Lajmet

Baerbock: Nevojitet përparim i dialogut Kosovë-Serbi

Baerbock tha në Prishtinë se Bashkimi Evropian është duke i zgjatur dorën shteteve të rajonit.

Published

on

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock gjatë vizitës në Prishtinë, u shpreh se Kosova e ka bërë punën e saj përsa i përket liberalizimit të vizave. Tani duhet që Bashkimi Evropian ta bëjë punën e vet.

Ministrja e jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock tha në Prishtinë se Bashkimi Evropian është duke i zgjatur dorën shteteve të rajonit në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër ajo përmendi edhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku sipas saj, nevojitet përparim. Annalena Baerbock, gjatë vizitës së saj në Kosovë, u shoqërua edhe nga Manuel Sarrazin, i dërguari i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, të cilin qeveria gjermane e emëroi në këtë pozitë më 18 shkurt 2022.

“Forcim i besimit në rajon”

“Një ndër çështjet më të rëndësishme është forcimi i besimit në rajon. Para se gjithash nevojiten përparime në procesin e dialogut për normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto dy shtete duhet të gjejnë një zgjidhje edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale të Serbisë, më 3 prill”, tha Baerbock. Institucionet e Kosovës, ndryshe nga praktika e mëparshme, kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Ministrja e Jashtme gjermane,  gjatë vizitës në Kosovë takoi presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Në një konferencë për media së bashku me kryeministrin, Baerbock rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën, në këtë  kuadër edhe për çështjen e liberalizimit të vizave. “Kosova e ka kryer punën e saj sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe tani i mbetet Bashkimit Evropian, ta bëjë të njëjtën gjë. Për ne nuk ka më  pikëpyetje dhe na duhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Për këtë jemi duke punuar me tërë forcën tonë”, tha ministrja e Jashtme gjermane.

Ballkani Perëndimor i përket Evropës

Në Prishtinë Baerbock foli edhe për pushtimin rus të Ukrainës. Ajo tha se sulmi mbi Ukrainë, “ishte pikë kthese apo një thirrje zgjimi referuar rëndësisë strategjike të rajonit të Ballkanit Perëndimor”. “Kjo luftë po bëhet me bomba dhe raketa kundër njerëzve në Ukrainë dhe për këtë arsye duhet të bëjmë çdo gjë që ta ndalojmë këtë luftë dhe të krijojmë korridore humanitare”, tha Baerbock. Duke folur për sanksionet që Perëndimi i ka vendosur Rusisë, pas fillimit të sulmeve në Ukrainë, ministrja e Jashtme gjermane, falënderoi Kosovën që i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë dhe sipas saj, “ky qëndrim i qartë ka treguar edhe njëherë se Kosova si i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i përket Evropës.

“I vendosim sanksione që ne mendojmë që janë të nevojshme. Kur i vendosim ato, e dimë që i vendosim për një kohë të gjatë, prandaj i shqyrtojmë me saktësi para se t’i vendosim, sepse nuk duam t’i tërheqim menjëherë. Nëse do të mund ta ndalnim luftën, do ta bënim. E dimë që Putin ka rezerva dhe nuk do ta ndalojë luftën menjëherë”, tha Baerbock.

Kosovo Außenministerin Annalena Baerbock & Albin Kurti bei einer Pressekonferenz in Pristina

Kurti: Kosova partnere e qëndrueshme e Gjermanisë

Ministrja e Jashtme gjermane gjatë takimit, siguroi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, se Gjermania do vazhdojë të mbështesë në projekte zhvillimore Kosovën edhe në të ardhmen. E kryeministri Kurti ng ana e tij, tha se “Kosova është partnere e qëndrueshme e Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian” dhe sipas tij, “këtë e ka dëshmuar me pritjen e refugjatëve nga Afganistani, me krizën në Ukrainë dhe me sanksionet që ka vendosur ndaj Rusisë”.

Kurti kërkoi mbështetjen e  Gjermanisë dhe të BE-së për Kosovën. “Kam kërkuar mbështetje për reformat, në punësim dhe drejtësi. Kosova duhet të përfitojë më shumë nga fondet e BE-së, në infrastrukturë, energji e të tjera. Gjermania mund të ndihmojë më shumë në këtë drejtim”, tha kryeministri Kurti.

Osmani: Ndihmë nga Gjermania për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock, para Kurtit, takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo e fundit  në një komunikatë për medie tha se “për Kosovën dhe paqen e sigurinë në rajon, është ekzistenciale fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO”. “Agresioni rus në Ukrainë, ka nxitur domosdoshmërinë e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor”, thuhet në një njoftim të zyrës së presidencës. Aty poashtu thuhet se “Presidentja Osmani kërkoi nga ministrja Baerbock mbështetje nga Gjermania për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”.

“Kosova është e gatshme të plotësoj të gjitha kriteret për anëtarësim në këtë organizatë, pasi kjo paraqet shtysë të rëndësishme për zbatimin e standardeve evropiane për të drejtat e njeriut dhe agjendën evropiane të vendit”, ka thënë presidentja Osmani. Ministrja e jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, të premten paradite së bashku me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, do të përurojnë një  park të ri të energjisë me erë “Selac Windpark”, në Komunën e Mitrovicës, një investim ky i Kosovës por dhe me ndihma nga Gjermania. Ananalena Barebock, pas vizitës që zhvilloi në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë, do të udhëtojë për në Beograd, ku tha se edhe atje do të përcjellë mesazhin se nevojitet përparim në dialogun Kosovë-Serbi. DW

Continue Reading

lajme

Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin e BE-së, Aivo Orav

Published

on

By

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

Gjatë këtij takimi, kreu i qeverisë shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin dhe shërbimin e diplomatit evropian në Kosovë, që nga marrja e detyrës së tij më 1 shtator 2024.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për bashkëpunimin korrekt, duke vlerësuar se përgjatë mandatit të tij, raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë fuqizuar ndjeshëm, përkundër sfidave të shumta të periudhës.

Në mënyrë të veçantë, kryeministri potencoi përkushtimin e ambasadorit në procesin e lansimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, si një hap kyç në rrugëtimin integrues të vendit.

Më tej, në fokus të bisedës ishin hapat e radhës që priten nga Brukseli në raport me Prishtinën zyrtare. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë që Bashkimi Evropian të vlerësojë progresin e arritur dhe të mundësojë marrjen e statusit të merituar të vendit kandidat për anëtarësim.

Në përmbyllje të takimit, Kurti i uroi ambasadorit Orav suksese në angazhimet e tij të ardhshme profesionale, duke e falënderuar sërish për kontributin e dhënë në avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Interesim i jashtëzakonshëm për UBT International Smart Schools në Open Day – vazhdojnë regjistrimet e hershme

Published

on

By

Qindra nxënës dhe prindër nga e gjithë Kosova morën pjesë në aktivitetet Open Day të organizuara nga UBT International Smart Schools në kampusin e Lipjanit dhe në Gjimnazin TIK në Prizren, duke treguar interesim të jashtëzakonshëm për edukimin modern dhe inovativ.

Vizitorët patën mundësinë të eksplorojnë ambientet bashkëkohore të mësimit, të njihen me drejtimet arsimore dhe metodologjitë që ndërthurin teknologjinë dhe zhvillimin e aftësive praktike. Në të njëjtën kohë, u njoftua se regjistrimet e hershme tashmë janë hapur, duke i ofruar nxënësve mundësinë të sigurojnë vendin e tyre në drejtimet më inovative dhe të kërkuara.

Interesim i veçantë u shfaq edhe për metodologjinë moderne të mësimdhënies, e cila ndërthur njohuritë akademike me përdorimin e teknologjisë dhe aftësitë praktike të nevojshme për të ardhmen.

Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të marrin informacione rreth bursave që janë përfituar përmes Testit Provues të Arritshmërisë, si dhe për mundësitë e shumta që ofron ky institucion për zhvillimin personal dhe profesional të nxënësve.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e UBT International Smart Schools, përmes platformës së aplikimit online: Linku i Aplikimit Online

Continue Reading

Vendi

Aksion kundër fajdesë në Prizren: Një i arrestuar dhe katër në kërkim për zhvatjen e mbi 1 milion eurove

Published

on

By

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar sot një operacion të gjerë policor të fokusuar në arrestimin e disa personave si të dyshuar për fajde, detyrim dhe privim të kundërligjshëm të lirisë.

Gjatë këtij aksioni, i cili përfshiu kontrolle në pesë lokacione të ndryshme në qytetin e Prizrenit, është arrestuar një person me inicialet B.K., ndërsa katër të dyshuar të tjerë (GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R.) ndodhen ende në kërkim policor.

Sipas hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, ky grup dyshohet se ka shkaktuar një dëm fillestar prej rreth 700,000 eurosh ndaj viktimës, duke kërkuar edhe 450,000 euro të tjera në emër të kamatave të larta.

Në komunikatën zyrtarë thuhet se: “Të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme të presionit dhe dhunës. Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë”.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj të arrestuarit është lëshuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërkohë që operacioni për lokalizimin e personave të tjerë po vazhdon me intensitet të lartë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se: “Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes”.

 

Continue Reading

Botë

Qeveria gjermane refuzon kërkesën e Trump-it

Published

on

By

Qeveria gjermane ka hedhur poshtë kërkesat e Presidentit të SHBA-së për mbështetjen e aleatëve të NATO-s në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit gjatë luftës në Lindjen e Mesme.

“Kjo luftë nuk ka të bëjë fare me NATO-n. Kjo nuk është lufta e NATO-s”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius, në Berlin, raporton gazeta gjermane Bild.

Ai shtoi se aleanca është krijuar për mbrojtjen e territorit të vendeve anëtare dhe se aktualisht mungon një mandat për angazhimin e NATO-s në këtë rajon.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul (63, CDU). Duke pasur parasysh vazhdimin e luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Wadephul shtoi se kjo pyetje nuk shtrohet “në këtë moment”.

“Ne duam fillimisht të dëgjojmë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se kur synojnë t’i arrijnë objektivat e tyre ushtarake në Iran”, tha Ministri i Jashtëm.

Sipas tij, vetëm pas kësaj, në një fazë tjetër, mund të definohet “një arkitekturë sigurie për të gjithë këtë rajon”.

Trump: Mund të jetë “shumë keq për të ardhmen e NATO-s”

Presidenti i SHBA-së kishte deklaruar në një intervistë për Financial Times se NATO do të përballet me një të ardhme të zymtë nëse partnerët e SHBA-së nuk ndihmojnë.

“Nëse nuk do të ketë reagim, ose nëse reagimi do të jetë negativ, mendoj se kjo do të jetë shumë keq për të ardhmen e NATO-s”, citohet të ketë thënë Trump.

I pyetur për këto kërcënime të Trump-it, zëdhënësi Kornelius u mjaftua duke thënë: “Ne i kemi marrë parasysh këto deklarata”.

Trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit të lëngshëm, praktikisht është bllokuar për shkak të luftës dhe kërcënimit të sulmeve iraniane. /Bild/

 

Continue Reading

Të kërkuara