Lajmet

Automobilistika, zhvillimi i dronëve, robotika dhe space engineering, profesione të reja që mund t’i studiosh në UBT

Published

on

Automobilistika, automjetet elektrike, robotika, dronët, inteligjenca artificiale, prodhimi i mençur dhe teknologjitë hapësinore nuk janë më vetëm tema të së ardhmes. Në UBT, këto fusha po bëhen pjesë e një programi bashkëkohor të Inxhinierisë Mekanike, duke u ofruar të rinjve në Kosovë mundësinë të përgatiten për profesionet dhe industritë që po ndryshojnë botën.

Këtë perspektivë synon të sjellë programi Bachelor i Shkencave në Inxhinieri e Mekanike në UBT – një program që ndërthur bazat e forta të inxhinierisë me teknologjitë moderne dhe mundësitë e specializimit në fusha që po transformojnë industrinë globale.

Për herë të parë, automobilistika si një nga drejtimet e specializimit

Një nga elementet më tërheqëse për gjeneratën e re të studentëve është Inxhinieria e Automjeteve.

Në vend që automobilistika të shihet vetëm si mekanikë tradicionale, studentët njihen me zhvillimet e reja të industrisë së automjeteve dhe me teknologjitë që po ndryshojnë mënyrën se si projektohen, prodhohen dhe përdoren automjetet.

Përmes këtij koncentrimi, studentët mund të orientohen drejt fushave si:

  • Dinamika e Automjeteve;
  • Sistemet e Automjeteve;
  • Automjetet Hibride dhe Elektrike;
  • Mirëmbajtja dhe Diagnostifikimi i Automjeteve;
  • Siguria dhe Standardet e Transportit.

Kjo e bën automobilistikën një nga mundësitë më interesante për të rinjtë që e shohin veten në industrinë e automjeteve të gjeneratës së re – nga automjetet elektrike deri te sistemet inteligjente të transportit.

Nga ideja e një droni te Inxhinieria Aeronautike

Një tjetër drejtim që mund të tërheqë veçanërisht të rinjtë është Inxhinieria Aeronautike.

Studentët mund të eksplorojnë fusha si aerodinamika, dinamika e fluturimit, strukturat dhe materialet e avionëve, sistemet shtytëse dhe të fuqisë, mekanika e lodhjes dhe thyerjes, si dhe mjetet ajrore pa pilot – dronët.

Kjo do të thotë se një student me pasion për teknologjinë ajrore nuk duhet ta shohë më këtë fushë si diçka që i përket vetëm industrive të huaja.

Nga projektimi i një strukture fluturuese deri te zhvillimi i sistemeve për mjete ajrore pa pilot, aeronautika mund të bëhet pjesë e rrugëtimit të tij akademik në Kosovë.

Hapi tjetër: teknologjitë hapësinore dhe Space Engineering

Njohuritë në aerodinamikë, materiale, sisteme shtytëse, mekanikë, automatizim dhe mjete ajrore krijojnë bazë për t’u orientuar edhe drejt fushave të avancuara të Space Engineering dhe teknologjive të lidhura me eksplorimin dhe sistemet hapësinore.

Për një gjeneratë që është rritur me satelitët, misionet hapësinore, raketat e ripërdorshme dhe teknologjitë autonome, kjo përfaqëson një mundësi për ta parë inxhinierinë nga një këndvështrim krejt tjetër.

Nga projektimi i një komponenti mekanik deri te sistemet që duhet të funksionojnë në kushte ekstreme – inxhinieria hapësinore fillon me bazat e forta inxhinierike.

Robotë, inteligjencë artificiale dhe fabrika të mençura

Koncentrimi Prodhimi i Mençur i orienton studentët drejt teknologjive si:

  • Robotët industrialë;
  • Fabrikat e mençura dhe IoT në industri;
  • Inteligjenca Artificiale në sistemet e prodhimit;
  • Teknologjitë e prodhimit aditiv;
  • Mirëmbajtja parashikuese dhe monitorimi i gjendjes.

Studenti nuk përgatitet vetëm për të kuptuar se si funksionon një makinë, por edhe për të kuptuar se si makinat mund të komunikojnë, automatizohen dhe funksionojnë në sisteme të integruara.

Një nga komponentët më të rëndësishëm të programit është orientimi praktik.

Laboratorët ofrojnë mundësi për punë me sisteme të avancuara të prodhimit dhe automatizimit, duke përfshirë sisteme fleksibile të prodhimit, PLC, pneumatikë dhe elektropneumatikë, sensorë, sisteme matëse, motorë AC, robotikë dhe teknologji të tjera të përdorura në industri.

Studentët mund të mësojnë përmes projekteve, eksperimenteve, simulimeve, punës laboratorike dhe praktikës profesionale, duke e lidhur teorinë e fituar në auditor me problemet reale të industrisë.

Ky është një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën se si mund të përjetohet studimi i inxhinierisë:

  • më pak teori të shkëputur nga realiteti dhe më shumë mundësi për të projektuar, ndërtuar, testuar dhe përmirësuar.

Pesë rrugë, një profesion i së ardhmes

Programi u jep studentëve mundësinë që gjatë studimeve të orientohen në fusha të ndryshme të Inxhinierisë Mekanike:

Inxhinieri e Dizajnit dhe Prodhimit

Për ata që duan të projektojnë produkte, të punojnë me CAD/CAM, CNC, metoda të elementeve të fundme dhe teknologji moderne të prodhimit.

Termoenergjetikë dhe Energji e Ripërtëritshme

Për studentët që duan të merren me energjinë e së ardhmes, sistemet e ngrohjes, ventilimit, kondicionimit, efiçiencën energjetike dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Prodhimi i Mençur

Për ata që duan robotë, AI, IoT, automatizim dhe fabrika inteligjente.

Inxhinieria e Automjeteve

Për të apasionuarit pas automobilistikës, automjeteve elektrike dhe hibride, sistemeve të automjeteve dhe teknologjive të transportit.

Inxhinieria Aeronautike

Për ata që ëndërrojnë avionët, dronët, aerodinamikën dhe teknologjitë ajrore.

Programi Bachelor i Shkencave në Inxhinieri e Mekanike zhvillohet në nivelin NQF 6 dhe përfshin 180 ECTS, me një strukturë studimore që kombinon lëndët fundamentale të inxhinierisë me specializime të orientuara drejt industrisë.

Gjatë studimeve, studentët përballen me matematikë, fizikë, mekanikë, shkencën e materialeve, CAD/CAM, termodinamikë, inxhinieri elektrike dhe elektronike, prodhim, sisteme mekatronike, automatizim dhe menaxhim të projekteve – përpara se të thellohen në fushën e tyre të preferuar.

Kjo krijon një profil të gjerë profesional: inxhinier që kupton mekanikën, teknologjinë, prodhimin dhe sistemet moderne.

Industria po kërkon profesionistë që dinë të mendojnë përtej një disipline të vetme.

APLIKO TANI ONLINE!

Continue Reading

Lajmet

PDK kritikon Kurtin për pjesëmarrjen në ceremoninë e kadetëve të Shërbimit Korrektues

Published

on

Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për pjesëmarrjen në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të rinj të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ajo akuzoi Kurtin se po përdor institucionet e sigurisë për të krijuar, sipas saj, një imazh të normalitetit në kohën kur vendi po përballet me krizë politike dhe institucionale.

Kabashi-Ramaj tha se uniformat dhe institucionet e sigurisë nuk duhet të përdoren për qëllime politike, duke theksuar se ato janë institucione të Republikës së Kosovës dhe jo të një partie apo individi.

Ajo i bëri thirrje Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të kthehen në Kuvend dhe të mundësojnë konstituimin e tij.

Deputetja e PDK-së kritikoi gjithashtu mungesën e sigurimit shëndetësor dhe jetësor për pjesëtarët e sektorit të sigurisë, duke kërkuar më shumë mbështetje për policët dhe pjesëtarët e Shërbimit Korrektues.

Kabashi-Ramaj tha se respekti ndaj pjesëtarëve të uniformuar nuk duhet të matet me ceremoni e fotografi, por me kushtet dhe trajtimin që shteti ua ofron atyre./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Zjarri në Kroaci lë 40 të lënduar, shtatë persona në respirator

Published

on

Zjarri i madh që përfshiu Omishin dhe zonat përreth në Kroaci ka lënë 40 persona të lënduar, ndërsa 14 prej tyre janë hospitalizuar në Spitalin e Splitit.

Shtatë pacientë ndodhen në respirator, përfshirë gjashtë të rritur dhe një 17-vjeçar. Mjekët kanë bërë të ditur se i riu është në gjendje të rëndë, por aktualisht nuk është në rrezik për jetën.

Të lënduarit kanë pësuar kryesisht djegie, por janë raportuar edhe dëmtime nga thithja e tymit dhe trauma gjatë evakuimit. Te pacientët me djegie të rënda, sipërfaqja e trupit e prekur varion nga 15 deri në 60 për qind.

Autoritetet shëndetësore po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të disa pacientëve në spitale në Zagreb, por mjekët kanë theksuar se kjo do të bëhet vetëm nëse gjendja e tyre është stabile.

Në mesin e të lënduarve janë kryesisht shtetas kroatë, por edhe dy shtetas të huaj, një gjerman dhe një polak.

Ndërkohë, shërbimet mjekësore në Split janë përforcuar gjatë natës, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të ekspozuar ndaj tymit të mos krijojnë panik dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore në rast të simptomave serioze./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Një muaj paraburgim për Fehim Salin, i dyshuar për spiunazh

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji shtetasit të Kosovës, Fehim Sali, pas arrestimit të tij në pikën kufitare në Merdar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.

Vendimi erdhi pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, sipas së cilës i pandehuri i ka ofruar vazhdimisht informacione dhe ndihmë Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA) me qëllim përfitimin material.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, Sali i ka ofruar BIA-s të dhëna mbi situatën politike në Kosovë, ka fotografuar dhe identifikuar zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si dhe ka mbledhur informacione për persona që i përkasin sektit vehabi, duke i propozuar disa prej tyre si objektiva për rekrutim nga shërbimi serb.

Gjatë procesit hetimor, i dyshuari ka pranuar veprimet e tij:

“Dyshimi i bazuar mirë u vërtetua edhe nga deklarata e vet të pandehurit i cili në detaje përshkruan veprimet e tij inkriminuese, duke ofruar mënyrat dhe vendtakimet e komunikimit dhe ofrimit të informacioneve dhe ndihmën për BIA-n serbe”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria ka vlerësuar se masa e paraburgimit është e domosdoshme për të parandaluar rrezikun e arratisjes — marrë parasysh se i dyshuari posedon edhe shtetësi serbe — si dhe për të shmangur dëmtimin apo zhdukjen e provave.

Në kuadër të hetimeve, Policia e Kosovës ka kryer një bastisje në vendbanimin e të dyshuarit në Komunën e Dragashit. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 39,500 euro para të gatshme, 500 dinarë serbë dhe katër telefona celularë.

I dyshuari, i cili është i angazhuar në sistemin arsimor paralelm serb në Kosovë, më parë ka shërbyer si përfaqësues i komunitetit goran në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Presidencës së Kosovës për dy mandate (2020–2024). Nga ky post ai u shkarkua më 3 maj 2024, pas një raporti të konfidencial nga institucionet e sigurisë.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e spiunazhit dënohet me së paku pesë vjet burgim. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Kosova i ofron ndihmë ushtarake Shqipërisë dhe Malit të Zi për përballimin e zjarreve

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, ka shprehur gatishmërinë e plotë për t’u dalë në ndihmë Shqipërisë dhe Malit të Zi me kapacitetet ushtarake, në përballjen me zjarret masive që kanë përfshirë disa zona të këtyre dy vendeve fqinje.

Ministri Maqedonci njoftoi se u ka përcjellë homologëve të tij përkatës ofertën zyrtare për mbështetje përmes kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Në këto ditë sfiduese, kur Shqipëria dhe Mali i Zi po përballen me zjarre në zona të ndryshme të vendeve të tyre, u kam përcjellë homologëve të mi, ministrave të Mbrojtjes, gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës për të ofruar mbështetje me kapacitetet që kemi në dispozicion”, deklaroi Maqedonci.

Ministri theksoi se institucionet e Kosovës mbeten në pritje të vlerësimit të autoriteteve të Shqipërisë dhe Malit të Zi nëse kjo ndihmë do të jetë e nevojshme në terren.

“Kosova është e gatshme të kontribuojë në mbështetje të autoriteteve përkatëse, nëse një ndihmë e tillë vlerësohet e nevojshme. Në momente të tilla solidariteti dhe bashkëpunimi marrin një rëndësi të veçantë. Ministria e Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe institucionet tjera të Republikës mbeten të gatshme të ofrojnë mbështetje”, përfundoi ai.

Continue Reading

Të kërkuara