Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock gjatë vizitës në Prishtinë, u shpreh se Kosova e ka bërë punën e saj përsa i përket liberalizimit të vizave. Tani duhet që Bashkimi Evropian ta bëjë punën e vet.
Ministrja e jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock tha në Prishtinë se Bashkimi Evropian është duke i zgjatur dorën shteteve të rajonit në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër ajo përmendi edhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku sipas saj, nevojitet përparim. Annalena Baerbock, gjatë vizitës së saj në Kosovë, u shoqërua edhe nga Manuel Sarrazin, i dërguari i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, të cilin qeveria gjermane e emëroi në këtë pozitë më 18 shkurt 2022.
“Forcim i besimit në rajon”
“Një ndër çështjet më të rëndësishme është forcimi i besimit në rajon. Para se gjithash nevojiten përparime në procesin e dialogut për normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto dy shtete duhet të gjejnë një zgjidhje edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale të Serbisë, më 3 prill”, tha Baerbock. Institucionet e Kosovës, ndryshe nga praktika e mëparshme, kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
Ministrja e Jashtme gjermane, gjatë vizitës në Kosovë takoi presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Në një konferencë për media së bashku me kryeministrin, Baerbock rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën, në këtë kuadër edhe për çështjen e liberalizimit të vizave. “Kosova e ka kryer punën e saj sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe tani i mbetet Bashkimit Evropian, ta bëjë të njëjtën gjë. Për ne nuk ka më pikëpyetje dhe na duhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Për këtë jemi duke punuar me tërë forcën tonë”, tha ministrja e Jashtme gjermane.
Ballkani Perëndimor i përket Evropës
Në Prishtinë Baerbock foli edhe për pushtimin rus të Ukrainës. Ajo tha se sulmi mbi Ukrainë, “ishte pikë kthese apo një thirrje zgjimi referuar rëndësisë strategjike të rajonit të Ballkanit Perëndimor”. “Kjo luftë po bëhet me bomba dhe raketa kundër njerëzve në Ukrainë dhe për këtë arsye duhet të bëjmë çdo gjë që ta ndalojmë këtë luftë dhe të krijojmë korridore humanitare”, tha Baerbock. Duke folur për sanksionet që Perëndimi i ka vendosur Rusisë, pas fillimit të sulmeve në Ukrainë, ministrja e Jashtme gjermane, falënderoi Kosovën që i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë dhe sipas saj, “ky qëndrim i qartë ka treguar edhe njëherë se Kosova si i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i përket Evropës.
“I vendosim sanksione që ne mendojmë që janë të nevojshme. Kur i vendosim ato, e dimë që i vendosim për një kohë të gjatë, prandaj i shqyrtojmë me saktësi para se t’i vendosim, sepse nuk duam t’i tërheqim menjëherë. Nëse do të mund ta ndalnim luftën, do ta bënim. E dimë që Putin ka rezerva dhe nuk do ta ndalojë luftën menjëherë”, tha Baerbock.
Kurti: Kosova partnere e qëndrueshme e Gjermanisë
Ministrja e Jashtme gjermane gjatë takimit, siguroi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, se Gjermania do vazhdojë të mbështesë në projekte zhvillimore Kosovën edhe në të ardhmen. E kryeministri Kurti ng ana e tij, tha se “Kosova është partnere e qëndrueshme e Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian” dhe sipas tij, “këtë e ka dëshmuar me pritjen e refugjatëve nga Afganistani, me krizën në Ukrainë dhe me sanksionet që ka vendosur ndaj Rusisë”.
Kurti kërkoi mbështetjen e Gjermanisë dhe të BE-së për Kosovën. “Kam kërkuar mbështetje për reformat, në punësim dhe drejtësi. Kosova duhet të përfitojë më shumë nga fondet e BE-së, në infrastrukturë, energji e të tjera. Gjermania mund të ndihmojë më shumë në këtë drejtim”, tha kryeministri Kurti.
Osmani: Ndihmë nga Gjermania për anëtarësim në Këshillin e Evropës
Ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock, para Kurtit, takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo e fundit në një komunikatë për medie tha se “për Kosovën dhe paqen e sigurinë në rajon, është ekzistenciale fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO”. “Agresioni rus në Ukrainë, ka nxitur domosdoshmërinë e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor”, thuhet në një njoftim të zyrës së presidencës. Aty poashtu thuhet se “Presidentja Osmani kërkoi nga ministrja Baerbock mbështetje nga Gjermania për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”.
“Kosova është e gatshme të plotësoj të gjitha kriteret për anëtarësim në këtë organizatë, pasi kjo paraqet shtysë të rëndësishme për zbatimin e standardeve evropiane për të drejtat e njeriut dhe agjendën evropiane të vendit”, ka thënë presidentja Osmani. Ministrja e jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, të premten paradite së bashku me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, do të përurojnë një park të ri të energjisë me erë “Selac Windpark”, në Komunën e Mitrovicës, një investim ky i Kosovës por dhe me ndihma nga Gjermania. Ananalena Barebock, pas vizitës që zhvilloi në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë, do të udhëtojë për në Beograd, ku tha se edhe atje do të përcjellë mesazhin se nevojitet përparim në dialogun Kosovë-Serbi. DW
Fakulteti i Shkencave të Ushqimit në UBT ka realizuar një vizitë studimore në vreshtarinë dhe verarinë e njohur “Stone Castle” në Rahovec, në kuadër të aktiviteteve akademike dhe praktike që synojnë përgatitjen profesionale të studentëve sipas standardeve bashkëkohore të industrisë ushqimore.
Kjo vizitë kishte për qëllim njohjen nga afër me proceset teknologjike të kultivimit të rrushit, prodhimit të verës, kontrollit të cilësisë, sigurisë ushqimore dhe menaxhimit të industrisë së pijeve alkoolike, duke ofruar një përvojë të drejtpërdrejtë praktike për studentët e këtij fakulteti.
Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të ndjekin nga afër fazat kryesore të prodhimit të verës, duke u njohur me teknologjitë moderne që aplikohen në këtë sektor, standardet ndërkombëtare të cilësisë dhe procedurat e sigurisë ushqimore. Po ashtu, ata zhvilluan diskutime profesionale me stafin e verarisë “Stone Castle”, duke shkëmbyer përvoja konkrete nga praktika industriale.
Këto aktivitete janë pjesë përbërëse e filozofisë së Fakultetit të Shkencave të Ushqimit në UBT, i cili fokusohet në ndërlidhjen e dijes teorike me praktikën reale në industri, duke përgatitur kuadro të afta për tregun vendor dhe ndërkombëtar të punës. Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me biznese dhe kompani lidere në sektorin ushqimor, UBT u ofron studentëve mundësi reale për zhvillim profesional dhe karrierë të qëndrueshme.
Vizitat studimore të tilla përforcojnë rolin e UBT-së si institucion i arsimit të lartë që promovon mësimdhënien praktike, inovacionin dhe partneritetin me industrinë, duke krijuar ura të forta ndërmjet akademisë dhe ekonomisë vendore.
Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët që udhëtojnë në Maqedoninë e Veriut se autoritetet e këtij shteti kanë filluar zbatimin e sistemit elektronik për monitorimin e komunikacionit rrugor, të njohur si “Qyteti i sigurt”.
Sipas Policisë, monitorimi i komunikacionit rrugor realizohet përmes pajisjeve teknike dhe kamerave inteligjente, të cilat evidentojnë automatikisht shkeljet e rregullave të komunikacionit, në përputhje me legjislacionin përkatës.
Në fazën e parë, ky sistem do të zbatohet në qytetet Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe përgjatë Korridorit 8 dhe Korridorit 10. Shkeljet që do të evidentohen përfshijnë tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, kalimin në semafor të kuq, ndalimin dhe parkimin e parregullt, si dhe qarkullimin me automjete të paregjistruara.
Policia e Kosovës bën të ditur se për automjetet me targa të huaja, përfshirë ato nga Kosova, në rast të shkeljeve të konstatuara nga sistemi “Qyteti i sigurt”, shoferët do të njoftohen gjatë hyrjes ose daljes nga territori i Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit, qytetarët e huaj kanë të drejtë të përfitojnë ulje prej 50 për qind të gjobës nëse pagesa realizohet brenda afatit prej tetë ditësh. Në rast mospajtimi me shkeljen ose mosrealizimi të pagesës, do të iniciohet procedurë kundërvajtëse para gjykatës kompetente.
Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë dispozitat ligjore të komunikacionit gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në Maqedoninë e Veriut, me qëllim të shmangies së gjobave dhe procedurave ligjore.
