Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi ka pasur startin e tij më të mirë me klubin e Mallorcas që nga ardhja në vitin 2022.
Sulmuesi i Mallorcas po kalon sezonin e tij të pestë në klub dhe me një total prej pesë golash, “Pirati” ka vendosur rekord për shënimin e golave në tetë ndeshjet e para të këtij edicioni në ishull që nga transferimi i tij zyrtar në sezonin 2022/2023.
Muriqi, kujtojmë se nuk ka shënuar më herët pesë gola në tetë ndeshjet e tij të para për Mallorcan.
Sezoni i tij më i mirë në Mallorca
Në sezonin 2022/2023, Vedat Muriqi luajti sezonin e tij të parë të plotë me fanellën e Mallorcas. Atë kohë, me të madhin Lee Kang-in në sulm, kosovari regjistroi rekordin e tij më të mirë personal që nga koha e tij te Fenerbahçe, me 15 gola dhe tre asistime në kampionat.
Nga këto 15 golat, Muriqi ndihmoi Mallorcan të fitonte nga tre pikë në shtatë raste në një sezon në të cilin skuadra përfundoi në vendin e nëntë me 50 pikë. Deri më tani dhe padyshim ky është sezoni i tij më i mirë me fanellën e kuqe.
Por edhe atëherë, ai nuk arriti të shënonte pesë gola në tetë ndeshjet e para.
Në fakt, goli i tij i katërt i sezonit u realizua në javën e tetë, dhe vetëm në javën e 11-të ai shënoi golin e tij të pestë, pasi kishte humbur dy ndeshjet e mëparshme për shkak të pezullimit. Pra, nëse vazhdon në trajektoren e tij aktuale, Muriqi mund të tejkalojë edhe rekordin e tij personal- 17 gola, një shifër që e ka arritur në tre raste të ndryshme.
Muriqi mund të bëhet golashënuesi më i mirë në histori të Mallorcas.
Nëse shkojmë edhe më tej për atë që Vedat Muriqi mund të arrijë këtë sezon, shohim se kalimi në vendin e dytë për golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave të Mallorcas është i arritshëm, dhe në fakt, thjesht çështje kohe.
Me 38 gola në 117 ndeshje në La Liga, Muriqi është gjashtë gola prapa Juan Arangos, i cili shënoi 45 gola në 183 ndeshje në La Liga. Një shifër krejtësisht e arritshme në muajt në vijim që mund ta kalojë legjendën e klubit.
Rekordin për gola të shënuar e mban Samuel Eto’o i cili ka shënuar 53 gola në 133 ndeshje.
Megjithatë, me një kontratë deri në vitin 2029, duket gjithashtu se është çështje kohe para se “Pirati kosovar” të bëhet sulmuesi me më së shumti gola në historinë e ekipit elitar të Spanjës./S.K/EO