Lajmet

BE shpreh keqardhje që Lista Serbe nuk shfrytëzoi të drejtën për pjesëmarrje në zgjedhje

Këto zgjedhje janë caktuar të mbahen më 23 prill.

Published

on

Bashkimi Evropian ka thënë se ndjen keqardhje që Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk e ka shfrytëzuar të drejtën demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës.

Këto zgjedhje janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Atëbotë, për zgjedhjet në veri kanë aplikuar 11 kandidatë, të cilëve u ka vlejtur certifikimi edhe për zgjedhjet e prillit.

“Zgjedhjet janë gur themeli i demokracisë, dhe BE-ja gjithmonë e ka theksuar rëndësinë e gjithpërfshirjes”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që këto zgjedhje të mbahen në kushte paqësore.

Keqardhjen për mospjesëmarrjen e Listës Serbe në këto zgjedhje e kanë shprehur dhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania.

Përgjatë përgatitjeve për zgjedhje në dhjetor, autoritetet e Kosovës kanë regjistruar disa incidente, siç është pengimi i hapjes së zyrave të Komisionit Qendror Zgjedhor.

Sipas njohësve të çështjeve politike, mosaplikimi i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – në këto zgjedhje, e rrezikon mbarëvajtjen e gjithë procesit.

Lista Serbe – e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka rikonfirmuar më 20 mars se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe do ta mbajë këtë qëndrim derisa t’i përmbushen dy kërkesa: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

Çështja e formimit të Asociacionit duhet të zgjidhet me Marrëveshjen drejt normalizimit, të mbështetur nga BE-ja, të cilën e kanë pranuar edhe Kosova, edhe Serbia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më 21 mars se “do të duhet të merremi me atë formulim sa i përket vetëmenaxhimit për komunitetin serb”.

Vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë është paraparë me Marrëveshjen drejt normalizimit, por ende nuk dihet se për çfarë saktësisht bëhet fjalë.

Për Asociacionin, ndërkaq, Kosova dhe Serbia janë pajtuar në vitin 2013. Ai parasheh që serbët e Kosovës të kenë “juridiksion të plotë” në fusha të caktuara, si: planifikimi hapësinor, shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e kështu me radhë.

Kurti, në disa raste, ka përsëritur se Kosova nuk mund të lejojë formimin e asociacioneve njëetnike, sepse, sipas tij, të tillat rrezikojnë funksionalitetin e shtetit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 18 mars në Ohër, ka thënë se zgjedhjet në veri mund të shtyhen për në qershor.

“Nuk do të flas në emër të Listës Serbe. Thjesht, duhet të flas me ata njerëz. Duhet të shoh nëse [zgjedhjet] duhet të mbahen tani apo në qershor, do të shohim”, ka thënë Vuçiq.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të organizohen në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – pas dorëheqjeve të kryetarëve të tyre, në nëntor të vitit të kaluar.

Dorëheqjet e tyre, si dhe dorëheqjet kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, kanë qenë shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Prej vitit 2013, kur është formuar kjo parti, ajo ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb në pothuajse të gjitha zgjedhjet e Kosovës.

Mirëpo, misioni vëzhgues i BE-së rregullisht përmend nëpër raporte se, Lista Serbe e ka “monopolizuar jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës”./rel/

Vendi

Nis protesta në Prishtinë kundër dënimit të krerëve të UÇK-së

Published

on

By

Qindra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare janë grumbulluar sot në sheshet kryesore të Prishtinës për të marrë pjesë në protestën e thirrur nga platforma qytetare “Liria Ka Emër”.

Tubimi po mbahet në shenjë revolte ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara, me të cilin ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Me moton “JO NË EM RIN TIM”, pjesëmarrësit po shprehin kundërshtimin e tyre ndaj këtij vendimi juridik, duke e cilësuar atë si një goditje ndaj luftës çlirimtare. Në sheshin “Skënderbeu” situata ka njohur edhe momente tensioni, ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja e përfaqësuesit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, për të qetësuar turmën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.

Organizatorët kanë nërvizuar se ky mobilizim gjithëpopullor synon të mbrojë të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës së UÇK-së

Continue Reading

Lajmet

Tensione në protestën në Prishtinë, Hysni Gucati ndërhyn për të qetësuar situatën

Published

on

By

Situata në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është tensionuar përkohësisht gjatë protestës gjithëpopullore të organizuar kundër vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë momenteve të tensionit midis protestuesve, ka ndërhyrë përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili bëri thirrje për qetësi për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Protesta e thirrur nga platforma qytetare “Liria Ka Emër” me moton “JO NË EM RIN TIM”, ka mbledhur mijëra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare. Ky tubim vjen si reagim ndaj aktgjykimit të shpallur më 16 shtator, sipas të cilit ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi – u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Përfaqësuesit e organizatorëve, përfshirë Ismail Tashollin, deklaruan se ky tubim përfaqëson një mobilizim gjithëpopullor kundër asaj që ata e konsiderojnë padrejtësi ndaj luftës çlirimtare. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

Profesori i UBT-së, Milaim Berisha, publikon studim shkencor në revistën “Journal of Human Sport and Exercise”

Published

on

By

Profesori Milaim Berisha nga UBT, në bashkëpunim me studiuesin Pablo Prieto-González, ka publikuar një studim të ri shkencor në revistën ndërkombëtare “Journal of Human Sport and Exercise” (JHSE), të fokusuar në analizën e aftësive motorike në gjimnastikën artistike.

Studimi sasior përshkrues analizon 239 teknika të përcaktuara në udhëzuesin teknik të Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës (FIG) për të dyja gjinitë. Hulumtimi ka identifikuar praninë dhe rëndësinë e komponentëve kryesorë motorikë, si koordinimi, fuqia, shpejtësia, lëvizshmëria, fleksibiliteti, ekuilibri, qëndrueshmëria dhe shkathtësia në secilin aparat.

Gjetjet e studimit tregojnë se, ndonëse disiplinat e gjimnastikës artistike ndajnë aftësi të përbashkëta, secila prej tyre ka kërkesa specifike që ndryshojnë në bazë të nivelit të vështirësisë së lëvizjeve.

Autorët përfundojnë se me evoluimin e teknikave dhe integrimin e teknologjive të reja në këtë sport, programet e stërvitjes duhet të përditësohen në mënyrë të vazhdueshme për t’iu përshtatur kërkesave bashkëkohore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ursula von der Leyen në Prishtinë: Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara duhet të respektohet, por historia nuk rishkruhet

Published

on

By

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar të enjten gjatë vizitës në Prishtinë se aktgjykimi dënues i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të respektohet, duke nërvizuar njëkohësisht se askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës.

Gjatë konferencës për media pas takimeve me udhëheqësit e shtetit, shefja e ekzekutivit evropian u shpreh se aktgjykimi i 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit u mor nga një institucion i pavarur gjyqësor.

“Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ka shkaktuar emocione të fuqishme, e çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që bëjnë thirrje për qetësi. Ky aktgjykim u dha nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe mandati i tij duhet të respektohet”, deklaroi von der Leyen. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara