Lajmet

Bota nuk është e përgatitur për mot ekstrem

Bota është më e nxehtë se në kohërat para-industriale .

Published

on

Shkencëtarët paralajmërojnë se ngjarje të motit ekstrem do të ndodhin gjithnjë e më shumë në të ardhmen.

Sipas tyre, bota është më e nxehtë se në kohërat para-industriale dhe kjo i bën më intensive përmbytjet, stuhitë apo valët e nxehtësisë.

Hayley Fowler, ligjëruese e ndryshimeve klimatike në Universitetin Newcastle në Mbretërinë e Bashkuar, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ngjarjet e tilla i ndikon edhe faktori njeri dhe bën thirrje për zvogëlimin urgjent të gazrave serë.

Fowler thotë se vendet, në përgjithësi, nuk janë të përgatitura për mot ekstrem, “nuk kanë sisteme të paralajmërimit, as menaxhimit”.

Ajo tregon hapat që duhet t’i ndërmarrin qeveritë, sepse, siç thotë, ka fshatra dhe qytete, ku njerëzit nuk duhet të jetojnë më, pasi ato “do të përmbyten gjithnjë e më shumë”.

Fowler flet edhe për përmbytjet masive në Gjermani, që shkaktuan numër të lartë viktimash dhe shkatërrime të mëdha.

Radio Evropa e Lirë: Profesoreshë Fowler, ngjarje të motit ekstrem po bëhen të zakonshme në të gjithë botën. Brenda disa ditësh kemi parë përmbytje masive në Evropën Perëndimore, zjarre në Arktik dhe valë rekorde të nxehtësisë në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. Cili është shpjegimi juaj për këto?

Hayley Fowler: Bota është tashmë 1.2 gradë më e nxehtë se në kohërat para-industriale. Kjo është mesatarja globale. Temperaturat ekstreme rriten me ritme shumë më të shpejta se temperaturat mesatare globale. Për valën e nxehtësisë në Kanada, organizata Atribuimi i Motit në Botë ka nxjerrë një raport, ku thuhet se ajo është pasojë e ndryshimeve klimatike. Pra, është e sigurt se kjo ngjarje është përkeqësuar për shkak të ngrohjes globale.

Pastaj, edhe përmbytjet, si ato që kemi parë javën e kaluar në Gjermani, janë më intensive, për shkak të atmosferës më të ngrohtë në të cilën jetojmë.

Radio Evropa e Lirë: A mund të parashikohen këto ngjarje në shkallën që ndodhin? Kemi parë që përmbytjet në Gjermani kanë shkaktuar shumë viktima dhe shkatërrime.

Hayley Fowler: Po, përmbytjet në Gjermani kanë qenë shumë mirë të parashikuara nga parashikuesit e motit. Pra, nuk janë shkencëtarët e klimës që ndjekin këtë gjë, por parashikuesit e motit. Ata i kanë parashikuar reshjet ekstreme të shiut në Gjermani që nga e hëna e javës së kaluar. Por – cilado që të ketë qenë arsyeja – paralajmërimet e tyre nuk janë marrë parasysh.

Unë nuk jam e sigurt se ku saktësisht është ndërprerë komunikimi, por reshjet ekstreme të shiut janë parashikuar. Ndoshta paralajmërimet edhe janë dërguar, por njerëzit kanë menduar se nuk do të ketë përmbytje, sepse përmbytje të tilla nuk mbahen mend. Por, ndoshta paralajmërimet edhe nuk janë dërguar. Unë mendoj se duhet një analizë e madhe e kësaj ngjarjeje.

Radio Evropa e Lirë: Këto ngjarje, siç e thatë edhe ju, vijnë në kohën e ndryshimeve klimatike. Por, sa i kanë ndikuar ndryshimet klimatike përmbytjet e fundit në Evropë?

Hayley Fowler
Hayley Fowler

Hayley Fowler: Ndryshimet klimatike i kanë ndikuar këto përmbytje në Evropë, sepse ne po jetojmë në një botë më të nxehtë se në të kaluarën dhe ky fakt i bën ngjarjet e tilla më intensive. Organizata Atribuimi i Motit në Botë do të bëjë analiza për të parë se sa ka ndikuar ngrohja globale në këto përmbytje, por rezultatet do të jenë në dispozicion për rreth një muaj.

Radio Evropa e Lirë: A ka ndikime edhe nga njerëzit? Mendoj në zhvillimet pranë lumenjve, për shembull.

Hayley Fowler: Po, padyshim. Ne po flasim për përmbytje historike. Por, këto vende janë përmbytur edhe para rreth 70 vjetësh, edhe më herët. Popullsia, ndërkohë, është rritur masivisht dhe në ato pjesë të Gjermanisë, që kanë qenë zona të përmbytura, ka pasur shumë ndërtime.

Për t’i përballuar këto lloje ngjarjesh, nuk duhet ndërtuar në zona përmbytjesh, duhet kuptuar më mirë rrezikun e mundshëm për komunitetet dhe duhet pasur sisteme më të zhvilluara të paralajmërimit dhe menaxhimit të emergjencave.

Radio Evropa e Lirë: Sa të përgatitura janë vendet për t’u përballur me motin ekstrem?

Hayley Fowler: Nuk duket sikur jemi shumë mirë të përgatitur. Në Mbretërinë e Bashkuar, disa javë më parë, kishte një raport nga Komiteti për Ndryshimin e Klimës, i cili analizoi shpejtësinë me të cilën Britania e Madhe po përshtatet në trajtimin e ngjarjeve të tilla të motit ekstrem. Ka dalë se hendeku po zgjerohet – rreziqet rriten, ndërsa ne nuk ndërmarrim veprime. Unë dyshoj se kështu është rasti me shumicën e vendeve të botës.

Ne thjesht nuk kemi në dispozicion sisteme të paralajmërimit dhe menaxhimit të këtyre fatkeqësive dhe sigurisht që nuk kemi menduar mjaft mirë në përshtatjen e infrastrukturës.

Radio Evropa e Lirë: A do të shohim më shpesh këtë lloj moti ekstrem?

Hayley Fowler: Puna që unë dhe ekipi im kemi bërë me Zyrën Meteorologjike në Mbretërinë e Bashkuar, për më shumë se një dekadë tani, sugjeron se do të kemi më shumë ngjarje si këto. Do të shohim stuhi shiu shumë më intensive në të ardhmen. Do të shohim stuhi erërash dhe, rrjedhimisht, akumulime më të mëdha të të reshurave. Për këtë arsye, padyshim se edhe rreziku nga përmbytjet do të rritet.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, si duhet t’i përshtatemi këtij moti ekstrem për të zvogëluar rrezikun?

Hayley Fowler: Është e vështirë. Siç e thashë edhe më herët, ne duhet të mendojmë së pari për paralajmërimin e emergjencave dhe menaxhimin. Kur i parashikojmë këto ngjarje dhe e dimë se do të ketë përmbytje të rënda, duhet t’i largojmë njerëzit. Kjo është gjëja e parë që duhet bërë: të shpëtojmë jetë.

Pastaj, duhet të mendojmë për shtëpitë e reja. Nuk duhet të ndërtojmë shtëpi të reja në zona përmbytjesh ose zona që janë në rrezik nga ngjarjet e motit ekstrem. Ndoshta ka edhe disa pjesë, fshatra ose qytete, ku njerëzit nuk duhet të jetojnë më, sepse ato do të përmbyten gjithnjë e më shumë.

Lajmet

UBT pjesë e konferencës së AWESK mbi rolin e grave në sektorin e energjisë

Published

on

By

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë në UBT, Prof. Dr. Armend Ymeri, ka marrë pjesë si panelist në konferencën e organizuar nga Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë në Kosovë (AWESK), me temë: “Gratë që Formësojnë Tranzicionin Energjetik të Kosovës: Nga Vizioni në Lidership dhe Transformim Sektori”.

