Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, ka realizuar me sukses operacionin e koduar “Delivery”, i cili rezultoi me arrestimin e pesë personave dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të drogës dhe pajisjeve teknologjike.
Sipas njoftimit, aksioni nisi pas një pune intensive operative që identifikoi dy persona të dyshuar për shpërndarjen e marihuanës dhe kokainës në kryeqytet.
Gjatë zbatimit të planit taktik mesditën e së mërkurës në Veternik, të dyshuarit, të cilët po lëviznin me një veturë Golf 8, tentuan t’i shmangen policisë duke nisur një ndjekje me shpejtësi të lartë që përshkoi Fushë-Kosovën, Podujevën dhe përfundoi në hyrje të Vushtrrisë, ku edhe u prangosën nga njësitet policore.
Gjatë kontrollit të veturës dhe përgjatë rrugës ku të dyshuarit kishin hedhur pako me lëndë narkotike gjatë ikjes, policia sekuestroi mbi 3.3 kilogramë marihuanë dhe sasi të kokainës të ndarë në 25 qese.
Operacioni u zgjerua me bastisje në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku u gjetën edhe dy peshore digjitale, mbi 4 mijë euro para të gatshme, valuta të huaja, dy vetura dhe katër telefona celularë.
Sipas komunikatës, forenzika rajonale ka dokumentuar të gjitha provat në vendin e ngjarjes, ndërsa hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit.
Një detaj i rëndësishëm i këtij operacioni ishte zbulimi i një hapësire të modifikuar si “Call Center” në njërin nga lokacionet e bastisura, ku u sekuestruan pesë laptopë. Për shkak të dyshimeve për krime kibernetike, në rast u përfshinë edhe hetuesit e specializuar të kësaj fushe, të cilët ndaluan një person të pestë të përfshirë në këtë aktivitet.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, të gjithë të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërsa Policia e Kosovës ka rikonfirmuar përkushtimin e saj në luftën kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar.