Lajmet

Ballkani i Hapur apo fuqizimi i Serbisë?

Shasha: Nga Mini-Shengen në Ballkan të Hapur – përmbajtja mbetet e njëjta, fuqizimi i Serbisë.

Published

on

Kosova kundërshton nismën e Mini-Shengenit tani me emrin e ri Ballkani i Hapur.

Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend t‘i bashkohet, madje e kundërshton në ҫdo formë “Mini-Shengenin Ballkanik”, nismë kjo që iu ndërrua emri në “Ballkani i Hapur”, nga tre udhëheqës në Ballkan, Aleksandar Vuçiq, Edi Rama dhe Zoran Zaev. Tre udhëheqësit e tri vendeve, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së  Veriut, nënshkruan në Shkup (29.07) marrëveshjen me të cilën synojnë të heqin kontrollet në kufijitë e tyre për mallrat dhe qarkullimin e njerëzve, duke filluar nga 1 janari 2023. Nga Forumi për Bashkëpunim Ekonomik, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ftuan edhe vendet e tjera në rajon që t’i bashkohen nismës së tyre – siҫ thonë  – “si mundësia e vetme për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të lëvizjes”. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nga ana e tij nuk mori pjesë në këtë forum, ndërsa, zyra e tij marrëveshjen e cilësoi si një ide të Novi Sadit, apo e  ashtuquajtur “Mini-Shengen”.

Belgien Brüssel | Premierminister Kosovo | Albin Kurti

Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘Mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në një reagim të zyrës së kryeministrit Kurti. Ideja e “Mini-Shengenit” ballkanik, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, duke mos ia përmendur emrin, i dërgoi një mesazh kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për kundërshtimin që ai po i bën “Mini- Shengenit”.  

“Kush thotë që kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, jeton në një botë tjetër. E para, jeton në një botë paralele. E dyta, jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe për forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta, harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi se edhe Bashkimi Evropian është një Jugosllavi e madhe. Nëse Bashkimi Evropian është Jugosllavi e madhe, kjo është Jugosllavi e vogël”, tha Edi Rama nga Shkupi.

E presidenti i Serbisë Aleksandër Vuҫiq tha, se “Edi Rama po bën punë të mirë, ndërsa, kryeministri Kosovar po gabon”.

“Mendoj se Rama po kryen punë të mirë për popullin e tij, e ajo që po bën Kurti, që nuk kupton e që mendon se me mesazhe shoviniste mbyll hapësirën, kërcënon e shantazhon, mendoj se po gabon, por nuk kam asgjë kundër”, tha Vuçiq, transmeton B92.

Nord-Mazedonien Skopje | Wirtschaftsforum | Edi Rama, Aleksandar Vucic und Zoran Zaev

Ndërkohë, njohësit e integrimeve evropiane thonë, se Ballkani Perëndimornuk duhet të largohet nga procesi i Berlinit me nisma vetiake, por duhet të punojë afër bashkë me BE-në për integrim dhe anëtarësim. Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, pas nënshkrimit të marrëveshjes në Shkup, shkroi se  “përkundër ndryshimit të emërtimit, nga Mini-Shengen në Ballkan të Hapur, përmbajtja mbetet e njëjta, fuqizimi i Serbisë”. Ai thotë se kjo nismë nuk ka mbështetje nga BE, pasi nuk ka ndarë asnjë fond financiar.

“Që një iniciativë rajonale të ketë sukses ajo duhet të përmbush minimalisht tre elementet kyçe: Një të ketë gjithëpërfshirje politike. E dyta të këtë fonde për të implementuar projektet rajonale, dhe e treta  të ketë strukturë administrative që do të monitorojë zbatimin e zotimeve politike. Iniciativa e Mini-Shengenit nuk ka përmbushur, dhe nuk përmbush, asnjërin nga këto tre kritere bazë”, shkroi Shasha në facebook. Sipas tij, “Kosova ka bëre mirë që ka mbetur konsistente në politikën e saj të jashtme, duke zgjedhur procesin e Berlinit, para aventurës së Mini-Shengenit”.

“Procesi Berlinit gëzon pjesëmarrjen jo vetëm të të gjitha vendeve të Ballkanit, por edhe të të gjitha vendeve më të fuqishme të BE-së, të kryesuara nga Gjermania. Prandaj, për Kosovën zgjidhja mes Gjermanisë dhe Serbisë, çdo herë do jetë një zgjidhje e lehtë”, shkroi Shasha.

Në të njejtën linjë shprehet edhe njohësja e integrimeve evropiane Jeta Krasniqi, nga KDI (Instituti Kosovar për Demokraci) transmeton mediumi Kosovapress. Sipas saj, Kosova nuk duhet të largohet nga procesi i Berlinit.

Nord-Mazedonien Skopje | Wirtschaftsforum | Aleksandar Vucic, Zoran Zaev und Edi Rama

“Duket që qeveria ka një këndvështrim tjetër, por mbetet për t’u pa për vlerësimet politike dhe ekonomike për mospjesëmarrje në këtë nismë. Nuk duhet të ketë tendenca të zëvendësohen nismat që janë nga BE-ja, pasi ato janë nisma që ne zyrtarisht edhe duam të jemi pjesë e tyre, pasi e shohim veten në BE”, thotë Krasniqi.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi,  thotë se “asnjë iniciativë rajonale që nuk i përfshin të gjithë, nuk mund të ketë sukses”.

Sidoqoftë, pas kundërshtimit që i bëri marrëveshjes së nënshkruar në Shkup ndërmjet tre udhëheqësve  Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Zoran Zaev, me të cilën synohet të hiqen kontrollet në kufijitë e vendeve të tyre për  mallrat dhe qarkullimin e njerëzve, qeveria e Kosovës u bën thirrje qeverive të rajonit që të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Evropian dhe marrëdhënieve transatlantike.

Vendi

UBT nis bashkëpunim ndërkombëtar me Liberty University për “Virtual NATO Simulation”

Published

on

By

Është mbajtur takimi i parë online i punës që shënon nisjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm akademik ndërkombëtar në kuadër të aktivitetit “Virtual NATO Simulation”, i cili për herë të parë po zhvillohet në Kosovë me përfshirjen e studentëve të University for Business and Technology.

Ky projekt inovativ synon të sjellë një përvojë të drejtpërdrejtë të proceseve vendimmarrëse dhe diplomatike në kuadër të NATO, përmes një simulimi virtual që përfshin role të nivelit të lartë politik, diplomatik dhe të sigurisë.

Në kuadër të këtij simulimi, me iniciativë të Dekanes së Fakultetit Shkenca Politike në UBT, dy grupe studentësh, do të përfaqësojnë shtete anëtare të NATO-s përmes formatit role play. Njëri grup do të simulojë rolin e Turqia, ndërsa grupi tjetër atë të Italia, duke u angazhuar në diskutime dhe vendimmarrje që pasqyrojnë realitetin e sfidave të sigurisë ndërkombëtare.

Përmes këtij angazhimi, studentët do të përjetojnë nga afër dinamikën e negociatave, koordinimit institucional dhe diplomacisë shumëpalëshe.

Ky bashkëpunim po realizohet në partneritet me Liberty UniversityShtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me universitete të tjera të rajonit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët akademike për shkëmbim përvojash, njohurish dhe praktikash ndërkombëtare.

Virtual NATO Simulation u ofron studentëve një qasje praktike dhe ndërvepruese ndaj çështjeve të sigurisë globale, duke zhvilluar aftësi konkrete në analizë strategjike, komunikim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Takimi i parë online përbën hapin fillestar të një rrugëtimi të ri për UBT-në dhe studentët e saj, duke e pozicionuar Kosovën në një platformë aktive të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe duke dëshmuar rolin në rritje të institucioneve vendore në nisma që ndërlidhin arsimin e lartë me realitetet globale.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku pjesë e konferencës shkencore në Universitetin e Bolonjës

Published

on

By

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku mori pjesë në një konferencë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Bolonjës, në bashkëpunim me disa universitete shqiptare.

I themeluar në vitin 1088, Universiteti i Bolonjës konsiderohet universiteti më i vjetër në botë dhe një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Evropë, me një traditë të gjatë akademike dhe kërkimore.

Konferenca, e mbajtur më 19 dhe 20 shkurt 2026, kishte për temë kryesore: “Arbëreshët e Italisë, një qytetërim midis dy brigjeve të Adriatikut” (The Arbëreshë of Italy, a civilization between the two shores of the Adriatic Sea).

Gjatë dy ditëve të zhvillimit të saj, studiues nga fusha të ndryshme trajtuan aspekte historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare të komunitetit arbëresh, duke theksuar rolin e tyre në ndërlidhjen mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në kuadër të kësaj konference, Prof. ass. dr. Xhevahire Millaku prezantoi kumtesën me temë: “Gjuha dhe arti diplomatik e letrar i Ismail Kadaresë në studimet italiane”.

Në paraqitjen e saj, ajo trajtoi dimensionin gjuhësor dhe estetik të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, duke u ndalur në mënyrën se si krijimtaria e tij është studiuar dhe interpretuar në qarqet akademike italiane, si dhe në rolin që ajo ka luajtur në ndërtimin e urave kulturore ndërmjet dy vendeve.

Continue Reading

Lajmet

Pjesëmarrje rekord në Testin Provues të Arritshmërisë të organizuar nga UBT International Smart Schools: Mbi 1,500 nxënës nga e gjithë Kosova

Published

on

By

UBT International Smart Schools organizoi me sukses edicionin e dytë të Testit Provues të Arritshmërisë, me mbi 1,500 nxënës të klasave të 9-ta nga e gjithë Kosova që morën pjesë. Ky test, i vetmi i këtij lloji në vend, ka për qëllim vlerësimin gjithëpërfshirës të njohurive të nxënësve dhe do t’u ofrojë atyre që kanë sukses mundësinë për të fituar bursa shkollimi nga 25% deri në 100% në UBT International Smart Schools.

Testi u zhvillua online dhe pa pagesë, duke mundësuar pjesëmarrje të lehtë nga çdo vend. Ai u nda në katër pjesë kryesore:

  • Gjuhët dhe Komunikimi – Gjuhë Shqipe dhe Gjuhë Angleze
  • Shkencat e Natyrës – Biologji, Kimi dhe Fizikë
  • Shkencat Shoqërore – Histori dhe Gjeografi
  • Matematika dhe Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)

Ky test provues ishte një mundësi unike për nxënësit që të testojnë njohuritë e tyre dhe të hapin rrugën drejt një arsimi cilësor, inovativ dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja rekord e mbi 1,500 nxënësve tregon interesin e madh të të rinjve për të zhvilluar potencialin e tyre akademik dhe për të përfituar nga mundësitë e bursave të ofruara.

UBT International Smart Schools falënderon të gjithë nxënësit dhe prindërit për besimin dhe pjesëmarrjen, duke theksuar se përkushtimi ndaj arsimit dhe inovacionit mbetet prioritet kryesor i institucionit.

Për më shumë informacione mbi programet dhe mundësitë e tjera të UBT International Smart Schools, mund të kontaktoni në 046 332 233.

Continue Reading

Lajmet

Fatlume Bunjaku nderohet me çmimin “European Shooting Star” në Berlinale

Published

on

By

Aktorja shqiptare nga Kosova, Fatlume Bunjaku, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz European Shooting Stars në kuadër të Berlinale, duke shënuar një arritje të jashtëzakonshme për kinematografinë shqiptare dhe atë ballkanike në skenën ndërkombëtare. Ky program, i organizuar çdo vit nga European Film Promotion në bashkëpunim me Berlinalen, konsiderohet një nga platformat më prestigjioze për promovimin e aktorëve evropianë me potencial për një karrierë ndërkombëtare të suksesshme.

Juria e këtij edicioni përbëhej nga emra të njohur të botës së filmit, përfshirë regjisorin fitues të Oscar-it, Danis Tanović, aktoren Danica Ćurčić, kritiken e filmit Leila Latif, regjisoren Jo Monteiro dhe producentin Jacques-Henri Bronckart. Sipas vlerësimit të tyre, Bunjaku lë një gjurmë të pashlyeshme te shikuesi, duke shfaqur një prezencë të fuqishme në ekran dhe një thellësi emocionale mbresëlënëse. Juria theksoi se talenti dhe angazhimi i saj e bëjnë atë një aktore me potencial të jashtëzakonshëm.

Përveç suksesit në film, Fatlume Bunjaku njihet edhe si profesoreshë në Fakultetin e Arteve Dramatike në UBT, ku ndan eksperiencën dhe pasionin e saj me studentët, duke i frymëzuar ata drejt karrierave në art dhe aktrim. Prania e saj si “Shooting Star” në Berlinale u cilësua si një moment historik jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Gjatë ceremonisë, Bunjaku tërhoqi vëmendjen e agjentëve dhe regjisorëve ndërkombëtarë, jo vetëm për interpretimin e saj bindës, por edhe për qasjen modeste dhe të ngrohtë. Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje që industria globale e filmit të vlerësojë kineastët e Ballkanit, duke theksuar potencialin e madh të rajonit dhe nevojën për më shumë mundësi dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

Aktorja u nominua në këtë program për filmin Hana, me regji nga Ujkan Hysaj, ku interpreton rolin suportues të Mrikës. Ky vlerësim i hap rrugë prezantimit të saj në një nga skenat më të rëndësishme të kinematografisë botërore dhe shënon një kapitull të ri krenarie për artin shqiptar në nivel evropian dhe global.

Continue Reading

Të kërkuara