Lajmet

ASK: Rënie e qarkullimit në shërbime, por rriten punësimi dhe pagat në maj 2026

Published

on

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat afatshkurtra të shërbimeve për muajin maj 2026, duke paraqitur ndryshimet në qarkullim, punësim dhe fondin e pagave në këtë sektor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Sipas të dhënave të ASK-së, indeksi i qarkullimit në sektorët e shërbimeve gjatë muajit maj 2026 ka shënuar rënie prej 4,68 për qind krahasuar me majin e vitit 2025.

Rritje të qarkullimit janë regjistruar në aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 3,67 për qind, si dhe në veprimtaritë botuese, prodhimin audio-vizual, transmetimin, telekomunikimin, programimin kompjuterik dhe shërbimet e informacionit me 3,46 për qind.

Ndërkohë, rënie të qarkullimit janë evidentuar në sektorin e hoteleve me 1,55 për qind, në bar-restorante me 2,82 për qind, në transport dhe magazinim me 3,25 për qind, si dhe në veprimtaritë administrative dhe mbështetëse me 21,81 për qind.

Sa i përket punësimit, ASK ka bërë të ditur se numri i të punësuarve në sektorët e shërbimeve ka shënuar rritje prej 4,42 për qind në maj 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.

Rritje të punësimit janë regjistruar në të gjitha aktivitetet e përfshira në statistika. Rritjen më të madhe e ka shënuar sektori i bar-restoranteve me 5,84 për qind, i ndjekur nga aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 5,65 për qind, si dhe veprimtaritë botuese, prodhimi audio-vizual, transmetimi, telekomunikimi, programimi kompjuterik dhe shërbimet e informacionit me 4,63 për qind.

Rritje të numrit të të punësuarve janë regjistruar edhe në transport dhe magazinim me 2,86 për qind, në veprimtaritë administrative dhe mbështetëse me 2,80 për qind, si dhe në sektorin e hoteleve me 2,38 për qind.

Ndërkaq, fondi i pagave dhe mëditjeve në sektorët e shërbimeve ka shënuar rritje prej 16,43 për qind në maj 2026, krahasuar me majin e vitit paraprak.

Sipas ASK-së, rritjen më të madhe të fondit të pagave e ka shënuar sektori bar-restorante me 22,49 për qind, pasuar nga aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 16,42 për qind dhe aktivitetet administrative dhe mbështetëse me 16,29 për qind.

Rritje të fondit të pagave janë evidentuar edhe në sektorin e hoteleve me 15,21 për qind, në veprimtaritë botuese, prodhimin audio-vizual, transmetimin, telekomunikimin, programimin kompjuterik dhe shërbimet e informacionit me 14,80 për qind, si dhe në transport dhe magazinim me 13,30 për qind./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Trajtimi i kancerit të gjirit, temë bosht në Akademinë Verore të Fakultetit Shëndet Publik dhe Shkenca Mjekësore

Published

on

By

Nis Akademia Verore e Fakultetit Shëndet Publik dhe Shkenca Mjekësore në kuadër të Global UBT Fest 2026, me fokus në zhvillimet bashkëkohore në mjekësi

Akademia Verore e Fakultetit Shëndet Publik dhe Shkenca Mjekësore në kuadër të Global UBT Fest 2026 ka nisur punimet me një ceremoni hapëse të udhëhequr nga Prof. Dr. Fitim Alidema, Dekan i Fakultetit Shëndet Publik dhe Shkenca Mjekësore, i cili u uroi mirëseardhje studentëve, profesorëve, profesionistëve të shëndetësisë dhe pjesëmarrësve të interesuar për zhvillimet më të reja në fushën e mjekësisë dhe kujdesit shëndetësor.

Ceremonia dhe aktivitetet e ditës së parë krijuan një hapësirë të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive, përvojave profesionale dhe diskutimin e avancimeve shkencore në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve komplekse, me theks të veçantë në rolin e mjekësisë nukleare në menaxhimin e pacientëve me sëmundje onkologjike.

Në kuadër të programit të ditës së parë, Prof. Ismet Bajrami ligjëroi me temën 18FDG PET/CT në vlerësimin e kancerit të gjirit në Departamentin e Mjekësisë Nukleare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”. Ai trajtoi rëndësinë e përdorimit të metodave moderne të imazherisë mjekësore në diagnostikimin, stadifikimin dhe monitorimin e trajtimit të pacientëve me kancer të gjirit.

Po ashtu, Prof. Ismet Bajrami prezantoi temën “Nyjat limfatike sentinel me Tc99m Sn koloid në kancerin e gjirit: Metodë e re në Mjekësinë Nukleare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, duke u fokusuar në zhvillimet e reja teknologjike dhe rëndësinë e kësaj metode në vlerësimin më të saktë të përhapjes së sëmundjes dhe planifikimin e trajtimit.

Në sesionin vijues u trajtua tema “Skanimi i kockave në vlerësimin e metastazave te kanceri i gjirit”, ku u diskutua roli i diagnostikimit nuklear në identifikimin e ndryshimeve patologjike dhe në përmirësimin e menaxhimit klinik të pacientëve.

Gjatë ligjëratave u zhvilluan diskutime interaktive me pjesëmarrësit, të cilët patën mundësi të parashtrojnë pyetje, të ndajnë përvoja dhe të diskutojnë mbi sfidat aktuale të mjekësisë moderne, rëndësinë e inovacionit shkencor dhe përdorimin e teknologjive të avancuara në shërbim të shëndetit publik.

Akademia Verore e Fakultetit Shëndet Publik dhe Shkenca Mjekësore do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me ligjërata, diskutime profesionale dhe aktivitete edukative, duke ofruar një platformë të rëndësishme për zhvillimin akademik të studentëve, forcimin e njohurive profesionale dhe promovimin e kërkimit shkencor në fushën e shëndetësisë./E.S/

 

Continue Reading

Lajmet

Orkestra “Amadeus” përfaqëson Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar “Musica Orbis” në Pragë

Published

on

Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” do të përfaqësojë Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar “Musica Orbis Festivals 2026”, i cili mbahet në Pragë të Çekisë.

Lajmin e kanë bërë të ditur drejtuesit e orkestrës, duke njoftuar se kjo paraqitje vjen pas një sërë sukseseve dhe vlerësimeve të marra në gara të ndryshme ndërkombëtare.

Gjatë festivalit, Orkestra “Amadeus” do të marrë pjesë në koncertin e hapjes, koncertin gala, si dhe në garën ndërkombëtare të orkestrave, e cila konsiderohet një nga momentet më të rëndësishme të këtij aktiviteti.

Përveç performancave, anëtarët e orkestrës do të kenë mundësi të marrin pjesë edhe në masterklasa me dirigjentë dhe anëtarë të jurisë së festivalit.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet të shtunën, më 11 korrik 2026, në orën 19:30, në “National House of Vinohrady” në Pragë.

Sipas drejtuesve të orkestrës, pjesëmarrja në këtë festival është rezultat i muajve të tërë punë, disipline dhe përkushtimi të të rinjve që përmes muzikës do të prezantojnë Kosovën në skenën ndërkombëtare.

Orkestra “Amadeus” ka ftuar bashkatdhetarët që jetojnë në Pragë dhe zonat përreth që t’i bashkohen koncerteve të tyre dhe të mbështesin këtë paraqitje të rëndësishme./A.K/

Continue Reading

Lajmet

NATO do të investojë 40 miliardë dollarë në mbrojtjen kundër dronëve

Published

on

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka njoftuar se vendet anëtare të aleancës do të investojnë më shumë se 40 miliardë dollarë në zhvillimin e kapaciteteve kundër dronëve gjatë pesë viteve të ardhshme.

Deklarata e Ruttes u bë në Forumin e Industrisë së Mbrojtjes të NATO-s në Ankara, ku ai prezantoi disa nga prioritetet e reja të aleancës në fushën e sigurisë.

Investimi vjen në një kohë kur lufta me dronë është shndërruar në një nga elementët kryesorë të konfliktit në Ukrainë. Rusia dhe Ukraina po përdorin qindra dronë çdo ditë në sulme ndaj njëra-tjetrës.

Forca Ajrore e Ukrainës ka bërë të ditur se 351 dronë rusë u drejtuan ndaj territorit ukrainas të dielën në mbrëmje, ndërsa zyrtarët rusë raportuan se më shumë se 430 dronë ukrainas u lëshuan drejt rajonit të Moskës gjatë natës.

Ndërkohë, vendet e NATO-s janë përballur edhe me raste të ndërhyrjeve të dronëve rusë në hapësirën e tyre ajrore gjatë luftës.

Muajin e kaluar, avionë luftarakë nga misioni i policimit ajror të NATO-s në Baltik rrëzuan një dron mbi Letoni, i cili sipas aleancës ishte rezultat i luftës elektronike ruse./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Shpërthime në Damask, Macron i sigurt gjatë vizitës në Siri

Published

on

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është i sigurt pas raportimeve për shpërthime në qendër të Damaskut të martën në mëngjes, ka njoftuar Pallati Elysee.

Macron ndodhet në kryeqytetin sirian për një takim me homologun e tij sirian, Ahmed al-Sharaa, në pallatin presidencial. Sipas një burimi të sigurisë për BBC, shpërthimet janë shkaktuar nga dy mjete shpërthyese, ndërsa disa persona kanë mbetur të plagosur.

Pallati Elysee ka bërë të ditur se vizita e Macronit në Siri po vazhdon sipas planit. Pas përfundimit të saj, presidenti francez pritet të udhëtojë drejt Turqisë për të marrë pjesë në samitin e NATO-s.

Pas shpërthimeve, në rrjetet sociale janë publikuar pamje të tymit dhe flakëve që ngriheshin nga një automjet pranë një hoteli në kryeqytetin sirian.

Televizioni shtetëror sirian raportoi se, në kohën kur u publikuan lajmet për shpërthimet, presidenti sirian Ahmed al-Sharaa kishte pritur Macronin në pallatin presidencial.

Ekipi i BBC-së, duke analizuar pamjet e publikuara, ka vlerësuar se shpërthimet ndodhën rreth 125 metra larg hotelit “Four Seasons”, në trotuarin e rrugës Shoukry al-Quowatly, një nga akset kryesore të Damaskut.

Sipas zyrtarëve francezë, Macron nuk ka dëgjuar asnjë shpërthim gjatë rrugës për në takimin me presidentin sirian./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara