Lajmet

BE parashikon përmirësim të ekonomisë gjatë vitit 2023

KE pret që rritja për 20 vendet e BE-së që përdorin monedhën euro të arrijë në 0.8%.

Published

on

Dega ekzekutive e Bashkimit Evropian ka treguar parashikimin e saj për rritjen ekonomike për vitin 2023 dhe pret që BE-ja të shmangë për pak një recesion.

Komisioni Evropian pret që rritja për 20 vendet e BE-së që përdorin monedhën euro të arrijë në 0.8% dhe rritja e përgjithshme për bllokun 27-anëtarësh të jetë 0.9%.

Meritat e përmirësimit iu dhanë nivelit të lartë të depozitimit të gazit natyror që ka zbutur frikën e racionimit të energjisë gjatë dimrit. Ndërmarrjet dhe qeveritë evropiane u përpoqën të gjenin furnizime të reja alternative pasi Rusia ndërpreu shumicën e furnizimeve të gazit natyror në Evropë, në mes të luftës në Ukrainë.

Çmimet e gazit natyror, i përdorur për ngrohjen e shtëpive, industrinë e karburantit dhe prodhimin e energjisë elektrike, arritën nivele rekord verën e kaluar, duke u rritur deri në 18 herë mbi nivelin e para krizës dhe i bëri familjet dhe bizneset të reduktojnë përdorimin e tyre.

Çmimet që atëherë kanë rënë nga ai kulm, megjithëse vazhdojnë të jenë rreth tre herë më të larta se përpara se Rusia të fillonte luftën në Ukrainë.

“Ekonomia e BE-së i mposhti pritjet e vitit të kaluar, me rritje elastike, pavarësisht nga valët tronditëse nga lufta e agresionit rus”, tha Paolo Gentiloni, komisioneri i BE-së për ekonominë.

“Dhe ne kemi hyrë në vitin 2023 me një bazë më të fortë se sa ishte parashikuar: Rreziqet e recesionit dhe mungesave të gazit janë zbehur dhe papunësia mbetet në një nivel të ulët rekord. Megjithatë evropianët ende përballen me një periudhë të vështirë përpara”, tha ai, raporton REL.

Kostot e energjisë dhe çmimet e konsumit janë ende të larta edhe pas tre muajsh radhazi të rënies së inflacionit vjetor nga kulmi prej 10.6% në tetor, në 8.5% në janar.

Për më tepër, Banka Qendrore Evropiane po rrit ndjeshëm normat e interesit për të frenuar inflacionin.

“Ndërsa presionet inflacioniste vazhdojnë, shtrëngimi monetar do të vazhdojë, duke rënduar aktivitetin e biznesit dhe duke ushtruar një zvarritje të investimeve”, tha Gentiloni.

Vendi

Kosova shënon 10-vjetorin e anëtarësimit në FIFA

Published

on

By

Sot futbolli i Kosovës feston një moment historik, 10-vjetorin e pranimit në FIFA, ditën kur Federata e Futbollit e Kosovës u bë anëtarja e 210-të e shtëpisë më të madhe të futbollit botëror.

Ky përvjetor jubilar shënon fundin e një rruge të gjatë plot sakrifca dhe fillimin e një epoke të re, duke kurorëzuar përpjekjet e shumë gjeneratave që e mbajtën gjallë futbollin tonë edhe në kohët më të vështira.

Në këtë ditë të veçantë, FFK ka kujtuar me mirënjohje të thellë kontributin e jashtëzakonshëm të legjendës Fadil Vokrri dhe të gjithë bashkëpunëtorëve që bënë të mundur këtë triumf diplomatik e sportiv.

Një falënderim i veçantë i është drejtuar edhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për mbështetjen dhe miqësinë e vazhdueshme që ka treguar ndaj Kosovës gjatë këtij rrugëtimi njëdekadash.

Sot, pas dhjetë vitesh, institucioni i futbollit është modernizuar, infrastruktura po zhvillohet vazhdimisht, ndërsa ekipet kombëtare dhe klubet tona po e përfaqësojnë me dinjitet shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke vazhduar përpara me krenari dhe përgjegjësi për të ardhmen e sportit më të popullarizuar në vend.

Continue Reading

Vendi

Mrekullia pas 28 vitesh: 48-vjeçarja sjell në jetë binjakë pas një beteje të gjatë me infertilitetin

Published

on

By

Një nga rastet më emocionuese dhe sfiduese në karrierën e gjinekologut Sebajdin Gjini ka qenë ai i një gruaje 48-vjeçare, e cila arriti të bëhej nënë e binjakëve pas plot 28 vitesh përballje me infertilitetin.

Gjatë rrëfimit të tij në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, në Telegraf të mbështetur nga United Hospital, dr. Gjini tregoi se kjo shtatzëni ishte e një rreziku të lartë dhe kërkonte një përkushtim të jashtëzakonshëm mjekësor.

Ai shpjegoi se gruaja kishte kaluar pothuajse tri dekada në pritje të këtij momenti, derisa më në fund suksesi u arrit para dy vitesh, duke përfunduar me lindjen e foshnjave në terminin e paraparë.

Mjeku pranoi se procesi ishte i shoqëruar me ndjenjë frike dhe ankthi si nga ana e pacientes, ashtu edhe nga ana e tij si profesionist, pasi shtatzënitë në moshë të shtyrë klasifikohen automatikisht si raste me rrezik të shtuar.

Për të garantuar shëndetin e nënës dhe binjakëve, rasti u përcoll me monitorim të rreptë, vizita shumë të shpeshta dhe analiza të vazhdueshme të parametrave vitalë, duke bërë që kjo histori e gjatë vuajtjeje të mbyllej me fundin më të bukur të mundshëm./Telegrafi/

 

Continue Reading

Vendi

Arrestohet një person në Podujevë, dyshohet për dhunim

Published

on

By

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se është arrestuar një person në Podujevë nën dyshimin për veprën penale të dhunimit.

Sipas policisë, rasti dyshohet të ketë ndodhur muaj më parë, ndërsa i dyshuari tashmë është dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se muaj më parë ka kryer veprën e cekur ndaj viktimës femër kosovare. Viktima është dërguar në IML për ekzaminime mjekësore, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Continue Reading

Lajmet

Gjendet një person pa shenja jete në Fushë Kosovë

Published

on

By

Në raportin njëditor të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se në Fushë Kosovë është gjetur një person pa shenja jete.

Ekipi mjekësor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar vdekjen e personit, ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjorë për obduksion.

“Raportohet se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Ekipi mjekësor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

Continue Reading

Të kërkuara