Lajmet

Balje: Viktimat e dhunës seksuale po përjetojnë dhunë të dyfishtë nga Komisioni Qeveritar

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje.

Published

on

Para Komisionit për të Drejtat e Njeriut ka rrëfyer sot e mbijetuara e dhunës seksuale, e cila është refuzuar dy herë nga Komisioni Qeveritar. Edhe pas më shumë se dy dekadave, ajo ka ende shenja të dhunimit në trupin e saj, por ajo ende nuk gëzon statusin e viktimës së dhunës seksuale. Kryetarja e komisionit, Duda Balje ka thënë se gratë e burrat që janë ballafaquar me këtë krim, po përjetojnë dhunë të dyfishtë si shkak i procedurave. Në mbledhjen e sotme të këtij komisioni, është miratuar edhe projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje.

Kryetarja e komisionit, Duda Balje ka thënë se gruaja, e cila ka folur para komisionit është refuzuar dy herë nga komisioni qeveritar.

“Kur je para komisionit ata duan fakte. Në këtë rast, gruaja ka edhe shenja trupore që ne mundemi t’i shohim edhe pas 24 viteve, dhe pa marrë parasysh ata sërish kanë refuzuar. Një herë ka shkuar në sistemin gjyqësor, dhe ky sistem ka kthyer në rivlerësim, ata sërish kanë refuzuar dhe tash sërish është në sistemin gjyqësor, është duke pritur përgjigje. Unë mendoj se është maltretim i veçantë, ata njëherë kanë përjetuar dhunë dhe tash janë duke përjetuar dhuna prej anës së komisionit, vërtetë nuk është fer”, ka thënë Balje.

Më tej, ajo ka shtuar se javën e ardhshme do të ftojnë në raportim përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale.

“Ne si komision kemi marrë një obligim me thirr komisionin javën e ardhshme dhe bisedojmë me komisionin më shumë se çfarë prova pas 24 viteve. Për mua personalisht, secila femër dhe mashkull që ka fol para këtij komisioni duhet të marr statusin e viktimës, sepse nuk është lehtë me dalë para komisionit. Kemi provuar të protektojmë edhe identitetin, ata tash nuk janë emra, janë numra, por sërish kur del para sistemit gjyqësor, para njerëzve nuk mund ta mbrojmë identitetin 100 për qind siç kemi menduar se mundemi, vërtetë kemi këtu ndonjë problem. 1600 dhe disa raste që kanë pranuar si viktima seksuale, shumë më shumë janë. Më as nuk kanë vullnet të lajmërohen, sepse puna e komisionit është shumë komplekse”, ka shtuar kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut ka miratuar edhe projektligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore. Në votim nuk ka marrë pjesë deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.

Kryetarja e komisionit ka njoftuar se kjo nismë legjislative është në fazën e fundit para se të shkojë në kuvend për lexim të dytë.

“Jemi në fazën e fundit para se të dorëzojmë ligjin për leximin e dytë në Kuvend. Kemi bërë punë shumë të madhe, dhe mendoj se kemi bërë një ligj që është vërtetë ndoshta jo perfekt, por shumë më mirë se ligji që kemi pas deri tash. Dhe mendoj sa energji kemi dhënë, sa kemi angazhuar njerëz, mendoj se pak mundemi të përmirësojmë gjendjen në terren kundër dhunës”, ka thënë Balje.

Për këtë projektligj, ka folur para deputetëve edhe eksperti i angazhuar në këtë projektligj, Hilmi Jashari. Ky i fundit ka thënë se po synohet që ky ligj të sjell pajtueshmërinë, bazuar edhe në obligimet që rrjedhin nga Konventa e Stambollit.

“Ligji për familjen, neni 140, është njëra prej dispozitave, e cila thotë se nëse prindi i cili ushtron kujdesin prindëror pengon kontaktin personal të fëmijës me prindin tjetër, gjykata me atë gjykim do të rregullojë edhe mënyrës e mbajtjes së kontakteve, me prind i cili nuk është në kujdesin prindëror nëse vlerësimi i të gjitha rrethanave tregon se kjo është e domosdoshme për mbrojtjen e fëmijës. Pra, gjykata megjithatë bën vlerësimin përfundimtar edhe nëse nuk e ka njërin prind në kujdesin prindëror, i cili supozohet që ka mundur të përdor dhunë qoftë ekonomike apo tjetër që përfshin edhe ligjin aktual dhe që gjykata mund ta bëjë vlerësimin”, ka thënë Jashari.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza ka propozuar që policët në raste të dhunës në familje, të kenë me vete para të imta për tu ofruar ndihmë nënave me foshnje.

“Paratë e imta të cilat ne konsiderojmë se është e nevojshme t’i kenë institucionet e sigurisë, Policia e Kosovës për nevojat e grave dhe viktimave në përgjithësi kur i drejtohen institucionit të policisë e kur u bie të qëndrojnë gjatë, ose kur kanë nën përkujdesje edhe foshnje për nevojat e tyre. Propozoj që kjo cëcshtje të rregullohet me udhëzim administrativ, i cili do të nxjerrët në dy ministrinë e punëve të brendshme dhe ministrisë së Financave, në mënyrë që ta lëmë një hapesirë për linjatr buxhetore që do të krijohen në ndërkohë”, është shprehur Fejza.

Me këtë, është pajtuar edhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje.

lajme

Inovacioni në mjekësi: UBT sjell ekspertët botërorë në sesionin kyç të Kongresit të 67-të të EOQ-së

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), një vëmendje e jashtëzakonshme iu kushtua sesionit mbi shëndetin dhe performancën, i cili shërbeu si një platformë kyçe për të adresuar sfidat globale, rritjen e rezistencës së sistemeve shëndetësore dhe ngritjen e standardeve të cilësisë përmes inovacionit.

Ky sesion i rëndësishëm, i mbështetur dhe promovuar fuqishëm nga UBT, u moderua nga Prof. Dr. Milaim Berisha, duke mbledhur ekspertë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë për të sjellë qasje të avancuara në fushën e mjekësisë dhe mirëqenies njerëzore.

Punimet e këtij sesioni u hapën nga Dr. Ardita Baraku, Drejtore Nacionale e Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, e cila theksoi rëndësinë e shëndetit publik, parandalimit efikas dhe nevojës parësore për ndërtimin e sistemeve shëndetësore rezistente ndaj sfidave të kohës.

Diskutimet vazhduan me kontributin e Prof. Dr. Norbert Bacht nga Universiteti i Vjenës, i cili u ndal tek aplikimi i teknologjive moderne, duke shpjeguar rolin kyç të inteligjencës artificiale në arritjen e një parandalimi sa më të saktë dhe funksional në mjekësi.

Në fokus të sesionit u sollën gjithashtu dimensionet e specializuara të performancës fizike dhe menaxhimit global. Prof. Dr. Milaim Berisha prezantoi standardet ndërkombëtare për mjekësinë sportive, duke vënë në pah ekselencën e kërkuar për shëndetin dhe performancën e atletëve.

Ky vizion u plotësua nga fjalimi kryesor i Ms. Fatema Z. Sumar nga Qendra e Harvardit për Zhvillim Ndërkombëtar, e cila e lidhi drejtpërdrejt forcimin e institucioneve të cilësisë me zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e qëndrueshëm shoqëror.


Pjesa e dytë e sesionit solli praktika të avancuara nga Azia, ku Assoc. Prof. Dr. Ryoko Shimono nga Universiteti Waseda prezantoi indikatorët gjithëpërfshirës të vlerësimit TQM në kujdesin shëndetësor, duke vizualizuar lidhjen mes qëllimeve dhe aktiviteteve të menaxhimit të cilësisë.

Ndërsa Dr. Shogo Kato nga Universiteti i Tokios shpalosi zhvillimin e një sistemi algoritmik për të ndihmuar në rehabilitimin e pacientëve pas goditjeve në tru në spitalet e rikuperimit, duke dëshmuar ndikimin e drejtpërdrejtë të inovacionit teknik në shërimin dhe përmirësimin e jetës së pacientëve.

Continue Reading

lajme

Inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital në fokus të Kongresit të 67-të të EOQ-së në UBT

Published

on

By

Inteligjenca artificiale, transformimi digjital, zhvillimi i qyteteve të qëndrueshme dhe cilësia e shoqërisë ishin në fokus të diskutimeve të ekspertëve ndërkombëtarë gjatë sesionit të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (European Organization for Quality – EOQ), që po mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së. Sesioni u udhëhoq nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.

Sesioni beri bashkë përfaqësues të industrisë, ekspertë të cilësisë dhe figura me përvojë në qeverisjen lokale, të cilët ndanë perspektivat e tyre mbi ndikimin e teknologjisë, inovacionit dhe qëndrueshmërisë në zhvillimin e standardeve të cilësisë dhe në transformimin e shoqërisë.

Dr. Daniel Prell nga Siemens Healthineers, në prezantimin me temë “AI, Digital Transformation and Quality in Highly Regulated Industries”, trajtoi rëndësinë e inteligjencës artificiale dhe transformimit digjital në industritë me kërkesa të larta rregullatore. Diskutimi vuri në pah rolin e cilësisë, sigurisë dhe besueshmërisë në integrimin e teknologjive të reja, veçanërisht në sektorët ku saktësia dhe përmbushja e standardeve janë thelbësore.

Ndërkaq, Ricardo Rio, përfaqësues i GeSI dhe ish-kryetar i Bashkisë së Bragës, prezantoi temën “Quality, Digitalization and Sustainable Cities: From Local Leadership to Global Impact”, duke trajtuar ndërlidhjen ndërmjet cilësisë, digjitalizimit dhe zhvillimit të qyteteve të qëndrueshme. Ai solli në vëmendje rëndësinë e lidershipit lokal dhe të zgjidhjeve digjitale në përmirësimin e qeverisjes dhe krijimin e ndikimit pozitiv në nivel global.

Një perspektivë afatgjatë mbi zhvillimin e cilësisë u prezantua nga akademiku Juhani Anttila, përfaqësues i International Academy for Quality (IAQ) dhe Venture Knowledgist në Quality Integration. Përmes prezantimit “A Long-Term Research Program on the Quality of Society”, ai trajtoi cilësinë si një koncept që shtrihet përtej proceseve organizative dhe institucionale, duke e lidhur atë me zhvillimin afatgjatë të shoqërisë dhe me nevojën për qasje sistematike në kërkim, vendimmarrje dhe përmirësim të vazhdueshëm.

Në vazhdim të sesionit, biseda plenare “What Will Quality Mean in 2030?” vuri në qendër të debatit të ardhmen e konceptit të cilësisë dhe mënyrën se si inteligjenca artificiale, inovacioni, qëndrueshmëria dhe besimi do të ndikojnë në standardet dhe praktikat e saj gjatë viteve të ardhshme.

Diskutimet theksuan se cilësia në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar kërkon integrimin e teknologjisë me përgjegjësinë, sigurinë, transparencën dhe orientimin drejt nevojave të shoqërisë. Shkëmbimi i përvojave ndërkombëtare krijoi një hapësirë të rëndësishme për reflektim mbi sfidat aktuale dhe mundësitë që ofron transformimi digjital për industrinë, institucionet dhe komunitetet.

Continue Reading

Vendi

Kurti takohet me kancelarin federal të Austrisë, diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik

Published

on

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se është takuar me Kancelarin Federal të Austrisë, Christian Stocker.

Përmes, një psotimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Kurti ka shkruar se biseduan për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik: energji, hekurudha dhe teknologji digjitale, sektor në të cilin kompanitë austriake dhe mërgata jonë po investojnë gjithnjë e më shumë.

“Para katër muajsh mes tjerash folëm për dy hapa konkretë: integrimin në SEPA dhe zonën roaming të BE-së. Për të parin tashmë kemi përmbushur edhe kushtin e fundit, me tërësinë e ligjeve të nevojshme, dhe për të dytin presim nisjen e negociatave së shpejti”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë:

Në Vjenë u takuam vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 Qershorit, ndërsa këtë mëngjes në Shën Stefan në detin Adriatik biseda me Kancelarin Federal të Austrisë, Christian Stocker, u përqendrua në prioritetet e Qeverisë në mandatin e ri dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe.

Biseduam për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik: energji, hekurudha dhe teknologji digjitale, sektor në të cilin kompanitë austriake dhe mërgata jonë po investojnë gjithnjë e më shumë.

Para katër muajsh mes tjerash folëm për dy hapa konkretë: integrimin në SEPA dhe zonën roaming të BE-së. Për të parin tashmë kemi përmbushur edhe kushtin e fundit, me tërësinë e ligjeve të nevojshme, dhe për të dytin presim nisjen e negociatave së shpejti.

Mbështes deklaratën e Kancelarit Stocker se Bashkimi Evropian nuk është i plotë, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa Ballkanin Perëndimor dhe se të gjithë kandidatët duhet të trajtohen njëlloj, me të njëjtat kushte. Në bazë të meritës, Republika e Kosovës është gati për avancim në rrugën evropiane, statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave.

Nga Ekonomia Online

 

Continue Reading

Lajmet

Marta Kos: Kosova përballë vendimeve vendimtare në rrugën drejt integrimit evropian

Published

on

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka vlerësuar se javët dhe muajt në vijim do të jenë vendimtarë për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt integrimit evropian, duke veçuar për Kosovën rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit.

Para fillimit të Samitit të Procesit të Berlinit në Mal të Zi, Kos ka përmendur sfidat kryesore me të cilat përballen vendet e rajonit, duke thënë se për Kosovën nevojiten vendime vendimtare për të vazhduar në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Ajo ka theksuar se për Malin e Zi moment vendimtar është përfundimi i negociatave të anëtarësimit, për Serbinë zgjedhjet e ardhshme, ndërsa për Shqipërinë ruajtja e ritmit të integrimit evropian.

Deklarata e Kos vjen në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Jam gjithmonë e lumtur të kthehem në këtë shtet, i cili është i vendosur të bëhet anëtar i BE-së. Kemi përpara javë dhe muaj me momente vendimtare. Për Malin e Zi, do të jetë vendimtare arritja në vijën e ‘finishit’ të procesit të anëtarësimit në BE; për Serbinë, zgjedhjet e së dielës së ardhshme; për Shqipërinë, ruajtja e ritmit në rrugën drejt integrimit evropian; ndërsa për Kosovën, zgjedhja vendimtare për të vazhduar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit. Prandaj, mendoj se është shumë mirë që liderët e rajonit dhe të gjithë procesit të zgjerimit janë mbledhur sot në Mal të Zi”, tha ajo.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022, mirëpo ende nuk e ka statusin e vendit kandidat dhe nuk ka nisur negociatat formale për anëtarësim.

Përveç reformave institucionale dhe forcimit të sundimit të ligjit, rruga evropiane e Kosovës ndërlidhet edhe me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian./KosovaPress/

 

Continue Reading

Të kërkuara