Lajmet

BE planifikon forcimin e gatishmërisë ndaj krizave në shkolla

Published

on

Komisioni Evropian njoftoi dje një strategji të re që synon përmirësimin e gatishmërisë ndaj krizave në të gjithë Bashkimin Evropian, përfshirë implementimin e mësimeve në shkolla për të përgatitur nxënësit për reagimin ndaj emergjencave.

Sipas propozimit, nxënësit në të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të mësojnë si të përgjigjen ndaj krizave të ndryshme, përfshirë fatkeqësitë natyrore dhe sulmet kibernetike. Komisioni propozoi gjithashtu përfshirjen e mësimeve të “gatishmërisë” në kurrikulat shkollore, me qëllim që të pajisen nxënësit me aftësi për të luftuar dezinformimin dhe manipulimin e informacionit, duke forcuar kështu edhe edukimin në fushën e sigurisë dhe qëndrueshmërisë ndaj krizave.

Kjo nismë është pjesë e një strategjie më të gjerë të paraqitur nga Komisioni Evropian, e cila ka nevojë për miratimin nga shtetet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian. Komisioni theksoi se Evropa përballet me kërcënime gjithnjë e më komplekse dhe se është e nevojshme që qytetarët dhe shtetet të jenë më të përgatitur për t’iu përgjigjur këtyre sfidave.

Në një deklaratë, Komisioni vuri në dukje se BE-ja përballet me një gamë të gjerë kërcënimesh, nga tensionet gjeopolitike dhe sulmet hibride deri tek ndotja e informacionit dhe katastrofat natyrore. Për të përballuar këto rreziqe, BE ka hartuar 30 “veprime kyçe” dhe një “Plan Veprimi” që synon përmirësimin e reagimit ndaj krizave.

Si pjesë e përpjekjeve për të rritur gatishmërinë, Komisioni propozon gjithashtu krijimin e një strategjie të re vjetore të quajtur “Dita e gatishmërisë për BE-në” dhe nxit qytetarët të sigurojnë furnizime emergjente për të paktën 72 orë në rast krize. Për më tepër, do të krijohet një qendër krize e BE-së për të integruar më mirë strukturat ekzistuese të krizës dhe për të rritur bashkëpunimin me partnerët e jashtëm si NATO.

Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, e theksoi rëndësinë e gatishmërisë dhe tha se qytetarët, shtetet dhe bizneset kanë nevojë për mjetet e duhura për të parandaluar dhe për t’u reaguar me shpejtësi ndaj krizave.

Komisionerja e BE-së për Krizat, Hadja Lahbib, theksoi se, me 450 milionë qytetarë në BE, ka 450 milionë arsye për të qenë më të përgatitur ndaj kërcënimeve të mundshme. Kjo strategji e re synon të rrisë sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Bashkimit Evropian në një kohë kur kërcënimet dhe krizat janë gjithnjë e më të pranishme në skenën globale.

 

Continue Reading

Lajmet

Ferizaj: Arrestohet një 16-vjeçar pasi sulmoi me thikë qytetarët dhe zyrtarët policorë

Published

on

By

Sot rreth orës 07:50 në Ferizaj, policia ka arrestuar një 16-vjeçar dhe nënën e tij 47-vjeçare, pas një incidenti që nisi në sheshin e qytetit dhe përfundoi me lëndimin e dy qytetarëve dhe tre zyrtarëve policorë.

Sipas njoftimit zyrtar, i mituri fillimisht ka sulmuar qytetarët me thikë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia e ka lokalizuar të dyshuarin në fshatin Greme, ku ai ka refuzuar të dorëzohet, ka hedhur benzinë në trup dhe ka sulmuar zyrtarët policorë me gurë e me thikë. Gjatë kësaj kohe, nëna e tij ka ndërhyrë duke penguar veprimet e policisë. Nga përleshja kanë mbetur të lënduar tre policë, përfshirë njërin që ka marrë një goditje me thikë në qafë.

Pas ndërhyrjes, policia ka prangosur të dy personat dhe ka sekuestruar thikën si provë materiale. Me urdhër të prokurorit, 16-vjeçari është dërguar në mbajtje për 24 orë, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova ndan licencat e para për udhërrëfyesit turistikë

Published

on

Kosova ka ndarë licencat e para për udhërrëfyesit turistikë, duke shënuar fillimin e një sistemi të rregulluar të licencimit me standarde të qarta për këtë profesion.

Sipas Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ky proces synon të sigurojë që udhërrëfyesit turistikë të ushtrojnë profesionin me përgatitje profesionale, përgjegjësi dhe njohuri të sakta, duke kontribuar në prezantimin dinjitoz të historisë, kulturës dhe trashëgimisë së Kosovës para vizitorëve.

Në njoftim thuhet se udhërrëfyesit turistikë kanë një rol të rëndësishëm në lidhjen e vizitorëve me identitetin kulturor të vendit, prandaj licencimi i tyre përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të turizmit.

Ministria theksoi se krijimi i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit ka mundësuar një qasje më të strukturuar ndaj zhvillimit të turizmit, duke e trajtuar atë si një sektor me potencial të madh për Kosovën.

Me këtë rast, u uruan të gjithë udhërrëfyesit e licencuar për sukses në ushtrimin e profesionit dhe u vlerësua kontributi i tyre në promovimin e vlerave kulturore dhe turistike të Kosovës para vizitorëve vendas dhe të huaj./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Përmbyllet Akademia Verore e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, në fokus gazetaria dhe inteligjenca artificiale 

Published

on

Me një seri ligjëratash dhe diskutimesh mbi sfidat bashkëkohore të gazetarisë, është përmbyllur Akademia Verore e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, ku morën pjesë studentët së bashku me profesorët e fakultetit dhe ekspertë të fushës.
Gjatë akademisë, studentët patën mundësinë të trajtonin tema aktuale që lidhen me transformimin e medias në epokën digjitale, ndikimin e inteligjencës artificiale në gazetari, si dhe rëndësinë e verifikimit të informacionit në një mjedis të mbushur me dezinformim.
Profesoresha Gjylie Rexha ligjëroi temën “Saktësia e kontestuar e informacionit në epokën digjitale”. Përmes një bashkëbisedimi interaktiv me studentët u analizuan raste konkrete të raportimit mediatik, përdorimi i burimeve të informacionit dhe rëndësia e verifikimit të fakteve në gazetarinë moderne.
Më pas, profesoresha Xhevahire Millaku ligjëroi në temën “Sfidat e gazetarisë përballë inteligjencës artificiale”, duke nxitur një debat të hapur mes profesorëve dhe studentëve mbi ndikimin që teknologjitë e reja kanë në profesionin e gazetarit, etikën profesionale dhe të ardhmen e mediave.
Akademia u përmbyll me ligjëratën e profesorit Musa Sabedini, i cili trajtoi temën “Inteligjenca artificiale dhe gazetaria, partneritet profesional apo kërcënim për profesionin”. Gjatë prezantimit u diskutua për mundësitë që ofron inteligjenca artificiale në procesin e raportimit, por edhe për sfidat që sjell përdorimi i saj në ruajtjen e standardeve profesionale dhe besueshmërisë së medias.
Dekani Ferid Selimi vlerësoi sfidat e gazetarisë në kohën e intelegjencës artificiale si një çështje që duhet të kihet parasysh, sidomos nga mediat serioze. Ai vlerësoi se gazetaria profesionale, në pikën e sotme të zhvillimit, varet shumë nga redaktorët profesionalë.
Në fjalën përmbyllëse, Koordinatori i Akademisë Verore të Fakultetit Media dhe Komunikim, Safet Zejnullahu, vlerësoi angazhimin e studentëve dhe profesorëve gjatë Akademisë Verore, duke theksuar rëndësinë e diskutimeve akademike për zhvillimin profesional të brezit të ri të gazetarëve.
“Akademia Verore dëshmoi se media dhe komunikimi janë fusha që zhvillohen vazhdimisht dhe kërkojnë mësim të përhershëm. Studentët tanë duhet të jenë të gatshëm të përballen me ndryshimet teknologjike, të ruajnë etikën profesionale dhe të ndërtojnë një gazetari të bazuar në fakte, integritet dhe përgjegjësi ndaj publikut”, u shpreh Zejnullahu.
Akademia Verore u mbyll me mesazhin se përballë zhvillimeve të shpejta teknologjike, gazetaria mbetet një profesion që ndërtohet mbi besueshmërinë, mendimin kritik dhe përgjegjësinë publike, ndërsa dialogu mes studentëve dhe profesorëve mbetet një element kyç në përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet 32-vjeçari në Ferizaj, policia i gjen armë zjarri në një Lamborghini

Published

on

Policia e Kosovës ka sekuestruar një armë zjarri gjatë një kontrolli të realizuar në Ferizaj.

Sipas policisë, më 9 korrik 2026, rreth orës 19:20, njësia e patrullës së Stacionit Policor në Ferizaj ka ndaluar për kontroll një automjet të tipit Lamborghini në rrugën “Enver Topalli”.

Gjatë kontrollit, te pasagjeri i automjetit, V.S., 32 vjeç, është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me tetë fishekë.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe është iniciuar procedurë për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara