Të dy anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Partia Demokratike e Kosovës, të cilët që nga mbrëmë kanë përcjell procesin në qendrën e numërimit në Mitrovicë, kanë thënë se është cenuar integriteti i zgjedhjeve dhe pas dorëzimit të ankesës që do ta bëjë PDK, do të presin vendimin e PZAP-së.
Arianit Elshani- anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës u ka thënë mediave në Mitrovicë se me të marrë informata që janë gjetur fletëvotimet nga një klasë në klasën tjetër dhe nga një shkollë në të tjetrën, kanë ardhur gjatë mbrëmjes dhe ajo çka kanë parë është shumë shqetësuese.
“Sot ju keni parë një konferencë për media dhe ankesa do të dorëzohet në PZAP dhe do të vazhdohet me procedimin e asaj edhe në organe tjera, varësisht nga vendimi i PZAP-së. Konsiderojmë se në sytë e qytetarëve ky proces është i dëmtuar, pra është cenuar integriteti i zgjedhjeve dhe presim një vendim nga PZAP-ja pas dorëzimit të ankesës. Kjo çka ka ngjarë këtu, çka kemi parë ne nga një klasë në klasën tjetër dhe nga një shkollë në shkollën tjetër e lëndon tërësisht procesin e votimit në komunën e Mitrovicës”, tha ai.
Ai ka komentuar edhe vendimin e prokurorisë që të rinisë rinumërimi.
“Ne zyrtarisht nuk e kemi pranuar atë komunikim dhe në momentin që e pranojmë të gjitha organet e PDK-së do ta shqyrtojnë dhe do të ndërmerren hapat e mëtutjeshëm se a do të marrin pjesë në ekipin e numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit. Ajo çka ne e dimë është që ekipet e numërimit gjatë ditës së djeshme janë larguar nga QKN se nuk kanë dashur të nënshkruajnë në formularin dhe nuk kanë dashur të legjitimojnë një proces për të cilin ata kanë dyshuar dhe secili dyshon në atë që kemi parë përmes video incizimeve”, tha ai.
E sa i përket deklaratave të ish-kryetarit të Skenderajt, Fadil Nura që të dy anëtarët e PDK-së në KQZ, të shkarkohen, Elshani tha se kjo është çështje e organeve të partisë.
Procesi i ndërprerë i numërimit, nis sot në orën 16:00./KP