Lajmet

BE nuk pajtohet për takimin me Putinin

“Ishte një diskutim shumë gjithëpërfshirës dhe jo i lehtë”, tha Merkel.

Published

on

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dështuan të bien dakord mbi një propozim për të mbajtur një samit me presidentin rus, Vladimir Putin, pasi vendet e BE-së që kufizohen me Rusinë, kundërshtuan, duke thënë se samiti do të dërgonte mesazh të gabuar.

Në një deklaratë të lëshuar në orët e para të së premtes, udhëheqësit thanë se ata “do t’i shqyrtojnë formatet dhe kushtet e dialogut me Rusinë”, pa përmendur ndonjë takim të nivelit të lartë ose plane për ndonjë samit me Putinin.

Franca dhe Gjermania propozuan mbajtjen e samitit të BE-së me Putinin – i pari që nga janari i vitit 2014 – pasi presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u takua me presidentin rus në Gjenevë, më 16 qershor.

“Ne nuk mund të vazhdojmë pa dialog”, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron. “Ne duhet të flasim, përfshirë edhe për mosmarrëveshjet tona. Është mënyra e vetme për t’i zgjidhur ato”, tha ai.

Por, pas bisedimeve gjatë natës në një samit në Bruksel, kancelarja gjermane, Angela Merkel, u tha gazetarëve se nuk ka marrëveshje për samit.

“Ishte një diskutim shumë gjithëpërfshirës dhe jo i lehtë”, tha Merkel.

Duke argumentuar për samitin, Merkel u ka thënë ligjvënësve në Berlin më herët se ngjarjet e muajve të fundit kanë treguar se “nuk mjafton të reagojmë ndaj provokimeve të shumta ruse në një mënyrë të pakoordinuar”.

Ajo ka bërë thirrje për “krijimin e mekanizmave, për t’iu përgjigjur në një mënyrë të përbashkët dhe të unifikuar sulmeve hibride nga Rusia”.

Pasi samiti u refuzua, Merkel tha se edhe pa një të tillë, “do të hulumtohen formatet, nën të cilat mund të fillojë dialogu”.

Gjermania ka interesa të forta ekonomike në Rusi dhe dëshiron të shohë përfundimin e projektit të tubacionit Rrjedha e Veriut 2, i cili do të dërgonte gazin rus në Gjermani.

Rusia është furnizuesi më i madh i BE-së me gaz natyror dhe luan rol të rëndësishëm në çështjet që lidhen me interesat strategjike të Evropës, përfshirë marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe konfliktet e armatosura në Siri dhe Libi.

Por, BE-ja dhe Rusia janë në anët e kundërta të disa çështjeve të tjera: nga Ukraina dhe Bjellorusia deri te të drejtat e njeriut.

Ato gjithashtu e akuzojnë njëra-tjetrën për ndërhyrje në zgjedhje, për përhapje të dezinformimit dhe kërcënim të sigurisë dhe stabilitetit në Evropën lindore.

Takimet e nivelit të lartë të BE-së me Rusinë përfunduan pasi Moska aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë në mars të vitit 2014 dhe Perëndimi i vendosi sanksione.

Konflikti ende zien në Ukrainën lindore, ku separatistët e mbështetur nga Rusia janë aktivë.

Në mesin e udhëheqësve që e kundërshtuan samitin me Rusinë, ishte presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, i cili kërkoi kujdes në marrëdhëniet me Moskën.

“Deri më tani, ne nuk shohim ndonjë ndryshim rrënjësor në modelin e sjelljes së Rusisë. Nëse, pa ndonjë ndryshim pozitiv në sjelljen e Rusisë, ne fillojmë të angazhohemi, kjo do të dërgonte sinjale shumë të pasigurta dhe të këqija”, tha Nauseda.

Ai tha se ideja e një samiti me Rusinë është si “përpjekja për të angazhuar ariun, për të ruajtur një tenxhere me mjaltë”.

Kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins, tha se BE-ja rrezikon ta shpërblejë Rusinë me një samit, pavarësisht nga dështimi i diplomacisë për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.

Deklarata e udhëheqësve të BE-së paralajmëroi më shumë sanksione kundër Rusisë, nëse ajo vazhdon “politikën e dezinformimit, sulmet kibernetike dhe përpjekjet për të ndarë bllokun”. Rusia i mohon këto keqbërje.

Continue Reading

Vendi

Justina Shiroka-Pula zgjidhet presidente e Kosovës

Published

on

Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës.

Në votimin e zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, për Shiroka-Pulën kanë votuar 81 deputetë, ndërsa dy fletëvotime janë shpallur të pavlefshme. Një votë i është dhënë deputetes Eliza Hoxha.

Pas zgjedhjes në këtë pozitë, presidentja e re ka mbajtur fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit, duke thënë se e pranon detyrën me nder dhe përgjegjësi.

“Sot e pranoj me nder të madh dhe me përgjegjësi të plotë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi; ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan”, tha Shiroka-Pula.

Ajo u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë politike, etnike apo shoqërore.

“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, do të dal pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona”, u shpreh ajo.

Në fjalimin e saj, Shiroka-Pula theksoi edhe orientimin euroatlantik të Kosovës dhe rëndësinë e marrëdhënieve me aleatët.

“Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, tha presidentja e re./A.K/

Continue Reading

Vendi

Kurti propozon për presidente ish-ministren e PDK-së, Justina Shiroka-Pulën

Published

on

By

Në orët e fundit para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kryetarit të shtetit, Kryeministri Albin Kurti ka bërë një lëvizje të re drejt PDK-së.

Kurti ka deklaruar se është i gatshëm të votojë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara – një kërkesë kjo e kahershme e PDK-së.  

Përmes kësaj oferte, Kurti i ka bërë thirrje PDK-së që të hyjë në seancë, duke propozuar si kandidate për presidente ish-deputeten dhe ish-ministren nga radhët e PDK-së, Justina Shiroka-Pula.  

Ky propozim vjen pasi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, refuzoi emrat e propozuar më parë, si Feride Rushiti dhe Glauk Konjufca. Kurti iu drejtua opozitës me thirrjen për bashkëpunim në Kuvend për të votuar së pari ligjin e kërkuar dhe më pas kandidaturën e Shiroka-Pulës për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Continue Reading

Vendi

Rritet numri i protestuesve, protesta vazhdon në sheshin “Skënderbeu”

Published

on

By

Është shtuar numri i qytetarëve që po marrin pjesë në protestën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë në shesh, ndërsa protesta po vijon përpara institucioneve të vendit.

Protesta e sotme është thirrur lidhur me kërkesat për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zhvillimet rreth Gjykatës Speciale në Hagë.

Continue Reading

Lajmet

Hamza e refuzon ofertën e dytë të Kurtit për presidentin dhe Specialen: Po tentohet të shndërrohet në pazar

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i është përgjigjur negativisht propozimit të kryeministrit Albin Kurti për votimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e presidentit.

Në një konferencë për media, Hamza ka kritikuar qasjen e deritanishme, duke thënë se çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është përgjegjësi vetëm e PDK-së.

Çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është çështje që i takon vetëm PDK-së, po flasim për historinë, për të tashmen dhe për të ardhmen”, është shprehur Hamza.

Ai ka thënë se kjo çështje, sipas tij, po tentohet të përdoret për pazare politike në momentet e fundit.

“Kjo temë po tentohet me u shndërru në pazare të minutave të fundit. Ju kam thënë dhe po e përsëris. Çështja e ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është temë që i takon vetëm PDK-së. Po flasim për historinë, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë”, ka deklaruar ai.

Hamza ka theksuar se pjesëtarë të UÇK-së janë të lidhur me subjekte të ndryshme politike, ndërsa ka akuzuar për tentim të përdorimit të kësaj çështjeje për arritjen e qëllimeve politike.

“UÇK-ja ka pjesëtarë në të gjitha partitë politike dhe qëllimi i kësaj teme është si ta përdorim ligjin për shantazh dhe për të mbërritur qëllimin politik. Qëllimi politik është që me pasë një president politik dhe me e përmbyllë njëqind për qind kapjen e institucioneve”, ka thënë Hamza.

Ai ka shtuar se ka marrë pjesë në takime për tejkalimin e situatës, por ka kritikuar ndryshimet e shpeshta të qëndrimeve politike.

“Unë kam qenë në takim, po e shihni se sa shpesh ka ndryshime të qëndrimeve politike”, ka deklaruar Hamza.

Continue Reading

Të kërkuara