Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim për të rrëzuar në tërësi mocionin e mbrojtjes lidhur me rrëzimin e disa fakteve materiale që kanë të bëjnë me akuzat në aktakuzë që lidhen me ngjarje që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës, në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues Charles Smith III.
Smith tha se ato janë fakte materiale që kanë të bëjë me akuzat dhe pikat në aktakuzë.
“Ajo çfarë kundërshton mbrojtja nuk është një akuzë, por është një pjesë e një akuze në formën e fakteve të materialeve të caktuara që përbëjnë akuzat apo pikat në aktakuzë”, tha ai.
Sipas gjyqtarit, Rregulla 130 është interpretuar në mënyrë të vazhdueshme që kërkon një rishikim të provave që kanë të bëjnë me secilën prej pikave të aktakuzës dhe jo me secilin fakt material apo pretendime materiale që përbëjnë akuzat apo pikat në aktakuzë.
“Trupi gjykues vëren që të gjitha incidentet përkatëse që gjithashtu janë akuza në kuadrin e krimeve kundër njerëzimit të cilat ndryshe nga krimet e luftës janë nuk marrin parasysh dhe nuk e kanë të rëndësishme ekzistencën e një konflikti të armatosur në kohën përkatëse. Për rrjedhojë, edhe në qoftë se do të konsideronte në themelësi dhe në qoftë se këto kundërshtime të mbrojtjes do të vlerësoheshin të suksesshme, mocioni i mbrojtjes nuk do të çonte në rrëzimin e asnjë prej pikave të aktakuzës”, tha Charles Smith III.
Andaj, Smith njoftoi se mocioni i mbrojtjes u rrëzua në tërësinë e vet, duke u bazuar në Rregullën 130.
“Trupi gjykues nuk është bindur që ka autoritet sipas Rregullës 130 për të rrëzuar pjesë të akuzave ose materiale që formojnë pjesë të aktakuzës në qoftë se për shkaqe kohore ose për shkaqe të tjera. Mbi këtë bazë, trupi gjykues e rrëzon mocionin e mbrojtjes sipas Rregullës 130 në tërësinë e vet”, tha ai.
Pas kësaj, Smith lëshoi edhe një urdhër gojor lidhur me një parashtrim me vonesë të listës së provave materiale të ZPS-së për disa faqe të përzgjedhura të një dokumenti që ZPS-ja e kishte dorëzuar përmes dëshmitarit 04826. Trupi gjykues autorizoi ZPS-në që të ndryshojë listën e provave për të përfshirë edhe disa faqe në këto prova materiale.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast./BetimipërDrejtësi