Fundin e shtatorit të vitit 1998, Ramadan Nishori thotë se nuk do ta harrojë kurrë. Ai ka rrëfyer publikisht përjetimin e dhunimit seksual nga policët serbë gjatë kohës së luftës në shtator të atij viti.

Në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Nishori deklaroi se nuk kërkon mëshirë, por respekt si njeri. Ai dëshmoi për torturat që ka përjetuar në burgjet e Prishtinës, Lipjanit dhe Dubravës, duke theksuar se mbijetesa ishte një formë rezistence.
Nishori, tani një burrë me familje dhe tre fëmijë, tha se dëshiron të shihet si një njeri që ka kaluar shumë, por që nuk është dorëzuar. “Nuk dua të më shohin me keqardhje për atë që kam përjetuar. Dua të më shohin me respekt, si dikë që është rrëzuar, por është ngritur përsëri,” u shpreh ai.
Ai tregoi se përkundër përpjekjeve për një jetë normale, dhimbja dhe kujtimet e asaj kohe mbesin të pashlyeshme. “Jam këtu jo sepse kam harruar, por sepse dua të dëshmoj,” shtoi Nishori.
Duke kujtuar ngjarjet e 26 shtatorit 1998, Nishori rrëfeu se si ishte detyruar të largohej nga shtëpia bashkë me familjen për shkak të ofensivave serbe. Ai u ndalua nga forcat serbe, u keqtrajtua dhe më pas u dhunua seksualisht nga dy policë në një banjë, në një stacion policor.
“Kanë ardhur dy policë, më kanë ngre zvarrë dhe më kanë futur në një banjo dhe aty ndodhi më e keqja që mund t’i ndodh një njeriu. Njëri më dhunoi, duke u përgatitur i dyti. Nga bërtimat e mia një shqiptar më nxori nga aty. Më kanë marrë në pyetje ata policët civilë, filluan të më kërcënojnë që mos me tregojë se çka më ka ndodhur. Ai shqiptari më përcolli deri tek dera dhe u ulën në garazhin e stacionit” kujton ai.
Pas kësaj ngjarjeje tronditëse, Nishori u transferua në burgun e Prishtinës dhe më pas në atë të Lipjanit, ku, sipas tij, u përball me tortura çnjerëzore. “ Të nesërmen e kanë bërë një listë, na hypën në autobus dhe na sollën në burgun e Prishtinës. Kam qëndruar tre muaj e gjysmë, prej atij burgu me kanë transferuar në burgun e Lipjanit edhe aty kam pasur maltretime që nuk mund ta merr mendja e njeriut. Gjatë kohës së bombardimeve kanë ardhur gardianë dhe na kanë thënë se kush ka dhënë gjak do t’u japim më shumë bukë, por nuk na dhanë as një thërmi bukë,” tha ai.
Ai përfundoi në burgun e Dubravës, ku përjetoi edhe një prej masakrave më të rënda të luftës. “Në atë kohë, vdekja më dukej si paqe,” tha ai.
Në përfundim të rrëfimit, Nishori tha se pavarësisht gjithçkaje, ai ka zgjedhur të jetojë me dinjitet dhe të mos heshtë më. Ai kërkon që shoqëria të njohë të mbijetuarit si njerëz të fortë që kanë rezistuar dhe vazhdojnë të mbijetojnë, e jo thjesht si viktima./UBTnews/