Lajmet

ATK nis kontrolle të shtuara në klinikat estetike, sallonet e bukurisë dhe qendrat e trajtimeve

Published

on

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se ka intensifikuar kontrollet dhe veprimet operative në sektorët që ofrojnë shërbime estetike, kozmetike, dermatologjike dhe stomatologjike.

Sipas ATK-së, kontrollet do të përfshijnë klinikat për ndërhyrje estetike, kirurgji estetike, klinikat stomatologjike, qendrat për trajtime të fytyrës dhe trupit, qendrat për mbjelljen e flokëve, sallonet e bukurisë, qendrat e mjekësisë estetike, dermatologjisë, spa dhe wellness, si dhe studiot për trajtime estetike dhe me laser.

ATK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve dhe klientëve që kanë marrë shërbime në këto biznese të bashkëpunojnë duke raportuar rastet e mundshme të moslëshimit të kuponëve fiskalë apo parregullsive të tjera tatimore.

Raportimet mund të bëhen përmes platformës DENONCO, si dhe përmes Qendrës së Thirrjeve të ATK-së në numrin 038 222 165.

Sipas institucionit, qëllimi i këtyre veprimeve është rritja e përmbushjes së detyrimeve tatimore, formalizimi i aktiviteteve ekonomike dhe krijimi i një konkurrence të barabartë ndërmjet bizneseve./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu takohet me komandantin e NATO-s në Napoli, diskutohet siguria në Kosovë dhe rajon

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim Admiralin George M. Wikoff, komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta në Napoli.

Haxhiu ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, si dhe për koordinimin me NATO-n.

“Sot pata kënaqësinë ta pres Admiralin George M. Wikoff, Komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta në Napoli. Biseduam për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, për bashkëpunimin e institucioneve tona me KFOR-in dhe për rëndësinë e koordinimit të rregullt me NATO-n”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka falënderuar admiralin Wikoff për angazhimin dhe shërbimin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës.

“E falënderova Admiralin Wikoff për angazhimin e tij, si dhe për shërbimin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Sipas Haxhiut, orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i pakthyeshëm, ndërsa anëtarësimi në NATO vazhdon të jetë synim strategjik i vendit.

“Theksova se orientimi euroatlantik i Kosovës është i pakthyeshëm dhe se anëtarësimi në NATO mbetet synimi ynë strategjik”, ka shkruar ushtruesja e detyrës së presidentes.

Ajo ka shtuar se Kosova do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin me Aleancën dhe të kontribuojë në sigurinë e rajonit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Shkrirja e akullit në Arktik rikthehet me ritme rekord, shkencëtarët japin alarmin

Published

on

Ngadalësimi i shkrirjes së akullit në Arktik gjatë dy dekadave të fundit ka përfunduar, sipas një studimi të ri që tregon se është regjistruar rënia më e madhe vjetore e akullit dimëror që nga fillimi i matjeve satelitore.

Studiuesit kanë zbuluar se periudha nga viti 2005 deri në vitin 2024, kur rënia e sipërfaqes së akullit nuk ishte statistikisht e ndjeshme, ishte vetëm një pauzë e përkohshme dhe jo ndryshim i trendit afatgjatë.

Sipas autorëve të studimit, ndryshimet natyrore në rrymat oqeanike kishin frenuar përkohësisht humbjen e akullit, duke balancuar efektet e ngrohjes globale. Por të dhënat më të fundit tregojnë se procesi i shkrirjes ka rifilluar.

Nga viti 2024 në vitin 2025, sipërfaqja e akullit detar në Arktik është tkurrur me 5.8 për qind, duke shënuar rënien më të madhe dimërore nga një vit në tjetrin që nga nisja e regjistrimeve satelitore.

Studiuesit theksojnë se akulli i Arktikut ka një rol të rëndësishëm në rregullimin e klimës, pasi vepron si një shtresë izoluese mes oqeanit të ngrohtë dhe atmosferës së ftohtë. Me zvogëlimin e tij, më shumë nxehtësi dhe lagështi kalojnë në atmosferë, duke ndikuar në motin dhe sistemet klimatike edhe shumë larg rajonit polar.

Sipas shkencëtarëve, sipërfaqja e akullit në shtator, kur arrin minimumin vjetor, është përgjysmuar që nga viti 1979.

Autorët e studimit paralajmërojnë se nivelet shumë të ulëta të akullit gjatë viteve të fundit janë një tjetër dëshmi se humbja e akullit në Arktik vazhdon në një planet që po ngrohet vazhdimisht./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rame Lahaj dhe yje ndërkombëtarë të operës performojnë nesër në Sheshin “Skënderbeu”

Published

on

Sheshi “Skënderbeu” do të mirëpresë nesër një mbrëmje të veçantë operistike, ku do të ngjiten në skenë sopranoja Vanessa Goikoetxea, mezzo-sopranoja Štěpánka Pučálková, bass-baritoni Luca Pisaroni dhe tenori kosovar Rame Lahaj.

Nën dirigjimin e maestros italian Giuseppe Finzi, artistët do të interpretojnë një program të përzgjedhur me disa nga kryeveprat më të dashura të repertorit operistik, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike e RTSH-së.

Koncerti Gala do të nisë në ora 20:30 në Sheshin “Skënderbeu” dhe do të përcjellë mesazhin se muzika është një gjuhë universale që bashkon njerëzit, frymëzon shpresë dhe promovon paqen e mirëkuptimin.

Aktiviteti organizohet në kuadër të festivalit, i cili këtë vit mbahet nën moton “Play Music, Not War”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Northern Echoes” sjell në Pejë një takim artistik mes Kosovës dhe Norvegjisë

Published

on

Kori Siparantum do të mirëpresë në Kosovë një nga ansamblet më të vlerësuara korale të Norvegjisë, Defrost Youth Choir, në kuadër të koncertit të përbashkët “Northern Echoes”, që do të mbahet më 30 korrik, duke filluar nga ora 20:30, në Kishën Katolike “Shën Katerina” në Pejë.

Koncerti do të bashkojë dy tradita të ndryshme muzikore në një mbrëmje artistike, ku estetika nordike do të ndërthuret me identitetin muzikor shqiptar.

Nën drejtimin e dirigjentit Thomas Caplin, Defrost Youth Choir njihet për interpretimet e rafinuara, qasjen inovative ndaj muzikës korale dhe sukseset në skenën ndërkombëtare.

Ndërkohë, Siparantum Choir, i drejtuar nga Memli Kelmendi, do të interpretojë vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe botërorë, duke vazhduar promovimin e kulturës muzikore të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Organizatorët e cilësojnë “Northern Echoes” si një takim kulturash dhe vizionesh artistike, që dëshmon fuqinë e muzikës për të lidhur popujt përtej kufijve. Të gjithë dashamirët e muzikës korale janë të ftuar të marrin pjesë në këtë mbrëmje të veçantë koncertale./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara