Lajmet nga UBT

Bizneset kosovare në udhëkryq të digjitalizimit: Kosto dhe mungesë e ekspertizës!

Published

on

Në një botë ku çdo klikim mund të ndryshojë kursin e një biznesi, digjitalizimi është ajo ‘drita e gjelbër’ që premton mundësi të pafundme, por gjithashtu fsheh sfida që kërkojnë guxim dhe inovacion për t’u kapërcyer.

Kosova, një vend në kërkim të transformimit, ndodhet përpara një dileme të rëndësishme: A do t’i japin politikat fiskale dhe subvencionet shpejtësinë që kërkon digjitalizimi, apo do të jenë ato më shumë një sherr mbi shpejtësinë e zhvillimit të tij?

Nëse shikojmë nga afër, diku mes granteve që mbështesin disa biznese dhe mungesës së resurseve për të tjerët, ndodhet një lëmsh i padukshëm që ndalon përparimin. Si mund të evoluojnë politikat për të nxitur një mjedis ku teknologjia nuk është më një luks, por një pjesë e domosdoshme e çdo modeli biznesi? Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të mbështetur digjitalizimin, mungesa e harmonizimit të politikave me nevojat reale të bizneseve, krijon një kontradiktë të rëndësishme. Ky është një moment kyç, ku çdo veprim dhe çdo vendim mund të rrisë ose të pengojë hapësirën për zhvillimin e një Kosove digjitale.

Agim Zuzaku, profesor i Sistemeve të Informacionit në UBT dhe ekspert në teorinë e informacionit dhe menaxhimin e njohurive, ofron një vlerësim të thellë mbi ndikimin e politikave fiskale dhe subvencioneve në digjitalizimin e bizneseve kosovare. Ai thekson mundësitë dhe sfidat që këto politika paraqesin për përqafimin e teknologjive moderne dhe rritjen e konkurrencës, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e investimeve në siguri, zhvillimin e talenteve dhe integrimin e teknologjive si ERP, cloud computing dhe inteligjenca artificiale për rritjen e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së bizneseve.

Pengesat kryesore të bizneseve në digjitalizim…

Profesori Agim Zuzaku e vlerëson se pengesat kryesore për bizneset e vogla dhe të mesme në Kosovë gjatë implementimit të teknologjive digjitale janë mungesa e profesionistëve të kualifikuar dhe vetëdija e ulët te menaxherët për rëndësinë e këtyre ekspertëve. “Nëse menaxherët nuk e kuptojnë se investimi në ekspertizën teknologjike është një mundësi për rritjen e konkurrencës dhe qëndrueshmërisë, atëherë teknologjitë digjitale mbeten të pazbuluara”, thotë Zuzaku duke shtuar se pa pagesa konkurruese, është e vështirë për bizneset të tërheqin dhe mbajnë talente, duke penguar zhvillimin dhe integrimin e plotë të teknologjive digjitale.

Në pyetjen se si ndikon kostoja e teknologjisë në aftësinë e bizneseve për të investuar në transformimin digjital, profesori Agim Zuzaku thekson se kostoja e lartë është një pengesë e rëndësishme për bizneset e vogla dhe të mesme në Kosovë. Ai shpjegon se shumë prej këtyre bizneseve përballen me dilema të vështira për shkak të buxheteve të kufizuara dhe kërkesës për investime të shtrenjta në teknologji. “Kostoja fillestare e pajisjeve, programeve dhe mirëmbajtjes është një barrë e madhe që i detyron bizneset të shtyjnë investimet ose të zgjedhin mundësi më të lira, të cilat shpesh janë më pak efektive”, shprehet Zuzaku.

Sipas tij, kjo kosto jo vetëm që pengon avancimin e transformimit digjital, por gjithashtu ndikon në mbajtjen e konkurueshmërisë së bizneseve në treg. Për shumë biznese në Kosovë, kostoja e mirëmbajtjes është e vështirë për t’u përballuar, duke bërë që shumë prej tyre të përdorin teknologji të papërditësuara dhe shpesh joefikase.

Mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara në teknologji është një pengesë e madhe për digjitalizimin në Kosovë. Profesori Agim Zuzaku thekson se shumë biznese janë të bllokuara në zhvillimin e transformimit digjital për shkak të mungesës së ekspertëve.

“Mungesa e profesionistëve të kualifikuar krijon një cikël ku vizioni për digjitalizim mbetet vetëm një ide”, shprehet Zuzaku. Gjithashtu, theksohet nga profesori se kur të rinjtë e talentuar në teknologji largohen nga vendi për të punuar në tregje ndërkombëtare që ofrojnë paga më të mira, kjo ikje e trurit dhe mungesa e mentorëve, sipas profesorit ngadalësojnë zhvillimin e brezave të rinj, duke e thelluar problemin dhe duke krijuar një pengesë të vazhdueshme për përparimin e digjitalizimit.


Digjitalizimi, çelësi për tregjet dhe konkurrueshmërinë ndërkombëtare!

Siç vlerëson profesori Zuzaku, “Digjitalizimi është një mundësi e pashembullt për bizneset kosovare të përmirësojnë efikasitetin e tyre dhe të krijojnë një avantazh konkurrues. Ky proces është shumë më tepër se thjesht përmirësim teknologjik; ai është një mundësi për të transformuar mënyrën se si bizneset operojnë, duke i dhënë mundësinë të përshpejtojnë proceset, të rrisin cilësinë dhe të zvogëlojnë kostot”.

Përveç kursimit të kohës dhe përmirësimit të saktësisë në procese të thjeshta si menaxhimi i inventarit, digjitalizimi mund të krijojë një rrjedhë komunikimi më të shpejtë dhe vendimmarrje më të informuar. Sipas tij, ky përqafim i teknologjisë moderne është jo vetëm një mënyrë për të mbijetuar, por dhe për të krijuar një avantazh konkurrues, sidomos në një treg që ende është në faza fillestare të digjitalizimit.

Digjitalizimi ofron avantazhe konkurruese të rëndësishme për bizneset kosovare në tregun ndërkombëtar. Ai u mundëson atyre të kalojnë kufijtë fizikë të tregut lokal dhe të arrijnë klientë globalë përmes platformave digjitale, siç janë dyqanet online dhe tregtia elektronike. Sipas profesor Zuzakut, “Digjitalizimi është çelësi për të hapur dyert e tregjeve ndërkombëtare dhe për të rritur konkurrueshmërinë”. Për më tepër, përdorimi i teknologjisë për personalizimin e shërbimeve dhe automatizimin e proceseve i ndihmon bizneset kosovare të ofrojnë shërbime me efikasitet dhe transparencë të lartë, duke e rritur besimin dhe mundësinë për partneritete strategjike jashtë vendit.

Gatishmëria e drejtuesve të bizneseve në Kosovë për të ndryshuar kulturën e menaxhimit në funksion të përqafimit të teknologjisë është ende në faza të ndryshme, duke u shfaqur një përzierje mes qëndrimeve tradicionale dhe një dëshire gjithnjë në rritje për inovacion. Sipas profesor Zuzakut, “Për shumë drejtues, teknologjia shpesh shihet si një kosto dhe jo si një mundësi për zhvillim”. Mungesa e njohurive dhe e vetëdijes për rëndësinë e teknologjisë si një investim strategjik e ka penguar përparimin. Megjithatë, një pjesë e menaxherëve po kuptojnë se digjitalizimi është një domosdoshmëri për të mbetur konkurrues në një treg gjithnjë e më globalizuar.

Politikat fiskale: Shpërblim apo pengesë për digjitalizimin e bizneseve në Kosovë?

Kur flitet për politikat fiskale dhe subvencionet në lidhje me digjitalizimin e bizneseve në Kosovë, Zuzaku vlerëson se ato kanë një ndikim të dyfishtë. Ai mendon se për shumë biznese, mbështetja ekzistuese është një nxitje për të përqafuar teknologjinë, por për të tjerë, kufizimet financiare dhe politike janë pengesa të mëdha. Zuzaku thekson se politikat fiskale aktuale shpesh nuk mbulojnë nevojat e bizneseve që kërkojnë një transformim më të thelluar teknologjik.

Ai sugjeron që digjitalizimi duhet të trajtohet si një domosdoshmëri për zhvillimin e qëndrueshëm të bizneseve dhe jo si një mundësi të thjeshtë. Për të arritur këtë, politikat fiskale dhe subvencionet duhet të ofrojnë mbështetje më të madhe dhe të fokusuar, duke e bërë digjitalizimin një shtyllë të rëndësishme për rritjen e bizneseve në Kosovë.

Sa i përket politikave fiskale, Zuzaku vlerëson se ato luajnë një rol të rëndësishëm në nxitjen e digjitalizimit të bizneseve në Kosovë, por ndikimi i tyre është i kufizuar. Politikat aktuale fiskale shpesh nuk ofrojnë mbështetje të mjaftueshme për bizneset, veçanërisht ato që kërkojnë një transformim më të thelluar teknologjik. Pavarësisht nga disa programe dhe subvencione të ofruara nga qeveria, mungesa e lehtësirave tatimore dhe mbështetjes financiare përbën një pengesë për shumë biznese, veçanërisht ato të vogla, të cilat nuk kanë mundësi për të përballuar koston e lartë të teknologjive moderne.

 

Për Zuzakun, është e rëndësishme që politikat fiskale të rishikohen dhe të ofrohen mbështetje më e fokusuar dhe lehtësira më të mëdha për biznese, që do të ndihmonin në përqafimin më të lehtë të digjitalizimit. Ai thotë: “Vetëm duke krijuar kushte të favorshme fiskale dhe mbështetje konkrete mund të bëjmë që digjitalizimi të jetë një shtyllë e qëndrueshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës”.

Vetëm në këtë mënyrë, digjitalizimi mund të bëhet një shtyllë kyçe për rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bizneseve në Kosovë.

 

 

Përfitimet e Sistemeve ERP dhe Cloud Computing për efikasitetin e bizneseve në Kosovë

Në kontekstin e digjitalizimit të bizneseve, profesori Zuzaku sheh një mundësi të madhe për rritjen e konkurrencës përmes implementimit të teknologjive digjitale. Ai thekson se për të qëndruar konkurrues në një treg gjithnjë e më global, bizneset në Kosovë duhet të investojnë në disa teknologji kyçe që mund të përmirësojnë efikasitetin dhe inovacionin. Siç vë në dukje ai, “teknologjitë digjitale janë jo vetëm një mjet për përmirësimin e efikasitetit, por edhe një mundësi për t’u dalluar në një treg konkurrues.”

Sipas tij, Sistemet ERP (Enterprise Resource Planning) janë një nga teknologjitë më të rëndësishme që mund të implementojnë bizneset kosovare. Ato ndihmojnë në menaxhimin e burimeve dhe proceseve të ndryshme të biznesit, nga inventari dhe financat deri tek burimet njerëzore dhe zinxhiri i furnizimit, duke mundësuar një menaxhim më të saktë dhe efikas.

Përveç kësaj, Zuzaku vlerëson rëndësinë e shërbimeve të cloud computing për bizneset kosovare, pasi ato ofrojnë fleksibilitet dhe mundësi për të ulur kostot. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për bizneset që nuk mund të përballojnë investimet e mëdha në infrastrukturë fizike. Cloud computing lejon ruajtjen dhe qasjen në të dhëna dhe aplikacione nga çdo vend, duke e bërë më të lehtë dhe më të sigurt menaxhimin e informacionit.

Gjithashtu, inteligjenca artificiale dhe analiza e të dhënave janë teknologji të tjera thelbësore për bizneset që synojnë të marrin vendime më të informuara dhe të ofrojnë shërbime më të personalizuara për klientët e tyre. Ato ofrojnë mundësinë për të analizuar të dhënat e mëdha dhe për të nxjerrë rekomandime që mund të përmirësojnë proceset dhe produktet e biznesit.

Siç thotë Zuzaku, “këto teknologji ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për bizneset për të optimizuar operacionet e tyre dhe për të qëndruar konkurrues në tregje globale”.  Integrimi i këtyre teknologjive në strategjitë e biznesit është një hap i domosdoshëm për t’u siguruar që ato të mund të përfitojnë nga avantazhet që ofron digjitalizimi, duke e ndihmuar procesin e rritjes dhe zhvillimit.

Mundësitë dhe sfidat e digjitalizimit për bizneset kosovare…

Në temën e digjitalizimit dhe ndikimit të tij në bizneset kosovare, eksperti Agim Zuzaku vuri theksin te mundësitë dhe sfidat që kjo qasje sjell për zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas Zuzakut, përfshirja e digjitalizimit në bizneset kosovare ofron një potencial të madh për krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e talenteve lokale. Me adoptimin e teknologjive moderne, si inteligjenca artificiale, analiza e të dhënave dhe platformat digjitale, kërkesa për profesionistë të kualifikuar është në rritje.

“Kjo kërkesë ka krijuar hapësirë për përgatitjen e kuadrove të afta për t’u përballur me sfidat e transformimit digjital. Fakulteti i Sistemeve të Informacionit në UBT ka një rol kyç në këtë drejtim, duke ofruar programe akademike dhe trajtime praktike që u japin studentëve aftësitë e nevojshme për të kontribuar në këtë transformim”, theksoi profesori Zuzaku.

Për më tepër, Zuzaku vuri në pah rëndësinë e zhvillimit të burimeve njerëzore për të ndërtuar një infrastrukturë të qëndrueshme të talenteve. Ai theksoi se bashkëpunimi mes akademisë dhe sektorit privat është thelbësor për një zhvillim të qëndrueshëm dhe për të siguruar një konkurrencë të fortë në tregjet globale.

Nga ana tjetër, profesori paralajmëroi për sfidat që sjell digjitalizimi, veçanërisht për sigurinë e të dhënave dhe privatësinë e konsumatorëve. Sulmet kibernetike dhe dobësitë në sistemet e sigurisë përbëjnë kërcënime serioze për bizneset që nuk investojnë mjaftueshëm në këtë fushë.

“Mungesa e përgatitjes dhe e burimeve mund të dëmtojë besimin e konsumatorëve dhe reputacionin e biznesit. Prandaj, përmirësimi i infrastrukturës së sigurisë dhe trajnimi i stafit janë domosdoshmëri”, tha ai.

Në aspektin e përvojës së klientit, Zuzaku nënvizoi se transformimi digjital ka ndikuar pozitivisht duke rritur shpejtësinë, personalizimin dhe aksesueshmërinë e shërbimeve. Teknologjitë digjitale përmirësojnë ndërveprimin me klientët, transparencën dhe fleksibilitetin, duke forcuar kështu besnikërinë dhe konkurrencën e bizneseve në treg.

Duke u pyetur mbi strategjitë dhe investimet afatgjata që duhet të ndërmarrin bizneset kosovare për t’u përshtatur me një treg gjithnjë e më të digjitalizuar, profesori vlerëson rëndësinë e tri shtyllave kryesore: zhvillimin e burimeve njerëzore, transformimin e modeleve tradicionale të biznesit dhe sigurimin e të dhënave.  Ai thekson se bashkëpunimet me institucione si UBT mund të ndihmojnë në krijimin e një fuqie punëtore të aftë për t’u përballur me sfidat e tregut të së ardhmes.

Njëkohësisht, kalimi në platforma digjitale dhe marketing online ofron mundësi për zgjerimin e tregjeve, ndërsa investimi në sigurinë kibernetike është thelbësor për ruajtjen e besimit të klientëve. Me planifikim të qartë, këto hapa mund të sigurojnë një avantazh të qëndrueshëm në epokën digjitale!

 

Gazetare: Dionesa Ebibi

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lajmet

Nora Gjakova diplomon në UBT, xhudistja përmbyll me sukses studimet në Shkencat e Sportit

Published

on

Xhudistja kosovare dhe kampionia olimpike, Nora Gjakova, ka diplomuar në UBT, në Fakultetin e Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, në programin “Shëndeti dhe Aktiviteti Fizik”.
Gjakova, e cila ndër vite ka përfaqësuar Kosovën në garat më të rëndësishme ndërkombëtare të xhudos, ka përfunduar studimet me një temë diplome që lidhet drejtpërdrejt me sportin që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së saj.
Tema e punimit të saj ishte “Monitorimi i shkallës së lodhjes akute dhe rikuperimit pas një ndeshjeje të simuluar të xhudos përmes metodës indirekte (two-point velocity), të bazuar në shpejtësi në teknikën Bench Press”.
Punimi është realizuar nën mentorimin e Asoc. Prof. Dr. Milaim Berishës.
Me këtë arritje akademike, Nora Gjakova i shton një tjetër sukses rrugëtimit të saj, kësaj radhe në fushën e arsimit dhe shkencës sportive.

Continue Reading

Lajmet

Profesoreshat e UBT-së, Blertë Zylfiu-Latifi dhe Miranda Sejdiu-Abazi, publikojnë studim të ri shkencor në bashkëpunim ndërkombëtar

Published

on

By

Në kuadër të avancimit të kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, profesoreshat e Fakultetit të Stomatologjisë në UBT, Dr. Blertë Zylfiu-Latifi si autore e parë dhe Dr. Miranda Sejdiu-Abazi si autore korrespondente, kanë publikuar një studim të ri hulumtues në fushën e ortodoncisë. Ky punim shkencor është realizuar në partneritet me studiues nga Departamenti i Ortodoncisë dhe Antropologjisë Dentare i Universitetit të Zagrebit, si dhe me profesionistë të stomatologjisë nga Gjermania.

Punimi me titull “Tooth Crown Dimensions among Angle Occlusion Classes in Kosovar Adolescents” është publikuar si artikull origjinal në revistën ndërkombëtare Acta Stomatologica Croatica (Vol. 60, Nr. 3, 2026, fq. 289–301). Ky organ shkencor është i indeksuar në platformat më prestigjioze globale si Scopus, PubMed dhe Web of Science Core Collection (ESCI), duke mbajtur Faktor Ndikimi (Impact Factor) 1.8 në JCR dhe 1.9 në SJR. Autorët e këtij studimi janë Blertë Zylfiu-Latifi, Senka Meštrović, Jelena Dumančić, Miranda Sejdiu-Abazi dhe Fatbardha Mustafa.

Hulumtimi është shtrirë në shtatë qytete kryesore të Kosovës – Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan – ku janë përfshirë 400 adoleshentë të moshës 13 deri në 19 vjeç. Pjesëmarrësit janë kategorizuar sipas klasave I, II dhe III të okluzionit sipas Angle, me qëllim që të analizohet lidhja mes këtyre klasave dhe dimensioneve të kurorave të dhëmbëve permanentë.

Përmes një analize multidimensionale të dimensioneve meziodistale, bukolinguale, cervikoincizale dhe diagonale, studimi nxori në pah se ekzistojnë dallime të dukshme ndërmjet klasave të okluzionit, sidomos në dimensionet meziodistale dhe cervikoincizale. Në anën tjetër, dimensionet bukolinguale shfaqën një shkallë më të ulët të variacionit.

Kontributi kryesor i këtij hulumtimi qëndron në përcaktimin e vlerave të para referente specifike për popullatën e adoleshentëve kosovarë. Këto të dhëna do të shërbejnë si një bazë e rëndësishme për përmirësimin e saktësisë në diagnostikimin ortodontik, analizën e hapësirës dhe planifikimin e trajtimeve klinike në Kosovë. Ky publikim dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të UBT-së për zhvillimin e kërkimit shkencor me standarde të larta ndërkombëtare.

Punimi është publikuar me Open Access dhe mban DOI-në 10.15644/asc60/3/3.

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Zgjidhni Masterin në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT: Përfitoni 20% bursë me Engaged Scholarship

Published

on

By

Raporti i fundit i Forumit Ekonomik Botëror (World Economic Forum – The Future of Jobs Report 2025) thekson se mendimi analitik, menaxhimi i burimeve dhe udhëheqja mbeten ndër aftësitë më të kërkuara nga mbi 70% e kompanive globale për të përballuar transformimin digjital dhe ekonomik. Po ashtu, mungesa e kuadrove me përgatitje të avancuar në menaxhim dhe biznes po vlerësohet si pengesa kryesore për zhvillimin e ndërmarrjeve.

Në përgjigje të këtyre kërkesave të tregut, Programi Master në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE) në UBT ofron një platformë të avancuar arsimore, të projektuar për të përgatitur profesionistë dhe udhëheqës të aftë për të marrë rolin e tyre drejtues në biznes, industri, shërbime publike dhe shoqëri.

Programi MBE është i harmonizuar plotësisht me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve (EQF) dhe Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve. Kurrikula përmban një ndërthurje të teorive të avancuara të menaxhimit, ekonomisë aplikative, kërkimit shkencor dhe përdorimit të teknologjisë së informacionit në hartimin e menaxhimin organizativ. Përmes një stafi me përvojë vendore e ndërkombëtare, programi nxit aftësitë analitike, zgjidhjen e problemeve komplekse dhe përgatitjen e kandidatëve si për pozita udhëheqëse në treg, ashtu edhe për vazhdimin e mëtejmë të studimeve në nivelin e doktoratës.


Me qëllim të mbështetjes direkte të zhvillimit profesional dhe lehtësimit financiar për kandidatët e förkushtuar, UBT ofron bursën Engaged Scholarship prej 20%. Kjo bursë synon të përfshijë studentë të dalluar në një mjedis dinamik arsimor, ku përsosmëria akademike, ndërkombëtarizimi, transferimi i njohurive dhe integrimi i drejtpërdrejtë me industrinë përbëjnë shtyllat kryesore strategjike të fakultetit.

Aplikimet për programin Master në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi janë të hapura. Përfitoni nga bursa prej 20% Engaged Scholarship dhe regjistrohuni sot te UBT.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Profesorët e UBT-së publikojnë punim të ri shkencor në revistën ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology”

Published

on

By

Profesorët e UBT-së kanë shënuar një tjetër arritje të rëndësishme shkencore me publikimin e punimit të tyre më të ri me titull “Evaluation of Systemic Pharmacotherapy in Bacterial Skin Infections: Adherence to Clinical Guidelines and Factors Associated with Treatment Outcomes” në revistën prestigjioze ndërkombëtare Pharmacoepidemiology (MDPI).

Kjo revistë është me Impact Factor 1.6, e indeksuar në platformat shkencore Scopus dhe Web of Science (ESCI), si dhe e renditur në kuartilin Q2 sipas SCImago Journal Rank (SJR).

Studimi trajton farmakoterapinë sistemike të infeksioneve bakteriale të lëkurës, nivelin e zbatimit të udhëzimeve klinike dhe faktorët kyç që ndikojnë në rezultatet e trajtimit. Përmes të dhënave nga praktika reale klinike, ky punim jep një kontribut të rëndësishëm në promovimin e përdorimit racional të antibiotikëve dhe forcimin e parimeve të antimicrobial stewardship në mjekësi.

Ky botim është rezultat i bashkëpunimit shkencor të profesorëve të UBT-së me kolegë nga University of Maribor dhe Jacksonville University. Autorë të studimit janë Lirim Shefki Mustafa, Arieta Hasani Alidema, Mirlinda Havolli, Linda Connelly dhe Fitim Bexhet Alidema.

Punimi është publikuar në Pharmacoepidemiology (2026, Volume 5, Article 38).

Punimi i plotë mund të lexohet këtu.

 

Continue Reading

Të kërkuara