Lajmet

Blinken thotë se “tani është koha” për t’i dhënë fund luftës në Gazë

Published

on

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u ka bërë thirrje të mërkurën Izraelit dhe grupeve të mbështetura nga Irani kundër të cilave po lufton në Gazë dhe Liban, për të arritur armëpushim, pasi ushtria izraelite tha se e vrau një zyrtar të lartë të Hezbollahut.

Zyrtari i vrarë thuhej se do të emërohej lider i ri i Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon jugun e Libanit.

Tani është koha t’i shndërrojmë këto suksese në një sukses strategjik afatgjatë”, tha Blinken për gazetarë në Jordani të mërkurën, pak para nisjes për në Arabinë Saudite.

Blinken është në një turne në rajon për bisedime për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund luftës.

Të martën mbrëma, Izraeli tha se Hashem Sfieddine, figurë e lartë brenda Hezbollahut, u vra në një sulm ajror në kryeqytetin libanez më 3 tetor, duke u dhënë fund thashethemeve disajavore se a ishte gjallë apo jo njeriu që pritej ta merrte drejtimin e grupit.

Lideri i kaluar i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u vra në një sulm ajror në Bejrut më 27 shtator.

Safieddine drejtonte degën ekzekutive të Hezbollahut, e cila mbikëqyr çështjet politike të grupit. Ai ishte gjithashtu anëtar i Këshillit vendimmarrës Shura, si dhe i Këshillit të Xhihadit, i cili drejton operacionet ushtarake të grupit.

Shtetet e Bashkuara e shpallën Safieddine terrorist në vitin 2017.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Lufta e tanishme midis Izraelit dhe grupeve të mbështetura nga Irani, Hezbollah dhe Hamas – i cili është i shpallur organizata terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – u nxit pasi Hamasi e kreu një sulm befasues në Izrael më 7 tetor 2023, duke i vrarë rreth 1.200 persona, si dhe duke i rrëmbyer rreth 240 të tjerë.

Prej atëherë, Izraeli është duke e kryer një luftë të ashpër në Gazë, e cila, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi, i ka vrarë pothuajse 43.000 njerëzve, ndërsa ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës.

Forcat izraelite kanë vrarë shumë figura të larta të Hezbollahut dhe Hamasit, përfshirë liderin e grupit militant palestinez, Yahya Sinwar, i cili dyshohej se ishte arkitekti i sulmit të 7 tetorit.

Sinwar u vra javën e kaluar nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit, duke nxitur zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatë të tjerë izraelitë ta shohin këtë si një mundësi për një skenar të ri për rajonin.

Izraeli është përballur njëkohësisht me trysni nga shumë aleatë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për numrin në rritje të viktimave civile në Gazë si rezultat i luftës dhe me akuza se ka penguar furnizimet me ndihma për këtë territor, ku qindra mijëra njerëz po jetojnë në një krizë humanitare gjithnjë në rritje.

“Përqendrimi duhet të jetë te kthimi i pengjeve, përfundimi i kësaj lufte dhe një plan i qartë për atë që vjen më pas”, tha Blinken më 23 tetor.

Asnjëra palë, megjithatë, nuk duket e gatshme, të paktën publikisht, të shfrytëzojë atë që Blinken dhe të tjerët e shohin si mundësi.

Vetëm disa orë para se të fliste Blinken, ushtria izraelite rrëzoi një ndërtesë në një periferi të Bejrutit që tha se strehonte objekte të Hezbollahut. Në fundjavë Qeveria izraelite tha se shtëpia e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu u dëmtua nga një sulm me dron.

Ndërkohë, Hamasi vazhdon të mos pranojë t’i lirojë pengjet e mbetura që mban, pa e ndaluar Izraeli luftën në Gazë./REL/

Lajmet

Kroacia reagon ndaj Hagës: Aktgjykim jo përfundimtar, pavarësia e Kosovës nuk pyetet

Published

on

By

Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë ka reaguar zyrtarisht lidhur me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar atë si një vendim jo përfundimtar të shkallës së parë dhe duke refuzuar të paragjykojë epilogun e mëtutjeshëm të procedurës.

Përmes këtij reagimi, MPJ-ja kroate nëvizoi se ky aktgjykim nuk e ndryshon kontekstin historik të ngjarjeve, ku Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Diplomacia kroate përfundoi se përgjegjësia individuale e personave të caktuar nuk mund të përdoret aspak si bazë për relativizimin e krimeve serbe, e as për vënien në pikëpyetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Grenell: Kurti të veprojë shpejt për ta zhbërë Gjykatën Speciale, deputetët ta ndihmojnë

Published

on

By

Emisari presidencial i Trumpit, Richard Grenell, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale. Grenell ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të veprojë shpejt për ta zhbërë Gjykatën Speciale dhe sipas tij, deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta ndihmojnë në këtë.

“Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit, për një luftë të zhvilluar 25 vjet më parë, është i turpshëm.

Askush nuk është i sigurt nga këto gjykata ndërkombëtare, ku elitat akademike marrin vendime politike. Këta tre gjyqtarë dhe prokurori amerikan janë të gjithë të majtë ekstremë. Ata qartazi nuk i dëgjuan këshilltarët e Bill Clintonit, të cilët e bënë të qartë se Thaçi nuk e drejtonte luftën.

Gjyqtari zviceran Guénaël Mettraux ishte në të vërtetë udhëheqësi, duke injoruar çështjet ligjore dhe duke zgjedhur në vend të tyre politikën e Jack Smithit.

Të gjitha këto gjykata duhet të financohen më menjëherë. Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së dhe Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche duhet të veprojnë shpejt. Amerikanët po paguajnë për këto ndjekje penale politike dhe kjo duhet të ndalet.

Edhe Albin Kurti duhet të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë Gjykatë të huaj. Anëtarët e Parlamentit duhet të punojnë me Kurtin për ta bërë këtë të mundur. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë”, ka shkruar Grenell.

 

Continue Reading

Lajmet

SHBA-ja: Respektojmë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

By

Shtetet e Bashkuara thanë se e respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që ta pranojnë vendimin e gjykatës.

“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Departamenti i Shtetit tha se SHBA-ja mbështet drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre dhe ritheksoi mbështetjen për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.

Uashingtoni bëri thirrje, gjithashtu, për shmangien e retorikës nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Reagimi i Kurtit për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së: Padrejtësi e papranueshme, do të vazhdojmë mbrojtjen në Apel

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si një “padrejtësi të papranueshme” dhe “ndëshkim të dëmshëm” vendimin e Dhomave të Specializuara për shpalljen fajtorë të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në një adresim për qytetarët, kreu i qeverisë theksoi se ky aktgjykimi nuk përfaqëson vullnetin e popullit dhe shprehu besimin se ai do të korrigjohet në shkallën e apelit.

“Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit. Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë”, deklaroi Kurti.

Pavarësisht dënimit, Kurti vuri në dukje se procesi gjyqësor rrëzoi pretendimin më të rëndë që rëndonte mbi UÇK-në, duke vërtetuar se nuk ka pasur një sulm të gjerë apo sistematik ndaj popullsisë civile.

Ai po ashtu ngriti shqetësime për njëanshmëri etnike në procesin gjyqësor, duke kritiukuar faktin se aparati shtetëror serb që kreu krimet mbeti i pagjykuar:

“Kur në bankën e të akuzuarve gjenden vetëm pjesëtarët e një etnie, ndërsa aparati shtetëror që kreu masakra, dëbime dhe krime gjenocidale mbetet jashtë juridiksionit, krijohet në mënyrë të pashmangshme pamja e një drejtësie njëetnike”.

Kryeministri nënvizoi se pastërtia e luftës çlirimtare mbetet e paprekur dhe se gjykimi i veprimeve individuale nuk e zbeh kauzën historike të Kosovës.

“Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo. Sepse kur atdheu nuk duroi më gjakatarë, ai thirri çlirimtarë”, u shpreh ai.

Kreu i ekzekutivit rikonfirmoi se shteti i Kosovës do të vazhdojë t’u ofrojë mbështetje të plotë e institucionale katër ish-drejtuesve gjatë procedurave vijuese ligjore në shkallën e apelit.

 

Continue Reading

Të kërkuara