Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për thellim të bashkëpunimit për fuqizimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe arritjen e një marrëveshje me Serbisë, që në qendër ka njohjen e ndërsjellë.
Qeveria e Kosovës, publikoi të enjten mbrëma një letër të zotit Blinken drejtuar kryeministrit Albin Kurti, në të cilën thuhet mes tjerash se “marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës janë të rrënjosura në vlerat e përbashkëta demokratike dhe zotimin për Kosovë sovrane dhe të pavarur”.
Në tekstin e letrës ai thekson strehimin e qytetarëve afganë të ikur nga Afganistani dhe vendosjen e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë amerikan në Kuvajt duke nënvizuar se kjo vë në pah mundësitë në rritje të Kosovës për të kontribuuar në sigurinë globale.
“Si mike dhe partnere e Kosovës, SHBA-ja pret të bashkëpunojë me ju për ta zbatuar plotësisht agjendën e presidentit Joe Biden për marrëdhënien tonë, përfshirë fuqizimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave, nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurimin e marrëveshjes së vonuar prej kohësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ka në qendër njohjen e ndërsjellë”, thuhet në letër.
Sekretari Blinken thekson më tej se natyra e pazgjidhur e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, “mbetet një pengesë e madhe ndaj anëtarësimit dhe integrimit të plotë në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, i cili është një qëllim i përbashkët i Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.
Shtetet e Bashkuara, thotë ai, besojnë që bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja mbeten forumi më i mirë për negociatat e normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe për këtë SHBA-ja bashkërendohet nga afër me partnerët në BE.
“Shtetet e Bashkuara, shpresojnë në udhëheqjen tuaj personale për rikthimin e ‘momentumit’ në procesin e dialogut duke i mbështetur zotimet paraprake të vendit tuaj, pastaj duke e nxitur transparencën, duke i shmangur veprimet apo retorikën që mund t’i rrisë tensionet dhe duke u angazhuar në negociata me përqendrimin, kreativitetin dhe urgjencën e kërkuar”, thuhet në letër.
I welcome @SecBlinken’s letter and his support for our priorities on Jobs & Justice. Kosova is grateful for 🇺🇸 commitment in normalizing relations between Kosova & Serbia through a legally binding agreement centered on mutual recognition.
Sekretari Blinken inkurajon kryeministrin Kurti që t’i kushtojë vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur, duke nënvizuar se është në interesin e Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për paparimin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës.
“Mbështetja e vendimeve gjyqësore, në veçanti vendimeve që ndërlidhen me të drejtat e pakicave, do të kishte efekt të ngjashëm pozitiv dhe është në harmoni me përparësitë e qeverisë tuaj për fuqizimin e sundimit të ligjit”, shkruan sekretari Blinken duke i bërë thirrje kryeministrit Kurti të punojë ngushtë me ambasadorin Jeff Hovenier dhe Përfaqësuesin e Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, “sepse të dy janë plotësisht të autorizuar për t’i adresuar këto çështje me ju”.
Dixon: ZPS po përdor dokumente pa vërtetësi nga frika e dëshmitarëve
Gjatë seancës gjyqësore në Hagë, avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka hedhur akuza të rënda ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke e cilësuar qasjen e tyre për nxjerrjen e provave si tërësisht jo logjike.
Dixon argumentoi se prokuroria po tenton të fusë dokumente si prova pa i ballafaquar dëshmitarët me to, pasi sipas tij, prokurorët janë të pasigurt për atë që mund të thuhet në sallë.
“Sigurisht kur je i frikësuar se çfarë mund të thotë dëshmitari, është më e sigurt që të kërkosh pranimin e provave jo gojore,” u shpreh ai, duke kujtuar se shumë dëshmitarë kanë deklaruar se nuk dinë asgjë për dokumentet që u janë treguar.
Avokati theksoi se ZPS-ja ka për detyrë të vërtetojë autenticitetin e çdo materiali, por në vend të kësaj po tenton të shmangë lidhjen direkte midis dëshmisë dhe dokumentit.
Sipas Dixon, prokuroria po aplikon standarde të dyfishta, duke kundërshtuar dokumentet e mbrojtjes kur nuk i volit, ndërsa insiston në vërtetësinë e dokumenteve të veta pa asnjë bazë solide: “ZPS-ja e ka për detyrë të tregojë që këto janë dokumente autentike në qoftë se duan të mbështeten në vërtetësinë e përmbajtjes së tyre.”
Mbrojtja e Veselit nis fjalët përfundimtare
Pas përfundimit të mbrojtjes së Hashim Thaçit, procesi gjyqësor në Gjykatën Speciale ka vazhduar me paraqitjen e fjalëve përfundimtare nga ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Para trupit gjykues, Veseli po përfaqësohet nga avokati i tij, Rodney Dixon, i cili po shpalos argumentet përmbyllëse kundër akuzave të Prokurorisë.
