Lajmet

​Asamblistët e LVV-së në Prishtinë bojkotojnë seancën për Planin Zhvillimor Komunal

Published

on

Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Prishtinë ka reaguar ndaj seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal ku pritet të jetë vetëm një pikë e rendit të ditës Pani Zhvillimor Komunal.

Sipas LVV-së ky është tentimi i radhës për ta kontrabanduar dokumentin kryesor komunal mbi zhvillimin e qytetit, për të cilin ministria e Mjedisit ka konstatuar qartë shkelje të shumta procedurale dhe ligjore.

Andaj LVV ka paralajmëruar se grupi i asamblistëve të tyre nuk do të merr pjesë në këtë seancë.

“Ky draft aktual i PZHK-së, me 28 komente negative nga MMPHI, ndër të tjera parashikon zgjerim të zonave ndërtimore në mënyrë të pakontrolluar, projekton rrugë që kalojnë nëpër toka bujqësore të cilësisë së lartë dhe rrezikon zonat e mbrojtura ujore. Për këtë arsye, Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk do të marrë pjesë në këtë seancë klandestine të thirrur nga kryetari në ikje. Ne refuzojmë të bëhemi pjesë e një procesi joligjor, joprofesional dhe të dëmshëm për Prishtinën”, thuhet në reagimin e LVV-së.

LVV ka ftuar të gjithë kolegët asambleistë nga të gjitha subjektet politike që ta bojkotojnë këtë mbledhje, dhe të mos e legjitimojnë me praninë e tyre një dokument që rrezikon të kthehet në pasojë për të ardhmen e qytetit.

“Prishtina ka nevojë dhe do ta ketë një Plan Zhvillimor të ligjshëm, vizionar dhe të ndërtuar mbi interesin publik, e jo plan mbi tavolina të errëta me interesa private e partiake – siç po propozon kryetari të cilit i kanë mbetur vetëm edhe pesë muaj mandat”, thuhet tutje.

Ndërkaq, sot mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës me pikën e rendit të ditës propozim-vendimi për lënie në shqyrtim publik të projekt-dokumentit të Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033.

Lajmet

QKUK përfundon verifikimin e pronësisë, paralajmëron rrënimin e objekteve pa leje në oborr

Published

on

By

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka përfunduar verifikimin e pronësisë së oborrit të saj dhe ka paralajmëruar se së shpejti do të nisë lirimin e hapësirave të uzurpuara prej shumë vitesh, duke rrënuar objektet e ndërtuara pa leje.

Ky hap vjen pas punës së një komisioni të posaçëm të formuar në mars të këtij viti, i cili në bashkëpunim me Drejtorinë e Kadastrit të Komunës së Prishtinës, përmes ortofotove dhe planeve kadastrale, ka vërtetuar gjendjen pronësore. “Sipas të dhënave kadastrale, brenda oborrit të QKUK-së nuk figuron asnjë pronë private”, thuhet në njoftimin zyrtar të këtij institucioni.

Para marrjes së vendimit për ndërhyrje, institucioni u ka dërguar dy njoftime zyrtare shfrytëzuesve të lokaleve afariste dhe kioskave që veprojnë brenda këtij perimetri, duke kërkuar dëshmi mbi bazën ligjore të shfrytëzimit të hapësirave.

Megjithatë, nga QKUK-ja bëhet e ditur se asnjëri prej shfrytëzuesve nuk ka paraqitur certifikatë pronësie apo dëshmi se objekti është në proces legalizimi, ndërsa dokumentet e dorëzuara kanë rezultuar të jenë kontrata të skaduara dhe aktvendime të paregjistruara në kadastër.

Procesi i lirimit të këtyre hapësirave ka marrë mbështetje edhe në terren nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), i cili gjatë inspektimeve të ditëve të fundit i ka vërtetuar të njëjtat gjetje.

“Me konfirmimet kadastrale dhe rekomandimet zyrtare si nga Inspektorati Komunal, ashtu edhe nga ai i MMPHI-së, menaxhmenti i QKUK-së tashmë ka në dorë të gjitha instrumentet ligjore dhe do t’i përdorë për t’ua kthyer pacientëve e qytetarëve pronën publike”, ka theksuar ky institucion. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

KEDS: Rikthehet energjia elektrike për rreth 80 për qind të konsumatorëve të prekur nga erërat e forta

Published

on

By

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) ka njoftuar se, përkundër erërave të fuqishme që shkaktuan dëmtime në rrjetin shpërndarës, furnizimi me energji elektrike është normalizuar për rreth 80 për qind të konsumatorëve të prekur brenda tri orëve të para pas qetësimit të motit.

Ndër zonat më të prekura nga moti i ligë kanë qenë Prishtina, Gjakova, Dragashi, Prizreni, Suhareka, Kamenica, Gjilani, Kaçaniku, Lipjani, Shtimja, Drenasi, Obiliqi, Fushë Kosova, Podujeva dhe Ferizaj.

Sipas KEDS-it, paralelisht me rikthimin e energjisë për shumicën e konsumatorëve, janë lokalizuar defektet në shtylla dhe përçues në pothuajse të gjitha pikat e rrjetit ku janë evidentuar dëmtime.

Ekipet në terren po vazhdojnë punën intensive për sanimin e plotë të problemeve dhe rikthimin e rregullt të furnizimit për të gjithë konsumatorët./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Nga 18 vjet burgim për Ilir dhe Rrahim Abdullahun për vrasjen e policit Triumf Riza

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të premten aktgjykimin dënues ndaj Ilir dhe Rrahim Abdullahut, duke i dënuar me nga 18 vjet burgim secilin për vrasjen e zyrtarit policor, Triumf Riza. Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, bëri të ditur se gjykata i shpalli të akuzuarit fajtorë për kryerjen në bashkëkryerje të veprës penale “Vrasje e rëndë”, bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Sipas vendimit të gjykatës, Ilir Abdullahut i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, ndërsa e njëjta masë e paraburgimit i është caktuar edhe Rrahim Abdullahut. Gjatë seancës së shpalljes së vendimit, në sallë ishte i pranishëm vetëm i akuzuari Ilir Abdullahu i shoqëruar nga avokati i tij, Ramë Dreshaj, ndërsa Rrahim Abdullahu mungoi dhe u përfaqësua nga avokatja Agnesa Salihu. Në seancë mungoi po ashtu edhe prokurorja e rastit, Arbëresha Shala.

Zyrtari policor Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007 në lagjen “Dardania” në Prishtinë. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

AKB: Nga 7.16 miliardë euro remitanca në pesë vjet e gjysmë

Published

on

By

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si po shfrytëzohet kapitali i diasporës në vend, duke vlerësuar se dërgesat e mërgimtarëve po mbeten kryesisht të orientuara drejt shpenzimeve të përditshme dhe sektorit të ndërtimit, në vend se të kanalizohen në zhvillimin e industrisë dhe prodhimit vendor.

Sipas një vlerësimi të kësaj organizate, gjatë periudhës nga viti 2021 deri në qershor të vitit 2026, Kosova ka pranuar gjithsej rreth 7.16 miliardë euro remitanca, prej të cilave rreth 80 për qind ose afro 5.73 miliardë euro janë shpenzuar në konsum, patundshmëri dhe ndërtim. Ndërkohë, vetëm 2 për qind e këtij kapitali, që përkthehet në rreth 143 milionë euro, është investuar në biznes, industri dhe prodhim, kurse 18 për qind e mbetur ka shkuar në destinime të tjera.

Të dhënat e prezantuara nga AKB-ja tregojnë një trend të vazhdueshëm të rritjes së dërgesave të diasporës ndër vite, duke filluar nga 1.15 miliardë euro në vitin 2021, 1.22 miliardë euro në vitin 2022, 1.33 miliardë euro në vitin 2023 dhe 1.35 miliardë euro në vitin 2024.

Kjo rritje ka vazhduar edhe në vitin 2025, kur remitancat arritën në 1.4 miliardë euro, ndërsa vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 në vend kanë hyrë rreth 690.7 milionë euro. Pavarësisht këtij potenciali të lartë financiar, AKB-ja vlerëson se këto mjete nuk po arrijnë të shndërrohen në motor të zhvillimit ekonomik përmes hapjes së fabrikave të reja apo rritjes së eksporteve.

Për ta ndryshuar këtë gjendje, AKB-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të hartojë një strategji të posaçme për orientimin e kapitalit të mërgatës drejt sektorëve prodhues, teknologjisë dhe eksportit.

Kryetari i kësaj organizate, Agim Shahini, ka kërkuar nga institucionet që të krijojnë një klimë më të favorshme investuese përmes garantimit të sigurisë juridike, ofrimit të lehtësirave fiskale dhe zbatimit të politikave konkrete mbështetëse, duke theksuar se vendi ka nevojë për investime që gjenerojnë fabrika dhe vende të reja pune, e jo vetëm mjete për konsum. /E.A/

 

 

 

Continue Reading

Të kërkuara