Lajmet

Blinkeni hap ditën e dytë të bisedimeve në Pekin në misionin për të lehtësuar tensionet

Në raundin e parë të bisedimeve të dielën, Blinken u takua për gati gjashtë orë me ministrin e Jashtëm kinez.

Published

on

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken filloi ditën e dytë dhe të fundit të takimeve kritike me zyrtarë të lartë kinezë të hënën, pasi të dyja palët shprehën gatishmërinë për të biseduar, por treguan pak prirje për t’u përkulur ndaj pozicioneve të ngurtësuara që kanë rritur tensionet.

Blinkeni u takua me kryediplomatin kinez, Wang Yi për rreth tre orë, sipas një zyrtari amerikan, por ende nuk është konfirmuar nëse Blinken do të takohet me Presidentin Ë Jinping përpara se të niset në orët e vona të mbrëmjes.

As Blinken dhe as Wang nuk bënë asnjë koment për gazetarët ndërsa përshëndetën njëri-tjetrin dhe u ulën për të diskutuar.

Në raundin e parë të bisedimeve të dielën, Blinken u takua për gati gjashtë orë me ministrin e Jashtëm kinez, Qin Gang, pas së cilës të dy vendet thanë se kishin rënë dakord të vazhdonin diskutimet e nivelit të lartë. Megjithatë, nuk kishte asnjë shenjë se ndonjë nga çështjet më të ashpra mes tyre ishte më afër zgjidhjes.

Pavarësisht pranisë së Blinkenit në Kinë, ai dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kishin minimizuar perspektivat për ndonjë përparim të rëndësishëm në çështjet më shqetësuese me të cilat përballen dy ekonomitë më të mëdha të planetit.

Në vend të kësaj, Blinken dhe zyrtarë të tjerë kanë theksuar rëndësinë e krijimit dhe mbajtjes së linjave më të mira të komunikimit nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

Të dyja palët thanë se Qin kishte pranuar një ftesë nga Blinken për të vizituar Uashingtonin, por Pekini e bëri të qartë se “marrëdhënia Kinw-SHBA është në pikën më të ulët që nga krijimi i saj”.

Departamenti i Shtetit tha se Blinken kishte theksuar “rëndësinë e diplomacisë dhe mbajtjen e kanaleve të hapura të komunikimit në të gjithë gamën e çështjeve për të zvogëluar rrezikun e keqperceptimit dhe llogaritjes së gabuar”.

Kinezët, ndërkohë, ritheksuan qëndrimin e tyre se gjendja aktuale e marrëdhënieve “nuk u shërben interesave themelore të të dy popujve apo përmbush pritshmëritë e përbashkëta të komunitetit ndërkombëtar”, sipas ministrisë së jashtme, raporton Associated Press.

Blinken është zyrtari amerikan i nivelit më të lartë që viziton Kinën që kur presidenti Joe Biden mori detyrën dhe udhëtimi i tij dyditor vjen pasi planet e tij fillestare për të udhëtuar në Kinë u shtynë në shkurt pas rrëzimit të një baloni kinez mbikqyrës mbi SHBA.

Biden dhe  Xi kishin marrë angazhime për të përmirësuar komunikimet “pikërisht në mënyrë që ne të sigurohemi se po komunikojmë sa më qartë që të jetë e mundur për të shmangur keqkuptimet dhe keqkomunikimet e mundshme”, tha Blinken përpara se të nisej për në Pekin.

Lajmet

Komisioni Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt interviston sot tre zyrtarë institucionalë

Published

on

By

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, do të vazhdojë sot me intervistimin e zyrtarëve përgjegjës.

Në mbledhjen që nis në orën 09:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës, para anëtarëve të këtij komisioni pritet të japin dëshmitë e tyre drejtoresha e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Mujaj-Bajraktaraj, zyrtarja për Barazi Gjinore në po këtë komunë, Samka Drançolli, si dhe drejtori i departamentit në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Blerim Shabani.

Këto intervistime vijnë në kuadër të hetimeve parlamentare për të zbardhur përgjegjësitë e institucioneve para ngjarjes tragjike në Vitomiricë të Pejës, ku viktima u vra nga ish-kunati i saj, vetëm dy ditë pasi para këtij komisioni dëshmoi edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Ndërkaq, krahas punimeve të këtij komisioni, në Kuvendin e Kosovës sot me fillim nga ora 10:00 do të mblidhet edhe Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i cili do të zhvillojë një takim të përbashkët me Komitetin për Mbrojtje dhe Siguri të Odës Ekonomike Amerikane. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Samiti Britani–BE në Bruksel, pritet marrëveshje për lëvizjen e të rinjve dhe tregtinë

Published

on

By

Andy Burnham do të qëndrojë sot në Bruksel për të marrë pjesë në samitin mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian, në një përpjekje për të riformësuar marrëdhëniet e Britanisë me bllokun evropian. Gjatë këtij takimi, i cili pritet të nisë zyrtarisht më vonë gjatë mëngjesit të sotëm me ceremoninë e mirëseardhjes, në tryezë janë edhe marrëveshje të reja në fushën e ushqimit dhe tregtisë.

Një nga pikat kryesore që pritet të miratohet është skema e lëvizshmërisë së të rinjve. Sipas burimeve të BBC-së, kjo marrëveshje do t’u mundësojë 100 mijë të rinjve nga Bashkimi Evropian që të udhëtojnë, punojnë dhe studiojnë në Mbretërinë e Bashkuar çdo vit, ndërsa e njëjta kuotë do të vlejë edhe për të rinjtë britanikë që duan të shkojnë në Evropë. Megjithatë, Downing Street ende nuk ka komentuar mbi detajet e këtij plani.

Këto zhvillime vlerësohen si paketa më e madhe e ndryshimeve në raportet me Brukselin që nga koha e Brexit-it, ndonëse në thelb mbeten një sërë rregullimesh të pjesshme. Siç komenton redaktori politik i BBC-së, Chris Mason, këto hapa ende nuk përbëjnë një rishikim të plotë e rrënjësor të marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi miraton në parim buxhetin e vitit 2027 prej 4.27 miliardë eurosh

Published

on

By

Pas një seance maratonike që nisi pasditen e së enjtes dhe zgjati deri pas mesnate, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektbuxhetin për vitin 2027 me 61 vota për. Ky planifikim financiar kap vlerën e 4.27 miliardë eurove, duke shënuar një rritje prej 300 milionë eurosh krahasuar me buxhetin fillestar të këtij viti. Punimet e seancës u shoqëruan edhe me ndërprerje të shkurtra për shkak të mungesës së energjisë elektrike, temë kjo për të cilën deputetët miratuan gjithashtu vendosjen e masave të emergjencës në furnizim.

Duke prezantuar projektligjin para ligjvënësve, kryeministri Albin Kurti deklaroi se ky buxhet synon ta çojë vendin në një fazë të re të transformimit ekonomik. Sipas tij, për sektorin publik janë ndarë 1 miliard e 85 milionë euro, ku parashihet vazhdimi i pagesës së pagës së 13-të në gjysmën e parë të vitit dhe rritja e vlerës së koeficientit në 120 euro nga 1 korriku i vitit 2027. Kurti theksoi gjithashtu nisjen e dyfishimit gradual të shtesave për fëmijë, me një rritje të parë prej 25 për qind nga 1 janari 2027, si dhe përgjysmimin e shpenzimeve për udhëtime zyrtare jashtë vendit për t’i orientuar mjetet drejt barnave esenciale për SHSKUK-në. Për herë të parë, mbi 1 miliard euro janë paraparë për investime kapitale, ku përfshihen Unaza e Jashtme e Prishtinës, segmenti Duhël–Banullë, Autoudha e Dukagjinit dhe ndërtimi i digave të reja.

Në anën tjetër, partitë opozitare e kundërshtuan ashpër këtë projektbuxhet, duke e cilësuar si buxhet konsumi e jo zhvillimi. Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, kritikoi shkallën e ulët të realizimit të projekteve kapitale, zvarritjen e autostradës Prishtinë–Gjilan dhe mungesën e rritjes së pensioneve, ndërsa bashkëpartiaku i tij, Mërgim Lushtaku, kërkoi llogari për premtimet e parealizuara si ndërtimi i 160 çerdheve dhe 4 mijë banesave. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vlerësoi se rritja prej 7 për qind e buxhetit gëlltitet nga inflacioni dhe se politikat e bazuara vetëm në ndihma sociale e mbajnë vendin të fundit në Evropë, duke propozuar ngritjen e koeficientit në 150 euro dhe rritjen e investimeve përmes kredive të buta dhe fondeve pensionale. Po ashtu, shefja e deputetëve të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ngriti shqetësimin për zvogëlimin e grantit për arsimin. Kritika erdhën edhe nga AAK-ja, ku deputetja Teuta Haxhiu foli për zvogëlim real të buxhetit për shkak të inflacionit, ndërsa Time Kadrijaj kërkoi sqarime për mosfshirjen e hekurudhës Durrës–Prishtinë në këtë planifikim.

Ndaj këtyre akuzave reagoi ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili mbrojti balancën mes mbështetjes sociale dhe zhvillimit, duke deklaruar se gjatë mandatit të tyre numri i të punësuarve është rritur me 100 mijë, nga 350 mijë në 450 mijë, dhe se shteti është i ekspozuar ndaj inflacionit të importuar për shkak të përdorimit të euros. Mbështetje për projektbuxhetin dha edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, i cili nënvizoi se ky buxhet mbështetet tërësisht në të hyrat e rregullta, pa u varur nga fondet e AKP-së apo klauzola e investimeve. Paraprakisht, në po të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi edhe tri marrëveshje ndërkombëtare. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Tre persona në pranga për së paku tetë vjedhje në Fushë-Kosovë, dëmi mbi 60 mijë euro

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Fushë-Kosovë, të dyshuar për kryerjen e së paku tetë rasteve të vjedhjeve të rënda në banesa gjatë muajve tetor dhe nëntor 2026.

Sipas Policisë, A.B., F.H. dhe M.K. janë arrestuar pas një hetimi dymujor. Operacioni policor është zhvilluar më 18 nëntor, ndërsa dëmi fillestar material nga vjedhjet vlerësohet të jetë mbi 60 mijë euro.

Gjatë kontrolleve në katër lokacione, policia ka sekuestruar stoli ari, para të gatshme, një pistoletë, një veturë që dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprave penale, dy telefona dhe një sasi të dyshuar të marihuanës.

Hetimet e mëtejshme kanë çuar policinë edhe te një argjendari në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ku dyshohet se janë shitur stolitë e vjedhura. Pronari i argjendarisë është shoqëruar në stacion policor. Ndërkaq, një sasi tjetër ari është lokalizuar dhe sekuestruar në Prizren.

Policia ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për “Vjedhje të rëndë”, “Posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Posedim të paautorizuar të narkotikëve”.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, tre të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara