Sport

Bayern Munich synon titullin e gjashtë të sezonit 2019/20

Published

on

Një përshkrim i thjeshtë i sezonit 2019/20 të Bayern Munichut, mund të kufizohet me fjalët: rekorde, rekorde dhe më shumë rekorde. Bavarezët vendosën një pikë referimi përgjatë edicionit të 56-të të Bundesligës dhe e kurorëzuan sezonin me një arritje historike, duke fituar “tripletën” e përbërë nga trofetë e Bundesligës, Kupës së Gjermanisë dhe Ligës së Kampionëve.

Kjo ishte vetëm hera e dytë në histori të Bayernit pasi bavarezët një arritje të tillë e bën në vitin 2013. Mirëpo, Bayerni nuk u ndal me kaq në edicionin e fundit pasi ia shtoi koleksionit të trofeve edhe dy të tjerë. Arriti të triumfojë në Superkupën e Gjermanisë dhe atë të Evropës.

Këtë sukses të pesëfishtë Bayerni po synon ta shndërrojë në sukses të gjashtëfishtë. Në fillim të shkurtit, Bayerni do të udhëtojë në Katar për të marrë pjesë në Botërorin e klubeve dhe me sukses në këtë garë të FIFA-s, Bayerni do të përmbyllte një edicion të pabesueshëm.

“Ne kemi punuar shumë dhe të gjitha këto suksese janë fryt i punës sonë që e kemi bërë. Kështu që do të ishte fantastike të dalim të parët edhe muajin tjetër në Katar”, është shprehur trajneri i Bayernit, Hansi Flick.

Rrugëtimi i Bayernit mori kthesë në mënyrë dramatike kur drejtuesit e klubit e emëruan Hansi Flickun si trajner të ekipit. Para kësaj, Flick 55-vjeçar ka qenë ndihmës i Niko Kovaqit, i cili u shkarkua pas humbjes së thellë të Bayernit (5:1) nga Eintracht Frankfurti në fillim të muajit nëntor të vitit 2019. Shtatë muaj pasi Flick mori frenat, Bayerni fitoi titullin e kampionit për herën e tetë rresht, të cilin e siguroi dy xhiro para fundit. Flicku e ka udhëhequr skuadrën e tij drejt fitores në 88 për qind të ndeshjeve të Bundesligës që nga emërimi i tij (21 nga 24), duke i dhënë atij bilancin më të mirë fitues të çdo trajneri në historinë e ligës. Robert Lewandowski shënoi 34 gola për të përfunduar si golashënuesi më i mirë i Bundesligës për të pestën herë në shtatë sezonet e fundit. Gerd Muelleri është i vetmi lojtar tjetër që ka fituar çmimin e golashënuesit më të mirë në të paktën pesë raste, duke e arritur shtatë herë.

Pas titullit, erdhi triumfi në Kupën e Gjermanisë. Në finale, Bayerni e mposhti Bayer Leverkusenin (4:2) në fillim të korrikut të vitit të shkuar për ta ngritur trofeun për herën e 20-të. Pasoi suksesi në Evropë, saktësisht Ligën e Kampionëve. Skuadra e trajnerit Flick kishte një bilanc të përsosur në Evropë në sezonin 2019/20, duke fituar të gjitha 11 ndeshjet dhe duke shënuar 43 gola karshi tetë të pësuarve – një arritje e paparë në historinë e Ligës së Kampionëve. Turneu final në Lisbonë ishte në të vërtetë një paradë triumfi për Bayernin, i cili poshtëroi Barcelonën (8:2) në çerekfinale përpara se të triumfonte në finale ndaj Paris Saint-Germainit me rezultatin minimal, 1:0. Kingsley Coman u bë i njohur te Bayerni me nofkën “Mr. Lisbon” pasi francezi shënoi golin e fitores në finale, me kokë, pas harkimit të Joshua Kimmichut, më 23 gusht të vitit të shkuar.

“Sukseset e fundit janë një arritje e jashtëzakonshme dhe do të ishte fantastike nëse pesë trofeve të fituar ia shtojmë edhe atë të botërorit të klubeve”, shtoi Coman.

Me suksesin në Champions, u mbyll edhe sezoni 2019/20. Pas një pushimi të shkurtër veror, Bayerni u kthye me stil dhe sezonin e ri e nisi me fitore në ndeshjen e parë zyrtare. Mposhti nënkampionin në fuqi të Bundesligës, Borussia Dortmundin (3:2) për ta fituar për herën e tetë Superkupën e Gjermanisë. Nuk shkoi shumë kohë dhe bavarezët e rrëmbyen edhe trofeun e dytë, atë të Superkupës së Evropës pas fitores 2:1 ndaj Sevillas, ekip që kishte triumfuar në Ligën e Evropës.

“Dëshira ime ishte të shpallem trajneri më i mirë i vitit, por më gëzon fakti që lojtarët e ekipit tim dolën më të mirët në kategoritë e tyre”, shtoi Flicku.

Në të vërtetë, Bayerni dominoi edhe në çmimet e ndara nga FIFA për më të mirët e vitit 2020. Sulmuesi Lewandowski u shpall lojtari më i mirë derisa epiteti i portierit më të mirë të vitit i takoi Manuel Neuerit. Trajneri Flick ishte në mesin e tre më të mirëve, por në fund çmimin e fitoi Juergen Kloppi. Katër lojtarë të Bayernit u përfshinë në 11-shen më të mirë të vitit.

Tani, fokusi i Bayernit do të jetë në Doha, ku prej datës 1 deri më 11 shkurt do të mbahet Botërori i klubeve. Te Bayerni po synojnë ta fitojnë këtë trofe, të cilin e fituan në vitin 2013 për herën e fundit. Që nga viti 2000, kur nisi të mbahet ky turne, skuadrat nga Evropa kanë triumfuar 12 herë, kurse katër herë suksesin e kanë shijuar ekipet nga Amerika e Jugut. Finalja e këtij edicioni të botërorit të klubeve do të mbahet në “Education City Stadium” të Dohas. Çiftet do të përcaktohen më 19 janar, kur do të tërhiqet shorti në Zuerich, në selinë e FIFA-s. Krahas Bayernit, në këtë turne do të paraqiten edhe skuadrat si Ulsan Hyundai FC (Koreja e Jugut), Al Ahly SC (Egjipt), Tigres UANL (Meksikë), Auckland City FC (Zelandë e Re) e Al Duhail SC (Katar). Ndërkohë, përfaqësuesi nga Amerika e Jugut do të përcaktohet më 31 janar.

Lajmet

Tri përballje interesante sonte në Kupën e Botës, vëmendja te Franca – Suedia

Published

on

Sonte zhvillohen edhe tri ndeshje të fazës së 1/16 së finales në Kupën e Botës, ku priten përballje të forta dhe rivalitet i madh për një vend në çerekfinale.

Në orën 19:00, Bregu i Fildishtë përballet me Norvegjinë, në një duel ku të dyja kombëtaret synojnë të vazhdojnë rrugëtimin në turne.

Më pas, në orën 23:00, vëmendja do të jetë te supersfida mes Francës dhe Suedisë. Dy kombëtare me traditë pritet të dhurojnë një ndeshje spektakolare në luftën për kualifikim.

Programi i ditës mbyllet në orën 03:00 (pas mesnate), me sfidën mes Meksikës dhe Ekuadorit, ku fituesi do të sigurojë biletën për në fazën çerekfinale.

Këto tri takime vijnë pasi Maroku eliminoi Holandën pas penalltive, duke u bërë kombëtarja e parë që siguroi kualifikimin nga ndeshjet e sotme./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tragjedi në Venezuelë: Futbollisti Lucas Trejo humb bashkëshorten dhe dy fëmijët nga tërmetet shkatërruese

Published

on

Futbollisti Lucas Trejo po përballet me një humbje të madhe familjare, pasi bashkëshortja e tij, Yanina Maranella, së bashku me dy fëmijët e tyre Aarón Trejo dhe Ainhoa Trejo, janë konfirmuar ndër viktimat e tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën javën e kaluar.

Sipas klubit të tij C.S. Marítimo de La Guaira, i cili e kishte afruar Trejon në muajin shkurt, familja e tij është në mesin e mbi 1,400 viktimave të regjistruara nga fatkeqësia natyrore. Klubi ka shprehur ngushëllimet përmes një deklarate publike në rrjetet sociale, duke theksuar dhimbjen e madhe që ka goditur lojtarin dhe komunitetin sportiv.

“Në këtë moment dhimbjeje të madhe, lutemi për prehjen e shpirtrave të tyre dhe për forcën e Lucas-it dhe familjes së tij për ta përballuar këtë tragjedi”, thuhet në reagimin e klubit, i cili i ka ofruar mbështetje të plotë futbollistit 38-vjeçar.

Trejo ndodhej në Karakas në një kamp stërvitor me ekipin e tij në momentin kur ndodhën tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë. Ai është kthyer menjëherë në shtëpinë e tij në La Guaira, zonën më të goditur nga fatkeqësia.

Sipas dëshmive të familjarëve, situata në vendngjarje ka qenë e rëndë dhe ndërtesa ku jetonte familja është shkatërruar pothuajse plotësisht. Ende nuk është konfirmuar nëse familja ndodhej brenda banesës në momentin e tërmeteve.

Në operacionet e kërkimit është përfshirë edhe ish-futbollisti Edson Tortolero, i cili ka ndihmuar në gërmimet e mbetura dhe ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimave. Ai e ka cilësuar ngjarjen si një nga tragjeditë më të rënda që ka përjetuar komuniteti sportiv në vend.

Ndërkohë, një tjetër futbollist, Héctor Bello, ka humbur bashkëshorten e tij Andrea Bello, e cila sipas raportimeve ka vdekur duke mbrojtur vajzën e tyre 20-muajshe gjatë tërmeteve. Bello e ka përshkruar atë si “heroinën e tij”, duke premtuar se do t’ia tregojë vajzës historinë e saj kur të rritet.

Autoritetet venezueliane vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa bilanci i viktimave dhe i dëmeve materiale mbetet shumë i rëndë./A.K/

Continue Reading

Sport

Brazili mposht Japoninë në minutën e fundit dhe kalon tutje

Published

on

By

Brazili ka shënuar një fitore dramatike 2:1 ndaj Japonisë, falë një goli në sekondat e fundit të ndeshjes.

Sfida po shkonte drejt vazhdimeve, kur në minutën e 95-të, zëvendësuesi Gabriel Martinelli pranoi një asistim nga Bruno Guimaraes dhe mposhti portierin Zion Suzuki, duke ndezur festën e madhe te brazilianët në fushë dhe tribuna.

Më herët, Japonia kishte kaluar e para në epërsi në minutën e 29-të me anë të Kaishu Sano.

Brazili barazoi shifrat në pjesën e dytë, konkretisht në minutën e 56-të përmes Casemiros, përpara se Martinelli të vuloste kualifikimin në çastet e fundit. /E.A/

Continue Reading

Sport

Maroku eliminon Holandën dhe kalon në 1/8 e finales

Published

on

By

Maroku ka siguruar kualifikimin në 1/8 e finales së Kupës së Botës, pasi eliminoi Holandën pas ekzekutimit të penalltive.

Koha e rregullt dhe vazhdimet e ndeshjes përfunduan me rezultatin baras 1:1, ku për holandezët shënoi Cody Gakpo, ndërsa për marokenët barazoi Issa Diop.

Fituesi u përcaktua në serinë e penalltive, ku Holanda dështoi në tri gjuajtje, ndërsa Maroku humbi dy.

Në fund, përfaqësuesja afrikane triumfoi me rezultat 3:2, duke siguruar biletën për në fazën tjetër, ku në 1/8 e finales do të përballet me Kanadanë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara