Lajmet

Samiti i Procesit të Berlinit në Londër, Kurti takon Cooper – përmend sulmin terrorist në Banjska

Published

on

Kryeministri në detyrë Albin Kurti u prit sot në takim nga sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, para fillimit të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Londër.

Kurti përkujtoi se përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë ende janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, përkundër faktit që autori i sulmit terroristi Milan Radoiçiq, ka pranuar përgjegjësinë dhe se lënia e tyre të lirë përbën kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës.

Siguria e Kosovës është siguria e kufijve të saj. Partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar është kyç për t’u mbrojtur nga lufta hibride e Rusisë dhe influenca e saj në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu dezinformimin dhe financat e paligjshme, tha Kurti.

Në fushën e mbrojtjes, kryeministri theksoi se Kosova po investon në inovacion, arsim dhe partneritete, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar. Ai gjithashtu nënvizoi potencialin e vendit për investime dhe mundësitë për projekte strategjike të përbashkëta me Britaninë.

Në takim u diskutua mbi temat kryesore të Samitit të Procesit të Berlinit: sigurinë, rritjen dhe migracionin, si thelbësore për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Gjithashtu, biseduan për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes në fushat e energjisë, infrastrukturës, përfshirë edhe transportin dhe edukimin.

Kurti tha se prioritet i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian, dhe se përmes partneritetit me Britaninë e Madhe mund të ecet drejt integrimit në Aleancën e Veri-Atlantikut./KP

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen mbretërore “Royal Reception” të organizuar nga Madhëria e Tij, Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, me rastin e Samitit të Procesit të Berlinit që zhvillohet në Londër.

Në këtë pritje, përveç Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, morën pjesë edhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë kësaj mbrëmjeje solemne, Kryeministri Kurti pati mundësinë të bisedojë me Madhërinë e Tij, Mbretin Charles III, kryeministrin e Mbretërisë se Bashkuar, Keir Starmer, si dhe me liderë të tjerë të pranishëm, duke theksuar marrëdhëniet e ngushta dhe miqësinë e veçantë që lidh Republikën e Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar, një marrëdhënie e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta të demokracisë, lirisë dhe barazisë./EO

Britania e Madhe do të jetë sot nikoqire e mbajtjes së Samitit të Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe ofrimin e sigurisë e zgjerimit.

Procesi i Berlinit është një platformë ndërkombëtare që bashkon qeveritë e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me partnerë të tjerë evropianë.

Qëllimi i tij është të rrisë bashkëpunimin rajonal, të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe të përshpejtojë përpjekjet për një përafrim më të ngushtë evropian të Ballkanit Perëndimor.

Qeveria e Britanisë së Madhe do të punojë me Gjermaninë, si iniciatore e Procesit të Berlinit, mbi prioritetet e përbashkëta në Ballkanin Perëndimor.

Sipas raportimeve, liderët ballkanikë do të priten fillimisht nga kryeministri britanik, Keir Starmer. Më pas, ata do të priten nga Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar.

Nga ora 15:00 do të nisë seanca plenare me dy panele: njëri me temën “Ambicia dhe Vizioni Strategjik”, ndërsa paneli tjetër do të trajtojë temat “Zgjerimi, Migracioni dhe Siguria”.

Kosova përfaqësohet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndërsa Shqipëria nga kryeministri i saj, Edi Rama.

Kryeministri Starmer do të presë udhëheqës dhe përfaqësues të lartë nga vendet e Ballkanit Perëndimor si Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si dhe nga shtete partnere të BE-së, përfshirë Austrinë, Francën, Gjermaninë, Italinë e Greqinë.

Këtë vit, Samiti zhvillohet në një moment simbolik, pasi përkon me 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, 50-vjetorin e Aktit Final të Helsinkit dhe 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe themelimit të Kombeve të Bashkuara.

Përndryshe, Mbretëria e Bashkuar kishte qenë nikoqire e këtij procesi edhe në vitin 2018. /S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara