Lajmet

Balje: Viktimat e dhunës seksuale po përjetojnë dhunë të dyfishtë nga Komisioni Qeveritar

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje.

Published

on

Para Komisionit për të Drejtat e Njeriut ka rrëfyer sot e mbijetuara e dhunës seksuale, e cila është refuzuar dy herë nga Komisioni Qeveritar. Edhe pas më shumë se dy dekadave, ajo ka ende shenja të dhunimit në trupin e saj, por ajo ende nuk gëzon statusin e viktimës së dhunës seksuale. Kryetarja e komisionit, Duda Balje ka thënë se gratë e burrat që janë ballafaquar me këtë krim, po përjetojnë dhunë të dyfishtë si shkak i procedurave. Në mbledhjen e sotme të këtij komisioni, është miratuar edhe projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje.

Kryetarja e komisionit, Duda Balje ka thënë se gruaja, e cila ka folur para komisionit është refuzuar dy herë nga komisioni qeveritar.

“Kur je para komisionit ata duan fakte. Në këtë rast, gruaja ka edhe shenja trupore që ne mundemi t’i shohim edhe pas 24 viteve, dhe pa marrë parasysh ata sërish kanë refuzuar. Një herë ka shkuar në sistemin gjyqësor, dhe ky sistem ka kthyer në rivlerësim, ata sërish kanë refuzuar dhe tash sërish është në sistemin gjyqësor, është duke pritur përgjigje. Unë mendoj se është maltretim i veçantë, ata njëherë kanë përjetuar dhunë dhe tash janë duke përjetuar dhuna prej anës së komisionit, vërtetë nuk është fer”, ka thënë Balje.

Më tej, ajo ka shtuar se javën e ardhshme do të ftojnë në raportim përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale.

“Ne si komision kemi marrë një obligim me thirr komisionin javën e ardhshme dhe bisedojmë me komisionin më shumë se çfarë prova pas 24 viteve. Për mua personalisht, secila femër dhe mashkull që ka fol para këtij komisioni duhet të marr statusin e viktimës, sepse nuk është lehtë me dalë para komisionit. Kemi provuar të protektojmë edhe identitetin, ata tash nuk janë emra, janë numra, por sërish kur del para sistemit gjyqësor, para njerëzve nuk mund ta mbrojmë identitetin 100 për qind siç kemi menduar se mundemi, vërtetë kemi këtu ndonjë problem. 1600 dhe disa raste që kanë pranuar si viktima seksuale, shumë më shumë janë. Më as nuk kanë vullnet të lajmërohen, sepse puna e komisionit është shumë komplekse”, ka shtuar kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut ka miratuar edhe projektligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore. Në votim nuk ka marrë pjesë deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.

Kryetarja e komisionit ka njoftuar se kjo nismë legjislative është në fazën e fundit para se të shkojë në kuvend për lexim të dytë.

“Jemi në fazën e fundit para se të dorëzojmë ligjin për leximin e dytë në Kuvend. Kemi bërë punë shumë të madhe, dhe mendoj se kemi bërë një ligj që është vërtetë ndoshta jo perfekt, por shumë më mirë se ligji që kemi pas deri tash. Dhe mendoj sa energji kemi dhënë, sa kemi angazhuar njerëz, mendoj se pak mundemi të përmirësojmë gjendjen në terren kundër dhunës”, ka thënë Balje.

Për këtë projektligj, ka folur para deputetëve edhe eksperti i angazhuar në këtë projektligj, Hilmi Jashari. Ky i fundit ka thënë se po synohet që ky ligj të sjell pajtueshmërinë, bazuar edhe në obligimet që rrjedhin nga Konventa e Stambollit.

“Ligji për familjen, neni 140, është njëra prej dispozitave, e cila thotë se nëse prindi i cili ushtron kujdesin prindëror pengon kontaktin personal të fëmijës me prindin tjetër, gjykata me atë gjykim do të rregullojë edhe mënyrës e mbajtjes së kontakteve, me prind i cili nuk është në kujdesin prindëror nëse vlerësimi i të gjitha rrethanave tregon se kjo është e domosdoshme për mbrojtjen e fëmijës. Pra, gjykata megjithatë bën vlerësimin përfundimtar edhe nëse nuk e ka njërin prind në kujdesin prindëror, i cili supozohet që ka mundur të përdor dhunë qoftë ekonomike apo tjetër që përfshin edhe ligjin aktual dhe që gjykata mund ta bëjë vlerësimin”, ka thënë Jashari.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza ka propozuar që policët në raste të dhunës në familje, të kenë me vete para të imta për tu ofruar ndihmë nënave me foshnje.

“Paratë e imta të cilat ne konsiderojmë se është e nevojshme t’i kenë institucionet e sigurisë, Policia e Kosovës për nevojat e grave dhe viktimave në përgjithësi kur i drejtohen institucionit të policisë e kur u bie të qëndrojnë gjatë, ose kur kanë nën përkujdesje edhe foshnje për nevojat e tyre. Propozoj që kjo cëcshtje të rregullohet me udhëzim administrativ, i cili do të nxjerrët në dy ministrinë e punëve të brendshme dhe ministrisë së Financave, në mënyrë që ta lëmë një hapesirë për linjatr buxhetore që do të krijohen në ndërkohë”, është shprehur Fejza.

Me këtë, është pajtuar edhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje.

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara