Lajmet

​BE-ja i reagon Kurtit për Asociacionin: Nuk mund të heqësh dorë nga përgjegjësitë në dialog

Published

on

Bashkimi Evropian thotë se Qeveria e Kosovës nuk mund të hartojë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe jashtë dialogut të Brukselit. Sipas tyre, çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë, ndërmjetësuesin e BE-së si dhe të jetë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015. Përkitazi me këtë, në unionin evropian kërkojnë nga ekzekutivi kosovar që pa vonesa ta dërgojnë draft-statutin e Asociacionit, të hartuar nga BE-ja në Gjykatën Kushtetuese.

Një ditë pasi kryeministri Albin Kurti tha se nuk mund të bëjë asociacione të komunave në cilësinë e shefit të qeverisë dhe se iu takon komunave të bëjnë asociacionin, në BE thonë se Qeveria nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësitë e saj në kuadër të dialogut apo t’ua delegojë ato komunave me shumicë serbe.

Në anën tjetër, njohësit e procesit të dialogut thonë se pavarësisht presionit ndërkombëtar ndaj Qeverisë së Kosovës për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese, një gjë e tillë nuk pritet të ndodh. Sipas tyre, kryeministri Albin Kurti nuk do të dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Kushtetuese pa përfunduar zgjedhjet e 9 shkurtit, pasi një gjë e tillë do të ndikonte në humbjen e votave në zgjedhje.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, thotë se kryeministri Albin Kurti duhet të ecë përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023, rrjedhimisht edhe të nisë hapat për themelimin e Asociacionit.

“Sipas Marrëveshjeve përkatëse të Dialogut të 2013 dhe 2015, Statuti për themelimin e AKS-së duhet të hartohet dhe të diskutohet në dialog. Çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së, dhe të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Kjo gjithashtu do të thotë se Qeveria e Kosovës nuk mund të hartojë Statutin jashtë dialogut. Qeveria nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësitë e saj në kuadër të dialogut apo t’ua delegojë ato komunave me shumicë serbe të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tij.

Më tej, Stano shton se draft-statuti evropian për Asociacionin bazohet në modelet dhe praktikat e mira evropiane si dhe në kornizën ligjore të Kosovës.

Sipas tij, Kurti e ka pranuar në parim draft-statutin, në prani të liderëve evropianë dhe se i njëjti është mbështetur nga 27 vendet e BE-së. Andaj, siç thotë ai kualifikimi i këtij dokumenti si një “non-paper” shpërfill ftesën e Këshillit të Bashkimit Evropian për të vazhduar mbi këtë bazë dialogun e Brukselit.

“Ky Draft Statut Evropian bazohet në modelet dhe praktikat e mira evropiane, si dhe në kornizën ligjore të Kosovës. Drafti iu prezantua kryeministrit Kurti personalisht nga ndërmjetësuesi i BE-së së bashku me Këshilltarët e Sigurisë Kombëtare të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së. Në një takim të nivelit të lartë në mbështetje të dialogut në prani të presidentit Macron, kryeministrit Meloni dhe kancelarit Scholz, të dyja palët pranuan në parim Draft Statutin Evropian. Në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023, Këshilli Evropian përshëndeti ‘gatishmërinë e Serbisë dhe Kosovës për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve nga ndërmjetësuesi i BE-së’. Ky është një njohje formale e dokumentit nga të 27 shtetet anëtare të BE-së. Etiketimi i projektstatutit Evropian si “thjesht një non-paper” shpërfill ftesën e Këshillit të Bashkimit Evropian për të vazhduar mbi këtë bazë dhe vonon më tej perspektivën e krijimit të tij”, përfundon ai.

Në anën tjetër, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë se Bashkimi Evropian e ka bërë obligim për Kosovën draft-statutin e Asociacionit të hartuar nga ata. Sipas tij, një gjë e tillë po shihet në bazë të qëndrimeve të institucioneve të BE-së dhe liderëve evropianë.

Megjithatë, ai thekson se nuk pret që kryeministri Kurti të dërgojë draftin në Gjykatë Kushtetuese para zgjedhjeve të 9 shkurtit. Pas përfundimit zgjedhor, sipas tij, kushdo që do të jetë kryeministër “me një buzëqeshje të butë do të dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese”.

Arifi: Draft-statuti i Asociacionit është bërë obligim për Kosovën

“Nëse tash i shohim të gjitha komponentët, ato që po kërkon Bashkimi Evropian është zyrtare dhe tani ai është bërë dokument ndërkombëtarë dhe obligim i Kosovës. Për fat të keq aty Bashkimi Evropian ka të drejtë. Në një mënyrë edhe Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe të gjithë krerët e BE-së po e thonë se Kosova e ka obligim. Tash është vetëm çështje e kohës që pas zgjedhjeve me 10 shkurt kushdo që të jetë kryeministër me një buzëqeshje të butë të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese. Ky është rezultati më i mundshëm me u arrit në atë periudhë kohore. Bashkimi Evropian po kërkon diçka për momentin që të bëjë presion te palët, por nuk besoj se para zgjedhjeve do të ketë diçka serioze në këtë drejtim”, deklaron Arifi.

Ndërkaq, analistja politike, Magbule Shkodra, deklaron se kryeministri Albin Kurti po heziton të dërgojë draft-statutin e Asociacionit në kushtetuese për shkak të së kaluarës së tij dhe kundërshtimit të madh që i ka bërë kësaj teme.

Sipas saj, Kurti nuk do të dërgojë draftin në Kushtetuese edhe për shkak të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe rrezikut që kjo temë t’i humbë vota.

Shkodra: Kurti nuk do të dërgojë draft-statutin në Kushtetuese pa përfunduar zgjedhjet e 9 shkurtit

“Zotëri Kurti nuk do të dërgojë draft-statutin pa përfunduar zgjedhjet e 9 shkurtit. Porsa të përfundojnë zgjedhjet dhe të shohim rezultatin zgjedhor, qeveria e ardhshme kushdo që të jenë në krye të saj do të ketë obligim të dërgojë këtë draft-statut në Gjykatën Kushtetuese. Disa herë e kam cekur se është plotësisht e papranueshme që zotëri Kurti të mos ketë besim në Gjykatën Kushtetuese. Unë besoj në Gjykatën Kushtetuese dhe jam e bindur se nëse do të ketë diçka që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, gjykata sikurse ka bërë në të kaluarën do të bëjë përsëri”, thotë ajo.

Kryeministri Albin Kurti dje deklaroi se nuk mund të bëjë asociacione të komunave në cilësinë e shefit të qeverisë, pasi një gjë e tillë, siç tha ai, iu takon komunave ta bëjnë.

Kurti: Si kryeministër nuk mund të bëj asociacion të komunave

“Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës, dhe si kryetar i partisë politike më të madhe në vend e kuvend, i lëvizjes më të jashtëzakonshme që kanë shqiptarët në shekullin 21, mund të bëj asociacion të argumenteve në diskurs, ose asociacion të projekteve në program, por nuk mund të bëj asociacion të komunave në republikë, i takon komunave ta bëjnë asociacionin”, ka thënë Kurti.

Në vitin 2013, Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit, e cila u ratifikua edhe nga Kuvendi i Kosovës me shumicë prej dy të tretave. Mes tjerash, aty parashihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përkitazi me këtë temë, Kosova u dakordua edhe për marrëveshjen e parimeve për Asociacionin në vitin 2015, derisa në kuadër të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit të arritur në vitin 2023, parashihet zbatimi i marrëveshjeve të kaluara dhe krijimi i një vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë.

lajme

UBT shënon 25-vjetorin, Hajrizi: Kemi dhënë kontribut në transformimin e arsimit dhe inovacionit në Kosovë

Published

on

By

Në një intervistë në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka thënë se 25-vjetori i këtij institucioni përfaqëson jo vetëm një përvjetor jubilar, por edhe një moment reflektimi për të arriturat dhe synimet e ardhshme në arsim, shkencë, inovacion dhe teknologji.

Hajrizi ka deklaruar se gjatë këtij çerek shekulli, UBT-ja është angazhuar në ndërtimin e një sistemi arsimor me qasje inovative, duke synuar të ndikojë në zhvillimin e vendit në fusha të ndryshme.

“Është një vit që jo vetëm duhet të reflektojmë, por është një angazhim prej çerek shekulli, ku vitet më të mira të jetës kanë qenë angazhim për të ndërtuar një sistem të arsimit dhe një qasje inovative në arsim. Ka qenë një rezultat i mirë, por edhe një moment reflektimi se çfarë kemi arritur dhe çfarë duam të arrijmë”, është shprehur Hajrizi.

Ai ka theksuar se gjatë këtyre 25 vjetëve ka pasur zhvillim në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, shkencën, inovacionin, teknologjinë dhe zhvillimin e biznesit, duke vlerësuar se UBT-ja ka pasur ndikim në këtë proces transformues.

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit, UBT-ja ka planifikuar disa aktivitete që do të zhvillohen gjatë javës së ardhshme, me fokus të veçantë në fushën akademike dhe shkencore.

Sipas Hajrizit, gjatë kësaj jave në Kosovë do të organizohen tri ngjarje ndërkombëtare, njëra pas tjetrës, të cilat synojnë të sjellin në vend komunitetin akademik dhe profesionistë nga fusha të ndryshme.

Ngjarja e parë do të mbahet të mërkurën dhe do t’i kushtohet Konferencës Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive. Hajrizi ka bërë të ditur se kjo konferencë organizohet për herë të dytë dhe do të mbledhë përfaqësues të komunitetit vendor dhe ndërkombëtar në UBT.

“Kemi mbërritur në fund të vitit ku do të shënojmë edhe përmbylljen e 25-vjetori dhe mbi këtë kemi menduar t’i organizojmë disa evente të cilat ndërlidhen edhe në shenjë të 25-vjetorit. Këtë vit i kemi mbledh disa ngjarje, javen e ardhshme kemi disa aktivitete që lidhen me pjesën akademike shkencore dhe i kemi tri ngjarje të nivelit botëror që i organizmojnë në Kosovë në të njëjtën kohë njëra pas tjetrës që e plotësojnë gjithë javën. Konferenca e parë që e organizojmë të mërkurën ka të bëjë me Konferencën Ndërkombëtare Botërore për Mjekësinë Sportive, është hera e dytë që organizohet por është një konferencë që sjell gjithë komunitetin edhe ndërkombëtar edhe vendor në UBT në Kosovë”, u shpreh Hajrizi.

Përmes këtyre aktiviteteve, UBT-ja synon të shënojë përmbylljen e 25-vjetorit, duke vënë në pah të arriturat e deritanishme dhe duke hapur diskutime për zhvillimet e ardhshme në arsim, shkencë dhe inovacion.

Continue Reading

lajme

UBT hap AI Business Hub, duke kompletuar ekosistemin për zhvillimin e kompetencave dhe mbështetjen e bizneseve

Published

on

By

UBT ka hapur zyrtarisht AI Business Hub, një hapësirë të re që synon të forcojë kompetencat në fushën e inteligjencës artificiale dhe të ofrojë mbështetje për bizneset në Kosovë dhe më gjerë.

AI Business Hub është rezultat i projektit TBEAI (Transforming Business Education with AI in Western Balkans), një projekt i financuar nga Komisioni Evropian përmes programit Erasmus+, i cili synon transformimin e edukimit të biznesit përmes integrimit të inteligjencës artificiale në Ballkanin Perëndimor.

Me hapjen e këtij Hub-i, UBT plotëson edhe më tej ekosistemin e tij të inovacionit, duke krijuar mundësi konkrete për zhvillimin e kompetencave digjitale, avancimin e njohurive në inteligjencën artificiale dhe mbështetjen e sektorit të biznesit në përballjen me sfidat e transformimit digjital.

AI Business Hub synon të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet akademisë, teknologjisë dhe biznesit, duke krijuar hapësirë për bashkëpunim, zhvillim të aftësive profesionale dhe zbatimin e zgjidhjeve të inteligjencës artificiale në praktikat e përditshme të bizneseve. Përmes kësaj nisme, studentët, profesionistët dhe ndërmarrjet do të kenë mundësi të përfitojnë nga një qasje më e orientuar drejt nevojave të tregut, duke nxitur inovacionin, rritjen e produktivitetit dhe përgatitjen për ekonominë digjitale.

Hapja e AI Business Hub dëshmon përkushtimin e UBT-së për të ndërtuar një ekosistem që jo vetëm zhvillon kompetencat e së ardhmes, por edhe përkrah bizneset në Kosovë dhe më gjerë, duke i ndihmuar ato të shfrytëzojnë potencialin e inteligjencës artificiale për zhvillim dhe konkurrueshmëri.

UBT vazhdon të investojë në inovacion, dije dhe teknologji, duke e shndërruar inteligjencën artificiale në një mundësi konkrete për zhvillimin e arsimit, sipërmarrjes dhe ekonomisë.

Continue Reading

Lajmet

Rama fajëson “duart e huaja” për trazirat në Shqipëri

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri thirrje për qetësi të premten, dhe fajësoi “duart e huaja” për trazirat e dhunshme disaditore, ndërsa protestuesit u mblodhën sërish në kryeqytet dhe në qytete të tjera.

Që nga e marta, Tirana është përfshirë nga protesta të dhunshme, ku mijëra protestues kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës për shkak të kushteve të këqija në universitete dhe tarifave të larta të studimit.

Protestat janë përhapur edhe në disa qytete të tjera, ndërsa studentët iu bashkuan bojkotit të universiteteve, duke shënuar një përshkallëzim të ndjeshëm pas muajsh protestash kundër qeverisë në vend.

Përleshjet gjatë natës mes policisë dhe grupeve të protestuesve, shumica e të cilëve të maskuar, vazhduan deri në orët e para të së premtes.

Hyrja e Ministrisë së Financave u përfshi nga flakët, ndërsa xhamat e një kompleksi universitar u thyen.

Sipas një deklarate të Policisë, 160 protestues u ndaluan të enjten në mbrëmje për kryerjen e akteve të dhunshme.

Protestuesit grumbulluan dhe dogjën kontejnerë mbeturinash për të bllokuar rrugët, si dhe hodhën gurë drejt Policisë, e cila u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i shpërndarë.

Një gazetar i AFP-së pa, gjithashtu, grupe të maskuara duke thyer vitrina dhe duke plaçkitur dyqane. Të njëjtat incidente u raportuan edhe në pjesë të tjera të qytetit.

Të premten në mëngjes, qindra protestues marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, e cila mbetet një nga pikat kryesore të protestave.

Përleshjet kanë lënë pas ndërtesa qeveritare me dëme të mëdha, vitrina të thyera dyqanesh dhe dhjetëra persona të arrestuar.

Përshkallëzimi i protestave këtë javë vjen pas muajsh të tërë demonstratash kundër qeverisë, të cilat fillimisht u nxitën nga një projekt i diskutueshëm për zhvillimin e një resorti, i lidhur me familjen e presidentit amerikan, Donald Trump.

Në një deklaratë të premten, Rama këmbënguli se protestat nuk kanë të bëjnë “fare me hallet, me problemet, me aspiratat legjitime të gjithkujt që dëshiron një jetë më të mirë”.

“E gjithë kjo është po ajo dorë, po ajo dorë që e ka kapur për fyti opozitën shqiptare, dhe që e ka djegur dhe shkatërruar jo një herë Shqipërinë, dhe që është gati ta djegë e ta shkatërrojë përsëri, për të mos e lënë të bëjë përpara”, tha ai.

Ai akuzoi “duar të huaja”, pa i identifikuar ato, se po nxisin trazirat dhe synojnë të pengojnë përpjekjet e vendit të tij për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Këto janë duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë”, tha ai në një video të publikuar në faqen e tij në Facebook.

Që nga e marta, dhjetëra persona, kryesisht zyrtarë policorë, janë plagosur në përleshje, sipas autoriteteve.

Burimi: AFP / REL

Continue Reading

Rajoni

127 të arrestuar pas protestave në Shqipëri, hetohen thirrjet për akte terroriste

Published

on

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Shqipëri, Dhimitraq Ziu, ka njoftuar se 127 persona janë arrestuar dhe 244 të tjerë janë proceduar penalisht në Tiranë, në lidhje me protestat e dhunshme të ditëve të fundit.

Sipas tij, janë lënduar 120 punonjës policie në disa qytete të vendit.

Ziu bëri të ditur gjithashtu se strukturat e Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit po hetojnë kanale dhe grupe në rrjetet sociale, ku janë shpërndarë mesazhe me thirrje për akte ekstreme e terroriste dhe kërcënime ndaj punonjësve të Policisë.

“Deri në këto momente në Tiranë, janë arrestuar 127 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 244 shtetas, për ushtrim të dhunës ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim të institucioneve shtetërore, shkatërrim të pronës publike dhe private, si dhe të bankomateve, kamerave, automjeteve dhe rrethimeve metalike”, ka thënë ai.

Ziu ka treguar edhe për rastet në qytetet e tjera. Në Durrës, ka thënë se janë arrestuar 23 shtetas dhe janë proceduar penalisht 12 të tjerë, në Korçë janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 23 shtetas, në Vlorë janë proceduar në gjendje të lirë 20 shtetas, në Shkodër janë proceduar në gjendje të lirë 9 shtetas.

Gjatë protestës në Shkodër Ziu ka deklaruar se është plagosur rëndë një oficer i Policisë së Rendit, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore. Ai theksoi se autori i plagosjes është identifikuar, por për shkak të moshës nuk është arrestuar.

Kurse, në Elbasan janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas dhe në Kukës janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas, shtoi ai.

“Ndërkohë, nga dhuna e ushtruar mbi punonjësit e Policisë, në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës, janë dëmtuar deri tani 120 punonjës policie”.

Sa i përket rasteve të dyshuara për akte ekstreme, Ziu ka theksuar po bashkëpunojnë me agjencitë partnere ndërkombëtare për zbulimin e adresave IP, identifikimin e administratorëve të këtyre kanaleve dhe të çdo përdoruesi që bën thirrje për dhunë dhe akte terroriste.

“Përveç ngjarjeve në terren, strukturat e specializuara të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë marrë në shqyrtim të menjëhershëm hapësirën virtuale, ku gjatë monitorimeve intensive, janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi, nëpërmjet të cilave janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje të drejtpërdrejtë kriminale, ndër to, thirrje për kryerje të akteve ekstreme dhe terroriste, si dhe kërcënime direkte kundër jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit”, potencoi ai.

Ziu u ka bërë thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm.

“E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin”.

Ndërkohë Ziu ka theksuar se po udhëzojnë punonjësit e policisë që “pavarësisht situatave ku përballen me sulme të rrezikshme, apo gjatë ndërhyrjeve për të mbrojtur institucionet, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe propocionalitet”.

Gjatë katër ditëve është raportuar për ushtrim dhune nga policët drejt qytetarëve./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara