Lajmet

“BE të jetë e barabartë”, eurodeputeti: Të shqyrtohet aplikimi i Kosovës në BE

Published

on

Eurodeputeti holandez Thijs Reuten rikonfirmoi mbështetjen e tij për rrugën e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Europian.

Në dhjetor të vitit 2022 Kosova aplikoi zyrtarisht për pranim në Bashkimin Europian gjatë Presidencës Çeke, por asnjë hap nuk është ndërmarr për shqyrtimin e saj.

Eurodeputeti Reuten deklaroi për A2 CNN tha se nuk ka asnjë justifikim që aplikimi i Kosovës të mbetet kaq gjatë në sirtar.

Një nga hapat e rëndësishëm është që aplikimi i Kosovës për anëtarësim më në fund të vihet në proces. Nuk e përballoj dot faktin që ka mbetur në sirtar kaq gjatë. Nuk ka absolutisht asnjë arsye për këtë. Ne mund ta vazhdojmë procesin, pavarësisht se disa shtete anëtare të BE-së ende nuk e njohin Kosovën. Kjo është e vërtetë, por megjithatë mund të ecim përpara me shqyrtimin e aplikimit për anëtarësim”, shprehet Thijs Reuten.

Reuten u shpreh optimist edhe për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës tashmë që në komunat veriore pritet të kthehen kryetarët serbë.

Tani që zgjedhjet lokale kanë përfunduar, së pari duhet të hiqen masat ndaj Kosovës. Sipas meje, ato s’duhej të ishin vendosur fare dhe duhej të ishin hequr prej kohësh. Por tani që shumë shpejt do të kemi kryetarë të rinj komunash që marrin detyrën në komunat përkatëse, mendoj se ky është momenti që Komisioni dhe vendet anëtare t’i heqin sanksionet”, deklaron eurodeputeti.

Në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, eurodeputeti holandez, pjesë e Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, shpreson që procesi të marr një drejtim të ri.

Për dialogun, është e qartë se nevojitet një momentum i ri. Nuk mund të vazhdojmë me rutinën e viteve të fundit. Shpresoj që Komisionerja Kos, edhe në këtë drejtim, të ndërmarrë hapa përpara dhe që me ndërmjetësin e ri të dialogut [Peter Sorensen] të ndryshojë procesi dhe të zgjidhet lidhja e tepruar që i është bërë progresit drejt anëtarësimit, sepse kjo jep shumë hapësirë për bllokime si për Serbinë, por sidomos për Kosovën që të ecë përpara drejt statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimit”, tha ai.

Reuten mendon se dialogu nuk duhet të kthehet në pengesë për avancimin e aplikimit të Kosovës në Bashkimin Europian, duke i kërkuar ndërmjetësuesit të këtij procesi të jetë i barabartë.

Bashkimi Evropian duhet të jetë strikt dhe i barabartë në qasjen ndaj të dy vendeve, gjë që s’ka ndodhur. Ka pasur një qasje të pabalancuar. Megjithatë, ajo që na duhet nga të gjithë, edhe nga pala e Kosovës, është ta mbyllim këtë kapitull dhe të angazhohemi realisht për të bërë hapa përpara. Por që kjo të ndodhë, BE-ja duhet të jetë e qartë për atë që kërkon nga ky proces dhe të mos e lidhë kaq ngushtë me progresin në rrugën e anëtarësimit”, shprehet Thijs Reuten.

Kosova prej kohësh kërkon që aplikimi i saj të shqyrtohet, t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, por këto kërkesa nuk janë marr parasysh./KP

Lajmet

Publikohen listat e kandidatëve, këta janë emrat që synojnë ulëset e Kuvendit

Published

on

By

Pas përmbylljes së afatit zyrtar për dorëzimin e listave në KQZ, subjektet kryesore politike në vend kanë zbuluar emrat e kandidatëve me të cilët do të kërkojnë votën e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Gara pritet të jetë e fortë, me ndryshime interesante në renditje dhe prurje të reja në listat zgjedhore.

Listës së Lëvizjes Vetëvendosje i prin kryeministri aktual, Albin Kurti. Në dhjetëshen e parë radhiten emrat kryesorë të partisë si Glauk Konjufca, Donika Gërvalla, Avni Dehari, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla. Një detaj që ka rënë në sy është mungesa e Besnik Bislimit dhe Hysen Durmishit, me këtë të fundit që deklaroi se ishte vendim i tij personal. Ndërkohë, në listë është përfshirë Arton Konushevci, vëllai i heroit Ilir Konushevci, me numrin 15.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) këtë herë garon me një listë ku bartëse është ish-presidentja Vjosa Osmani, e ndjekur nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku. Pjesë e dhjetëshes janë edhe Kujtim Shala, Lutfi Haziri e Anton Quni. Megjithatë, befasi mbetet renditja e Avdullah Hotit dhe Hykmete Bajramit jashtë top-dhjetëshes, përkatësisht me numrat 11 dhe 12. Në listë është rikthyer edhe Ukë Rugova, djali i presidentit historik Ibrahim Rugova.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ishte subjekti i fundit që e bëri publike listën e saj, së cilës i prin kandidati për kryeministër, Bedri Hamza. Pas tij renditen Uran Ismaili e Vlora Çitaku, ndërsa bie në sy ngjitja e Arian Tahirit në dhjetëshen e parë. Një emër që ka nxitur debate është ai i Nait Hasanit, i përfolur për dyshime rreth manipulimeve me vota në zgjedhjet e kaluara, gjë që ka nxitur edhe reagimin e kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili u distancua nga ky propozim.

 

Te Aleanca për Ardhmëri të Kosovës, përgjegjësinë e bartësit të listës e ka marrë Ardian Gjini. Ndërkohë, lideri i partisë, Ramush Haradinaj, ka zgjedhur të garojë me numrin 11. Nga ana tjetër, partitë si AKR kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë fare në këto zgjedhje, ndërsa PSD-ja do të jetë e pranishme me një listë të shkurtër prej vetëm gjashtë kandidatësh.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Shqipëria prezantohen në Kanë me pavijon të përbashkët dhe premierën e filmit “Dua”

Published

on

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar hapjen e Pavijonit të Kosovës në kuadër të Marché du Film, tregut zyrtar të Festivalit të Filmit në Kanë. Ky prezantim shënon vazhdimësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë botërore të filmit.

Për të 15-in vit me radhë, Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë po prezantojnë së bashku kinematografinë shqiptare përmes pavijonit të përbashkët Kosovë-Shqipëri, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të produksioneve nga të dy vendet.

Ky edicion shënohet edhe me një moment të veçantë: premierën botërore të filmit “Dua”, i cili është përzgjedhur në programin prestigjioz Semaine de la Critique, ku garon për katër çmime kryesore. Përzgjedhja në këtë program konsiderohet një nga vlerësimet më të rëndësishme për filma të rinj në Kanë.

Pjesëmarrja e përbashkët dhe prezantimi i filmit “Dua” pritet të forcojnë më tej praninë e kinematografisë shqiptare në skenën ndërkombëtare.

 

Continue Reading

Lajmet

Në Durrës hapet ekspozita fotografike “Shqipëria 1921 – Eugène Pittard”

Published

on

Në qytetin e Durrësit është hapur ekspozita fotografike “Shqipëria 1921 – Eugène Pittard”, e cila sjell për publikun pamje të rralla të Shqipërisë së fillimshekullit XX.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, si dhe ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber. Ekspozita është realizuar në bashkëpunim ndërmjet Ambasadës së Zvicrës në Tiranë dhe FotoKlub Durrës, duke ofruar një udhëtim të veçantë vizual përmes fotografive të realizuara nga akademiku dhe antropologu zviceran Eugène Pittard dhe bashkëshortja e tij, Hélène Pittard.

Gjatë viteve 1921 dhe 1924, çifti Pittard udhëtoi nëpër Shqipëri duke dokumentuar jetën e përditshme, qytetet, fshatrat, peizazhet dhe traditat shqiptare. Përmes objektivit të tyre, ekspozita sjell dëshmi autentike të historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar, të ruajtura në fotografi me vlerë të veçantë historike dhe kulturore.

Në fjalën e saj, Klodiana Spahiu e vlerësoi këtë nismë si një kontribut të rëndësishëm në promovimin e kujtesës historike dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, duke falënderuar organizatorët për sjelljen e kësaj ekspozite për publikun durrsak.

Continue Reading

Lajmet

Shqipëria nesër në skenën e Eurovision 2026, Alis Kallaci përfaqëson vendin me këngën “Nan”

Published

on

Shqipëria do të ngjitet nesër në skenën e madhe të Eurovision Song Contest 2026, ku do të përfaqësohet nga këngëtari Alis Kallaci me këngën “Nan”.

Performanca shqiptare pritet të sjellë emocion, ndjeshmëri artistike dhe interpretim vokal të fuqishëm, ndërsa fansat shqiptarë kanë shprehur mbështetje të madhe për këngën që do të prezantohet para publikut europian.

Alis Kallaci do të performojë më 14 maj në një nga netët më të rëndësishme të kompeticionit muzikor europian, duke synuar kualifikimin në finalen e madhe të Eurovisionit. Ndërkohë, delegacioni shqiptar tashmë ka mbërritur në Vjenë të Austrisë për të mbështetur përfaqësuesin e Shqipërisë në këtë edicion të festivalit.

Eurovision Song Contest mbetet një nga ngjarjet më të ndjekura muzikore në Evropë, ku artistë nga vende të ndryshme konkurrojnë për trofeun prestigjioz dhe vëmendjen e publikut ndërkombëtar.

Continue Reading

Të kërkuara