Lajmet

​Banka e Shqipërisë mban normën bazë të interesit në 2.5%, Guvernatori Sejko flet për rritjen ekonomike

Published

on

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë (BSh), pas shqyrtimit të Raportit të Politikës Monetare për tremujorin e katërt, vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, duke e lënë atë në nivelin 2.5%.

Në konferencën për shtyp, Guvernatori Gent Sejko theksoi se vendimi pasqyron bindjen se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe nxitjen e rritjes ekonomike.

Konsolidimi i stabilitetit dhe rritja ekonomike

Sipas analizës së BSh, ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet, duke mbajtur të konsoliduar stabilitetin monetar dhe financiar të vendit.

Guvernatori Sejko evidentoi se: Vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3.6% gjatë gjashtëmujorit të parë. Kjo rritje u mbështet kryesisht nga konsumi familjar, investimet e sektorit privat dhe eksporti i shërbimeve (turizmi).

Inflacioni mesatar shënoi 2.4% në tremujorin e tretë, duke mbetur nën objektivin 3%.

Sejko theksoi se rritja e inflacionit u diktua nga çmimi i qirave (duke rritur inflacionin bazë në 2.9%), ndërsa forcimi i kursit të këmbimit ka amortizuar ndikimin e inflacionit të importuar.

Roli i BSH, mbështetje për tregun

Guvernatori vuri në dukje se reagimi në kohë i politikës monetare ka mundësuar kontrollin e pritjeve inflacioniste dhe ka krijuar një ambient akomodues.

“Fleksibiliteti që kemi shfaqur nëpërmjet koordinimit të vazhdueshëm me politikën fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit, ka mundësuar një ambient monetar akomodues për rritjen e kreditimit, të konsumit dhe të investimeve,” theksoi Sejko.

Tregjet financiare, sipas raportit, karakterizohen nga likuiditet i bollshëm dhe norma të ulëta interesi. Kredia për sektorin privat vijoi të rritet me 14% gjatë tremujorit të tretë, e fokusuar kryesisht në Lek dhe në kredinë për investime të bizneseve.

Tregu i punës dhe presioni nga pagat

Megjithëse punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 3.4% dhe norma e papunësisë qëndron në nivelin historik të ulët prej 8.5%, tregu i punës mbetet nën tension. Paga mesatare shënoi një rritje të shpejtë prej 9.5%.

Sejko paralajmëroi se kërkesa e lartë për punë dhe rritja e shpejtë e pagave përbëjnë një rrezik material, pasi mund të pasqyrohen në një nivel më të lartë inflacioni sesa parashikimet aktuale.

Banka e Shqipërisë pret që rritja ekonomike të vazhdojë me ritme solide, e nxitur nga turizmi dhe investimet. Parashikimi kryesor mbetet kthimi i inflacionit në objektivin 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.

Për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuara të gjitha normat kryesore të interesit: Norma Bazë e Interesit: 2.5%, Norma e depozitës njëditore: 1.5% dhe Norma e kredisë njëditore: 3.5%/S.K/KP/

Continue Reading

Rajoni

Gazetarja Vjosa Çerkini ligjëron në UBT për propagandën dhe rreziqet ndaj sigurisë kombëtare

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe profesionale të Fakultetit të Shkencave Politike dhe të Studimeve të Sigurisë, gazetarja investigative me renome ndërkombëtare dhe fituese e disa çmimeve prestigjioze të gazetarisë, Vjosa Çerkini, mbajti një ligjëratë tematike para studentëve të programit Siguri dhe Mbrojtje, me temën: “Propaganda dhe rreziqet që paraqet për sigurinë kombëtare”.

E ftuar nga Prodekani i Fakultetit, Dr. Arian Kadriu, gazetarja Çerkini ndau përvojën e saj shumëvjeçare në terren, duke analizuar mënyrat se si propaganda, dezinformimi dhe lufta mediatike mund të ndikojnë në stabilitetin politik, sigurinë publike dhe perceptimin e qytetarëve.

Gjatë ligjëratës, ajo solli shembuj konkretë nga rajoni dhe skena ndërkombëtare, duke shpjeguar se si aktorë të ndryshëm përdorin propagandën si mjet për të ndikuar në opinionin publik, për të manipuluar narrativat dhe për të cenuar sigurinë kombëtare.

Në diskutim u theksua rëndësia e gazetarisë së përgjegjshme dhe të bazuar në fakte, si një nga mburojat kryesore kundër manipulimeve mediatike dhe ndikimeve të jashtme.

Prodekani Dr. Arian Kadriu vlerësoi pjesëmarrjen e gazetares Çerkini, duke theksuar se takime të tilla u japin studentëve perspektiva reale mbi lidhjen midis komunikimit, medias dhe sigurisë kombëtare, si dhe i ndihmojnë ata të zhvillojnë mendim kritik dhe profesionalizëm në fushën e sigurisë.

Ky aktivitet përbën një shembull të përkushtimit të UBT-së për të afruar ekspertë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, duke pasuruar përvojën akademike të studentëve përmes praktikës, debatit dhe dijes bashkëkohore.

Continue Reading

Kronikë e zezë

Ngjarje e rëndë në Malishevë: Vriten dy vëllezër

Published

on

By

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Glluboc të Malishevës ku për pasojë kanë mbetur të vrarë dy vëllezër.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30, teksa pas plagëve të marra viktimat janë dërguar në QMF-në e Kijevës ku është konstatuar vdekja e tyre.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Sheremet Elezaj i cili tha se është identifikuar edhe personi i dyshuar për veprën.

Rreth orës 11:30, jemi njoftuar se dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore (vllezër), janë dërguar në QMF-në e Kijevës si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Golluboc të Malishevës. Personeli mjekësor në QMF ka konstatuar vdekjen e viktimave. Njësitë e nevojshme policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin, deri më tani është identifikuar një person i dyshuar, gjithashtu mashkull i moshës madhore. Në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin dhe arrestimin e të dyshuarit”, thuhet në përgjigjjen e Elezajt./KP

Continue Reading

Lajmet

​Drita kërkon fitore historike në garat evropiane

Published

on

Kampioni i Kosovës, Drita, do të përballet me Shelbourne në javën e tretë të fazës së grupeve të Ligës së Konferencës UEFA, me të dyja skuadrat që kërkojnë fitoren e parë në këtë edicion.

Skuadra irlandeze, që së fundmi siguroi pjesëmarrjen në Evropë edhe për sezonin e ardhshëm falë vendit të tretë në kampionat, synon ta shfrytëzojë ndeshjen në Dublin për të marrë rezultat pozitiv.

Shelbourne nuk ka shënuar ende në këtë garë, por është e pamposhtur në gjashtë ndeshjet e fundit si vendase.

Në anën tjetër, Drita vjen pas një forme të mirë në Superligën e Kosovës, me katër fitore në pesë ndeshjet e fundit.

Ekipi gjilanas ka marrë dy barazime në Evropë, por kërkon fitoren e parë historike në fazën e grupeve. Megjithatë, sfida jashtë fushe pritet të jetë e vështirë, pasi Drita ka vetëm dy fitore në dhjetë ndeshjet e fundit si mysafire.

Kjo është hera e parë që dy skuadrat përballen me njëra-tjetrën në Evropë./S.K/KP/

Continue Reading

Rajoni

Një kontribut shkencor për ruajtjen e trashëgimisë inxhinierike në Kosovë – Publikohet artikulli i profesorëve të UBT-së, Hazir Çadraku dhe Naser Morina

Published

on

Një studim i ri i realizuar nga Prof. Dr. Hazir Çadraku dhe Naser Morina, nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, është publikuar në revistën ndërkombëtare SSRG International Journal of Civil Engineering (Volume 12, Issue 10, October 2025), duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin profesional dhe kërkimin shkencor të këtij institucioni.

Punimi me titull: “Structural Condition Assessment and Strengthening of the Reinforced Concrete Arch Bridge”, trajton një temë të rëndësishme për sigurinë infrastrukturore – analizën strukturore, vlerësimin e gjendjes aktuale dhe metodat bashkëkohore të përforcimit të urave me hark prej betoni të armuar.

Ky studim bazohet në analiza të avancuara numerike, inspektime vizuale dhe testime joshkatërruese të një ure të rëndësishme në rrugën kombëtare N2, Prishtinë–Blacë, duke theksuar rëndësinë e mirëmbajtjes dhe rehabilitimit të urave ekzistuese për të siguruar jetëgjatësi dhe qëndrueshmëri strukturore.

Sipas rezultateve, ura e ndërtuar në vitin 1967 paraqet dëmtime të konsiderueshme në mbistrukturë dhe nënstrukturë, për shkak të faktorëve si:

  • degradimi i betonit dhe korrozioni i armaturës,
  • mbingarkesat nga trafiku,
  • mungesa e mirëmbajtjes dhe drenazhimit adekuat,
  • lëvizjet e terrenit përreth themeleve.

Autorët kanë zhvilluar strategji të detajuara për rikthimin e kapacitetit mbajtës dhe përforcimin e elementeve konstruktive, në përputhje me standardet bashkëkohore evropiane (Eurocodes), duke kontribuar në ruajtjen e trashëgimisë inxhinierike dhe përmirësimin e sigurisë publike.

Ky botim përbën një kontribut të vlefshëm shkencor e praktik, që ndihmon profesionistët e fushës në planifikimin e ndërhyrjeve në strukturat ekzistuese dhe promovon qasjen moderne të inxhinierisë rehabilituese.

Publikuar në: SSRG International Journal of Civil Engineering, Volume 12 Issue 10, 230-236, October 2025

Continue Reading

Të kërkuara