Botë

Banka Botërore publikon shifrat: Sa para i duhen Ukrainës për t’u rimëkëmbur

Published

on

Kostoja e përllogaritur e rimëkëmbjes së ekonomisë së Ukrainës pas pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia ka arritur në 524 miliardë dollarë, gati trefishi i prodhimit të saj të pritshëm të 2024-tës, kanë ardhur në përfundim Banka Botërore, Organizata e Kombeve të Bashkuara, Komisioni Evropian dhe Qeveria e Ukrainës.

Një studim i ri nga institucionet përfshiu të dhëna nga nisja e pushtimit rus, tre vjet më parë, deri më 31 dhjetor 2024, përfshin një rritje prej 70 për qind të dëmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës nga sulmet ruse.

Ai shfaqi një rritje prej mbi 7 për qind nga përllogaritja e fundit prej 486 miliardë dollarësh, një vit më parë, teksa banimi, transporti, energjia, tregtia dhe arsimi u cilësuan sektorët më të prekur, raporton Reuters.

Studimi vlerëson dëmin e drejtpërdrejtë fizik ndaj ndërtesave dhe infrastrukturës tjetër, ndikimin në jetën e njerëzve, dhe koston e “rindërtimit më të mirë”, thanë institucionet në një komunikatë të përbashkët për media.

Presidenti amerikan, Donald Trump, po bën përpjekje për t’i dhënë fund luftës përmes bisedimeve të ndara me Rusinë dhe Ukrainën, dhe u ka thënë gazetarëve, gjatë një takimi me presidentin francez, Emmanuel Macron, se një marrëveshje mund të arrihet brenda javësh.

Vitin e kaluar, rimëkëmbja e Ukrainës ka vazhduar të rëndohet për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Rusisë”, ka thënë kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal.

Qeveria ukrainase ka ndarë 7.37 miliardë dollarë për të adresuar nevojat më me prioritet më 2025, me mbështetje nga donatorët, por vazhdon të ketë një boshllëk financimi prej gati 10 miliardë dollarësh, u tha në komunikatën e përbashkët të institucioneve.

Llogaritja e fundit, duke përdorur një metodologji universale për llogaritjen e dëmeve dhe nevojave, gjeti se dëmet e drejtpërdrejta nga sulmet ruse në Ukrainë janë rritur në 176 miliardë dollarë, nga 152 miliardë dollarë sa raportoheshin në shkurtin e 2024-tës.

Rreth 13 për qind e pasurive të banueshme të Ukrainës janë dëmtuar apo shkatërruar, duke prekur mbi 2.5 milionë familje.

Vendbanimet e Ukrainës që i pushtoi Rusia më 2024

Raporti përmendi një rritje prej 70 për qind të dëmeve në sektorin e energjisë që nga llogaritja e fundit, e bërë një vit më parë, përfshirë prodhimin dhe shpërndarjen e rrymës dhe të ngrohjes lokale.

Sektorit të banimit i nevojiten rreth 84 miliardë dollarë për rimëkëmbje, ndërsa atij të transportit gati 78 miliardë. Sektorit të energjisë dhe minierave i duhen rreth 68 miliardë, atij të tregtisë dhe industrisë mbi 64 miliardë, ndërsa sektorit të bujqësisë mbi 55 miliardë dollarë.

Vetëm kostoja e pastrimit dhe menaxhimit të rrënojave u vlerësua se kap vlerën e rreth 13 miliardë dollarëve, u tha në raport.

Lajmet

Franca regjistron natën më të nxehtë në histori, 40 viktima nga vala e të nxehtit

Published

on

Franca ka përjetuar natën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i matjeve meteorologjike në vitin 1947, ka njoftuar agjencia kombëtare e motit.

Sipas të dhënave zyrtare, mes natës së të hënës dhe mëngjesit të së martës, temperatura mesatare e regjistruar nga 30 stacione meteorologjike në vend arriti në 21.6 gradë Celsius, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 21.4 gradësh të shënuar më 25 korrik 2019.

