Sport

Bar i ri, stadium i ri: FC Prishtina pa shtëpi deri në mes të tetorit!

Published

on

FC Prishtina, një nga klubet më të njohura të futbollit në Kosovë, është detyruar të përballet me një tjetër periudhë “shtegtimi” pasi stadiumi i tyre, “Fadil Vokrri”, do të mbyllet për çdo aktivitet sportiv për më shumë se një muaj. Ky informacion u bë i ditur sot nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).

Për më shumë se një muaj, ky stadium, ku FC Prishtina kishte rikthyer entuziazmin e tifozëve dhe kishte organizuar ndeshje nën dritat e reflektorëve, do të jetë i papërdorshëm. Ky vendim është marrë për të lejuar rritjen e barit natyral në fushë, një proces që është bërë i domosdoshëm pas kritika të shumta për cilësinë e tij gjatë ndeshjeve të fundit.

Kjo përfshin ndeshjet ndërkombëtare të ekipeve kosovare si dhe përballjen e Kombëtares së Kosovës ndaj Rumanisë, të cilat u zhvilluan në këtë stadium. Kritikat e ashpra nga mysafirët për gjendjen e fushës kanë nxitur FFK-në të marrë këtë masë.

Sipas njoftimit të FFK-së, stadiumi do të jetë i mbyllur deri më 15 tetor, kur do të rinisin aktivitetet sportive për ndeshjen e radhës të Kombëtares së Kosovës. Kjo do të thotë se FC Prishtina nuk do të mund të luajë në shtëpinë e tyre deri në pjesën e dytë të tetorit.

Në këtë periudhë, FC Prishtina do të duhet të “shtegtojë” sërish dhe të luajë në stadiume të tjera në Kosovë, një situatë që mund të ndikojë në rezultatet e tyre dhe të rrisë shpenzimet e klubit. FC Prishtina ka përjetuar tashmë disa periudha të ngjashme, për shkak të renovimeve të vazhdueshme në stadiumin “Fadil Vokrri”, dhe ky është një tjetër kapitull në historinë e tyre të vazhdueshme të ndryshimeve të vendndodhjes për ndeshje./UBTNews/

Sport

Bayern Munich dhe Arsenal ndajnë pikët në Ligën e Kampionëve

Published

on

By

Bayern Munich dhe Arsenal kanë barazuar me rezultat 2:2 në përballjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Mynih, në kuadër të xhiros së tretë të Ligës së Kampionëve.

Skuadra angleze kaloi e para në epërsi në minutën e 25-të, kur Eberechi Eze realizoi për 0:1. Megjithatë, vendasit reaguan shpejt dhe në minutën e 35-të Alphonso Davies barazoi rezultatin, pas asistimit të Harry Kane.

Në pjesën e dytë, Bayerni përmbysi rezultatin përmes Kane, i cili shënoi nga penalltia në minutën e 61-të, duke kaluar skuadrën gjermane në epërsi 2:1.

Arsenali nuk u dorëzua dhe arriti të shmangte humbjen në minutën e 82-të, kur Declan Rice realizoi golin e barazimit pas asistimit të Viktor Gyokeres.

Me këtë rezultat, Bayerni regjistron barazimin e dytë në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, krahas një fitoreje, ndërsa Arsenali merr pikën e parë nga një barazim, pas dy fitoreve në ndeshjet e mëparshme.

Foto: Associated Press
D.L

Continue Reading

Sport

Mourinho: Askush nuk e ka të garantuar vendin në formacionin e Real Madridit

Published

on

By

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka bërë të qartë se asnjë futbollist nuk e ka të garantuar vendin në formacionin titullar, duke theksuar se paraqitjet në fushë janë vendimtare për secilin lojtar.

“Askush nuk është i paprekshëm”, deklaroi trajneri portugez, raportoi të martën mediumi “Goal”.

Mourinho ka konfirmuar se Vinicius Junior do të luajë në krahun e majtë në përballjen e së mërkurës ndaj RB Leipzigut, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë që Yan Diomande të përfshihet në formacionin titullar.

“Championsi” sjell përballjen mes Real Madridit dhe Leipzigut, e cila nis në orën 21:00 dhe i takon xhiros së tretë të fazës së ligës.

Trajneri i madrilenëve ka nënvizuar se statusi i një lojtari përcaktohet nga ajo që tregon në fushë, e jo nga emri apo reputacioni i tij.

Reali ka fituar dy ndeshjet e para në Ligën e Kampionëve, duke mposhtur Interin dhe Romën, dhe synon të vazhdojë me rezultate pozitive edhe ndaj skuadrës gjermane.

D.L

Continue Reading

Sport

Barcelona dhe Bayerni në garë për talentin zviceran Johan Manzambi

Published

on

By

Barcelona dhe Bayern Munichu kanë shprehur interesim për mesfushorin e ri zviceran, Johan Manzambi, i cili po tërheq vëmendjen me paraqitjet e tij te Aston Villa, raporton gazeta spanjolle Marca.

Futbollisti 21-vjeçar është vënë në radarët e disa prej klubeve më të mëdha evropiane, ndërsa skautët po e përcjellin nga afër zhvillimin dhe potencialin e tij.

“E dimë se skautët e disa prej klubeve më të mëdha evropiane janë impresionuar nga paraqitjet e Manzambit, me disa prej tyre që e konsiderojnë një superyll të së ardhmes”, ka deklaruar gazetari Graeme Bailey për TEAMtalk.

I lindur në Gjenevë në vitin 2005, Manzambi përfaqëson Zvicrën në arenën ndërkombëtare dhe dallohet për aftësitë teknike, depërtimet me top dhe krijimin e rasteve për shënim.

Bayern Munichu kishte nisur ta përcillte mesfushorin që gjatë periudhës së tij te Freiburgu, ku regjistroi shtatë gola dhe nëntë asistime në 47 paraqitje.

Sipas raportimeve, pas transferimit te Aston Villa për 60 milionë euro, Manzambi ka vazhduar me paraqitje të mira nën drejtimin e trajnerit Unai Emery, duke kontribuar me gola ose asistime në ndeshjet e zhvilluara.

Mesfushori zviceran është dalluar edhe në arenën ndërkombëtare, ku, sipas raportimit, realizoi tre gola dhe dy asistime në katër ndeshje të Kupës së Botës, përpara se një lëndim ta pengonte të vazhdonte garën.

Interesimi i Barcelonës dhe Bayern Munichut pritet ta vendosë Manzambin në qendër të vëmendjes gjatë afatit të ardhshëm kalimtar, ndërsa mbetet të shihet nëse ndonjëri prej klubeve do të ndërmarrë hapa konkretë për transferimin e tij.

Continue Reading

Sport

Laporta para përballjes me PSG-në: Do të shohim ndeshjen më të mirë në botë

Published

on

By

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka vlerësuar përballjen mes Paris Saint-Germainit dhe Barcelonës si një nga ndeshjet më të rëndësishme të futbollit evropian, duke theksuar se vëmendja e skuadrës duhet të jetë plotësisht te kjo sfidë.

Pavarësisht afrimit të përballjes me Real Madridin në kampionatin spanjoll, Laporta ka bërë të qartë se prioritet mbetet ndeshja ndaj kampionit francez.

“Gjëja më e rëndësishme është ndeshja e radhës. Për momentin, mendoj se kjo është ndeshja më e mirë që mund të luhet në Evropë”, deklaroi Laporta.

I pyetur nëse këtë përballje e konsideron edhe më të mirën në botë, presidenti i katalanasve u përgjigj pozitivisht, duke vlerësuar cilësinë e të dy skuadrave.

Sipas tij, talenti i futbollistëve, cilësitë individuale dhe prania e dy trajnerëve të nivelit të lartë e bëjnë këtë takim një spektakël të veçantë futbollistik.

Laporta foli gjithashtu për mungesat në repartin mbrojtës të Barcelonës, duke shprehur besim te trajneri Hansi Flick dhe mundësitë e skuadrës për t’i përballuar ato.

“Kjo ndodh gjithmonë dhe nuk ka justifikime. Të dyja ekipet kanë skuadra mjaftueshëm të forta për të kompensuar këto pengesa”, theksoi ai.

Presidenti i Barcelonës nënvizoi se mungesat e lojtarëve të rëndësishëm nuk duhet të shërbejnë si arsyetim për rezultatin, pasi beson në aftësinë e trajnerit për ta përshtatur skuadrën.

“Sot do të shohim ndeshjen më të mirë në botë. Është një ditë për të shijuar futbollin”, përfundoi Laporta.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara