Lajmet

Azem Syla: Pse o akademik Mehmet Kraja?

Ai ka potencuar se Kraja ka hedhur baltë mbi vlerën kombëtare.

Published

on

Komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, Azem Syla, sot ka reaguar ndaj një shkrimi të akademik Mehmet Krajës, të publikuar në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ai ka potencuar se Kraja ka hedhur baltë mbi vlerën kombëtare dhe ka shtuar se shqiptarët me luftë e kanë bërë mirë detyrën e atdheut.

“Pse o akademik Mehmet Kraja arrite deri atje sa të shfrytëzosh emrin e institucionit më të lartë shkencor të Kosovës – Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës – për të dhënë goditje kundër luftës dhe luftëtarëve? Çfarë zori të shtyu bre akademik?”, ka shkruar Syla mes tjerash.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës e ka pyetur Mehmet Krajën se pse sipas tij, ka dalur në pozicion antikombëtar.

“Po pse o akademik Mehmet Kraja pa përgjegjësi del dhe deklaron se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit? A e njeh ti rrjedhën e asaj lufte dhe atë ushtri që bëri luftën. Po ti u ktheve në shtëpinë tënde veç kur ata luftëtarë e çliruan Kosovën bre? Ku i pe ti ato krime, a nëpër Evropë ku ishe në ato kohë? O akademik Mehmet Kraja, a e dinë se një ditë Hashim Thaçi do të kthehet me pafajësi nga Gjyqi i Hagës, po ti ku do t’i fusësh ato fjalë që ke thënë për të? Sepse ai e ka kryer detyrën ndaj atdheut me armë në dorë kur ti nuk di ku ishe”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Tutje, Syla ka pyetur Krajën se pse ka mendimin se askush nga udhëheqësit shqiptarë në gjithë hapësirën kombëtare nuk është i aftë të udhëheqë shqiptarët, nuk është i pastër të udhëheqë shqiptarët, nuk është i ditur të udhëheqë shqiptarët, nuk është me vizion të udhëheqë shqiptarët dhe ka shtuar duke u shprehur se Serbia nuk kthehet më.

Shkrimi i plotë Azem Sylës, Komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së:

As që kisha ndonjë dëshirë të merrem me ty e shkrimin qe ke publikuar në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, por unë jam i tillë që nuk bëhem rehat, në qoftë se nuk i them gjërat ashtu siç i ndijë në shpirt.

E pra, more akademik Mehmet Kraja, shumë gjëra mund t’i kem menduar, por, që ti të dalësh me vlerësime dhe akuza të tilla shpifëse tamam si të ishin gatuar në gazhinën e Beogradit, këtë kurrë nuk e kisha menduar. Veç po të them: Ti hodhe baltë mbi vlerën tonë kombëtare dhe të jesh i sigurt ti, të jenë të sigurt ata që mendojnë si ti (nëse ka), të jenë të sigurt edhe armiqtë, por të jenë të sigurt edhe të gjithë qytetarët shqiptarë, që ne me luftën tonë e kemi bërë shumë mirë detyrën atdheut e kombit, për të cilën jemi krenar se i kemi vënë një kurorë lavdie historisë kombëtare shqiptare. Ama po të them se shpifjet dhe akuzat tua janë të pa falshme, janë të dënueshme, janë antikombëtare dhe kundër vlerave të shqiptarëve.

Po pse o akademik Mehmet Kraja, a nuk e ke kuptuar akoma se ajo luftë e lavdishme u bë nga ky popull i Kosovës dhe gjithë shqiptarët për të rritur vlerat e fituar lirinë? Pse o akademik Mehmet Kraja, a nuk e ke kuptuar akoma se ata luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk qenë të importuar, siç na kanë akuzuar Serbia dhe bashkëpunëtorët e saj, por qenë bijtë dhe bijat më të mirë të këtij populli të lavdishëm shqiptarë të këtyre trevave të Kosovës e gjithë hapësirave kombëtare shqiptare?

Pse o akademik Mehmet Kraja arrite deri atje sa të shfrytëzosh emrin e institucionit më të lartë shkencor të Kosovës – Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës – për të dhënë goditje kundër luftës dhe luftëtarëve? Çfarë zori të shtyu bre akademik? A ke diçka të ligë personale apo ke marrë mision prej dikujt, që i shërben ndoshta me apo pa interes, por realisht me ligësi?