Avokati Meshari Selimaj ka thënë se vendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë që të mbrohen në liri të arrestuarit në rastin e manipulimit të votave, është një tregues se edhe pa paraburgim mund të arrihen rezultatet hetimore në këtë rast penal.
“E pata konsideruar si masë tejet ekstreme atë të paraburgimit në rastin e manipulimeve të pretenduara me zgjedhje. Vendim i drejtë, i ligjshëm e parimor ky i Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Në mesin e tyre ka edhe persona të rinj në moshë të lindur në vitin 2005 apo 2007, madje edhe për më keq janë femra një pjesë e mirë e tyre. Ju mungon edhe eksperienca jetësore për ta përballuar një masë kaq të rëndë siç është paraburgimi, e cila si masë nuk mundet dhe s’guxon ta arrijë qëllimin e dënimit. Edhe pa paraburgimin mund të arrihen rezultatet hetimore në këtë rast penal, me masa të tjera e pa paraburgim”, ka shkruar Selimaj në rrjetin e tij social “facebook”.
Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton të hënën se ka mbajtur tri (3) seanca dëgjimore lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dhjetë (10) të pandehurve. Pas shqyrtimit të kërkesave dhe vlerësimit të provave të paraqitura, Gjykata ka refuzuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve: R.J., L.H., N.D., A.N., B.F., H.S., Sh.N., Y.S., D.K. dhe S.S., duke vendosur që të njëjtit të mbrohen në liri. /Ekonomia Online/
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, është ftuar të marrë pjesë në eventin vjetor ndërkombëtar të kompanisë lidere globale Technogym, “Technogym Innovation Outlook 2026”, i cili po mbahet në Itali dhe ku marrin pjesë qindra profesionistë, ekspertë dhe përfaqësues nga mbarë bota.
Ky event prestigjioz shërben si platformë globale për prezantimin e teknologjive më të avancuara në fushën e sportit, fitnesit, shëndetit dhe mirëqenies, si dhe për diskutimin e trendeve të reja dhe mundësive të bashkëpunimit ndërkombëtar, të zhvilluara nga dhe në bashkëpunim me Technogym.
Gjatë kësaj vizite, e cila vjen si rezultat i vizitës së përfaqësuesve të Technogym në UBT, Rektori Hajrizi u takua dhe zhvilloi biseda me udhëheqës të departamenteve të edukimit, shkencës, zhvillimit dhe projekteve të Technogym, me fokus të veçantë bashkëpunimin në implementimin e teknologjive dhe programeve të Technogym-it në ekosistemin e UBT-së, me ç’rast mundësohet realizimi i plotë i UBT Wellness City si një komponentë e domosdoshme e UBT Smart City.
Kështu, modeli i zhvilluar UBT 5S (Small Smart Self-Sustain City), i zbatuar në UBT Smart City, kompletohet edhe me komponentën e mirëqenies dhe stilit të jetesës. Me këtë rast krijohet një model unik që përfaqëson modelin e ri të jetesës në qytete, një shembull se si teknologjia e avancuar, inteligjenca artificiale, sporti, nutricioni, shëndeti dhe rehabilitimi mund të ndërlidhen në një ekosistem të vetëm, të integruar, të personalizuar dhe të qëndrueshëm.
Përmes këtij ekosistemi, nxënësve, studentëve, stafit akademik dhe administrativ, institucioneve dhe komunitetit të gjerë të Kosovës u ofrohet një sistem i kompletuar për fitness, wellness, sport, rehabilitim dhe lifestyle, i ndërtuar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare dhe i mbështetur nga teknologjitë dhe sistemet më të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, e cila mundëson mbështetje të personalizuar për individin.
Ky vizion bëhet i mundur falë faktit se ekosistemi i UBT-së tashmë është ndërtuar mbi këto baza, duke përfshirë dimensionin edukativ, shkencor, inovativ, zhvillimor dhe klinik, duke e pozicionuar UBT-në si një qendër rajonale dhe më gjerë në fushën e mirëqenies dhe shëndetit të integruar.
Një bashkëpunim me Technogym pritet të kontribuojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimeve në kampuset e UBT-së, në qendrat e trajnimit, shërbimet shëndetësore dhe spitalore, si dhe në zhvillimin e aktiviteteve sportive, duke e forcuar më tej rolin e UBT-së si lider në inovacion, transformim shoqëror dhe zhvillim ekonomik, sepse, siç tha edhe Presidenti i Technogym, po kalojmë dhe duhet të kalojmë nga Green Economy në Wellness Economy.