Teknologji

BE-ja me rregulla të reja për inteligjencën artificiale, si do të funksionojnë dhe si do të ndikojnë te njerëzit?

Çfarë është Akti i Inteligjencës Artificiale dhe si funksionon?

Published

on

Associated Press

Zyrtarët e Bashkimit Evropian javën e kaluar u angazhuan intensivisht për të arritur një marrëveshje për rregullat botërore sipas të cilave duhet të përdoret inteligjenca artificiale në bllokun 27-anëtarësh.

Akti i Inteligjencës Artificiale është seti i fundit i rregullave të përcaktuara për ta qeverisur teknologjinë në Evropë, e cila do të ketë ndikim global.

Çfarë është Akti i Inteligjencës Artificiale dhe si funksionon?

Akti i IA-së vlerëson dhe analizon rreziqet e produkteve apo shërbimeve, të cilat përdorin inteligjencë artificiale dhe përqendrohet në rregullimin e përdorimit të inteligjencës artificiale në vend se të teknologjisë. Legjislacioni është bërë me qëllim që të mbrohet demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, siç është liria e shprehjes, duke nxitur investime dhe inovacion në të njëjtën kohë.

Sa më i rrezikshëm që të jetë aplikacioni, aq më të ashpra do të jenë rregullat. Ato të cilat përbëjnë rrezik të vogël, siç janë sistemet që rekomandojnë përmbajtje apo filtrat e përmbajtjeve të rrezikshme, detyrohen të ndjekin rregulla të lehta, si për shembull të tregojnë se mundësohen nga IA-ja.

Sistemet me rrezikshmëri të lartë, siç janë mjetet mjekësore, përballen me kërkesa më të mëdha, si përdorimi i të dhënave të cilësisë së lartë dhe ofrimi i të dhënave të qarta për përdoruesit. Ky akt nuk do të hyjë në fuqi deri në dy vjet pas miratimit përfundimtar nga ligjvënësit e BE-së dhe pritet të hidhet në votim në fillim të vitit 2024. Gjobat për shkelje shkojnë deri në 35 milionë euro apo 7% e të hyrave globale të kompanisë.

Si do të ndikojë ky akt te pjesa tjetër e botës?

Ky akt do të vlejë vetëm për afërsisht 450 milionë banorë të BE-së, por ekspertët thonë se ndikimi mund të shtrihet edhe më gjerë për shkak të rolit udhëheqës të Brukselit për të vendosur rregulla të cilat vlejnë si standard global.

BE-ja e ka luajtur këtë rol më parë me rregulla të kaluara të teknologjisë, më e veçanta është detyrimi për të bërë një karikues përbashkët për mbushje, e cila e detyroi kompaninë Apple të heqë dorë nga kablloja e vet për mbushësit e produkteve të saj.

Përderisa shumë vende të tjera po mendohen nëse duhet dhe si ta frenojnë IA-në, rregulloret gjithëpërfshirëse të BE-së pritet të shërbejnë si udhërrëfyes.

“Akti i IA-së është rregullorja e parë botërore gjithëpërfshirëse, horizontale dhe detyruese e inteligjencës artificiale, e cila jo vetëm që do t’i ndryshojë gjërat në Evropë, por me shumë gjasa do ta rrisë momentumin global për ta rregulluar IA-në nëpër juridiksione”, tha Anu Bradford, eksperte e ligjeve të BE-së dhe rregulloreve digjitale.

“Kjo e vë BE-në në pozitë të veçantë për të qenë lidere dhe për t’i treguar botës se IA-ja mund të qeveriset dhe se zhvillimi i saj mund të jetë subjekt i monitorimit demokratik”, tha ajo.

Duke mos e ndaluar plotësisht teknologjinë e njohjes së fytyrës në kohë reale, Brukseli “praktikisht i ka dhënë dritën e gjelbër vëzhgimit digjital distopik në 27 vendet anëtare të BE-së, duke e vendosur një precedent shkatërrues në gjithë botën”, tha Amnesty International.

Ndalesa e pjesshme është “një mundësi e humbur për ta ndalur dhe parandaluar dëmin kolosal ndaj të drejtave të njeriut, hapësirës civile dhe sundimit të ligjit, të cilat tashmë janë të kërcënuara nëpër BE”.

Nga ana tjetër, ka shprehur shqetësimin edhe për dështimin e ligjvënësve për ta ndaluar eksportin e teknologjive të IA-së, që mund t’i dëmtojnë të drejtat e njeriut – përfshirë përdorimin e notimit të shoqërisë, diçka që e bën Kina për t’i shpërblyer ata që i binden shtetit përmes vëzhgimit.

Çfarë po bëjnë vendet e tjera për rregulloren e IA-së?

Dy fuqitë më të mëdha të IA-së në botë, SHBA-ja dhe Kina, kanë nisur t’i përpilojnë ligjet e veta.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e nënshkroi një urdhër ekzekutiv për IA-në gjatë muajit tetor, i cili pritet të forcohet nga legjislacioni dhe marrëveshjet globale.

Urdhri u kërkon zhvilluesve kryesorë të IA-së t’i këmbejnë me Qeverinë rezultatet e testeve të sigurisë dhe të dhënat e tjera. Agjencitë do të krijojnë standarde për t’u siguruar se mjetet e IA-së janë të sigurta para se të publikohen për përdorim publik.

Kina, ndërkohë, ka publikuar “masa të përkohshme” për menaxhimin e IA-së së përgjithshme, të cilat vlejnë për përmbajtje si, tekst, fotografi, audio, video dhe të tjera të cilat prodhohen për njerëzit brenda Kinës.

Si do të ndikojë Akti i IA-së ndaj ChatGPT-së?

Rritja spektakulare e ChatGPT-së të Open AI-së dëshmon se teknologjia po shënon përparime tejet të mëdha dhe i detyroi politikëbërësit evropianë ta përditësojnë propozimin e tyre.

Akti i IA-së përfshin provizione për chatbot-at dhe sistemet e tjera të ashtuquajtura sisteme të IA-së për qëllime të përgjithshme, të cilat mund të kryejnë detyra të shumta, nga shkrimi i poezive deri te krijimi i videove dhe shkrimi i kodeve kompjuterike.

Shumica e sistemeve për qëllime të përgjithshme përballen me kërkesa themelore për transparencë, si publikimi i hollësive për të dhënat e tyre qeveritare dhe të tregojnë se sa shumë energji kanë përdorur për t’i trajnuar modelet në një gamë të gjerë të veprave të shkruara dhe imazheve të fshira nga interneti.

Ato, po ashtu, duhet t’i përmbahen ligjit të BE-së për të drejtat e autorit dhe ta përmbledhin përmbajtjen që e kanë përdorur për trajnime.

Me rregulla më të ashpra do të përballen sistemet më të avancuara të IA-së me fuqinë më të madhe kompjuterike, të cilat përbëjnë “rreziqe sistematike” që zyrtarët duan të mos i lejojnë të përhapen në shërbime që ndërtohen nga zhvilluesit e softuerit./UBTNews/

Teknologji

Google prezanton mjetet e reja për Jules, e bën programimin edhe më të lehtë

Published

on

Google ka lansuar një seri mjetesh të reja për Jules, asistentin e saj me inteligjencë artificiale për programim, i krijuar për të ndihmuar programuesit në gjenerimin e kodit, korrigjimin e gabimeve dhe kryerjen e testimeve, duke e bërë përdorimin e tij sa më të thjeshtë dhe efektiv.

Keti Korevec nga Google Labs njoftoi risitë në një postim në blog, duke përfshirë Jules Tools, një ndërfaqe të re në vijë komande (CLI), si dhe një API të ri.

Sipas Korevec, këto ndryshime reflektojnë përkushtimin e kompanisë për të përmirësuar jo vetëm asistentin Jules, por edhe produktivitetin e programuesve, përveç një sërë përmirësimesh të vogla tashmë të disponueshme për zhvilluesit.

Google përshkroi Jules Tools si një CLI të lehtë, që sjell Jules direkt në terminal. “Ky është mënyra më e thjeshtë për të kaluar nga biseda në punë ‘krah për krah’ në një mjedis real pune”, shkroi Korevec.

Përmirësimet e reja janë të fokusuar në zgjerimin e disponueshmërisë së Jules në më shumë vende, ndërsa përditësimet e mëparshme ishin të orientuara drejt përmirësimit të besueshmërisë së tij. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Teknologji

OpenAI prezanton gjeneratën e re të ChatGPT

Published

on

OpenAI dhe drejtori ekzekutiv Sam Altman po synojnë ta shndërrojnë ChatGPT nga një mjet bisedor në një asistent digjital të avancuar, që mund të përdorë aplikacione të tjera në emër të përdoruesit, shkruan Mashable.

Kompania ka njoftuar një iniciativë të re për krijimin e “gjeneratës së re të aplikacioneve në ChatGPT”, që u mundëson përdoruesve të lidhen dhe të bashkëveprojnë drejtpërdrejt me shërbimet e palëve të treta brenda vetë chatbot-it.

Kjo u prezantua gjatë Ditës së Zhvilluesve të OpenAI, ku u shfaqën disa demo praktike që treguan si funksionon integrimi në aplikacione.

Në një shembull, ChatGPT u lidh me Spotify për të krijuar automatikisht një listë dëgjimi bazuar në këngët e preferuara të përdoruesit.

Një tjetër demonstrim tregoi integrimin me Canva, ku një inxhinier i OpenAI kërkoi të hartonte një poster për një biznes që shëtiste qentë.

Pas përshkrimit të stilit “të çuditshëm dhe të ndritshëm me font sans-serif”, ChatGPT gjeneroi disa versione të posterit përmes Canva.

Sistemi kërkon leje herën e parë që lidhet me aplikacion, më pas mund ta përdorë lirisht në bisedat e ardhshme. OpenAI prezantoi integrime arsimore dhe të pasurive të paluajtshme, si krijimi i një plani mësimor përmes Coursera apo kërkimi i shtëpive në Zillow.

Nga sot, përdoruesit mund të lidhen me aplikacione si Spotify, Canva, Booking.com, Expedia, Coursera, Zillow dhe Figma. Altman ka paralajmëruar se së shpejti do të shtohen edhe integrime të tjera, përfshirë DoorDash dhe Uber.

Në të ardhmen e afërt, zhvilluesit kanë mundësinë të paraqesin dhe publikojnë aplikacionet e tyre brenda ChatGPT, ndërsa kompania po përgatit edhe një drejtori të dedikuar të aplikacioneve për instalim dhe zbulim më të lehtë.

Sa i përket monetizimit, detajet ndahen më vonë, nisma shënon hap të madh drejt vizionit të OpenAI për inteligjencën artificiale agjentike, sidomos pas prezantimit të Instant Checkout, që u mundëson përdoruesve të kryejnë blerje direkte brenda chat-it. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Teknologji

BE kundër Apple, rihapen hetimet për shkelje të ligjit digjital

Published

on

Komisioni Evropian ka akuzuar kompaninë teknologjike Apple për shkelje të rregullave të tregut digjital.

Gjigandi amerikan ka kërkuar nga BE-ja të shfuqizojë ligjin që e rregullon, kompania sfidoi çdo hap të procesit të zbatimit të rregullores.

“Apple ka kundërshtuar çdo pjesë të vogël të Aktit të Tregjeve Dixhitale që nga hyrja e tij në fuqi. Kjo sfidon narrativën e kompanisë se dëshiron të bashkëpunojë plotësisht me Komisionin,” tha zëdhënësi i Komisionit, Thomas Regnier.

Apple publikoi një deklaratë ku i bën thirrje Brukselit të shfuqizojë ligjet dixhitale, duke argumentuar se duhet të zbatohet një rregullore më e përshtatshme me qëllimet e saj. Në prill, kompania u gjobit nga Komisioni me 500 milionë euro.

“Dhe kjo nuk është e gjitha. Ka edhe raste të tjera në pritje, ku të gjitha opsionet mbeten të hapura,” shtoi Regnier.