Ky proces po zhvillohet në një moment kyç, pasi vetëm një ditë më parë ekipi mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi mbylli zyrtarisht fjalën e tij përfundimtare.
Të dy udhëheqësit, së bashku me Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, po gjykohen për pretendimet mbi krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Pas përfundimit të fjalëve përmbyllëse nga të gjitha ekipet e mbrojtjes, trupi gjykues do të tërhiqet për të shqyrtuar provat përpara shpalljes së aktgjykimit.
Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka përshëndetur formimin e Qeverisë së re të Kosovës, pas më shumë se një viti bllokade politike.
Përmes një reagimi në rrjetin “X”, ajo e cilësoi si lajm inkurajues krijimin e institucioneve të reja dhe uroi kryeministrin Albin Kurti për marrjen e detyrës.
“Pas më shumë se një viti ngërçi politik, formimi i qeverisë së re të Kosovës është lajm inkurajues. Urime Albin Kurti!”, thuhet në reagim e Kallasit.
Ajo theksoi se tani është thelbësore që qeveria të veprojë shpejt në zbatimin e reformave, duke nënvizuar se kjo është mënyra më e shpejtë për të zhbllokuar mbështetjen e BE-së me vlerë qindra miliona euro dhe për të avancuar në rrugën drejt integrimit evropian.
Sipas saj, ky zhvillim krijon një momentum të ri për avancimin e marrëdhënieve mes BE-së dhe Kosovës, si dhe për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Shefja e diplomacisë evropiane ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të organizuar së shpejti një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut
Kuvendi i Kosovës ka votuar Qeverinë e re të Kosovës, dje më 11.02.2026, në krye me Albin Kurtin. Pro qeverisë votuan 66 deputetë, 49 votuan kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.
Me këtë votim, Kuvendi zgjodhi zyrtarisht Qeverinë e re të Kosovës, e cila do të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Policia e Kosovës në Raportin një ditor ka njoftuar për dy raste të ndara të të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur mbrëmjen e 11 shkurtit 2026 në Graçanicë dhe në fshatin Hajvali të Prishtinës.
Sipas raportit policor, rreth orës 22:19 në Graçanicë është raportuar për të shtëna me armë. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja dhe 71 fishekë. Rasti është iniciuar si “Armëmbajtje pa leje” dhe po hetohet nga organet kompetente.
Ndërkaq, rreth orës 21:52 në Hajvali, pas pranimit të informatës për të shtëna me armë zjarri, policia ka kontrolluar banesën e një të dyshuari mashkull kosovar. Gjatë kontrollit është gjetur dhe konfiskuar një revole me një karikator dhe shtatë fishekë. I dyshuari është arrestuar, ndërsa me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Kuvendi i Kosovës ka votuar Qeverinë e re të Kosovës në krye me Albin Kurtin. Pro qeverisë votuan 66 deputetë, 49 votuan kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.
Me këtë votim, Kuvendi zgjodhi zyrtarisht Qeverinë e re të Kosovës, e cila do të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Albin Kurti, ka bërë publike përbërjen e kabinetit qeveritar me të cilin synon të udhëheqë vendin gjatë katër viteve të ardhshme, duke theksuar prioritetet kryesore të programit qeverisës.
Në prezantimin e tij, Kurti ka propozuar këtë përbërje të Qeverisë:
Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të jetë Glauk Konjufca.
Zëvendëskryeministre e Dytë dhe Ministre e Drejtësisë është propozuar Donika Gërvalla, ndërsa Zëvendëskryeministër i Tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim Ekonomik Fikrim Damka.
Ministër i Financave është propozuar Hekuran Murati, ndërsa Ministër për Familje dhe Vlera të Luftës Andin Hoti.
Resori i Mbrojtjes do të udhëhiqet nga Ejup Maqedonci, ndërsa ai i Punëve të Brendshme nga Xhelal Sveçla. Për Ministrinë e Administratës Publike dhe Digjitalizimit është propozuar Lulëzon Jagxhiu.
Ministër i Shëndetësisë do të jetë Arben Vitia, ndërsa Ministër i Arsimit dhe Shkencës Hajrulla Çeku.
Ministre e Kulturës dhe Turizmit është propozuar Saranda Bogujevci.
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal do të jetë Rasim Demiri.
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është propozuar Fitore Pacolli, ndërsa Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Armend Muja.
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit do të jetë Dimal Basha.
Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Inovacionit është propozuar Mimoza Kusari, ndërsa Ministre e Energjisë Artane Rizvanolli.
Për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim është propozuar Nenad Rashiq, ndërsa për Zhvillim Rajonal Elbert Krasniqi.