Pse o akademik Mehmet Kraja nuk e vlerësove se pavarësisht çka, shqiptari pak i ndershëm nuk e bën e zhbën a bën e maskon fjalën e tij, dhe gjithë kjo në emër të ajkës së dijes së Kosovës, siç veprove ti, duke bërë maskim të ulëta me arsyetime të pa pranueshme? Se ndryshime nuk bëre.

Pse o akademik Mehmet Kraja dole në këtë pozicion antikombëtar? A mendon se është e rastit, apo kështu ke qenë i ndërtuar mbrapsht por tani të doli fytyra e vërtetë, apo ndonjë interes i ligë? Uroj të mos jetë aq i ligë sa të vijë nga Beogradi, por që i shërbeve më mirë dhe më fortë se askush tjetër kësaj radhe kjo po është shumë e qartë.

O akademik Mehmet kraja, si i keni marrëdhëniet me akademikët e tjerë? A e dëgjove qëndrimin e akademik Sabri Hamitit? A mendon se nuk do të shkojnë edhe të tjerë në atë qëndrim? Gabohesh o akademik Mehmet Kraja, që mendon se akoma je e mund të jesh koka e asaj akademie. Sepse të jesh në karrigen e kryetarit nuk do të thotë të jesh kryetar. Pasi kryetar je edhe duke mos qenë në atë karrige ku jeni ulë ju por të tjerët akademikë të përulen me nderim për dijen që ke. Ndërsa ti ku je sot? A je kryetar? Nuk besoj, veç i ndonjë të pa merituari, që ti vetë më herët ke thënë se janë të pa merituar, i cili mund të të përkëdhelë krahët. Sa keq për ty o akademik.

Po pse o akademik Mehmet Kraja pa përgjegjësi del dhe deklaron se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit? A e njeh ti rrjedhën e asaj lufte dhe atë ushtri që bëri luftën. Po ti u ktheve në shtëpinë tënde veç kur ata luftëtarë e çliruan Kosovën bre? Ku i pe ti ato krime, a nëpër Evropë ku ishe në ato kohë? Çudi more zotëri me ty. Unë kurrë nuk kam menduar se mundesh ti pa as më të voglin informacion t’i ngarkosh vetes atë barrë aq të madhe sa të përpiqesh të shfajësosh krimet serbe duke e kriminalizuar luftën e shenjtë të popullit shqiptar për liri e pavarësi. Mision i rendë ky i yti zotëri. Por punë të tilla si kjo puna që bëre ti, deri tani kanë bërë vetëm shërbimet antishqiptare. Ndërsa për ty dua të them se duhet të kesh ndonjë interes të madh ose ke marrë ndonjë urdhër të rëndë.

O akademik Mehmet Kraja, a e dinë se një ditë Hashim Thaçi do të kthehet me pafajësi nga Gjyqi i Hagës, po ti ku do t’i fusësh ato fjalë që ke thënë për të? Sepse ai e ka kryer detyrën ndaj atdheut me armë në dorë kur ti nuk di ku ishe. Ashtu sikurse edhe atje ku është ka shkuar për të mbrojtur me bindje pastërtinë e asaj lufte. Ndërsa ti përpiqesh ta trajtosh Hashim Thaçin si të ishte ndonjë hajn, që përpiqet të fshihet nga e vërteta e hajnisë të tij. Jo o akademik Mehmet Kraja, ai dhe të gjithë luftëtarët bashkë me mua, që kur ka ngritur dorën për ta miratuar atë ligj të kësaj gjykate e ka ditur se do të jetë atje për ta mbrojtur pastërtinë e kësaj lufte, siç e kanë ditur të gjithë ata që e kanë votuar atë ligj. Luftëtarët o akademik Mehmet Kraja nuk janë prej atij malli që fshihen as që e merr era, siç merr qëndrimet tua.

Po Ali Ahmeti o akademik Mehmet Kraja çfarë borxhi të ka? A edhe ai po të bën hije, pse po udhëheq shumë shumë mirë politikën shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut? A kaq dhimbje ke nga sukseset që kanë arritur shqiptarët në të drejtën e tyre në atë shtet?

Si nuk i more në mbrojtje as edhe me një fjalë shqiptarët në Kosovën Lindore bre akademik Mehmet Kraja? Veç se u the që kurrë nuk do të jenë pjesë e Kosovës, a për t’i moralizuar ua the këtë, që të mundësosh të ikin nga sytë këmbët? Jo zotëri, gabohesh përsëri, koha e ikjes së shqiptarëve dhe e shpërnguljeve të tyre ka perënduar njëherë e përgjithmonë. Kosova Lindore do të jetë Kosovë Lindore sot e përgjithmonë. Mos e harro këtë akademik.

Po Shqipëria çfarë të ka bërë që nuk le gjë pa thënë për të? Apo se të jepte bukë kur nuk kishe shtëpi. Sa keq. Po si nuk e the një fjalë të mirë për shqiptarët more akademik Mehmet Kraja? A nuk ka asnjë shqiptar tjetër përveç teje që të meritojë të jetë ai që i duhet kombit shqiptar?

Pse o akademik Mehmet Kraja ke mendimin se askush nga udhëheqësit shqiptarë në gjithë hapësirën kombëtare nuk është i aftë të udhëheqë shqiptarët, nuk është i pastër të udhëheqë shqiptarët, nuk është i ditur të udhëheqë shqiptarët, nuk është me vizion të udhëheqë shqiptarët? Po kush mendon ti se duhet t’i udhëheqë shqiptarët? Pasi ne paskemi fuqi të korruptojmë edhe shtetet e botës, të korruptojmë edhe organizatat ndërkombëtare, si i bëhet?

Jo akademik Mehmet Kraja, Serbia nuk kthehet më. Nuk kthehet.

Continue Reading

Vendi

EOQ Congress 2026 në UBT: Inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital në fokus të cilësisë 5.0

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ Congress 2026), në UBT u mbajt sesioni “Inteligjenca Artificiale, Transformimi Digjital dhe Cilësia 5.0”, i moderuar nga Prof. Dr. Blerton Abazi.

Ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të akademisë e industrisë diskutuan mbi ndikimin e inteligjencës artificiale, sistemeve inteligjente dhe transformimit digjital në zhvillimin e modeleve të reja të menaxhimit të cilësisë, duke trajtuar gjithashtu rëndësinë e qëndrueshmërisë, inovacionit dhe besueshmërisë së të dhënave.

Gjatë sesionit, u prezantuan këto tema:

Prof. Dr. Galia Marinova, Universiteti Teknik i Sofjes – “Transformimi digjital, sistemet inteligjente dhe Cilësia 5.0”.
Prof. Henriqueta Sampaio da Novoa dhe Fatima Carneiro – “Integrimi i strategjisë ESG me përsosmërinë operacionale: Një kornizë e integruar për menaxhimin e cilësisë të qëndrueshëm, rezistent dhe të fuqizuar nga inteligjenca artificiale”.
Mina Gavrilova, menaxhere e lartë e cilësisë në Huvepharma, dhe David Isaacson, nënkryetar i marketingut të produkteve në Octave – “Avancimi i menaxhimit të cilësisë në organizatë: Si ka nxitur Huvepharma cilësinë dhe inovacionin për ndikim më të madh në biznes”.

Prof. Dr. Bertan Karahoda, UBT – “Cilësia në shkallë globale: Inteligjenca artificiale, aftësitë dhe e ardhmja e të nxënit global”.
Prof. Dr. Blerton Abazi, UBT – “Sigurimi i cilësisë së inteligjencës artificiale, cilësia e të dhënave dhe sistemet inteligjente të besueshme”.

Përmes këtyre kontributeve, sesioni vuri në pah rëndësinë e ndërthurjes së inteligjencës artificiale me standardet e cilësisë, zhvillimin e aftësive dhe inovacionin organizativ.

Diskutimet theksuan se transformimi digjital dhe qasja e Cilësisë 5.0 krijojnë mundësi të reja për ndërtimin e sistemeve më efikase, të qëndrueshme dhe të besueshme në arsim, industri dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.

Continue Reading

Vendi

EOQ Congress 2026 në UBT: Ekspertët diskutojnë cilësinë, inteligjencën artificiale dhe menaxhimin e rrezikut

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ Congress 2026), në kampusin inovativ të UBT-së, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë trajtuan çështje kyçe që lidhen me akreditimin, certifikimin, vlerësimin e konformitetit, menaxhimin e rrezikut dhe vazhdimësinë e biznesit, me theks të veçantë në rolin e inteligjencës artificiale në transformimin e sistemeve të menaxhimit të cilësisë.

Sesioni “Akreditimi, Certifikimi, Validimi dhe Vlerësimi i Konformitetit – Rreziku, Rezilienca dhe Vazhdimësia e Biznesit”, i moderuar nga Prof. Dr. Fisnik Laha, mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, akademisë dhe sektorit privat. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e standardeve ndërkombëtare, besueshmërisë së matjeve, inovacionit, qeverisjes së inteligjencës artificiale dhe ndërtimit të organizatave rezistente ndaj sfidave të së ardhmes.

Gjatë sesionit, ekspertët prezantuan temat e tyre përmes këtyre kontributeve:

Irfan Lipovica, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës (DAK) – “Akreditimi si infrastrukturë e besimit: Nga kompetenca te njohja ndërkombëtare”.


Blerim Halabaku, menaxher i cilësisë në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës – “Roli i menaxherit të cilësisë në sigurimin e saktësisë, besueshmërisë dhe gjurmueshmërisë së rezultateve të matjeve”.

Prof. Maroš Finka, Universiteti Comenius në Bratislavë – “Modeli i katërfishtë i bashkëpunimit në ekosistemet e inovacionit: Rasti i Grupimit të Inovacionit për Transformim të Mençur në Sllovaki”.

Carlos Da Silva, ekspert kryesor në sistemet e integruara të menaxhimit, rrezikut dhe qeverisjes së inteligjencës artificiale – “Menaxhimi i integruar i biznesit dhe besimi në epokën e inteligjencës artificiale”.

Constantin Brescan, koordinator për sigurimin e cilësisë dhe auditimet e zinxhirit të furnizimit në Fusion for Energy – “Auditimet e cilësisë në zinxhirin e furnizimit – Fusion for Energy”.

Dr. Ömer Özkan, fitues i EQL 2025 – “Nga pajtueshmëria te besimi: E ardhmja e menaxhimit të cilësisë në epokën e inteligjencës artificiale”.

Luc Marivoet, menaxher i QHSE-së dhe partner në Pauwels Consulting – “Auditori i fuqizuar nga teknologjia: Si e forcon inteligjenca artificiale besimin, reziliencën dhe cilësinë përmes auditimit me në qendër njeriun”.

Merita Gjyshinca Peja, drejtoreshë financiare në Raiffeisen Bank Kosovo – “Rezilienca dhe vazhdimësia e biznesit në sisteme komplekse dhe të digjitalizuara”.

Genond Mesareja, kryetar i Bordit të Këshillit të Investitorëve Evropianë (EIC) – “Ndërtimi i organizatave rezistente: Udhëheqja, menaxhimi i rrezikut dhe vazhdimësia e biznesit në kohë ndryshimesh”.

Prof. Dr. Fisnik Laha, drejtues i laboratorëve të akredituar – “Matjet, besueshmëria dhe cilësia në sistemet shëndetësore dhe laboratorike”.

Përmes këtyre tematikave, sesioni theksoi rëndësinë e integrimit të standardeve të cilësisë me inovacionin teknologjik, menaxhimin e rrezikut dhe udhëheqjen efektive. Diskutimet nënvizuan gjithashtu rolin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, akademisë dhe sektorit privat në forcimin e besimit, rritjen e qëndrueshmërisë organizative dhe përgatitjen për sfidat e transformimit digjital.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Inovacioni në mjekësi: UBT sjell ekspertët botërorë në sesionin kyç të Kongresit të 67-të të EOQ-së

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), një vëmendje e jashtëzakonshme iu kushtua sesionit mbi shëndetin dhe performancën, i cili shërbeu si një platformë kyçe për të adresuar sfidat globale, rritjen e rezistencës së sistemeve shëndetësore dhe ngritjen e standardeve të cilësisë përmes inovacionit.

Ky sesion i rëndësishëm, i mbështetur dhe promovuar fuqishëm nga UBT, u moderua nga Prof. Dr. Milaim Berisha, duke mbledhur ekspertë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë për të sjellë qasje të avancuara në fushën e mjekësisë dhe mirëqenies njerëzore.

Punimet e këtij sesioni u hapën nga Dr. Ardita Baraku, Drejtore Nacionale e Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, e cila theksoi rëndësinë e shëndetit publik, parandalimit efikas dhe nevojës parësore për ndërtimin e sistemeve shëndetësore rezistente ndaj sfidave të kohës.

Diskutimet vazhduan me kontributin e Prof. Dr. Norbert Bacht nga Universiteti i Vjenës, i cili u ndal tek aplikimi i teknologjive moderne, duke shpjeguar rolin kyç të inteligjencës artificiale në arritjen e një parandalimi sa më të saktë dhe funksional në mjekësi.

Në fokus të sesionit u sollën gjithashtu dimensionet e specializuara të performancës fizike dhe menaxhimit global. Prof. Dr. Milaim Berisha prezantoi standardet ndërkombëtare për mjekësinë sportive, duke vënë në pah ekselencën e kërkuar për shëndetin dhe performancën e atletëve.

Ky vizion u plotësua nga fjalimi kryesor i Ms. Fatema Z. Sumar nga Qendra e Harvardit për Zhvillim Ndërkombëtar, e cila e lidhi drejtpërdrejt forcimin e institucioneve të cilësisë me zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e qëndrueshëm shoqëror.


Pjesa e dytë e sesionit solli praktika të avancuara nga Azia, ku Assoc. Prof. Dr. Ryoko Shimono nga Universiteti Waseda prezantoi indikatorët gjithëpërfshirës të vlerësimit TQM në kujdesin shëndetësor, duke vizualizuar lidhjen mes qëllimeve dhe aktiviteteve të menaxhimit të cilësisë.

Ndërsa Dr. Shogo Kato nga Universiteti i Tokios shpalosi zhvillimin e një sistemi algoritmik për të ndihmuar në rehabilitimin e pacientëve pas goditjeve në tru në spitalet e rikuperimit, duke dëshmuar ndikimin e drejtpërdrejtë të inovacionit teknik në shërimin dhe përmirësimin e jetës së pacientëve.

Continue Reading

Lajmet

Inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital në fokus të Kongresit të 67-të të EOQ-së në UBT

Published

on

By

Inteligjenca artificiale, transformimi digjital, zhvillimi i qyteteve të qëndrueshme dhe cilësia e shoqërisë ishin në fokus të diskutimeve të ekspertëve ndërkombëtarë gjatë sesionit të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (European Organization for Quality – EOQ), që po mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së. Sesioni u udhëhoq nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.

Sesioni beri bashkë përfaqësues të industrisë, ekspertë të cilësisë dhe figura me përvojë në qeverisjen lokale, të cilët ndanë perspektivat e tyre mbi ndikimin e teknologjisë, inovacionit dhe qëndrueshmërisë në zhvillimin e standardeve të cilësisë dhe në transformimin e shoqërisë.

Dr. Daniel Prell nga Siemens Healthineers, në prezantimin me temë “AI, Digital Transformation and Quality in Highly Regulated Industries”, trajtoi rëndësinë e inteligjencës artificiale dhe transformimit digjital në industritë me kërkesa të larta rregullatore. Diskutimi vuri në pah rolin e cilësisë, sigurisë dhe besueshmërisë në integrimin e teknologjive të reja, veçanërisht në sektorët ku saktësia dhe përmbushja e standardeve janë thelbësore.

Ndërkaq, Ricardo Rio, përfaqësues i GeSI dhe ish-kryetar i Bashkisë së Bragës, prezantoi temën “Quality, Digitalization and Sustainable Cities: From Local Leadership to Global Impact”, duke trajtuar ndërlidhjen ndërmjet cilësisë, digjitalizimit dhe zhvillimit të qyteteve të qëndrueshme. Ai solli në vëmendje rëndësinë e lidershipit lokal dhe të zgjidhjeve digjitale në përmirësimin e qeverisjes dhe krijimin e ndikimit pozitiv në nivel global.

Një perspektivë afatgjatë mbi zhvillimin e cilësisë u prezantua nga akademiku Juhani Anttila, përfaqësues i International Academy for Quality (IAQ) dhe Venture Knowledgist në Quality Integration. Përmes prezantimit “A Long-Term Research Program on the Quality of Society”, ai trajtoi cilësinë si një koncept që shtrihet përtej proceseve organizative dhe institucionale, duke e lidhur atë me zhvillimin afatgjatë të shoqërisë dhe me nevojën për qasje sistematike në kërkim, vendimmarrje dhe përmirësim të vazhdueshëm.

Në vazhdim të sesionit, biseda plenare “What Will Quality Mean in 2030?” vuri në qendër të debatit të ardhmen e konceptit të cilësisë dhe mënyrën se si inteligjenca artificiale, inovacioni, qëndrueshmëria dhe besimi do të ndikojnë në standardet dhe praktikat e saj gjatë viteve të ardhshme.

Diskutimet theksuan se cilësia në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar kërkon integrimin e teknologjisë me përgjegjësinë, sigurinë, transparencën dhe orientimin drejt nevojave të shoqërisë. Shkëmbimi i përvojave ndërkombëtare krijoi një hapësirë të rëndësishme për reflektim mbi sfidat aktuale dhe mundësitë që ofron transformimi digjital për industrinë, institucionet dhe komunitetet.

Continue Reading

Të kërkuara