Komisioni Evropian deklaroi se Apple ka shpërfillur përpjekjet për të bashkëpunuar dhe për të përmbushur kërkesat e Aktit të Tregjeve Dixhitale përmes bisedimeve pozitive.

“Pas disa muajsh angazhimi, Apple na kërkoi të heqim dorë nga gjithçka. E kuptojmë që kompanitë duan të mbrojnë fitimet e tyre, por kjo nuk është ajo që kërkohet nga DMA,” theksoi Regnier.

Sipas raportimeve të Politico, ish-Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se mund të vendosë tarifa ndaj vendeve të BE-së që konsiderohen diskriminuese për kompanitë amerikane. Administrata Trump dhe disa kompani aleate të teknologjisë kanë kritikuar vazhdimisht Aktin e Shërbimeve Digjitale të BE-së.

Një zëdhënës i Apple tha: “DMA mund të çojë në vonesa të mëtejshme për disa veçori në BE dhe përvoja e përdoruesve tanë në produktet Apple mund të mbetet pas.” /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Automobilizëm elektrikë

Toyota e-Palette: Automjeti i shumëfunksional dhe futurist hyn në tregun japonez

Published

on

Nga Toyota mund të prisni gjithçka  dhe e-Palette e re e konfirmon këtë pritshmëri. Ky automjet nuk është një makinë sportive apo limuzinë luksoze, por një mjet inovativ dhe i pazakontë për transportin e pasagjerëve.

e-Palette u prezantua si koncept në CES 2018 dhe më pas u shfaq në Lojërat Olimpike të Tokios 2021. Pas viteve testimeve, ai hyn tani në tregun japonez. Automjeti ka dimensione të mëdha: 4.95 metra gjatësi, 2.08 metra gjerësi dhe 2.65 metra lartësi.

Dizajni i tij minimal, me sipërfaqe të mëdha xhami dhe drita LED të rrumbullakëta, i jep hapësirës ndjesinë e një dhome ndenjeje në lëvizje.

Shoferi ulet në pozicion qendror, duke përdorur timon të tipit zgjedhë dhe katër ekrane për kontroll. Dyshemeja e ulët dhe rampa e aksesit lehtësojnë lëvizjen për personat me aftësi të kufizuara. Në total, e-Palette mund të marrë 17 persona: 4 të ulur, 12 në këmbë dhe shoferin.

Përveç transportit të pasagjerëve, kabina transformohet në zyrë lëvizëse, sallë pritjeje apo dyqan të vogël. Toyota parashikon përdorimin e tij si transport në mëngjes, pikë shitjeje ushqimesh në mesditë dhe hapësirë argëtimi në mbrëmje.

Performanca dhe teknologjia

e-Palette fuqizohet nga motori elektrik me 204 kuaj-fuqi dhe 266 Nm çift rrotullues, duke arritur shpejtësi deri 80 km/orë katërfish më e shpejtë se prototipet e para. Bateria prej 72.8 kWh ofron autonomi deri në 250 km dhe mund të karikohet deri në 80% në vetëm 40 minuta me karikues të shpejtë. Automjeti mund të furnizojë edhe pajisje elektrike të jashtme në raste emergjence.

Aktualisht e-Palette ka sisteme asistence të Nivelit 2, por Toyota synon drejtimin autonom të Nivelit 4 deri në vitin 2027.

Çmimi dhe disponueshmëria

Surpriza më e madhe është çmimi: në Japoni, e-Palette fillon nga 29 milionë jen (rreth 196,000 euro), duke e bërë makinën më të shtrenjtë në histori, madje më shumë se SUV-i luksoz i kompanisë prej 182,000 eurosh. Subvencionet qeveritare e ulin ndjeshëm këtë çmim.

Prodhimi do të bëhet me porosi, dhe automjeti do të përdoret fillimisht në hapësira publike dhe në “Qytetin e Endur” futurist të Toyota-s, duke demonstruar potencialin e tij si një automjet inovativ, i shumëfunksional e i gatshëm për të ardhmen e transportit. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara