Lajmet

BE paralajmëron për “periudhë të vështirë” në raportet me Rusinë

Published

on

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të mërkurën se BE-ja duhet të përgatitet për përkeqësim të marrëdhënieve me Rusinë.

Tensionet mes bllokut evropian dhe Moskës janë në rritje për shkak të situatës në Ukrainë, burgosjes dhe shëndetit të kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny po edhe disa skandaleve të spiunimit.

“Edhe njëher, marrëdhëniet tona me Rusinë janë në një pikë të ulët”, tha Borrell.

“Le të jetë e qartë se ne nuk duam të ushqejmë një dinamikë të përshkallëzimit. Por, megjithatë ne po tregojmë se nuk do të pranojmë taktika frikësuese dhe se duhet t’u përgjigjemi atyre nëse ato ndodhin”, tha Borrell.

“Unë mendoj se duhet të jemi të përgatitur për një periudhë të gjatë, të vështirë në marrëdhëniet tona me Rusinë”, paralajmëroi ai.

Tensionet janë ulur pak pasi Rusia tha se po tërhiqte forcat e vendosura pranë kufirit ukrainas për stërvitje dhe transferoi kritikun e Kremlinit në një spital.

Por, një akuzë e Çekisë se inteligjenca ruse qëndronte prapa një shpërthimi vdekjeprurës të vitit 2014 në territorin çek përshkallëzoi raportet diplomatike mes dy vendeve.

Çekia është vend anëtar i BE-së.

Praga dëboi disa diplomatë rusë duke nxitur hakmarrjen e Moskës me dëbimin e diplomatëve çekë.

Në shenjë solidariteti, disa anëtarë të NATO-s dhe BE-së kanë dëbuar diplomatët rusë gjithashtu për pretendime spiunimi.

Ndërkohë autoritetet bullgare kanë nisur një hetim ndaj gjashtë shtetasve rusë të dyshuar për përfshirje në një seri shpërthimesh që goditën katër depo armësh dhe pajisje armatimi në Bullgari midis 2011 dhe 2020.

Zëdhënësja e Prokurorit të Përgjithshëm bullgar, Siika Mileva, tha se ekziston një “supozim i arsyeshëm” se këto incidente janë të lidhura me helmimin gati fatal të tregtarit bullgar të armëve Emilian Gebrev më 2015-të dhe një shpërthim në një depo çeke municionesh më 2014.

Continue Reading

Vendi

Tri raste te dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar për disa raste të dhunës në familje të ndodhura gjatë 24 orëve të fundit në Istog, Pejë dhe Malishevë, të cilat kanë rezultuar me arrestime dhe hetime të vazhdueshme.

Në qytetin e Istogut, një person është shpallur në kërkim policor nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Sipas raportit, viktima është intervistuar nga hetuesit, ndërsa njësitë policore janë në kërkim të të dyshuarit, i cili ndodhet në arrati.

Një rast është regjistruar në Pejë, ku policia ka arrestuar një burrë nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht dhe ka kanosur disa viktima. Viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor. Për këtë rast janë njoftuar Qendra për Punë Sociale dhe mbrojtësi i viktimave, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në Malishevë është arrestuar një person i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një burri tjetër brenda familjes. Pas procedurave të intervistimit, prokurori kujdestar ka vendosur që i dyshuari të lirohet dhe rasti të vazhdojë në procedurë të rregullt.

Continue Reading

Lajmet

Hagë: Shtyhet afati për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

By

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar zgjatjen e afatit për shpalljen e vendimit përfundimtar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Përmes një njoftimi zyrtar, Gjykata bëri të ditur se për shkak të kompleksitetit të lartë të çështjes, Paneli Gjyqësor ka vendosur ta shtyjë afatin edhe për 60 ditë të tjera.

Sipas vendimit të ri, afati i fundit për shpalljen e aktgjykimit është caktuar data 20 korrik 2026. Gjykata sqaroi se kjo datë nuk shënon domosdoshmërisht ditën e shpalljes së vendimit, por përfaqëson kufirin e ri kohor brenda të cilit pritet të jepet verdikti. Paneli Gjyqësor la të hapur mundësinë për një tjetër shtyrje, nëse kjo vlerësohet si “absolutisht e nevojshme” në të ardhmen.

