telefonave në Turqi.
Më shumë se 55,000 njerëz vdiqën kur dy tërmete të mëdha goditën Turqinë juglindore më 6 shkurt 2023, më shumë se 100,000 u lënduan.
Shumë prej tyre flinin në ndërtesat që u shembën përreth tyre kur goditën tërmetet, shkruan BBC.
Sistemi i paralajmërimit të hershëm i Google ishte në vend dhe ishte aktiv ditën e tërmeteve – megjithatë, nënvlerësoi fuqinë e tyre.
“Ne vazhdojmë ta përmirësojmë sistemin bazuar në atë që mësojmë në çdo tërmet”, tha një zëdhënës i Google.
Si funksionon?
Sistemi i Google, i quajtur Android Earthquake Alerts, është në gjendje të zbulojë dridhjet nga një numër i madh telefonash celularë që përdorin sistemin operativ Android. Meqenëse tërmetet lëvizin relativisht ngadalë nëpër tokë, mund të dërgohet një paralajmërim.
Paralajmërimi quhet “Take Action”, i cili aktivizon alarm të fortë në telefonin e një përdoruesi duke anashkaluar një cilësim “Do Not Disturb” – dhe duke mbuluar ekranin. Ky është paralajmërimi që supozohet t’u dërgohet njerëzve kur zbulohet një dridhje më e fortë që mund të kërcënojë jetën njerëzore.
Hulumtuesit e Google kanë shkruar në Science detaje rreth asaj që shkoi keq, duke përmendur “kufizime në algoritmet e zbulimit”.
Për tërmetin e parë, sistemi vlerësoi dridhjen midis 4.5 dhe 4.9 në shkallën e magnitudës së momentit (MMS) kur në fakt ishte 7.8.
Një tërmet i dytë i madh më vonë u nënvlerësua me sistemin që dërgoi alarme Take Action në 8,158 telefona dhe alarme Be Aware në pak më pak se katër milionë përdorues. Pas tërmetit, studiuesit e Google ndryshuan algoritmin dhe simuluan përsëri tërmetin e parë.
Sistemi gjeneroi 10 milionë alarme Take Action për ata që ishin në rrezik dhe 67 milionë alarme të tjera Be Aware për ata që jetojnë më larg epiqendrës.
Google thotë se sistemi supozohet të jetë plotësues dhe nuk është një zëvendësim për sistemet kombëtare.
Megjithatë, disa shkencëtarë shqetësohen se vendet po i besojnë shumë teknologjisë që nuk është testuar plotësisht.