Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka kërkuar Turqisë të ndalojë blerjen e naftës nga Rusia si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të ndërprerë financimin e energjisë nga Moska.
Duke folur përkrah Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se ndalimi i këtyre importeve do të ishte gjëja më e mirë që mund të bënte homologu i tij turk.
Takimi në Zyrën Ovale përfundoi pa ndonjë angazhim të fortë për të hequr sanksionet e SHBA-së ndaj Turqisë ose për të shitur avionë luftarakë të përparuar F-35, megjithëse Trump shprehu optimizëm për të dyja çështjet, shkruan BBC.
Turqia për vite me radhë është penguar të blejë avionë F-35 të SHBA-së.
Në vitin 2019, ajo u përjashtua nga një program ku prodhonte pjesë për aeroplanin luftarak pasi bleu sisteme të mbrojtjes ajrore nga Rusia.
Gjatë një sesioni të shkurtër pyetje-përgjigjesh përkrah Erdoganit në Zyrën Ovale të enjten, Trump tha se do të donte që Turqia të ndalonte blerjen e naftës nga Rusia, ndërsa Rusia vazhdon sulmet e saj kundër Ukrainës.
“Gjëja më e mirë që ai mund të bënte është të mos blinte naftë dhe gaz nga Rusia. Nëse ai do ta bënte këtë, kjo do të ishte gjëja më e mirë”, tha Trump
Trump shtoi se beson që Erdogani respektohet si nga Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky ashtu edhe nga Presidenti rus Vladimir Putin, që do të thotë se ai mund të ketë një ndikim të madh në luftë nëse dëshiron.
Krahas Indisë dhe Kinës, Turqia është ndër klientët më të mëdhenj të Moskës për eksportet e naftës dhe gazit, dhe të dhënat tregojnë se vëllimi i gazit rus që arriti në Evropë përmes Turqisë u rrit me mbi 26% në fillim të këtij viti./S.K/KP