Ky proces gjyqësor, i cili nisi zyrtarisht më 3 prill 2023, ka hyrë në fazën finale pasi palët dhanë fjalët e tyre përfundimtare më 18 shkurt. Katër ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim prej vitit 2020, janë deklaruar sërish të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, duke mohuar çdo pretendim të Prokurorisë. Tashmë, sytë e opinionit publik janë kthyer nga Haga, në pritje të një vendimi që do të vulosë njërën prej çështjeve më të rëndësishme gjyqësore të pasluftës në Kosovë.

Continue Reading

Vendi

Sekuestrohet mall në vlerë mbi 50 mijë euro në Ferizaj

Published

on

By

Njësia e Task Forcës nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare (DRK Jug) ka realizuar një operacion të suksesshëm kundër krimit ekonomik, duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme mallrash të kontrabanduara në qytetin e Ferizajt. Operacioni u ndërmor pas mbledhjes së informacioneve në teren për ekzistencën e një depoje ku fshiheshin produkte të paligjshme.

Sipas njoftimit të Policisë, hetimet e para tregojnë se një person i dyshuar i kishte futur këto mallra në Republikën e Kosovës përmes rrugëve ilegale nga Maqedonia e Veriut. Gjatë kontrollit në depo, policia gjeti dhe sekuestroi:

  • Mbi 800 kg duhan të përpunuar dhe makineritë përkatëse për përpunimin e tij.
  • Një sasi prej 94 kg mjaltë.
  • Pajisje ambalazhimi (plastikë dhe letër) dhe vegla ndihmëse për spërkatjen e duhanit.

Vlera e tregut e këtyre mallrave llogaritet të jetë rreth 16,500 euro, por dëmi real i shkaktuar buxhetit të shtetit është shumë më i lartë. Shmangia nga akciza dhe taksat doganore llogaritet të arrijë vlerën e rreth 34,000 eurove.

Pas përfundimit të procedurave policore, i gjithë malli i konfiskuar i është dorëzuar Doganës së Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm ligjor. Ky aksion vjen si vazhdimësi e përpjekjeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës për të luftuar ekonominë informale dhe për të mbrojtur kufijtë nga aktivitetet kriminale.

 

Continue Reading

Lajmet

Gjeneral Bashkim Jashari në “SAHA Expo 2026”: FSK drejt modernizimit dhe forcimit të kapaciteteve ushtarake

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, po qëndron për një vizitë zyrtare në Stamboll, ku së bashku me një delegacion të lartë të FSK-së po merr pjesë në panairin prestigjioz të industrisë së mbrojtjes, “SAHA Expo 2026”.

Pas ceremonisë hapëse, Gjeneral Jashari zhvilloi takime kyçe me drejtuesit e lartë të Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Turqisë. Gjatë këtyre diskutimeve, ai shpalosi objektivat strategjikë për zhvillimin e mëtutjeshëm të FSK-së, duke u fokusuar në koordinimin e planeve dypalëshe për trajnime, stërvitje të përbashkëta dhe furnizimin me pajisje moderne ushtarake.

Pjesëmarrja në këtë panair, që konsiderohet si një nga platformat më të rëndësishme teknologjike në botë, i ka mundësuar delegacionit të FSK-së të shohë nga afër inovacionet e fundit në fushën e mbrojtjes.

Gjeneral Jashari dhe ekipi i tij zhvilluan takime me prodhues të ndryshëm ndërkombëtarë, me synim konkret forcimin e kapaciteteve operacionale dhe modernizimin e ushtrisë në përputhje me misionin e saj kushtetues.

Ky angazhim në SAHA EXPO 2026 rikonfirmon përkushtimin e FSK-së për të ndërtuar një forcë moderne dhe të ndërveprueshme me partnerët, e gatshme për t’u ballafaquar me sfidat bashkëkohore të sigurisë globale.

 

Continue Reading

Të kërkuara