Në këtë ngjarje të rëndësishme për sektorin energjetik në vend, Prof. Dr. Ymeri prezantoi perspektivën e UBT-së lidhur me përfshirjen dhe fuqizimin e vajzave në studimet e Inxhinierisë së Energjisë, duke theksuar se vitet e fundit është vërejtur një trend pozitiv i rritjes së interesimit të vajzave për këtë fushë, si në nivelin bachelor (BSc), ashtu edhe në master (MSc).

Ai theksoi se UBT beson fuqishëm se ndryshimi fillon nga edukimi, duke ndërtuar programe studimi të përshtatura me zhvillimet më të fundit në sektorin energjetik. Në këtë drejtim, kurrikulat në Fakultetin e Inxhinierisë së Energjisë janë të bazuara në realitetin e ri energjetik dhe përfshijnë fusha kyçe si prodhimi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme (era, dielli, uji, biomasa), tranzicioni energjetik, zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit, si dhe digjitalizimi, inteligjenca artificiale, rrjetat e mençura dhe mikrogridet.

Sipas tij, kjo qasje i bën studimet më gjithëpërfshirëse dhe më tërheqëse për një diversitet më të madh studentësh, duke krijuar mundësi reale për përfshirjen e vajzave në këtë sektor strategjik.

Prof. Dr. Ymeri gjithashtu theksoi rëndësinë e metodave bashkëkohore të mësimdhënies që aplikohen në UBT, duke kaluar nga modeli tradicional “lecture-based” në qasje të bazuara në zgjidhjen e problemeve. Përmes metodave si active learning dhe project-based learning, studentet angazhohen më shumë në punë ekipore dhe projekte praktike, çka ndikon drejtpërdrejt në rritjen e besimit të tyre në aftësitë teknike.

Një element tjetër i rëndësishëm është mentorimi i strukturuar, ku çdo studente në lëndët praktike përfiton nga mbështetja e dyfishtë, nga një mentor akademik dhe një mentor nga industria. Kjo qasje ndihmon në lidhjen e drejtpërdrejtë të studimeve me tregun e punës dhe zhvillimin profesional.

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe profesionale, Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë organizon konferenca të rregullta si IC EEE, akademi verore dhe evente të tjera, ku përmes ligjëratave tematike u jepet hapësirë grave eksperte dhe alumneve të suksesshme për të ndarë përvojat e tyre me studentët.

Gjithashtu, UBT ka ndërtuar partneritete të forta me institucione dhe kompani të rëndësishme të sektorit energjetik si KEK, KOSTT, KEDS, ZRrE, si dhe kompani të energjisë së ripërtëritshme, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me organizata si AWESK. Këto marrëveshje mundësojnë zhvillimin e praktikave profesionale të strukturuara dhe krijojnë mundësi konkrete punësimi për studentet, veçanërisht në role teknike.

Në përmbyllje të diskutimit, Prof. Dr. Ymeri theksoi se rritja e pjesëmarrjes së grave në sektorin e energjisë nuk është vetëm një çështje e barazisë gjinore, por një domosdoshmëri strategjike për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.

Pjesëmarrja e UBT-së në këtë konferencë rikonfirmon angazhimin e institucionit për të kontribuar në zhvillimin e sektorit energjetik dhe në fuqizimin e rolit të grave në këtë fushë kyçe për të ardhmen e vendit.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim

Published

on

By

Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.

I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.

Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.

Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.

Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.

Continue Reading

Lajmet

ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës

Published

on

By

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.

ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.

Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.

“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.

Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.

Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.

 

Continue Reading

Lajmet

27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën

Published

on

By

Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.

Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.

Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.

Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.

Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.

Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.

 

Continue Reading

Të kërkuara