Kur trazirat e mëdha shpërthyen më herët gjatë këtij muaji në Kazakistan, në Azinë Qendrore, shumë analistë vlerësuan se këto trazira erdhën si pasojë e konflikteve midis mbështetësve të presidentit kazak, Qasym-Zhomart Toqaev dhe paraardhësit të tij, 81-vjeçarit Nursultan Nazarbaev.
Një hulumtim i kryer nga Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë dhe Current Time – një rrjet në gjuhën ruse që udhëhiqet nga Radio Evropa e Lirë në bashkëpunim me Zërin e Amerikës – mbi asetet ruse të familjes së Toqaevit, ka nxjerr në pah se dikur janë ndërthurur interesat e biznesit të presidentit aktual të Kazakistanit dhe ish-presidentit të këtij shteti.
Një bashkëshorte misterioze dhe një divorc i shpejtë
Sipas ueb-faqes së Presidencës së Kazakistanit, Toqaev është i divorcuar dhe ka një djalë të quajtur Timur. Kur Toqaev u bë ushtrues i detyrës së presidentit më 2019, mediat kazake vunë në dukje se ai mbante një unazë martese, por unaza u zhduk nga gishti i tij brenda pak ditësh. Përafërsisht në të njëjtën kohë, mediat lokale thanë se bashkëshortja e presidentit në detyrë ishte qytetarja ruse Nadezhda Tokayeva. Sipas të dhënave publike, Tokayeva më 2005 ishte regjistruar në Moskë si një “sipërmarrëse private”, aktiviteti kryesor i së cilës ishte dhënia me qira e pasurive të paluajtshme.
Ky regjistrim ishte valid deri më 2009, por me një kërkim në ueb-faqen e Ministrisë së Jashtme ruse, numri i pasaportës që lidhet me Tokayevan është ende aktiv.
Më 2020 u raportua se në vitin 2011, Tokayeva ishte në listën e presidenteve të nderit të Shoqatës së Grave të Kombeve të Bashkuara. Në atë kohë, Toqaev kishte qenë Zëvendëssekretar i Përgjithshëm i OKB-së dhe kreu i përfaqësimit të kësaj organizate në Gjenevë.
Nursultan Nazarbaev (majtas) më 2019 zgjodhi Qasym-Zhomart Toqaev në postin e presidentit të Kazakistanit.
Mediat kazake kanë spekuluar se Toqaev u divorcua me nxitim pasi u bë ushtrues i detyrës së presidentit, për shkak se bashkëshortja e tij kishte shtetësi ruse. Djali i Toqaevit, Timur u lind në vitin 1985 dhe si duket ai nuk ka pasur asnjëherë nënshtetësi ruse.
Në dhjetor të vitit 2021, Fondacioni Kundër Korrupsionit i liderit opozitar rus, Aleksei Navalny publikoi njëraport që tregonte se autoritetet ruse kishin hequr emrat e shumë rusëve të fuqishëm nga data-bazat për pronat, duke i zëvendësuar këta emra me fjalët “Federata Ruse”. Ai raport theksonte se të dhënat e paredaktuara tregonin se edhe Nadezhda dhe Timuri ishin të regjistruar si pronarë të apartamenteve të mëdha në Moskë. Në data-bazën e redaktuar, pronësia e këtyre apartamenteve është e regjistruar nën fjalët “Federata Ruse”.
Hulumtimi i bërë nga REL-i dhe Current Time ka zbuluar se emërimi “Federata Ruse” fsheh pronësinë e disa pronave jashtë Moskës që më herët ishin të listuara në pronësi të Nadezhda Tokayevas. Një prej këtyre pronave është një shtëpi në një vendbanim prestigjioz në Abramtsevo, që u ble më 2008 nga familja e gazetarit nga Moska, Yevgeny Lavut dhe nga filmbërësja Yevgenia Gindilisa. Lavut i tha REL-it se gjatë asaj blerjeje, Tokayeva ishte ankuar se e kishte vështirë që ta ngrohte shtëpinë dhe se kishte plane që të transferohej në Krime.
Një djalë çuditërisht i suksesshëm
Hulumtimi i REL-it po ashtu zbuloi informacione lidhur me djalin e Toqaevit, Timurin. Sipas njëraporti vjetor të vitit 2016 të kompanisë për zhvillimin e pasurive të paluajtshme Mayak, Timur Toqaev ishte anëtar i bordit të drejtorëve të kësaj kompanie. Kjo kompani më së shumti njihet për ndërtimin e kompleksit luksoz rezidencial Mayak, që gjendet në Khimki, në periferi të Moskës. Projekti për ndërtimin e këtij kompleksi zemëroi banorët lokalë, të cilët u njoftuan për këtë projekt më 2014, pasi i njëjti u ndërtua pranë një stadiumi futbolli, që është i qasshëm për publikun.
Në raportin vjetor të Mayak përfshihen edhe informacione që nuk janë raportuar më parë lidhur me Timur Toqaev. Aty thuhet se ai ka studiuar në College du Leman dhe Universitetin Webster në Zvicër si dhe ka diplomë për shkenca politike nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Jashtme ruse.
Disertacioni i tij në vitin 2009 për Akademinë Diplomatike titullohet: Strategjia e Republikës së Kazakistanit në marrëdhëniet me Perëndimin: Interesat kombëtare, prioritetet, drejtimet. Në këtë dokument prej 125 faqesh, Nazarbaev përmendet 112 herë.
“Rusia është aleatja e vetme e Kazakistanit”, thuhet në disertacion.
Sipas raportit të vitit 2016 të Mayak, kompania kishte 514 milionë rubla (7 milionë dollarë) në asete. Radio Evropa e Lirë dhe Current Time nuk kanë arritur të gjejnë raporte më të reja dhe nuk është e qartë nëse Timur Toqaev është ende i lidhur me këtë kompani. Megjithatë, raporti i vitit 2016 jep të dhëna shtesë për lidhjet e biznesit të Toqaevit, përfshirë edhe lidhjet e tij me figurat që shpesh lidhen me Nazarbaevin.
Dy klane kazake
Timur Toqaev figuron edheanëtar i bordit të Fondacionit Bamirës Kemel Toqaev. Ky fondacion është emëruar për nder të babait të presidentit kazak Toqaev. Data-baza e bizneseve SPARK-Interfax po ashtu tha se Toqaev është bashkëpronar i dy kompanive të vogla të përfshira në analizat gjeologjike dhe teknike.
E njëjta data-bazë e ka listuar Timur Toqaevin edhe si bashkëpronar të firmës Salish, që më herët njihej me emrin Abi Petroleum Kepital. Kjo kompani së fundmi është shpërbërë. Sipas mediave kazake, Toqaev po ashtu ishte listuar si bashkëpronar kur kjo kompani ishte krijuar në vitin 2002. Atëbotë, Toqaev ishte vetëm 18 vjeç. Pak kohë pas themelimit, kjo firmë fitoi të drejtat për të zhvilluar fushën e naftës Gryadovoye në rajonin Atyrau.
Në atë kohë, Qasym-Zhomart Toqaev ishte larguar nga posti i kryeministrit dhe ishte emëruar ministër i Jashtëm. Bashkëpronar në Abi Petroleum Kepital ishte edhe Mukhamed Izbastin, djali i diplomatit kazak Temirtai Izbastin, që është burri i motrës së Qasym-Zhomart Toqaev.
Më 2005, Abi Petroleum Kepital urdhëroi kryerjen e studimeve gjeologjike për fushën e naftës Gryadovoye nga një kompani e quajtur Kazakhstankaspiishelf, që ishte në gjysmë-pronësi të Sat & Company. Sat & Company u themelua nga Kenges Rakishev, një prej biznesmenëve më me ndikim në Kazakistan, i cili nga mediat është quajtur “bankieri i Nazarbaevit”.
Biznesmeni kazak, Kenges Rakishev.
Më 2012, Abi Petroleum Kepital kishte raportuar për 50 milionë dollarë fitim, por dy vjet më vonë raportoi se po operonte me humbje dhe më 2020 kjo kompani u mbyll.
Sat & Company, megjithatë, është e lidhur me firmën në Moskë, Mayak që më 2016 e listoi Timur Toqaevin si anëtar të bordit. Shefi ekzekutiv i kompanisë Mayak është Makhmudzhon Ermatov, që ka në bashkëpronësi dhe udhëheq dhjetëra kompani, kompani të cilat janë të regjistruara në të njëjtën adresë në Moskë. Që të gjitha kompanitë e kanë fjalën “Sat” në emrin e tyre, dhe shumica e tyre kanë kryesisht hisedarë të njëjtë. Një prej këtyre kompanive, Sat Oil është e listuar si “partner” në ueb-faqen e kompanisë Mayak. Mediat kanë raportuar se këto kompani janë të kontrolluara direkt dhe indirekt nga Rakishev, biznesi kryesor i të cilit në Kazakistan ishte Sat & Company, kompani që në vitin 2018 u riemërua në Fincraft Resources.
Pronari kryesor i kompanisë Mayak është një kompani e regjistruar në Holandë e quajtur Dostyk Investments B.V, që kontrollohet nga oligarku kazak, Timur Kulibaev. Kulibaev është burri i vajzës së Nazarbaevit, Dinara dhe gjatë epokës së Nazarbaevit konsiderohej si “biznesmeni më me ndikim” në Kazakistan.
Më 2018, Scanner Project publikoi njëraport që thoshte se Timur Toqaev ishte pronar i një apartamenti në kompleksin Chemin Gilbert-Trolliet në Gjenevë. Në po të njëjtin kompleks, pronar i një apartamenti ishte Semyon Vinokurov, dhëndëri i ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Ueb-faqja kazake, Kz.expert tha më 2019 se vlera e rezidencës së Toqaevit në Gjenevë ishte 2 milionë dollarë.
Duke theksuar se vajza e Nazarbaevit, Dinara kishte një vilë masive në periferi të qytetit zviceran, Kz.expert shkroi: “Ky qytet… është bërë një ‘shtëpi’ si për familjen e presidentit të parë, Nursultan Nazarbaev dhe për familjen e presidentit të dytë” Qasym-Zhomart Toqaev.
Që prej raportit të vitit 2016 të Mayak, nuk ka pasur asnjë lajm publik për interesat ruse të Timur Toqaevit. Më 2019, u raportua se ai e ka ndryshuar emrin në “Kemel”, ndoshta në nder të gjyshit të tij. Në data-bazat e bizneseve ruse, pas vitit 2016 nuk mund të gjendet emri “Timur Kemel” apo “Timur Toqaev”.RFE
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bëri me dije se qeveria e ka në plan përdorimin e gazit të lëngshëm amerikan.
Veçse tha se kjo synohet të bëhet përmes portit detar, e jo me gazsjellës.
“Dhe po shqyrtojmë mundësinë për të përdorur gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës”, tha ai, gjatë ceremonisë së fillimit të ndërtimit të Parkut Solar Fotovoltaik me kapacitet prej 105 MW, në Kramovik të Rahovecit.
Projekt ky I nisur në kuadër të ankandit të parë solar të mbështetur e dizajnuar nga SHBA.
”Falënderoj qeverinë e SHBA-ve për mbështetjen në përgatitjen dhe dizajnimin e ankandit të parë solar. Ekspertiza e tyre ka ndihmuar që procesi të zhvillohet mbi praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të krijojë besim te investitorët”, tha Kurti.
Për këtë project, tha se synon të rrisë prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe të kontribuojë në forcimin e sektorit energjetik të Kosovës.
“Përtej rritjes së prodhimit vendor, ky projekt ka domethënie të veçantë edhe për raportin tonë me mërgatën. Kompania udhëheqëse e konsorciumit, Orllati Group, është e zhvilluar në Zvicër, ku ka fituar përvojë, kapital dhe standarde pune, të cilat tani po i sjell në Kosovë me investim afatgjatë”, tha Kurti.
Ai e shfrytëzoi rastin për ta lavduar mërgatën për ndihmën e shumëanëshme dhënë Kosovës.
“Për dekada mërgata jonë ka qëndruar pranë Kosovës në momentet më të vështira. Sot po shohim gjithnjë e më shumë ndërmarrës nga mërgata që po kthehen me investime, me prodhim, teknologji dhe me vende pune. Kjo është një fazë e re dhe tej mase e rëndësishme e kontributit të saj”./kosovapress/A.K/
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të 28-të në mënyrë elektronike, ku ka miratuar këto vendime:
Është emëruar Ragmi Dalipi në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit.
Është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave ish-shoqërore të administruara nga AKP-ja për realizimin e dy projekteve në Komunën e Gjakovës:
administrimi i objektit të ish-“Bankos”-it për nevojat e administratës komunale;
ndërtimi i një fushe futbolli dhe hapësirave rekreative në fshatin Trakaniq dhe zonat përreth.
Është miratuar ndryshimi i Vendimit të Qeverisë Nr. 11/08, me të cilin Besnike Mehmeti nga Zyra e Kryeministrit emërohet zëvendësuese e anëtarit të Komisionit për shqyrtimin dhe vendosjen e zyrtarizimit të gjendjes faktike dhe mospërputhjeve me Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme, në vend të Ervina Gashit./A.K/
Klinika Infektive e Qendrës Universitare Klinike të Kosovës ka njoftuar se po trajton një situatë të helmimeve të dyshuara nga ushqimi, ku deri më tani janë hospitalizuar 31 pacientë.
Fluksi i rasteve ka nisur gjatë datave 13, 14 dhe 15 korrik, periudhë gjatë së cilës ndihmë mjekësore urgjente në këtë klinikë kanë kërkuar rreth 30 persona, prej të cilëve 11 raste kanë rezultuar pozitivë me bakterin Salmonella Enteritidis pas analizave të hollësishme laboratorike.
Në kuadër të këtyre rasteve, janë pranuar edhe pesë pacientë nga komuna e Hanit të Elezit me simptoma të ngjashme, të cilët kanë deklaruar se kanë konsumuar ushqim në të njëjtin lokacion, gjë që ngre dyshime se numri i personave të helmuar mund të jetë edhe më i madh.
Ekipi shëndetësor po punon intensivisht për të identifikuar burimin e saktë të infeksionit dhe konfirmon se të gjithë pacientët e shtruar janë duke marrë trajtimin e duhur dhe gjendja e tyre po shkon drejt përmirësimit.
Për shkak të temperaturave të larta që favorizojnë shumimin e shpejtë të baktereve, stafi mjekësor u bën thirrje qytetarëve të shmangin konsumimin e ushqimeve të shpejta të tipit “fast food” dhe të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore në qendrën më të afërt nëse shfaqin simptoma si të vjella, diarre, temperaturë të lartë apo dhimbje të forta barku, ndërsa Klinika Infektive ka premtuar se do të mbajë të informuar opinionin publik në mënyrë transparente për çdo zhvillim të ri epidemiologjik. /E.A/
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, dhe kryetari i degës së dytë të LDK-së në Prishtinë, Florian Dushi, kanë dorëzuar të mërkurën nënshkrimet e grumbulluara për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë.
Iniciativa u nis me kërkesën për shkarkimin e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit të partisë, pasi LDK-ja doli sërish e treta në zgjedhjet e 7 qershorit.
Abdixhiku pati refuzuar kërkesën e disa degëve për dorëheqje.
Siç pati thënë vetë Zemaj ditë më parë, për thirrjen e këtij kuvendi janë mbledhur më shumë se 150 nënshkrime.
Sekretari i partisë, Ilir Ferati, një ditë më parë u shpreh se sapo të ketë zyrtarisht kërkesë të tillë, ajo do të trajtohet me seriozitet.
Kuvendi i LDK-së ka 355 delegatë, kurse mbledhjen e tij mund të thirren me 118 nënshkrime. Pas deponimit të këtyre nënshkrime, sipas statutit të LDK-së, kryesia e partisë është e obliguar që ta thërrasë Kuvendit brenda 60 dite.
Abdixhiku i pati mbijetuar votëbesimit më 31 janar, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Nga ato zgjedhje, në zgjedhjet e 7 qershorit LDK-ja u rrit për tre deputetë. Në zgjedhjet e qershorit ajo kandidoi me ish-presidenten Vjosa Osmani si prijëse të listës. /Koha/