Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
5 shtator 1994
Shqiptarët në Zvicër dhe Gjermani përkrahin aksionin për shkollën shqipe në Kosovë
Pardje në Cyrih, në lokalet e klubit shqiptar “Përparimi”, si rrallë ose asnjë herë më parë, ishin tubuar bashkërisht pothuaj të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike dhe jopolitike shqiptare nga Kosova dhe nga viset tjera etnike shqiptare nga ish-Jugosllavia anëtarë dhe simpatizantë të cilët jetojnë e veprojnë në Zvicër. Shkak i këtij tubimi, që kaloi në një atmosferë të përzemërt dhe pune, ishte aksioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe i Këshillit për Financim për ta ndihmuar shkollën dhe arsimin shqip në Republikën e Kosovës.
Në tubim merrnin pjesë përfaqësues të subjekteve politike (LDK, PPD, PSHDK, LPK, PVD, PDP etj) dhe jopolitike si LASH-i, KPSH si dhe përfaqësues të shumë klubeve e të asociacioneve të tjera shqiptare që veprojnë në Zvicër. Në tubim merrte pjesë edhe ministri i Informatave i Republikës së Kosovës, Xhafer Shatri, ndërsa atë e përfshëndeti ish-deputetja e Parlamentit të Kosovës, Silvie Gjinaj, shkruan “Bujku” i sotëm.
Ndërsa bashkëpunëtori ynë në Bon Islam Spahiu njofton se në një mbledhje të mbajtur në Frankfurt, ku merrnin pjesë edhe ministri i Arsimit, dr.Muhamet Bicaj, dhe ministri për Ekonomi dhe Financa mr.Isa Mustafa, u bisedua me përfaqësuesit e LDK-së dhe të partive dhe asociacioneve të tjera shqiptare lidhur me aksionin për shkollën shqipe në Kosovë.
5 shtator 1997
Doli nga shtypi Harta e Kosovës
Në botim të Qendrës për Informim të Kosovës (QIK) këto ditë doli nga shtypi Harta e Kosovës, në format A3 (420 X300 mm). Harta përbëhet prej dy pjesësh, hartës fizike dhe administrative. Kjo hartë është në shkallë 1:600 000. Për dallim nga hartat e mëparshme, në këtë hartë figurojnë vendbanime dhe shënime të reja që pasqyrojnë realitetin e ri në Kosovë. Shumë shënime për vendbanime janë vjelë nga terreni. Janë shtuar edhe hijëzimet e punuara me kompjuter. Ndërsa ngjyrat janë më të lehta për shikim. Legjendat në hartë janë në gjuhën shqipe dhe angleze.
Autor i hartës është Mendim Rugova.
Përpos në opinionin e gjerë, harta do të përdoret edhe për shkollat fillore e të mesme. Për një hartë të tillë ka pasur nevojë të madhe, pasi, siç dihet, harta e fundit është botuar më 1984 nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Kosovës, në punim të një institucioni të Beogradit. Harta e tashme e Kosovës është në tërësi e punuar në Kosovë. Në të janë eliminuar shumë të meta e pasaktësi nga hartat e mëparshme.
Këtë botim shumë të rëndësishëm e ndihmuan 30 ndërmarrje dhe qytetarë nga Kosova.
Harta mund të gjendet në librari, në punktet e shpëndarjes së librit shkollor dhe te botuesi.
5 shtator 1998
Në Panorc të Malishevës 15 mijë refugjatë po mbahen të rrethuar nga forcat serbe
Drama e refugjatëve shqiptarë të strehuar në malet e Panorcit të Malishevës vazhdon edhe më tej.
Një banor i këtij fshati, që kishte arritur të largohej, ndërsa familja i kishte mbetur në rrethim të forcave serbe, tha se mbi 15.000 banorë po mbahen të rrethuar dhe nuk dihet ç’mund të ndodhë me ta.
Ata të gjithë janë në një fushë dhe policia po i ndan, veç meshkujt e veç femrat.
Fshati Panorc, ku ishin të strehuar një numër i madh i banorëve të fshatrave të tjera të sulmuara të komunës së Malishevës dhe të Rahovecit e Klinës, u sulmua dhe u dogj dje nga forcat serbe, sikur edhe fshati fqi, Rud, e disa fshatra të komunës së Klinës.
Vazhdon shkatërrimi e djegia e shtëpive në fshatrat e Dushkajës
Forcat e ushtrisë e policisë serbe vazhduan edhe mbrëmë granatimin e fshatrave të anës së Dushkajës së Gjakovës dhe disa fshatrave të komunës së Rahovecit. Ndërsa sot forcat serbe po djegin më bënzinë shtëpitë që janë dëmtuar më pak gjatë ofensivës së trei ditëve të fundit, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë.
Njoftimet nga fshatrat: Cërmjan, Kralan, Gërgoc e Kodrali të Dushkajës bëjnë të diturs e mbi 90 për qind të shtëpive të këtyre fshatrave janë rrafshuar me tokë. Në Kralan janë shkatërruar 42 shtëpi, ndërsa fshati Kodrali më 13 shtëpi është rrafshuar dhe më nuk ekziston. Banorët e këtyre fshatrave kanë ikur në male. Shumica prej tyre gjenden në Shushicë.
Gjatë ofensivës serbe të tri ditëve të kaluara pati edhe të vrarë e të plagosur, por edhe shumë të arrestuar e të keqtrajtuar në mënyrë barbare. Njoftohet se të enjten në Cërmjan është vrarë Benita (Gashi) Ismaili (22) nga Cërmjani, ndërsa është plagosur rëndë bashkëshorti i saj, Haki Ismaili (24). Po ashtu, njoftohet se mbrëmë në Kodrali vdiq nga pasojat e torturave të rënda fizike Haxhi Alia (67), ndërsa në gjendje kritike janë edhe disa banorë të tjera të këtyre fshatrave, të cilët kanë mbetur në malet e kësaj ane, pa kurrfarë ndihme mjekësore.