Lajmet

Avokati i Thaçit: Prokuroria po vonon nisjen e procesit gjyqësor, të refuzohen dokumentet serbe

Ai vlerëson se Zyra e Prokurorit të Specializuar dokumentet i merr nga Serbia.

Published

on

Fillimi i procesit gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve po vonohet për shkak të prokurorisë e cila nuk po i ofron mbrojtjes të gjitha provat shfajësuese, thotë avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe. Ai vlerëson se gjykata duhet t’i refuzojë dokumentet që Zyra e Prokurorit të Specializuar i merr nga Serbia, derisa thekson se e kjo e fundit ka qenë historikisht e përfshirë në fabrikimin e dëshmive dhe dëshmitareve.

Në një intervistë, avokati Kehoe flet për stërzgjatjen e procesit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sipas tij qëllimin e prokurorisë që ky gjykim të zgjasë më shumë se ai i Millosheviqit.

Ai thotë se aktakuza është kundër UÇK-së dhe prokuroria po përpiqet ta dokumentojë atë si një organizatë sekrete.

Kehoe fton bashkësinë ndërkombëtare që të kthejnë sytë nga Gjykata Speciale dhe siç thotë ai të shohin se çka po ndodh aty.

Ai gjithashtu konsideron se duhet të ketë vëmendje më të madhe të institucioneve dhe shoqërisë kosovare për proceset në Gjykatë Speciale.

Intervista e plotë:

KP: Qytetarët e Kosovës nuk po e kanë të qartë pse procesi gjyqësor kundër krerëve të UÇK-së ende nuk po fillon?

Gregory Kehoe: Procesi nuk po fillon sepse Prokurori nuk ka qenë i gatshëm ta fillojë atë. Nëse ju kujtohet, në nëntor të vitit 2020, Prokurori pat thënë se është i gatshëm të fillojë gjyqin për gjashtë muaj. Kjo ndodhi para gati dy viteve që kur ai e bëri këtë koment, dhe akoma nuk është i gatshëm. Ata nuk kanë bërë gjithçka që duhet të bëjnë, sipas rregullave, prandaj është vonuar.

KP: A është mbrojtja gati që të shkojë në proces gjyqësor?

Gregory Kehoe: Ne jemi të gatshëm t’ia fillojmë procesit porsa ata të na ofrojnë atë çka na takon ta kemi: Ata do të duhej të na ofronin të gjitha provat që do të prodhonin, të gjitha provat shfajësuese, por kjo nuk ka ndodhur.

KP: Është thënë se gjyqi kundër krerëve të UÇK-së mund të zgjasë më shumë sesa gjyqi kundër Millosheviqit. Pse?

Gregory Kehoe: Kjo është një pyetje shumë e mirë. Nuk mendoj se kjo është një pyetje që dikush nga ana e Mbrojtjes mund t’i përgjigjet. Nuk duhet të jetë një gjyq që zgjat më shumë se gjyqi i Millosheviqit, por kjo është ajo që prokurori do të përpiqet të bëjë. Kjo nënkupton, sipas meje, se ata do të shqyrtojnë çdo incident që ka ndodhur në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999 dhe sipas një teorie të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, t’i fajësojnë këta katër persona.

KP: Pse prokuroria po fsheh dokumentet shfajësuese, listën e dëshmitarëve, po redakton materiale. A është kjo një strategji për të zvarritur procesin gjyqësor?

Gregory Kehoe: Ata po thonë se po e bëjnë këtë për hir të sigurisë së dëshmitarëve. Ky është argumenti që ata po e përdorin. Megjithatë, duhet të ketë llogaridhënie, t’i thuhet Mbrojtjes se çka do të thonë këta dëshmitarë dhe kush janë këta dëshmitarë. Kjo është ajo çfarë kërkova sot (të enjten) në gjykatë. Kjo është kyçe. Gjykata thotë se duhet bërë marrëveshje bazuar në ligj, por ne nuk mund të bëjmë marrëveshje pa i pasur këto prova.

KP: Prokurori në seancën e së enjtes krahasoi krerët e UÇK-së me kriminelët serbë. A mund të bëhet një krahasim i tillë?

Gregory Kehoe: Nuk ka krahasim! Ata po mundohen të dokumentojnë se UÇK-ja ishte një organizatë sekrete. Nuk ishte organizatë sekrete, ishte organizatë e cila luftoi për çlirimin e shqiptarëve të Kosovës. Ashtu është dhe ashtu gjithmonë ishte. Megjithatë, nëse e sheh aktakuzën, dhe nëse shikoni se çfarë kanë paraqitur, ata synojnë të thonë se UÇK-ja ishte një organizatë e përfshirë në aktivitete kriminale, e në fakt për çfarë ajo luftoi ishte çlirimi i shqiptarëve të Kosovës.

KP: Përveç luftës juridike, a duhet Kosova me qenë proaktive edhe në diplomaci?

Gregory Kehoe: Në fund, duhet të fitosh në gjyq. Duhet ta prezantosh rastin në gjykatë – aty ku fitohet ose humbet. Ftoj të gjitha palët nga bashkësia ndërkombëtare të shikojnë se çka po ndodh në këtë gjykatë, dhe të pyesin veten nëse është e drejtë apo jo. Klienti im dhe tre të tjerët janë nën arrest që nga nëntori i vitit 2020, duke u thënë se gjykimi do të fillojë në gjashtë muaj. Kanë kaluar gati dy vjet tashmë dhe me gjasë nuk do të kemi një gjykim në një të ardhme të afërt. Ftoj këdo të shohë se si po sillet kjo gjykatë dhe të pyetet nëse kjo është e drejtë apo jo.

KP: A duhet Gjykata t’i refuzojë dokumentet që vijnë nga Serbia?

Gregory Kehoe: Besoj që po! Qartazi, dokumentet e marra nga Serbia janë të diskutueshme. Çështja se Serbia ka qenë historikisht e përfshirë në fabrikimin e dëshmive dhe të dëshmitarëve, prandaj argumentet që ne i kemi ngritur janë se ne jemi të thirrur të dimë se prej nga vijnë këto dëshmi, dhe të pyesim kush i shkroi këto dokumente, kur janë shkruar ato, dhe si ju në Serbi patët kontroll në këto dokumente.

KP: Prokuroria ka thënë se UÇK-ja ishte një akter sekret dhe joshtetëror. A mund të merret si një aktakuzë kundër të gjithë UÇK-së?

Gregory Kehoe: Natyrisht se po! Kjo është bile ajo çka argumentova sot (të enjten) në gjyq. Është një aktakuzë kundër tërë UÇK-së. UÇK-ja ishte një forcë që po përpiqej të çlirojë dhe mbrojë shqiptarët e Kosovës nga ajo që po bënin forcat serbe. Kjo është ajo çka bënë ata. Dhe kjo është pikërisht ajo çka ZPS po dëshiron ta cilësojë si të keqe. Nuk ishte ashtu! Ishte një ushtri çlirimtare!

KP: Prokuroria ka thënë se viktimat kanë pritur për 20 vjet për të treguar historitë e tyre në gjykatë. Si e vlerësoni ju këtë?

Gregory Kehoe: Është një propozim pa përkrahje nga faktet. EULEX-i, UNMIK-u, ICTY dhe gjykatat lokale në Prishtinë janë vendet ku disa nga këta dëshmitarë kanë dhënë dëshmi shtatë herë në shtatë procedura të ndryshme. Disa nga këto viktima 4-5 herë. Pra, të thuash se ata kanë pritur për 20 vjet, nuk është absolutisht e vërtetë, është jo e saktë. Gjithashtu, nuk ishte pse ata pritën për këta 4 të akuzuarit 20 vjet. Nuk është faji i tyre pse ZPS dhe DHS iu deshën 20 vjet për të ardhur deri këtu. Por, këta po e paguajnë një çmim, dhe po mbahen në burg për dy vjet tashmë, një vend i cili për mua nuk është i drejtë që këta të qëndrojnë aty, dhe nuk mendoj se asnjë person me mendje objektive do të mendonte se është i drejtë.

KP: A duhet një vëmendje më e madhe e institucioneve, e shoqërisë kosovare për atë çfarë po ndodh këtu në Hagë?

Gregory Kehoe: Absolutisht, sepse ky është një proces i Kosovës, dhe populli i Kosovës dëshiron të jetë i sigurt që ky proces të jetë i drejtë. Kjo gjykatë është në Hagë, megjithatë është gjykatë e Kosovës. A dëshiron populli i Kosovës një gjykatë jo të drejtë dhe jo transparente, dhe me gjasë të padrejtë? Sigurisht që jo! Prandaj, a duhet ata të interesohen të dinë se çfarë po ngjet këtu dhe si po shkojnë gjërat në këtë gjykatë? Natyrisht se po!

Vendi

Caktohet seanca për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar për sot mbajtjen e seancës dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Albert Sylajt, i cili dyshohet për vrasjen e ish-kunatës së tij, Arlinda Zekaj.

I dyshuari Sylaj u arrestua mbrëmjen e së martës në Deçan, pas kërkimeve nga Policia e Kosovës.

Ai akuzohet se e ka privuar nga jeta me sëpatë 49-vjeçaren Arlinda Zekaj. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nis protesta kombëtare në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në Prishtinë për protestën kombëtare të thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në shenjë revolte dhe ndërgjegjësimi pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Pjesëmarrësit po bashkohen për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet, si dhe për të ngritur zërin kundër dhunës ndaj grave dhe femicideve.

Organizatorët dhe qytetarët pritet të marshojnë në rrugët kryesore të kryeqytetit me thirrjet për mbrojtjen e jetës së grave dhe ndëshkimin maksimal të kryerësve të veprave të tilla.

Continue Reading

Vendi

Ndalohen punimet në gjashtë ndërtime për shkak të pasigurisë

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Punës ka pezulluar punimet në gjashtë objekte ndërtimi në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Gjilan, Skenderaj dhe Ferizaj, pasi gjatë inspektimeve në terren ka konstatuar parregullsi serioze sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë.

Sipas njoftimit zyrtar, ndalimi i punimeve do të mbetet në fuqi deri në eliminimin e të gjitha parregullsive dhe përmbushjen e plotë të kërkesave ligjore. Inspektorati u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të zbatojnë me përpikëri masat mbrojtëse, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës e shëndetit të punëtorëve.

Continue Reading

Lajmet

Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore në Serbi, kërkon trajtimin e çështjes së shqiptarëve

Published

on

By

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me Listën Studentore pas zgjedhjeve parlamentare, duke theksuar se një bashkëpunim i tillë duhet të mbështetet në dialog serioz dhe në përmbushjen e kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Kamberi ka deklaruar se shqiptarët nuk synojnë të marrin poste vetëm për të krijuar përshtypjen e përfshirjes në institucione, por kërkojnë zgjidhje konkrete për problemet me të cilat përballen.

Sipas tij, prioritet mbetet zbatimi i Planit 7-pikësh, si dhe adresimi i çështjeve urgjente, përfshirë pasivizimin e adresave, përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe të drejtat në arsim.

“Mesazhi im për ta do të ishte i thjeshtë: nëse synoni një Serbi demokratike, të përgjegjshme dhe me marrëdhënie më të mira rajonale, atëherë përfshijeni edhe çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në vizionin tuaj për ndryshim”, ka deklaruar Kamberi.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se Serbia duhet ta trajtojë Kosovën si partnere të barabartë dhe të ndërtojë marrëdhënie mbi bazën e dialogut dhe respektit të ndërsjellë.

Sipas raportimeve për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, Lista Studentore ka siguruar shumicën, duke i dhënë fund pushtetit 12-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit. Megjithatë, përfaqësues të kësaj liste kanë deklaruar se në raport me Kosovën mbështesin Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj.

Ndërkohë, partitë shqiptare morën pjesë në zgjedhje përmes një liste të përbashkët, duke siguruar dy ulëse në Kuvendin e Serbisë pas një periudhe të gjatë.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara