Lajmet

BE-ja i kërkon Serbisë ta sqarojë pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë

Published

on

Bashkimi Evropian ka thënë se është në dijeni për shqetësimet e shqiptarëve në jug të Serbisë në lidhje me pasivizimit të adresave të tyre, dhe i ka bërë thirrje përsëri Beogradit zyrtar ta sqarojë këtë çështje, tha të enjten zëdhënësja për zgjerim në Komisionin Evropian, Ana Pisonero.

Gjatë kësaj jave Gjykata Kushtetuese e Serbisë ia hodhi poshtë ankesën një banori shqiptar nga Medvegja për kthimin e adresës së tij, duke nxitur reagime.

Pisonero nuk deshi t’i komentojë vendimet e gjyqësorit serb për rastet e pasivizimit të adresave të shqiptarëve, por e përsëriti shqetësim që BE-ja e kishte shprehur edhe në Raportin e Progresit për Serbinë muajin e kaluar.

Ne kemi marrë në dijeni shqetësimet për pasivizimin e adresave të pjesëtarëve të komunitetit shqiptarë në Serbi. Jemi duke ndjekur këto zhvillime në frymën e obligimeve që ka marrë Serbia në kuadër të negociatave të anëtarësimit, sidomos ato që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave”, tha Pisonero.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë ngritur zërin kundër diskriminimit që ata thonë se e përjetojnë çdo ditë në Serbe, duke mbajtur disa protesta në muajt e fundit.

Pisonero tha se BE-ja e ka bërë të qartë se ka nevojë që autoritetet e Serbisë të sqarojnë për publikun se si janë kryer kontrollet e vendbanimeve që kanë rezultuar me pasivizimin e adresave dhe nëse jugu i Serbisë është vënë në shënjestër veçanërisht.

Në Raportin e Progresit për Serbinë, në pjesën ku flitet për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, është përmendur edhe çështja e pasivizimit të adresave të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Pjesëtarë të komunitetit pakicë shqiptar kanë ngritur shqetësime lidhur me mënyrën se si policia ka bërë kontrolle të statusit të banorëve në jug të Serbisë, që ka rezultuar me pasivizimin e disa adresave. Ekziston nevoja që autoritetet e Serbisë të sqarojnë më mirë publikut se si janë kryer këto kontrolle. Zbatimi i planit të veprimit për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione duhet të avancohet dhe të sjellë përmirësime të prekshme”, sipas raportit.

Në BE nuk janë përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse kjo çështjen mund të jetë pjesë e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por kanë thënë disa herë se ajo është pjesë e detyrimeve të Serbisë në procesin e integrimeve në BE, prandaj reflektohet edhe në raportet vjetore të progresit.

Kosova ka ngritur disa herë në procesin e dialogut si çështje edhe pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke kërkuar që edhe kjo të jetë pjesë në dialog.

Të mërkurën, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, akuzoi Serbinë se po legjitimon, siç tha ai, praktikat e diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë, pasi Gjykatës Kushtetuese serbe ia refuzoi ankesën qytetarit nga Medvegja, Safet Demiri, për kthimin e adresës së banimit.

Të enjten, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në jug të vendit.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar.

Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.

Pasivizimi i adresës përcaktohet me ligj në Serbi prej vitit 2011. Ligji parasheh që institucionet të bëjnë kontrolle për të kuptuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar.

Nëse vërtetohet që një banor nuk jeton në atë adresë, merret vendimi për pasivizimin e saj, dhe banori obligohet që të regjistrojë adresën e re brenda tetë ditëve, pas pranimit të vendimit.

Ndonëse ligji parasheh të drejtën për apel, qytetarët kanë thënë se, në disa raste, as nuk kanë mundur të ankohen ndaj vendimit, pasi nuk janë informuar me kohë për pasivizimin./REL/

Lajmet

Rutte nga Shkupi: KFOR-i mbetet garantues i fuqishëm i sigurisë në Kosovë

Published

on

By

Gjatë një vizite zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka rikonfirmuar se misioni i KFOR-it do të mbetet i fuqishëm dhe plotësisht i aftë për të përmbushur detyrat e tij në Kosovë.

Rutte vlerësoi lart partneritetin me Shkupin, duke theksuar se ky shtet ka qenë një mbështetës i kahershëm i forcave paqeruajtëse.

“Maqedonia e Veriut e ka mbështetur prej kohësh misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it dhe për këtë ju falënderoj. KFOR-i vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për qëllimin e tij”, deklaoroi Rutte.

Nga ana tjetër, vetë misioni i KFOR-it ka sqaruar se për momentin nuk ka ndryshime rrënjësore në strukturën apo numrin e forcave të saj, por aleanca rishikon dhe përshtat periodikisht praninë e saj në varësi të zhvillimeve në terren.

Për momentin, në Kosovë shërbejnë mbi 4,600 trupa të KFOR-it, ku Italia prin me mbi 900 ushtarë, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë një rol kyç me rreth 600 trupa të dislokuara.

Continue Reading

Lajmet

UBT sjell në Kaçanik një reflektim akademik mbi trashëgiminë moderne përmes ekspozitës ‘Modernizmi në Kaçanik 1945–1990’

Published

on

By

Në praninë e përfaqësuesve të institucioneve lokale nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Hanit të Elezit, stafit akademik dhe studentëve të interesuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, u bë hapja solemne e ekspozitës “Modernizmi në Kaçanik 1945–1990”, një projekt hulumtues dhe prezantues i kushtuar zhvillimit arkitektonik, urban dhe kulturor të periudhës së modernizmit në qytetin e Kaçanikut.

Ekspozita, e organizuar, punuar dhe kuruar nga profesori Kujtim Elezi në bashkëpunim me një grup studentësh të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, përfaqëson një angazhim të drejtpërdrejtë akademik dhe praktik të studentëve në dokumentimin, analizimin dhe interpretimin e trashëgimisë moderne arkitektonike.

Përmes hulumtimeve në terren, mbledhjes së materialeve arkivore, analizave grafike dhe prezantimeve vizuale, studentët kanë sjellë një pasqyrë të strukturuar të transformimeve urbane dhe arkitektonike që kanë shënuar Kaçanikun në periudhën 1945–1990.

Ky projekt dëshmon qasjen bashkëkohore të Departamentit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, i cili integron mësimdhënien teorike me punën kërkimore dhe angazhimin praktik në komunitet.

Përmes kësaj ekspozite, studentët jo vetëm që kanë zhvilluar aftësitë e tyre profesionale në analizë urbane dhe interpretim arkitektonik, por kanë kontribuar edhe në ngritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e ruajtjes dhe rivlerësimit të trashëgimisë moderne. Ekspozita synon të nxisë reflektim akademik dhe diskutim profesional mbi vlerat e modernizmit dhe ndikimin e tij në formësimin e identitetit arkitektonik bashkëkohor, duke e vendosur dialogun mbi trashëgiminë në një kontekst aktual të zhvillimit urban.

Continue Reading

Lajmet

REL: Kosova në valën e shtrenjtimit global të karburanteve

Published

on

By

Brenda vetëm 24 orësh, çmimi i derivateve në Kosovë u rrit për së paku 14 centë.

Më 3 mars, një litër naftë në disa pika karburanti arriti në 1.39 euro, ndërsa benzina në 1.38 euro.

Një ditë më parë, çmimet ishin deri në 1.25 euro për naftë dhe 1.24 euro për benzinë.

Lëvizja e shpejtë e tregut vendor nuk është rastësi – ajo pasqyron përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe tronditjen e zinxhirit global të furnizimit me energji.

Tensionet gjeopolitike dhe efekti domino

Rritja u nxit nga tensionet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, që shtynë çmimin e naftës Brent – standardi global i referencës – të rritet deri në 10 për qind më 1 mars.

Pasiguria për ndërprerje të furnizimeve u shtua veçanërisht pas pezullimit të një pjese të dërgesave përmes Ngushticës së Hormuzit.

Kjo ngushticë, përmes së cilës kalon mbi një e pesta e furnizimeve ditore globale me naftë, shërben si arterie eksporti për vende si Irani, Arabia Saudite, Kuvajti dhe Iraku.

Çdo rrezik për bllokim apo kufizim të qarkullimit përkthehet menjëherë në rritje të kostove të sigurimit dhe transportit dhe, për rrjedhojë, në çmime më të larta në tregjet botërore.

Kosova, plotësisht e varur nga importi

Kosova nuk ka rafineri të saj dhe furnizohet tërësisht nga importet.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, vendi importoi mbi 478 milionë euro naftë dhe më shumë se 51 milionë euro benzinë.

Furnizimet kryesore vijnë nga Gjermania, Hungaria, Greqia, Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa një pjesë e konsiderueshme hyn përmes terminalit të Porto Romanos në Durrës.

Kjo varësi strukturore e bën tregun vendor jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj lëkundjeve globale.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimet mund të vazhdojnë të lëvizin, pasi kompanitë furnizohen sipas çmimeve aktuale të bursës dhe nuk mbajnë rezerva të mëdha.

Ai shton se nuk ka vend për panik dhe se nuk priten mungesa në treg, por thekson se dinamika e çmimeve mbetet e varur nga zhvillimet ndërkombëtare.

Institucionet mes paralajmërimeve dhe masave të përkohshme

Përballë rritjes së shpejtë të çmimeve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e Kosovës njoftoi për një intensifikim të inspektimeve dhe përgatitje të raporteve ditore mbi çmimet.

Sipas ministrisë, në rast të rritjeve të pajustifikuara mund të aplikohen masa mbrojtëse dhe rregullim i përkohshëm i çmimeve, me mbikëqyrje nga Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore.

Një vendim i ngjashëm u mor më 16 dhjetor 2025 nga ministrja e atëhershme Rozeta Hajdari, duke përcaktuar marzhë maksimale tregtare prej 2 centësh për litër në shitje me shumicë dhe prej 12 centësh për litër në shitje me pakicë. Ky vendim qëndroi në fuqi vetëm 30 ditë. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Mbishkrime nacionaliste serbe në Ambasadën e Kosovës në Berlin

Published

on

By

Mbishkrime me përmbajtje fyese dhe shoviniste në gjuhën serbe janë vendosur në objektin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin.

Për këto veprime ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës.

“Mbishkrimet e vendosura përmbajnë slogane nacionaliste dhe nxitëse, përfshirë mesazhe si ‘Nuk ka dorëzim’, ‘Kosova është Serbi’ dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

MPJD njofton se, pas identifikimit të këtij akti, janë informuar autoritetet gjermane.

“Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në vendngjarje, përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve”, bën të ditur Ministria.

Gjithashtu, MPJD ka dënuar këtë akt vandalizmi dhe çdo përpjekje tjetër për të cenuar përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.

“Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike, si dhe dëmtojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet shteteve”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Të kërkuara