Lajmet

Botërori i Shqipërisë nën shenjën “11”, kuqezinjtë luajnë shansin e madh në Beograd

Published

on

Shqipëria do të luajë në datën 11 tetor një nga ndeshjet më të rëndësishme jo vetëm për kualifikueset e Botërorit, por gjithashtu edhe për historinë, duke ditur rivalitetin e kuqezinjve me Serbinë, historikun mes tyre dhe problemet politike.

Pavarësisht se këto në futboll nuk kanë vend, në tribunat e tifozerisë serbe kanë qenë gjithmonë prezentë, madje edhe atëherë kur asgjë nuk lidhej as me Shqipërinë dhe as me Kosovën.

Kjo ndeshje e shumëpritur, pritet të zhvillohet në datën 11 tetor në Beograd dhe numri 11, nuk vetëm data në të cilën luhet ndeshja, por lidhet edhe me shumë “11-a” të tjera.

11 VITE NGA DRONI- Në vitin 2014, Shqipëria luante një ndeshje të madhe në Serbi, teksa ëndrra për një vend në Europianin e Francës sapo kishte nisur. Kuqezinjtë përballeshin jo vetëm me skuadrën serbe, por me terrorin serb, me tifozerinë e cila në çdo moment bënte thirrje për vdekjen e shqiptarëve, apo edhe me vendimet për të mos lejuar jo vetëm tifozët shqiptarë, por as flamurin kuqezi në stadium. Gjithçka u duk se po shkonte mirë, kur në qiellin e Beogradit u shfaq flamuri “Autochthonous”, me autor Ballist Morinën, “incident” ky që jo vetëm që i solli Shqipërisë 3 pikët në tavolinë, por gjithashtu dënoi edhe Serbinë me zbritje pikësh, duke e bërë kualifikimin e kuqezinjve edhe më të lehtë.

11 PIKË NË SERBI- Kuqezinjtë kanë objektiv vendin e dytë në grup, pasi Anglia praktikisht e ka blinduar vendin e parë, duke treguar forcën ndaj çdo rivali. Të gjithë në Kombëtare e dinë se pas hapit fals ndaj Letonisë, vendi i dytë mund të arrihet vetëm duke mundur Serbinë në Beograd, që duhet të shoqërohet patjetër me një fitore ndaj Andorrës e më pas, ndaj Anglisë mund të luajnë pa presionin e rezultatit. Me një fitore në Serbi, kuqezinjtë do të arrinin në kuotën e 11 pikëve dhe me shumë gjasa, do të blindojnë vendin e dytë në grup.

11 PËRBALLJE MES DY SKUADRAVE- Dy skuadrat janë përballur në historinë e tyre 11 herë, nga të cilat 3 ndeshje kanë qenë mes Shqipërisë e Serbisë, e 8 të tjera kanë qenë mes Shqipërisë dhe Ish-Jugosllavisë, megjithatë fitorja e vetme e kuqezinjve ka qenë në 14 tetorin e vitit 2014, me rezultatin 0-3 në tavolinë, fitore kjo që e ndihmoi Shqipërinë të shkonte në Europianin e 2016 me 14 pikë.

11 LUANË NË FUSHË- Në datën 11 tetor, në fushë nuk duhet të jenë vetëm 11 futbollistë por 11 luanë, të cilët duhet të dinë vlerën e fitores, vlerën e 3 pikëshit e për më tepër, duhet të dinë vlerën e fanellës kuqezi dhe faktin se një fitore, i afron jashtëzakonisht shumë me Botërorin, pavarësisht se duhet të kalojnë edhe fazën e “Play Off”. Nëse në fushë janë 11 luanë të cilët japin shpirtin deri në vërshëllimën e fundit, fitorja mund të arrihet pa vështirësi ashtu siç merrej ndaj Greqisë kampione të Europës, apo edhe ndaj Francës në miqësore e ndaj Portugalisë në kualifikueset e Europianit./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Ndalohet një person në Prishtinë për keqpërdorim detyre, ryshfet dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se pas hetimeve disamujore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet N.A., i dyshuar për disa vepra të rënda penale.

Arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Sipas të dhënave fillestare të hetimit, i ndaluari dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka zbuluar informacione zyrtare për prona të caktuara te persona të paautorizuar në këmbim të ryshfetit, me qëllim tjetërsimin e tyre.

Nga organet e ndjekjes bëjnë të ditur se pronat e përfshira në këtë skemë dyshohet se kapin vlera mjaft të mëdha financiare.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, dhe do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në komunikaten e Prokuroris Speciale

Continue Reading

Lajmet

Tensione dhe përplasje me policinë në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë

Published

on

By

Studentë, gjimnazistë dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të martë para ambienteve të Ministrisë së Arsimit në Tiranë, në një protestë të njoftuar prej ditësh për të ngritur zërin kundër problematikave që prekin arsimin dhe të rinjtë.

Protesta e nisur rreth orës 14:00 ka përshkallëzuar me shpejtësi në tensione. Protestuesit kanë gjuajtur godinën e ministrisë me vezë, bojë të kuqe, gurë, sende të forta dhe kapsolla. Gjatë përplasjeve, disa prej tyre kanë shkulur kangjellat mbrojtëse të rrugës dhe kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e brendshme të institucionit.

Për të shpërndarë turmën, forcat e policisë kanë ndërhyrë me ujë dhe gaz lotësjellës, ndërsa gjatë përplasjeve fizike disa nga protestuesit janë shoqëruar në komisariat. Në terren janë angazhuar dhjetëra efektivë shtesë për të marrë nën kontroll situatën.

Tubimi i organizuar përmes rrjeteve sociale vjen me kërkesën për plotësimin e gjashtë pikave që lidhen me ngritjen e cilësisë në arsim dhe përmirësimin e kushteve për studentët. Përveç kërkesave arsimore, protestuesit kanë bërë thirrje politike duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe të kryeministrit Edi Rama.

Continue Reading

Lajmet

Prof. Dr. Bekim Marmullaku takohet me profesorin nga Universiteti i Norvegjisë Juglindore, Glenn Agung Hole, për mundësitë e bashkëpunimit akademik

Published

on

By

Udhëheqësi i Departamentit për Bashkëpunim në UBT, Prof. Dr. Bekim Marmullaku, priti në takim profesorin Glenn Agung Hole nga Universiteti i Norvegjisë Juglindore (University of South-Eastern Norway – USN), me të cilin diskutoi mundësitë e zhvillimit të bashkëpunimit akademik dhe kërkimor ndërmjet dy institucioneve.

Gjatë takimit u diskutua për potencialin e bashkëpunimit në fushat e sipërmarrësisë, ekonomisë institucionale, zhvillimit rajonal dhe sigurisë kombëtare, me theks të veçantë në rolin e universiteteve në zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Continue Reading

Lajmet

Inspektorati i Tregut mbyll një biznes në Zubin Potok dhe shqipton gjobë 6,000 euro

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndërmarrë masa ndaj disa subjekteve ekonomike gjatë inspektimeve të fundit në Komunën e Zubin Potokut, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit dhe sigurisë në treg.

Gjatë këtij aksioni, inspektorët kanë mbyllur një biznes që ushtronte veprimtarinë pa u regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, si dhe kanë sekuestruar produkte që nuk kishin deklaracion të prejardhjes. Po ashtu, ndaj një subjekti tjetër ekonomik është shqiptuar gjobë prej 6,000 eurosh pasi u ka shërbyer pije alkoolike personave të mitur.

Nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut kanë bërë të ditur se këto masa janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.

“IQMT u bën thirrje të gjitha subjekteve ekonomike që të sigurojnë regjistrimin e rregullt të veprimtarisë së tyre në ARBK, të tregtojnë vetëm produkte me dokumentacionin përkatës dhe të respektojnë të gjitha dispozitat ligjore që rregullojnë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike. IQMT do të vazhdojë me inspektime dhe mbikëqyrje të rregullta në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe trajtimit të çdo shkeljeje që cenon të drejtat e konsumatorëve dhe sigurinë e tregut”, thuhet në njoftimin e ministrisë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara