Lajmet

Brenda 24 orëve 29 raste pozitive me COVID-19 në Kosovë

Nuk u shënua asnjë rast i vdekjes.

Published

on

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar 29 raste të reja me COVID-19, ndërsa nuk u shënua asnjë rast i vdekjes.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, në Kosovë janë shëruar edhe tre pacientë, kurse numri total i rasteve aktive është 441.

Në 24 orët e fundit janë dhënë 157 doza të vaksinës kundër COVID-19, kurse prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1 milion e 825 mijë e 998 doza të vaksinës./UBTNews/

Aktualitet

Zjarr masiv në bazën ushtarake ruse në Melitopol

Published

on

Një zjarr i madh ka shpërthyer në fabrikën “Hydromash” në qytetin e pushtuar të Melitopolit, duke shkaktuar një tym të dendur dhe flakë që janë të dukshme në të gjithë zonën përreth.

Pamjet dhe dëshmitë tregojnë për zjarr të jashtëzakonshëm në përmasa, që ka përfshirë një pjesë të konsiderueshme të objektit industrial. Sipas burimeve lokale pas pushtimit të qytetit nga forcat ruse, kompleksi industrial i “Hydromash” është shndërruar në bazë ushtarake të improvizuar.

Kjo fabrikë, e cila më parë prodhonte pajisje hidraulike dhe komponentë të tjerë teknikë, thuhet se është përdorur nga ushtria ruse për magazinimin e armatimit dhe logjistikës ushtarake.

Zjarri ka filluar në orët e vona të natës dhe përhapja e tij e shpejtë ka ngritur shqetësime për rrezikun e shpërthimeve të mundshme, veçanërisht nëse në ambientet e godinës ndodhen municione ose karburante. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga pala ruse për shkakun e zjarrit apo pasojat e plota.

Autoritetet ukrainase nuk e kanë përjashtuar mundësinë që incidenti të jetë rezultat i një operacioni të qëllimshëm ose sabotimi.

Megjithatë, deri në këtë moment, shkaku i saktë i zjarrit mbetet i paqartë dhe nuk është konfirmuar nga burime të pavarura. Ngjarja vjen në një kohë kur tensionet në rajonet e pushtuara mbeten të larta, dhe incidentet e tilla gjithnjë e më shpesh lidhen me aktivitetet ushtarake dhe përplasjet në prapavijë.

Continue Reading

Lajmet

9 qershori i historisë: 26 vjet nga kapitullimi i Serbisë në Kosovë

Published

on

By

Më 9 qershor 1999 u nënshkrua Marrëveshja ushtarako-teknike e Kumanovës mes NATO-s dhe Republikës Federale të Jugosllavisë, e cila shënoi kapitullimin e forcave serbe dhe fundin e luftës në Kosovë. Kjo marrëveshje historike i hapi rrugë tërheqjes së plotë të trupave ushtarake dhe policore të Serbisë nga territori i Kosovës.

Dokumenti u nënshkrua në afërsi të Kumanovës nga komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, gjenerali britanik Michael Jackson, dhe shefi i atëhershëm i Shtabit të Ushtrisë Jugosllave, gjenerali Nebojsha Pavkoviq – më pas i akuzuar për krime lufte dhe gjenocid në Tribunalin e Hagës.

Marrëveshja hyri në fuqi më 11 qershor 1999 dhe pasoi një fushatë 78-ditore bombardimesh të NATO-s mbi caqet serbe, si përgjigje ndaj spastrimit etnik dhe krimeve të luftës të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. Gjatë luftës, më shumë se 10 mijë shqiptarë u vranë, rreth 5 mijë mbeten të zhdukur, ndërsa mbi 1 milion qytetarë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Serbia ishte e detyruar të largonte nga Kosova të gjitha forcat me kapacitet ushtarak, përfshirë ushtrinë, policinë, njësitë speciale, paramilitarët dhe shërbimet sekrete. Gjithashtu u vendosën kufizime të rrepta për prezencën ushtarake në zonat kufitare me Kosovën: një brez ajror sigurie prej 25 kilometrash dhe një brez tokësor prej 5 kilometrash ku ndalohej vendosja e armatimeve të rënda.

Vetëm dy ditë më vonë, më 12 qershor 1999, trupat e para të këmbësorisë së NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar zyrtarisht fillimin e një epoke të re për vendin. Më 10 qershor, NATO ndaloi bombardimet dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, përmes së cilës në Kosovë u vendos misioni ndërkombëtar paqeruajtës KFOR me 37.200 ushtarë nga 36 shtete.

KFOR-i mori përgjegjësinë për sigurinë në pesë zona të ndara: amerikane, britanike, franceze, gjermane dhe italiane. Në të njëjtën kohë u vendos edhe Misioni i Përkohshëm Administrativ i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), që do të udhëhiqte procesin e rindërtimit dhe administrimit civil të vendit.

Pas përfundimit të luftës, edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) u shpërbë dhe u transformua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), si një forcë e re në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare.

Sot, 26 vjet më pas, Marrëveshja e Kumanovës mbetet një nga gurët themeltarë të shtetformimit të Kosovës dhe një simbol i triumfit ndaj shtypjes dhe dhunës.

Continue Reading

Aktualitet

Kuvendi mblidhet sot për të 29-ën herë

Published

on

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot, në përpjekjen e 29-të për të arritur konstituimin e këtij institucioni.

Megjithëse, si 28 herët paraprake, sipas deklaratave dhe qëndrimeve të ish-opozitës si dhe partisë fituese të zgjedhjeve, as sot nuk do të ketë ndonjë ndryshim në ngërçin e krijuar politik.

Seanca e sotme nis nga ora 11:00.

Sakaq më 15 qershor bëhen dy muaj që nga nisja e bllokadës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Aktori Christian Bale duket thuajse i panjohur rrugëve të Atlantas, teksa po xhiron filmin e ri

Published

on

Një nga yjet më të mëdhenj të Hollywood-it është shfaqur i paidentifikueshëm në xhirimet e filmit të ri biografik me temë sportive por a mund ta dalloni kush është?

Aktori 51-vjeçar është parë i veshur me një xhaketë të zezë prej lëkure, me flokë të lëmuar pas dhe duke mbajtur tre unaza të Super Bowl-it në xhirimet e filmit të tij më të ri, shkruan The Sun.

Ky fitues i çmimit Oscar kishte një pamje ndryshe nga ajo me të cilën jemi mësuar ta shohim si zemërthyes klasik, teksa po xhironte të mërkurën në Atlanta.

Ylli i njohur është fotografuar duke shëtitur në setin e filmit me një shprehje goje të hapur në fytyrë.

Por, a e zbuluat se për cilin aktor bëhet fjalë? As më pak e as më shumë, është ylli i filmit Batman, Christian Bale.

Aktori i famshëm është duke xhiruar skena për filmin e tij të ri të titulluar Madden, ku luan përkrah yllit tjetër amerikan, Nicolas Cage, në një projekt shumë të përfolur të regjisorit David O. Russell. Në rolin e tij, Christian Bale i ngjan shumë personazhit real që portretizon – të ndjerit Al Davis, pronari dhe menaxheri legjendar i ekipit Oakland Raiders. Bale shihej me një pamje të zbehtë dhe me fytyrë të skuqur, karakteristike për Davis.

Ndërkohë, Nicolas Cage është parë në set i veshur me një kostum special që e bënte të dukej më i shëndoshë, me flokë të gjatë, duke interpretuar trajnerin e famshëm të Raiders dhe më pas transmetuesin legjendar të NFL-it, John Madden.

Në film marrin pjesë edhe komediani John Mulaney në rolin e Trip Hawkins, themeluesit të Electronic Arts, si dhe aktorja britanike Sienna Miller, e cila luan Carol Davis, bashkëshorten e Al Davis.

Sipas një deklarate nga Amazon, “Filmi ndjek rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Madden – nga partneriteti i suksesshëm në Super Bowl me Al Davis dhe ekipin Raiders, te krijimi i lojës së famshme Madden NFL, e deri tek shndërrimi në një nga zërat më ikonë në historinë e futbollit amerikan”.

Fansat e NFL-it kanë reaguar me habi ndaj transformimit të Christian Bale dhe Nicolas Cage për rolet e tyre.

“Prisni pak, a është kjo e vërtetë?”, shkroi një përdorues. “Ata s’duken aspak si vetja e tyre e vërtetë”, komentoi një tjetër. “Jo, nuk ka mundësi që ky të jetë John Madden!”, shtoi dikush tjetër i habitur.

Filmi Madden është i drejtuar nga David O. Russell, i cili ka qenë i nominuar për çmimin Oscar me filmat si The Fighter dhe Silver Linings Playbook.

Ai gjithashtu ka shkruar skenarin e këtij filmi, i cili është i bazuar në jetën e vërtetë të John Madden – nga koha si trajner i NFL-it, tek karriera si komentator dhe më pas fytyra ikonë e lojërave video Madden NFL të EA Sports.

Madden ndërroi jetë në dhjetor të vitit 2021, në moshën 85-vjeçare. Në film përfshihet edhe jeta e Al Davis – pronarit karizmatik të Raiders, i njohur për moton e tij të famshme: “Fitoni, thjesht fitoni, baby.” Davis ndërroi jetë në tetor të vitit 2011, në moshën 82-vjeçare për shkak të dështimit të zemrës.

Në prill të kaluar, u bë e ditur se roli i Madden do t’i besohej Nicolas Cage, ndërsa më vonë u konfirmua se Christian Bale do të portretizonte Al Davis. /

Continue Reading

Të kërkuara