Ndërkohë, kryeministri francez Sebastien Lecornu ka bërë të ditur se që nga e enjtja, 40 persona kanë humbur jetën si pasojë e valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin.

Temperaturat ekstreme po prekin edhe vende të tjera evropiane. Në Spanjë, në disa rajone temperaturat kanë kaluar 40 gradë Celsius, ndërsa në Itali është shpallur alarmi i kuq në 15 qytete.

Edhe Gjermania po përballet me vapë të madhe, ku temperaturat kanë arritur deri në 40 gradë Celsius./A.K/

Continue Reading

Aktualitet

Ndryshimi i shpejtë i pushtetit në Britani: Andy Burnham drejt postit të Kryeministrit pa garë formale

Published

on

By

Londra zyrtare po dëshmon një ndryshim jashtëzakonisht të shpejtë të pushtetit, ku dy zhvillime kryesore kanë përcaktuar pothuajse plotësisht emrin e kryeministrit të ri të Britanisë së Madhe, pas dorëheqjes së Keir Starmerit.

Përveç se Starmer prezantoi kalendarin e largimit të tij, rivali kryesor i Andy Burnhamit, Wes Streeting, u tërhoq nga gara dhe dha mbështetjen e tij për ish-kryebashkiakun e Manchesterit. Ky hap rrit gjasat që Burnham të marrë drejtimin e ekzekutivik brenda një kohe shumë të shkurtër, duke u bërë kështu kryeministri i pestë i vendit në katër vitet e fundit.

Fotografitë e Burnhamit, si deputet i ri i zonës Makerfield, i rrethuar nga qindra deputetë laburistë, po qarkullojnë krahas imazheve emocionale të largimit të Starmerit, duke pasqyruar tranzicionin e menjëhershëm. Në këtë ngjarje u vu re edhe prania e sekretares së Financave, Rachel Reeves, e cila nuk ishte parë më herët gjatë fjalimit të dorëheqjes së Starmerit. Ndonëse mbajtja e Reeves në postin e financave mund të ndihmojë në stabilitetin e tregjeve, burime brenda partisë bëjnë me dije se ajo ka gjasa të zëvendësohet për shkak të lidhjeve të ngushta me kabinetin e kaluar, ndërsa si pasardhës i mundshëm përflitet vetë Streeting.

Megjithatë, ky proces ka nxitur edhe shqetësime brenda Partisë Laburiste. Disa zyrtarë shprehin rezerva për faktin se një politikan që nuk ishte fare kandidat në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, dhe që u zgjodh deputet vetëm javën e kaluar, mund të bëhet kryeministër muajin e ardhshëm. Ndërkaq, kritikët brenda qeverisë kujtojnë se Burnham ka garuar dy herë më parë për udhëheqjen e partisë dhe ka humbur përballë Ed Milibandit dhe Jeremy Corbynit. /BBC/ /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Irani dhe SHBA-ja shohin përparim drejt paqes

Published

on

By

Irani dhe Shtetet e Bashkuara thonë se ka përparim në bisedimet për një marrëveshje të paqes, por deklaratat e tyre tregojnë se negociatat mbeten të brishta.

Disa orë pasi nënpresidenti amerikan, JD Vance, u largua nga Zvicra më 22 qershor, pas bisedimeve që sipas tij sollën “pëparim të mirë”, presidenti Donald Trump paralajmëroi Teheranin se do të veprojë nëse nuk respekton marrëveshjen me Uashingtonin.

“Nëse Irani nuk i përmbahet marrëveshjes, ose nëse nuk sillet siç duhet, do të bëj atë që duhet të bëj”, u tha Trump gazetarëve në Uashington, por pa dhënë më shumë detaje.

Vance tha se është bërë përparim drejt kornizës së një marrëveshjeje përfundimtare për paqe brenda 60 ditësh.

Ajo përfshin garanci për kalim të sigurt në Ngushticën e Hormuzit, përfundimin e luftimeve në Liban dhe pranimin e vizitave të inspektorëve ndërkombëtarë bërthamorë nga ana e Iranit.

“Kemi vendosur një themel shumë të mirë për një marrëveshje përfundimtare të suksesshme”, u tha Vance gazetarëve më 22 qershor, në resortin Burgenstok në Zvicrën qendrore, pas bisedimeve që zgjatën gjatë gjithë natës.

“Marrëveshja përfundimtare është shtëpia. Ne kemi vendosur themelet; nuk e kemi ndërtuar ende shtëpinë, por kemi hedhur një bazë të mirë për të arritur një rezultat të favorshëm për popullin amerikan”, tha ai.

Këto themele duket se janë mjaftueshëm të forta, pasi Uashingtoni njoftoi se i ka lejuar Iranit të prodhojë dhe shesë naftë në tregjet ndërkombëtare.

“Në përputhje me bisedimet produktive në Zvicër, Irani është zotuar për transit të lirë dhe të hapur në Ngushticën e Hormuzit. Ai, po ashtu, do t’i lejojë inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) të kenë qasje në vend”, shkroi sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, në rrjetin X më 22 qershor.

“Si pjesë e kësaj kornize, Thesari ka lëshuar një leje të përkohshme 60-ditore që autorizon prodhimin, dërgimin dhe shitjen e naftës iraniane”, shtoi ai.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të vizitojë Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin dhe Bahrejnin këtë javë, në vizitën e tij të parë zyrtare në Gjirin Persik që nga shpërthimi i luftës me Iranin, më 28 shkurt.

Misioni diplomatik synon t’i sigurojë aleatët rajonalë për qasjen e SHBA-së ndaj Iranit.

Edhe Irani e vlerësoi pozitivisht rundin e bisedimeve.

Negociatori kryesor iranian dhe kryetari i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, tha për televizionin shtetëror se Teherani ka rënë dakord për krijimin e një linje komunikimi lidhur me kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Ai shtoi se gjatë bisedimeve është finalizuar edhe një marrëveshje për lirimin e 12 miliardë dollarëve asete të ngrira iraniane.

Edhe pse nuk u dhanë shumë detaje konkrete, marrëveshja duket se bazohet në objektivat e përgjithshme të memorandumit të mirëkuptimit (MOU) që SHBA-ja dhe Irani nënshkruan javën e kaluar.

Ky dokument i la të paqarta shumë nga pikat e marrëveshjes me 14 pika, duke i lënë ato për t’u sqaruar më vonë.

Vance tha se Irani ka pranuar t’i rikthejë inspektorët bërthamorë ndërkombëtarë dhe se palët janë duke punuar për një mekanizëm që siguron kalim të lirë në Ngushticën e Hormuzit dhe pastrimin e zonës nga minat, për të shmangur problemet në furnizimin global me energji.

Ndërmjetësit nga Katari dhe Pakistani thanë se rundi i parë i bisedimeve ka përfunduar, por se diskutimet teknike do të vazhdojnë javën e ardhshme.

Ata shtuan se do të krijohen grupe pune për çështjet bërthamore, sanksionet dhe një mekanizëm për monitorim dhe zgjidhje mosmarrëveshjesh, për të siguruar zbatimin e marrëveshjes.

Heqja e bllokadës

Ministria e Jashtme e Iranit, përmes deklaratave të raportuara nga media shtetërore iraniane, tha se është hequr një bllokadë amerikane ndaj porteve, janë liruar “disa asete të ngrira” dhe është nisur një “plan i madh zhvillimor për rindërtimin e Iranit”.

Një zëdhënës i ministrisë tha se, për kalimin e sigurt të anijeve në Ngushticën e Hormuzit, është rënë dakord për krijimin e një mekanizmi, por nuk dha më shumë detaje.

Delegacionin amerikan në negociata e udhëhoqën Vance, i dërguari special, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner.

Delegacionin iranian e udhëhoqën kryetari i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, dhe ministri i Jashtëm, Abbas Araqchi.

Sipas deklaratës së ndërmjetësve, duke u bazuar në memorandumet e mëhershme mes Uashingtonit dhe Teheranit, palët janë pajtuar për krijimin e një komiteti të nivelit të lartë që do të mbikëqyrë procesin politik të ndërmjetësimit.

Po ashtu, është krijuar një “linjë komunikimi” për periudhën 60-ditore për të shmangur incidentet dhe keqkuptimet, me qëllim sigurimin e kalimit të sigurt të anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Gjithashtu, do të krijohet një “qelizë dekonflikti” me pjesëmarrjen e SHBA-së, Iranit dhe Libanit, për të siguruar përfundimin e operacioneve ushtarake në Liban, siç është paraparë në memorandum.

Uashingtoni është zotuar se do të lehtësojë krijimin e një fondi të rindërtimit prej 300 miliardë dollarësh, të mbështetur nga vendet e rajonit, sapo të arrihet një marrëveshje përfundimtare më e gjerë për programin bërthamor të Iranit.

Marrëveshja, dhe sidomos plani për krijimin e një fondi rindërtimi si dhe mungesa e qartësisë për programin bërthamor të Iranit, janë pritur me zemërim nga demokratët në SHBA, por edhe nga shumë republikanë.

Vance iu përgjigj këtyre shqetësimeve duke thënë se, “nëse” fondet iraniane zhbllokohen ndonjëherë, SHBA-ja do të sigurohet që ato të përdoren për të ndihmuar popullin iranian dhe jo për të financuar terrorizmin.

Ai shtoi se paratë do të shkonin për kompani amerikane që do të furnizonin Iranin me ushqime dhe mallra të tjera bazë.

Megjithatë, guvernatori i Bankës Qendrore të Iranit, Abdul Nasser Hemmati, u citua nga agjencia e lajmeve Tasnim të ketë thënë se Teherani nuk do të jetë i detyruar të blejë produkte bujqësore nga SHBA-ja dhe se fondet e zhbllokuara nuk do të përdoren domosdoshmërisht vetëm për blerje të mallrave esenciale.

Shumë udhëheqës izraelitë kanë shprehur, po ashtu, dyshime për disa pjesë të bisedimeve, duke theksuar se Izraeli nuk është palë në marrëveshje, dhe janë zotuar se do t’i vazhdojnë sulmet ndaj objektivave të Hezbollahut në Liban.

Hezbollahu – grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të jugut të Libanit dhe që mbështetet nga Irani -konsiderohet organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërsa BE-ja ka vendosur sanksione vetëm kundër krahut të tij ushtarak, jo atij politik.

Disa raporte sugjerojnë, gjithashtu, se rezistenca nga disa fraksione të ashpra brenda Iranit – përfshirë Gardën Revolucionare Islamike – ka shtuar presion mbi ekipet negociuese të Teheranit. /REL/ /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Dorëhiqet Keir Starmer, Andy Burnham drejt postit të Kryeministrit të ri të Britanisë

Published

on

By

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka dhënë dorëheqjen të hënën nga pozita e tij dhe nga drejtimi i Partisë Laburiste, më pak se dy vjet pas fitores së tij dërrmuese në zgjedhje.

Starmer deklaroi se vendimi erdhi pasi u bë e qartë se partia dëshironte largimin e tij, pas rënies së fortë në sondazhe dhe polemikave të shumta që shoqëruan qeverisjen e tij. Ky largim e çon Mbretërinë e Bashkuar drejt kryeministrit të saj të shtatë në vetëm 10 vjet.

Procesi zyrtar për zëvendësimin e tij do të nisë më 9 korrik, ku çdo kandidat duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën 20% të grupit parlamentar (ose 81 deputetë).

Megjithatë, ish-kryetari i qarkut Greater Manchester, Andy Burnham, i cili sapo fitoi bindshëm një zgjedhje të pjesshme për t’u rikthyer në Parlament, konsiderohet favoriti absolut.

Burnham tashmë ka konfirmuar kandidaturën e tij dhe, duke pasur mbështetjen e rreth gjysmës së deputetëve laburistë dhe të figurave kyçe si Wes Streeting, pritet të marrë drejtimin e partisë dhe postin e kryeministrit pa pasur nevojë për një garë formale. /BBC/ /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara